back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Esenca përshtypjesh rreth librit “365 Ditë Autiste”, të Mirela Duka Xoxi nga Arjola Kondakçiu⁠

Gazeta

Mirela Duka Xoxi
Mirela Duka Xoxi

Esenca përshtypjesh rreth librit “365 Ditë Autiste”,

të Mirela Duka Xoxi nga Arjola Kondakçiu

“Një mësues i mirë, të mëson;
por një mësues i dashur, të frymëzon!”

Këtë vërtetësi e gjeta gjatë leximit të librit me tregime “365 ditë autiste”, me autore Mirela Duka-Xoxi , ku që nga titulli domethënës e kopertina me një vizatim të thjeshtë por që përçon emocione edhe përtej ngjyrosjes së çrregullt, të nxitet kërshëria për të zbuluar botën artistiko – letrare dhe njerëzore që fshihet përtej ngjyrave e shkronjave.
Për librin e shkruar me shumë dashuri e përkushtim ndaj përjetimeve me fëmijët autikë dhe depërtimit në botën e tyre të veçantë e plot gjallëri, redaktori Gani Bytyçi thekson: “Autorja, këtë përvojë profesionale dhe njerëzore e sjell nëpërmjet një rrëfimi të shkëlqyer letrar”.
Ndërsa Denada Toçe e sheh në reçensionin e saj nga një tjetër këndvështrim, në atë humano – social të shprehur dhe me fjali ndërgjegjësuese si: 
“Autorja ndihet përgjegjëse për të çuar misionin e njerëzimit në vend”
Ja pse dhe Mirela, autorja e librit, duke qenë e vetëdijshme që nga njëra anë shpesh s’kuptojmë veten tonë dhe e kemi të vështirë të kuptojmë të tjerët, e nga ana tjetër, duke marrë shkas edhe nga fakti që është vetë prind që mohon vetveten për të mirën e fëmijëve, nga prologu i saj shkruar edhe me një merak informues, ndër të tjera veçova:
“Autizmi, kjo sëmundje e shkaktuar nga çrregullimi neurobiologjik që krijon vështirësi në komunikim e sjellje, është si një legjendë enigmë e ditëve tona. Por nënat që i ndjekin ëndrrat e çiltra të këtyre fëmijëve në sakrifica të përditshme e të jashtëzakonshme, janë “heroina të pamposhtura” që i kalojnë “kufijtë e legjendës”. 
Për këtë na ka sjellë në një linjë rrëfimi nëpërmjet përshkrimeve të gjalla pasuruar nga një sharm letrar copëza historish reale të 5 fëmijëve: Heidi, Albani, Gloria, Ivani dhe Samueli, të cilët janë rreth moshës 12 – 14 vjeç. Pavarësisht kufizimeve shëndetësore, ndryshimet në trup e formim si rrjedhojë e adoleshencës shoqërohen dhe me vështirësi të ndryshme që kalojnë ata vetë, prindërit e mësuesit që kujdesen. Prandaj, autorja nuk do që t’i japë lexuesit thjesht një histori interesante, por edhe nëse lexuesi nuk ka vetë familjarë a të afërm autikë, duke u nisur nga aspekti njerëzor (ku gjithsecili ndihet i kufizuar nga një problem shëndetësor i dukshëm ose i brendshëm) nxitet të lexojë jo vetëm si një nevojë përmbushje larmishmërie tematikash letrare, por i ofrohet edhe mundësia e zhvillimit të njohurive me synim ndihmëse por edhe kuptueshmërie psikologjike për dikë të ngjashëm në ato situata autizmi. Sidomos pas mënyrës qartësuese brenda faqeve të librit ku ata klasifikohen në fëmijë që: belbëzojnë – çirren e ulërasin – lëvizin pareshtur duart – e që heshtin. Heshtin që t’i shohim, t’i dëgjojmë e t’i kuptojmë! Dhe këtu futet në rol mësuesja, rrëfimtarja, duke paralelizuar nëpërmjet të shkruarit ndjesitë e dyanshme të palëve si dhe gërshetimin e situatave deri në zgjidhje. Edhe pse në fokus janë fëmijët, unë i shoh në aspektin më të gjerë të pikëpamjes, dhe përzgjova disa copëza ndodhish ku mësuesja na tregon me modesti gjatë rrëfimit ditaresk nëpërmjet dialogjeve të shkurtra por me pyetje specifike, që këta fëmijë të konsideruar “ndryshe” mund të dëgjojnë jo vetëm me veshë por edhe me zemër. Çelësi?! Na e ka treguar me përvojën e saj të shfaqjes së mprehtësisë empatike e duke qenë një vëzhguese e mirë e situatave dhe të pafjalta, ku me takt gjeti mënyra të thjeshta por tepër të efektshme për t’i nxjerrë fëmijët nga krizat e ndryshme. P.sh.
-Kur bëri zhurmë me tharëse, që ta shpërqendronte Glorian nga problemi.
-Flavian e ndihmoi në mënyrë praktike nëpërmjet një pecete të lagur me ujë.
-Heidit iu largua zemërimi kur ia ndryshoi ambjentin duke e çuar te lodrat e shkollës.
-Samuelin, që duke e qetësuar me fjalë përzemërsie, iu rikthye buzëqeshja sepse kuptoi nevojën për shkëputjen e internetit.
-Heidin (në një rast tjetër) që donte ta përplaste fort abazhurin, i dha me ëmbëlsi një gjilpërë, fije e copë pëlhure ku ajo qepi tërë kënaqësi.

