back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Eshtë kaq e thjeshtë dhe… ngrohtë… nga Shpresa Vrana

Gazeta

Rozi Theohari (1939-2014)
Rozi Theohari (1939-2014)

Përshëndetje Jozef,
I lexoj herë herë punimet në sitin tuaj…
Nëse do ta shihni të vlershme
po ju dërgoj një material për shoqen time të paharruar
Rozi Theohari (9 prill 1939 -13 dhjetor 2014),
e cila pak ditë më parë do të festonte 77 vjetorin.
Si një nevojë shpirtërore… më mungon shumë.
Ju e dini sa të veçantë janë njerëz të tillë,
sidomos në emigrim, ku mezi gjen dy njerëz
të shkëmbesh një mendim elementar.
Rozi ishte një grua e veçantë.
me respekt Shpresa Vrana

Shpresa Vrana
Shpresa Vrana

Eshtë kaq e thjeshtë dhe… ngrohtë…

nga Shpresa Vrana

Në klubin e poetëve dhe artistëve
Lynnit në Massachusetts,
Rreth prezantimit të librit të Rozi Theoharit
“Do leave out my right hand”

-Do të vish këtë të dielë në Lynn? – më pyeti Rozi Theohari në telefon, – Bëhet një takim i artistëve dhe poetëve të qytetit të Lynnit, ku unë jam edhe anëtare. Do të prezantohet edhe libri im “Do leave out my right hand” (Lermeni dorën e djathtë jashtë). Eshtë një takim i frutshëm, ka edhe prezantime të tjera.
-Do të vij, patjetër që do të vij. – ishte përgjigja ime dhe shkova vërtet.
Parkova makinën time të vjetër bri godinës shumëkatëshe ngjyrë gri, ku ishte dhe adresa e shtëpisë së z. Elizabeth Gordon Mckim.
-Kati i katërt… – më kishte porositur Rozi. Dhe unë hyra në holl, gjeta plot të tjerë që po hynin në një livingroom gjigand, i cili dukej si një nga ato sallat e vjetra, po te veçanta parisiane. Piktura dhe foto të shumta mbulonin muret, etazhere dhe suvenire nga shumë vende të globit.
Njerëz të kombësive të ndryshme, njerëz me backgraunde të ndryshme, me fytyra e tipare të ndryshme, me ngjyra të ndryshme… po të gjithë të mbledhur atje për fjalën e shpirtit –
artin.
Ishte kaq e thjeshtë dhe ngrohtë në atë takim njerëzish të huaj dhe të afërt njëkohësisht… sa m’u duk e largët, tej harrese ajo kohë, kur u rritëm me urrejtjen për anën tjetër të botës… Në Shqipërinë e vogël dhe të ndrydhur nën thundrën e kuqe komuniste mësonim të urrenim atë që quhej poezi e vërtetë.
Të abandonuar “vullnetarisht” në botën tonë mikroskopike, luftonim me togfjalësha politikë dhe… me shumë e më shumë largoheshim nga zanafilla e poezisë, nga zanafilla e thirrmës së shpirtit.
Kurse jashtë kufijve tanë, jeta rridhte e lirë dhe e ngrohtë, me fjalën e poezisë e me tingullin e lirë të këngës.
Ishim të gjithë të njejtë e të barasvlefshëm.
Kishim të njejtin ritëm dhe frymëmarrje.
Ishim njerëz të lirë e të mbushur me vibracione nga i njejti burim.
Kishim një Muzë.
Kishim një deshirë… të ndjenim ritmin e gjuhës së shpirtit, të ndjenim poezinë.

***
Elizabeth Gordon Mckim, me cilësinë e zonjës së shtëpisë çeli takimin duke lexuar dhe interpretuar disa nga poezitë e saj të fundit nga libri: “The red thread”.
Asaj gruaje me floke gri nuk i ndahej buzëqeshja e butë nga fytyra, kur interpretonte poezitë e saj.
Fillimisht u befasova… ishte e para herë tek ndiqja një poezi të shoqëruar dhe me mërmërima kënge, të këngëzuar, po sinqerisht që të depërtonin thellë e të qetësonin ata vrunduj të butë tingujsh.
Më lirshmërinë dhe thjeshtësinë që e kanë si gur të çmuar njerëzit me botë të plotë, ajo m’u afrua dhe më dhuroi librin e saj të fundit: “The red thread” (Filli i Kuq)
“Rozi është ndër miket e mia më të mirat dhe natyrisht ju jeni e mirëpritur këtu dhe shpresoj të bëheni edhe mikja ime.” – tha ajo dhe qeshi ngrohtësisht.
Zonja Elisabeth G. Mckim është një zë i ndjeshëm dhe i apasionuar në poezinë, e cila shkon përtej ritmit të të folurit duke ju afruar këngës. Eshtë lauruar e diplomuar edhe në fakultetin europian të Zvicrës për artet ekspresive dhe njëkohëshit është antare e universitetit – “Lesley”.

Rozi Theohari... duke diskutuar
Rozi Theohari… duke diskutuar

***
Toni Toledo një artist i pasionuar, i interpretimit poetik dhe kryetari i shoqatës ftoi prozatoren e re Kato Mele të prezantonte diçka nga vetja e nga krijimtaria. Ekspresive, ajo lexoi udhëtimin e saj “Në rrugë me Katon”. Ishte një krijim në prozë, përshtypje udhëtimi të shoqëruara me çaste mbresëlënëse dhe nuk mungonte edhe humori që vetë autorja e interpretonte me dinamizëm.

