back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Erosi dhe Seksi si kënaqësi apo (i)moralitet migjenian dhe tabuthyes në letërsinë shqipe – nga Emrije Krosi

Gazeta

Migjeni - Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)
Migjeni – Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)

Erosi dhe Seksi si kënaqësi apo (i)moralitet migjenian

dhe tabuthyes në letërsinë shqipe.

nga Emrije Krosi

Migjeni është një poet të cilit kritika i është qasur në mënyra të ndryshme, por jo si simboli i “pohimit” të seksit, inçestit dhe prostitucionit. Ai ka marrë shumë prapashesa me (-izma), por pak ose fare pak, si tabuthyes i moralit të “ngurtë” shqiptar, duke ia mveshur kryesisht Petro Markos (i mohuar për shumë dekada, për de/moralizmin e shoqërisë “socialiste”), ku estetika migjeniane ka shenja më të hershme. Në këtë trajtesë, jo shteruese por një tjetër tuhajësim, për një temë kaq akuale, që ka ndryshuar vetëm emrat, por jo formën, migjenologët dhe lexuesi i thjeshtë, e ka rrokur vetëm si “poet i mjerimit”. Kjo sintagmë, nuk ka hedhur poshtë tezat se Migjeni, e ka “fshehur” seksin si nëntekste, tek “Novelat e qytetit të Veriut”, apo një “open door” kundër imoraliteteve dhe tabuve të një shoqërie maskiliste dhe kaq shumë konservatore shqiptare sidomos në veri, ku kodet e “turpit” si inçesti (dashuria e Migjenit për kushërirën), apo prostucioni si nënshtresë tekstore, lehtësisht është e receptueshme si dekodime seksuale, në tregimet: “A do qymyr zotni?!”, “Historia e njenës nga ato…”, dhe konsumimi i aktit seksual tek “Qershia”, sërishmi kritika të përbashkojë, të gjitha shenjat, se S/Z-ja e Bartes-it, lisible/scriptable (e lexueshme/e shkrueshme), si një shkallë vlerash që duhet qëmtuar një tekst i veçantë, një proces tërësisht i asimilueshëm brenda stukturës poetike.