365 Dite Autiste - kopertina e pasme
365 Dite Autiste – kopertina e pasme

-Apo te të gjithë fëmijët në festë (mqs ngjarjet zhvillohen në Zvicër) që u përpoq t’u tregonte me anë të lojërave, aeroplanëve të ndërtuar me kartona, veshjeve kuq e zi dhe valleve popullore, traditat shqiptare duke i mahnitur, argëtuar e inkurajuar.
Përse? Sigurisht që jo për të mburrur veten, sepse vetë fakti i të shkruarit e përshkruarit me detaje nënkupton orë pa gjumë e marrje kohe dhe energjie personale. Përkundrazi, nëpërmjet këtyre ngjarjeve të thjeshta në dukje, mesazhi i mënyrës të së shkruarit vjen fuqishëm, sidomos kur janë përdorur dhe figura letrare si: krahasime, metafora e hiperbola e trajtuar në masën e duhur.
Përveç tregimeve në formë rrëfimi që janë të shkurtra , të kapshme nga syri e të përfshijnë tërësisht gjatë leximit për arsye se thelbi i mesazhit përthithet ngultasi, një veçori artistike janë dhe disa ilustrime shoqëruese që ia rritin vlerat kompozimit të strukturës së librit. Në disa pjesë, autorja në rolin e mësueses, i ka lavdëruar fëmijët në pikat e tyre më të forta, siç është talenti për pikturë, muzikë, kërcim e not. Vetkuptohet që në këtë rast për kompletimin e librit mund të vendoste vetëm vizatimet. Dhe është një zgjedhje fine, sepse pasqyron më së miri ngjarjen e rrëfyer por edhe përcjell pozitivitet, duke filluar nga vizatimi elegant i kopertinës që i përket Samuelit e deri në brendësi të shfletimit, që të kënaqin me origjinalitetin e freskisë së ngjyrave dhe aromën e botëkuptimit përçues fëminor, aq sa mund të them që “figurat s’janë vetëm për fëmijët”.
Gjithsesi, përtej vështirësive të kaluara apo përballjes me situatat e pakëndshme, libri “365 ditë autiste” përshkohet tërësisht nga DaSHuRiA. Këtë autorja e ka shfaqur si vlerë njerëzore me shembullin e saj që në dedikimin e këtij libri të parë kushtuar me përulësi e mirënjohje prindërve; por edhe si mësuese, duke ua rrënjosur këtyre fëmijëve që edhe pse me kufizime shëndetësore, nuk meritojnë të trajtohen “ndryshe” nga shoqëria, pasi në këtë botë ku dashuria po ftohet, autorja Mirela Duka Xoxi na ka treguar që falë dashurisë pa hipokrizi të tyre, ne ndihemi “ndryshe”.
Më bukur se fjalët e mia, po e përfundoj shkrimin me fjalët përmbyllëse të këtij libri të mrekullueshëm, duke ndarë me ju që se keni lexuar akoma, atë përjetim të përlotshëm nga gëzimi mbreslënës që pati autorja:
“…Ata (fëmijët autikë), nga ana e tyre na dhanë shumë ledhatime, përqafime e ngrohtësi. Na e shprehën mirënjohjen dhe falënderimin e tyre të kthyer në dashuri. E ky është kompensimi më i çmuar!”
Arjola Kondakçiu

⁠.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.