Qershijat janë pjekun, janë bamë kuq si gjaku dhe në malsoren e re asht pjekun fryti i dashunis. Rrin malsorja në prak të kasolles dhe në ftyrë të zbehte të sajën skuqen buzët m’u si qershijat në degëz. E qershija ka mbajtun mirë. I janë randue degët dhe varen gati me u thye. Dhe malsoren e re e randon barra nën zemër e nuk mundet me u çue, me këputë një degëz.
Qershija dhe malsorja janë randue nga frytet e veta e natyra kënaqet dhe qeshet. Por kush dëgjon qeshjen e saj?
Malsorja lakmon qershijat e kuqe. Lakmon qershijat për me shue ujën, se ka do kohë, që edhe misri u ka mungue. Kokrrat e fundit të tij i ruajtën për farë. Nesër duhet me i qitë nën dhè, dhe mandej me pritë derisa të bahet misri i ri. E për do kohë, misrit kanë me i xane vendin qershijat. Dhe malsorja e re si pranvera, me sy të kaltërt si qielli e buzë të kuqe si qershija, vuen… vuen nga uja. Shikon përtej kodrave dhe maleve, mbyll sytë, shikon… Shikimi i saj i molisun, i mërzitun… Gjithshkafja i asht mërzitun, vetëm jo jeta. Sado e keqe që asht e mjerueme, pa bukë – jeta prap asht e dashtun. Jeta në vetvete përmban një gëzim, gëzimin e të qenunit. E malsorja e re, pos këtij gëzimi, ka edhe një gëzim tjetër, gëzimin e natës. Kur shtrohet nata, dhe ajo shtrohet në shtresa pranë burrit dhe u lëshohet përkëdheljeve të tija mashkullore. Dhe harrohet vuejtja e ditës, uja në gëzimin e mahnitshëm të një çasti. Këto gëzime të natës i dhanë barrën e randë, por barrën e kandshme, të dashtun me zemër ngushtë të lidhun. Shikon qershijat, me i këputë s’mundet se janë të nalta, e në vjetin e kaluem, vetë i asht ngjitë pa farë zorit, – por, me t’avitunit të ndoj burrit, ajo shpejt u hudhte në tokë. Po, se veshja nuk ishte e plotësueme. Mendohet malsorja dhe idhnohet pse nuk mund të këpusë qershija. Por idhnimi në fund te fundit përkon me një dhimbë të kandshme tue mendue se barra, e shkaktueme nga gëzimet e natës, i ka fajet. Ah nett, nett! T’errta e të dashtuna! Kështu mendon malsorja, thjesht si asht e thjeshtë dhe e natyrshme dëshira e rinis së saj.
Në prak të kasolles del një plakë e keqe, tue i mbyllë sytë përgjysmë nga se drita e ditës pranverore asht në kulm të shkëlqimit dhe e verbon. E reja don me i than për qershija, por i vjen turp. Prandaj çohet vetë, lëvizet ngadalë si një barkë me vela kur nuk ka erë, merr një hu të gjatë dhe vehet me këputë një degë. Por shpejt e shef se kot mundohet. Një djersë e lehtë e ftohtë i arrin shtatin e molisun e lëshon hunin dhe ulet nën qershi. E plaka në prak të kasolles s’tundet. Ka zbërthye këmishën e ndytë si qiella e dimnit, dhe ose numron të hollat ose ban ndoj punë tjetër.
-Nano! A po munde të na këputish ndoj degëz qershija se po më rrënon uja?
-S’po mundem nuso… prit sa të të kthejë burri.
E nuses iu droth zemra. Një aht u shmang nga buzët.
Diçka u përmbys në mbrendin e saj. Një urrejtje – kundër kuj as ajo s’e dinte – por një urrejtje e pamëshirshme rritej, e zu për fyti e shtrëngoi… dhe e lëshoi kur lotët filluen me rrjedh rrkajë gjatë ftyrës së saj të zbehtë.
Grueja me shtat-zanë, e undshme, e mjerueshme, vall çka do të lindi? A mundet me qenë frytë i saj prodhim dashnuer i natyrës? – Fryti i saj i filluem dhe i lindun në mjerim edhe ka me u rritë në mjerim, se vuejtjen dhe mjerimin e merr në trashëgim, dhe si pasojë e këtyne: urrejtjen. Urrejtja me të cilën u lind do ta bajnë ndoshta cub. E cubi asht cub! Rropos dhe u ve zjarmin shtëpijavet të ndërtueme prej vllime ligjesh shoqnore. E ai çka ep për ata gja?  “Ma shumë se me ma marrë shpirtin çka munt të më bani!” – përgjigjet cubi i rrethuem me zjarm në mes të katër murevet.
Malsorja nën qershi u shtri me gjëmim, i cili rrfente një dhimbë të jashtzakonshme. Malsorja plakë u çue dhe po i avitej ngadalë. Mbas pak kohe u përzien britma vuejtje lehone dhe vaji i foshnjes; i cili n’at mënyrë çpall se asht pjestar i shoqnis njerëzore ndër këto vise të humbuna të botës. E ne nesre, e urojnë djalin me fjalë: “I shkoftë lypa mbarë!” (A ju pëlqen zotni, ky urim për fmitë e juej?) E natyra prendverore qesh dhe kënaqet që po prodhon qershija të kuqe dhe fëmi të mjeruem.
“Qershiat” në “Novelat e qytetit të veriut”, Migjeni.

Rrëfim për dashurinë apo për erosin, nuk është as e re, dhe as tabu. Tabutë rreth erosit, seksit dhe prostuticionit, i ka thyer Migjeni. Po kush besonte, se një poet i mjerimit të “trillonte” kaq bukur, imazhe të mrekullueshme, mahnitëse, nëpërmjet rrëfimeve të një qyteti të vogël verior (ku “tabutë” e ndaluara dhe erotika ishin të “mallkuara”), me një përshpirtmëri tejet ngjethëse, dhe metafora e “sëmundjes” për (Suzanë Sontag) “simptomat e sëmundjes nuk janë tjetër veçse një shfaqje e fshehtë e fuqisë së dashurisë; dhe çdo sëmundje s’është veçse dashuri e shpërfytyruar”, një “sëmundje” melhem dhe helm, sendërton një motiv erotik shumë të fortë në letërsinë shqipe, ndodhta absolutisht, nuk rrok kode të mëdha, por kode, nënkode, subkode të vogla, sepse letrësia shqipe nuk ka figura të mëdha erotike… (sipas Sabri Hamitit), “erotizmi në letërsinë shqipe është fenomen njerëzor i trajtuar më fort si ankth jetësor, brengë metafizike e sprovë e ekzistencës kolektive, se sa si dramatikë e zbulimit shpirtëror dhe lirisë individuale”, por “vegimi” erotik në mënyrë shkrimore të Migjenit, ethshëm mëpërtej (meta)fizikut, mëpërtej brengës individuale, mëpërtej dramës së shpirtit të vetmuar, mëpërtej personales, trupores, kënaqësisë, surreales, trupores, fizikut, ka shpaluar hapur dhe qëllimisht inçestin “e due Lilushën! Si vajzë, si grue e due…” një pasion dashuror që përndez jo vetëm rebelimin nga vetmia, por thagma universale burrë/grua, (që buron nga Eva biblike dhe e burrit ta parë Adamit, mëkatoj), bëri Maria Mardalenën, “kurban” të imoralitetit (kurvërimit), shenjtore dhe prostitutë, “Nga Ungjilli i Filipit, apokrif”, shkrim nga (*Luan Rama), ku janë rrëzuar të gjitha tabutë, janë dekostruktuar të gjitha kodet/ (de)kodet e “dashurive të ndaluara”, ku rrëfimi nëpërmjet përemrave vetorë [Ai/Ajo, Unë/Ti], Migjeni, nuk i ka trillim imagjinate, (ai dashuronte kushërirën e tij), por mentalitetin dhe psikologjinë e botës shqiptare, ishte mëkat, tabu, e ndaluar andaj e fshehu nëpërmjet simbolikave më të bukura vertikalitetin e aktit seksual (mashkullor) me horizontalitetin e dëshira epshore (femërore), pavarësisht se sistemet politike që e (mbi)idealizuan, me mjerimin e tij social, kritikët dhe migjenologët (të shtuar në numër) akoma e mohojnë plotmërinë e ndërtekstorisë migjeniane, të aktit seksual si marrëdhënie e estetizuar, realizohet subjekti erotik dhe akti i tij si diskurs, por nuk merr përsipër të strukturojë, as mesazhe ndërtuese njohëse jashtëletare, as të jepen modele më të drejpërdrejta tabuthyerse, përtej një libidoje dashurore, që nuk bëzan ecejakjeve të tropeve, duke devijuar shenjën autoriale, përtej rrokshmërisë së topikës së shmangies të akteve fizike trupore.

Modelet e elemetenteve erotike, seksuale dhe pornografike, në tekstet e letërsisë shqipe:
-Modeli i narcizmit, (pohim dhe mohin erosi, narcizëm dhe vetëdëshirim mashkullor,  në romain “Pse” të Spases);
-Modeli i përçuarjes së kumteve të dashurisë, (në marrëdhenie Mashkull/Femër,  “Diloca” e Koliqit, “E madhe gjëma e mëkatit” e Kutelit, “Pakë poezi…”, Migjeni, “Nën qarr rrinte vasha”, Pashku tej.);
-Modeli i erotikës së “pastër”, (modeli i dashurisë së Poradecit) model të erotikës  joshëse, (modeli i femrave dhe meshkujve joshës poetët si: Ahmeti, Taçi, Camaj);
-Modeli i erotikës që i kundërvihet luftës, (modelet erotike dhe dashurore të Markos); modeli erotiko-pornografik në përmasa ekstravagante, deri në banalitet, (modeli edhe si seksualizmit “vulgar” “Dueli”, Tufa, “Dhjetë ditë që tronditën botën”, Plasari, “Vrima”, Petro);
-Modeli e tramuave seksuale, (një model shoqërore, social dhe psikologjik i individit,  nëpërmjet masturbimit, Kongoli etj.)

Migjeni - "Vargjet e Lira" 1944 - Ismail Mal'Osmani
Migjeni – “Vargjet e Lira” 1944 – Ismail Mal’Osmani

Metafora e qershisë, epshi i (pa)përmbushur femëror.
Në rrëfimet te libri “Novela të Qytetit të Veriut”, tokmaku i realiteti shqiptar, e “shtyp” shpirtin e lirë dashuror, mjafton të lexosh novelëzën ose skicën “Qershia”. Në fragmetin e parë, vetëm qershia është simboli i erosit, (Erosi vjen nga mitologjia që dashuroj Psikën në errërisë dhe kur Psika pa fytyrën etij, ai u zhduk), të puthjes, (buzët si qershia): qershijat janë pjekun, janë bamë kuq si gjaku dhe në malsoren e re asht pjekun fryti i dashunis, f. 78, pra qershia është pjekur bashkë me “qershinë seksuale” të malsores, por nëse duhet ta dekodojmë nëntekstin erotik, ose me mirë nëntekstin seksual, e njëjtë me skicen “A don qymyr zotni”, kemi disa izotopi:
izotopi e parë, (ndërfutur dhe ndërlidhur me njëra-tjetrën), [qershia + fruti/pemë  kokërrkuqe/gjak/e pjekur] dhe [malsorja+ grua shtatazanë/ mitra (pemëbajtësja)/ lëngu i palçentës/ gjak], tregon se malsorja shtatzanë, akoma “dëshiron” qershinë e pjekur të seksit. “Qershia” e poeti simbolizon edhe organin seksual të femrës, [vagina], me lëngun mesturacional (që femra është pjellore) që bashkohet me spermën dhe sjellin “frutin” e pjekur, pra qershi e pjekur është edhe vagina, tashmë e pjekur, për lindjen e frutit të saj. Nënteskti është qartësisht i kuptueshëm, sado që kamuflimi rrëfimtar është në shërbim të një “ligjërimi të moralshëm”, sipas (Erjon Dode), përsa i përket vetë seksit, si raport mashkull/ fermër, por edhe si raport (burrë/ grua të ligjshme në skicën tonë), vjen ndërfutja e fragmentit tjetër, qershija dhe malsorja janë randue nga frytet e veta, [qershia+frutit/kokrra]=[malsorja+ shtazania/fëmija], tregon se malsorja është e “ngopur” nga dëshirat e saj (seksi), por “dëshiron” sërish të shijojë atë kënaqësi të humbur, tek rreket të kapë degën e qershisë, pasi “lëngun e kuq” e dëshiron akoma: dy buzë të kuqe,/ Dy dëshira të flakta… poezia “Dy buzë”. Fragmenti tjetër na sjell, aktit seksual, si akt i kryer: e malsorja e re, pos këtij gëzimi, ka edhe një gëzim tjetër, gëzimin e natës. Kur shtrohet nata, dhe ajo shtrohet në shtresa pranë burrit dhe u lëshohet përkëdheljeve të tija mashkullore. Dhe harrohet vuejtja e ditës, uja në gëzimin e mahnitshëm të një çasti. Këto gëzime të natës i dhanë barrën e randë, por barrën e kandshme, të dashtun me zemër ngushtë të lidhun. Shikon qershijat, me i keputë s’mundet se janë të nalta, nuk është një dashuri platonike, as infantile, as blafsemike, por është shumëplanëshe në:
izotopi e dytë: (përmbushja e aktit seksual), [me gzimin e natës + pranë burrit] + [akti fizik seksual] = [barrën/peshën/gëzimin e mahnitshëm]. Mënyra e sjelljes së aktik, nuk ka asgjë imorale, sepse “çasti i mahnitshëm”, pra mbiemri: [i mahnitshëm, është në shkallën siperiore] është thelbi i arsyes dhe i ndjenjave, sipas Frojdit: “ka vetëm një formë dashurie, dhe kjo është dashuri erotike”, sepse mitikja rrëzon “mitin” e Superegos, se Migjeni, nuk mund të dashurojë një femër hapur, përtej mishit dhe gjakut, ai mund të dëshirojë në thellësinë e tij poetike apo të rrëfejë në fshehtësi, për gruan ideale, për gruan e moralshme, një femër-grua mbretëreshë, përtej moralit, apo edhe imoralitetit (prostuticionit), tek: “Historia e njenës nga ato” nuk mund të jetë “(i)morali në ligjërimin për një ish-prostitutë” e (Petro Markos), apo një lloj rehabilitimi, ku ajo lloj dashurie është një “surrealitet i ndjenjave”, sepse Migjeni sipas studiueses (Rovena Vata), “dashurohet në femrën-ide-e-dashurisë, në femrën e adhurueshme, në gruan-hyjneshë, në gruan që nuk ekziston, në gruan që ekziston në imagjinatën e tij. Ai kërkonte një dashuri, pa prekje fizike…”.
izotopi e tretë: (pa)ngopja dhe përplotmëria e femrës, (malsores), kur ajo kujton  netët e errëta, por dashuria atje në terrinën çmeruese të dhomës mjerane malësore, në teshat e varfra shkunduj e vrulleve dhe zjarrmimeve seksuale derdhet në ektazat dashurore të peshës së barrës, (shtatzanisë) nuk ka faj, se dëshirat dhe vrullet epshore derdhen vetëm natën, heshturazi, fshehtazi duke përmbushur, qëllimet martesore si akt riprodhimi, por edhe kënaqësie, ajo shprehet: Ah nett, net, në fragmentin e mëposhtëm: mendohet malsorja dhe idhnohet pse nuk mund të këpusë qershija. Por idhnimi në fund të fundit përkon me një dhimbë të kandshme tue mendue se barra, e shkaktueme nga gëzimet e natës, i ka fajet. Ah nett, nett! T’errta e të dashtuna! Kështu mendon malsorja, thjesht si asht e thjeshtë dhe e natyrshme dëshira e rinis së saj, na përçon një tjetër interpertim të simboleve frojdiane “se në skaje me të errëta” dëshira e shtypur e (Zigmund Frojd-it), “është një përmbushje” se njeriu shpëtimin mund gjejë në dashuritë epshore/ trupore, kur gruaja është dashuria e përplotësuar, e Philip Roth shprehet se: “…seksi, si erotika, si pornografia si veprim, është metaforë e jetës”, na konfiguron: [idhnimin+ dhimbjen + dëshira] = [natën e errët + rinia] = [përmbushja e aktit seksual], por këtu “idhnimi” vjen nga pamundësia për të mos “këputur” qershiat si dru/ pemë në vertikalitet është ogani mashkullor, ajo nuk mund të bëjë më seks, për shkak të shtatzanisë, por dëshira e moskëputjes se qershisë, lidhet me mungesën e pamundësisë, së të bërit seks. Pra, [qershia + malsorja + aktit seksual] = [frutin + barra + lehonë] = [pema+organi seksual] = marrëdhënie çiftore për riprodhim. Gruaja e shtrirë në çastin e lindjes në rrafshin horizontal është pjellshmëria që vjen nga (Toka/ Pema/ Qershia), kurse rrafshi vertikal ngjitës, vazhdimësia që vjen nga (Qielli/ Degët/ Kokrrat). Ndrydhja e ëndrrave të fshehta, “id-i” që lidhet me vrullet instiktive, “ego”, që kundërshton vrullet, “superego” ka funksion gjykues kritik, pra kritika analitike, sipas (Norman Holland), përcakton se “burimi i kënaqësisë që marrim nga letërsia, gjendet në procesin e transformimeve të dëshirave dhe frikave tona subkoshiente”, se marrëdhënia e brenda kufijve të id-fantazive dhe ego-mbrojtjes, forma e tekstit, është përcaktuar si një mënyrë e fshehjes mes autorit dhe lexuesit, duke “çliruar kënaqësi” estetike, bashkë më kënaqsinë e nënkuptuar seksule:
izotopi i katërt: (marrëdhënia nuse-vjehërr), [nusja + vjehrra] = [refuzimi + fashitja e  dëshirave seksuale të vjehrrës], në fragmentin: Nano! A po munde të na këputish ndoj degëz qershija se po më rrënon uja?/ – S’po mundem nuso… prit sa të t’kthejë burri, – rikthimi i kujtimeve rinore të vjehrrës në formë të hirnuar, ku uni i zjarrit është shuar. “Xhelozia” e vjehrrës ndaj “epshit” rinor të nuses, shprehet me retiçensë nga poeti: s’po mundem nuso…, se vjehrra është e ftohtë, zjarri i saj rinor ka mbaruar. Përgjigja: prit sa të t’kthejë burri,, tregon se ai që mund të këputë “qershinë” e saj, duke përmbysur çdo lloj raporti lesbizmi, apo dhe të marrëdhënie mes femërores dhe femrës, si model të sjelljes edhe të seksualitetit, se edhe shkatërrimi i “çiftit mashkull/ femër ose mashkullore/femërore” si koncept i (Simon De Bovoair), s’është një “metaforë”, se vetë Migjeni si Bodleri, për të femrat e pista si në bordello, apo në rrugë (shitësja e qymyrit), trajtësohen si forma epshi mashkullor, me “dëshira të fshehta”, dekodon substratet psikologjike, madje -ant(i)nçestet, dashuritë e ndaluara, me vrullet epshore që ndizen, gulçojnë e shfrehen “me papërmbajtshmëri, “shpërthim viriliteti, aritmi dhe nxitim, belbëzim dhe përgjërim” shprehet (Vjola Isufaj), por poeti nuk shmnag as prostitucionin. Jo ajo që sheh në rrugë, po ajo që thuhet hapur në letërsinë shqipe, se Migjeni ishte i pari tabuthyes, për mendësinë e mbyllur, “kush nuk e kujton? Kush nuk e kujton, or shok, atë? Kë? Cilën? Cilën? – Atë! Njërën nga ato! – Po cila asht njena nga ato? Ato janë shum! Cili i ri (ose plak) nuk njef së paku dhetë nga ato?! Pse ato janë shumë. Pse shumë ka meshkuj, shumë ka parë, prandaj duhet në numër relative të kenë dhe trupna që shiten… Pra, kush asht njajo njena nga ato?, kur vetë autori e indentifikon me termin Kurvë: “me e quejtë Luken Kurvë…”, se dallimi mes të moralshmes dhe të pamoralshmes, për Migjenin nuk ka “vijë të kuqe” siç shkruan (Moikom Zeqo – “se gati gjysma e “Novelave të qytetit të Veriut” kanë për subjekt prostitucionin”, madje një shpalim i hapur me malsoren e qymyrit dhe Luken. Përmasa e dashurisë, përmes dy trupave mishtore, “thyen” tabutë e madhështisë seksuale, por dobësitë tona njerëzore dhe problemet shpirtërore, epshet mishtore, duke mëkatuar, gënjyer, e kemi kthyer seksualitetin në “mall për treg”, duke e zhveshur nga çdo vlerë emblemën e krijimit të botës: lidhjen mashkull-femër.

Sëfundmi: lexuesi ka mundësi t’i qaset ndryshe Migjenit, që gjithëherë mbetet poeti që e citojmë dhe i referohemi në çdo kohë, për arsye të temës sociale dhe shoqërore, që ka sjellë poezia e tij, por me anë të një qasjeje përmbysëse, dua të çdekodojë kodet migjeniane, të poetit tabuthyes, që “shvlerësoj” moralin e ngurtë shqiptar, në dukje, por jo dëshirat dhe epshet e fshehta mashkullore. Seksi nuk është turp, por akt sublim mishtor dhe trupor, për kënaqësi dhe riprodhim.
_______________________
*Ungjilli i mëkatares, Ungjilli  i Maria Magdalenës bën pjesë ndër ungjijtë dhe dokumentet e vjetra biblike të gjetura në vitin 1945, në shkretëtirën e Egjiptit të Sipërm, përgjat Nilit, në Jabal al-Tarif dhe që më pas, për nga pasuria e dokumenteve dhe ekzistencën e tij diku pranë e një manastiri të vjetër kristian, do të quhej “Biblioteka e Nag Hammadit”. Ai është i shkruar në gjuhën kopte, gjuhë e kishave dhe manastireve të para kristiane në Egjipt, (ato vareshin nga qendra kristiane e famshme e Aleksandri së), gjuhë që vjen nga fjala “qibt”, e cila është një kontraksion i fjalës së vjetër greke Aigupos, pra Egjipt.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.