***
Skulptorja Isabell Van Merlin në prezantimin e punës së znj. Theohari tha: “Rozi Theohari, është gazetare, shkrimtare dhe poete e fuqishme. Ajo vjen nga Shqipëria.
Unë jam skulptore, artiste dhe shkrimtare, e lindur në South Carolina. Po e konsideroj veten me fat që jetoj në të njejtën godinë me Rozin dhe jam mike e saj si edhe bëjmë pjesë në të njejtin klub artistësh.
Ajo ka nje vision unik, ekspresiv dhe plot dritë të piketuar në shumë drejtime. Shpesh ajo shkruan për njerëz të zakonshëm, por percepsioni i saj është shumë i jashtëzakonshëm. Unë e adhuroj mënyrën se si ajo shkruan, duke vënë në plan të dukshëm gjërat që në shpesh i konsiderojmë “të vogla” Dhe në prezantimin e saj ato… gjërat e zakonshme, bëhen interesante dhe shumë me vlerë.
Unë e ndiej se kemi shpirt të afërt në mënyrën se si e perceptojmë botën rreth nesh, të ndriçuar nga humanizmi dhe ndjesia e gëzimit njerëzor.
Rozi Theohari e ndan me ne eksperiencën e jetës shqiptare dhe të mbresave që ka fituar këtu në USA, nëpërmjet poezisë dhe prozës së saj.
Në poemën me titull “Do leave out my hand” ajo sjell tragjiken, sagën (baladën) e vuajteve të një gruaje të re, Rozafës që muroset dhe kërkon që gjysma e qenies së saj të vazhdojë të kujdeset për të birin e vogël. Eshtë një hymn për jetën. Po shpesh ajo përcjell edhe humor e ndjesi të gëzimit në krijimtarinë e saj, gjë që tregon për vitalitetin dhe këndin filozofik me të cilin autorja e sheh jetën!”

***
Ajo u shpreh se ka lexuar shumë nga poezitë e Rozit dhe është entuziazmuar nga ekspresioni dhe vizioni plot dritë i fjalës së poetes: “Ajo të befason me historitë dhe vargjet e saj. – tha ajo në fjalën e saj, – Ajo është unike dhe profesionale në punën e saj si autore. Lexojeni atë me kujdes, mos humbisni asnjë detaj.”
E mbyll ajo me një urdhër duke e zbukuruar me një buzëqeshje të ngrohtë.

***
Zonja Rozi, për ne shqiptarët e Diasporës është si një ambasadore që lidh dy botët tona: atë që kemi lënë pas në Shqipëri (dhe prej së cilës asnjëherë nuk jemi ndarë) dhe atë që kemi krijuar këtu në USA, – shpreha unë (Sh.Vrana në këtë takim ku merrja pjesë). -Ajo bën një punë të vazhdueshme, me përkushtim, duke skeduar me penën e saj çdo çast të rëndësishëm të jetës shqiptare dhe asaj këtu.
Rozi Theohari ka krijuar tashme një “bilbiotekë” dinjitoze me veprat e saj. Ajo shkruan vazhdimisht artikuj për ngjarje të komunitetit dhe të vendit ku jeton, pra për Amerikën. Ajo reflekton me poezinë e saj të ndjerë për ngjarje dhe çaste që i trokasin në shpirt. Eshtë një zë i spikatur në botën e letrave.
Në librin “Do leave out my right hand” përveç poemës së Rozafës, ku ajo shpreh forcën e dashurisë mëmësore gërshetuar me dhimbjen e vdekjes, Rozi ka një sërë poezish të fuqishme që pluskojnë në tërë harkun kohor dhe hapësinor: nga çasti i parë që shkeli në Amerikë, më 1994 me poezinë “Goodmorning America”, poezi për emigrantët, për vjeshtën mbi Atllantik, për Ishullin e Nahantit, ku ajo shkon shpesh në korin e vjetër të kishës për të kënduar, për atë Nahant ku Henri Llongfellou ka marrë shumë nga impulset e poezive të tij të famshme. Ajo shkruan për Shenjtoren e madhe Nënë Terezën e shqiptarëve dhe e gjithë botës. Ajo e mbron me dinjitet e krenari lidhjen fisnore që ne shqiptarët e “zvogëluar” kemi me Shenjtorën.
Rozi shkruan vargje të ndjera për bashkëshortin e saj Viktorin, tek poezia “Amore mio” apo vargje se si ndjehet… një gjyshe e plotë për nipin Ianin.
Poetesha është kudo me penën dhe shpirtin e saj të ndjeshëm dhe u përgjigjet këtyre momenteve jo vetëm me ndjenjën që buron pastër, por edhe me profesionalizëm.
Rozi ka marrë shumë çmime si këtu në USA edhe në Shqipëri. Ajo është nderuar disa herë për kontributin e saj letrar dhe shoqëror.
Vetë presidenti i ShBA, zoti Barak Obama i ka dërguar letër përshëndetje për poezinë e saj kushtuar figurës së tij si një president karizmatik.
Si ju dhe unë jam mikja e saj dhe ndihem e nderuar të flas për të. Tek Rozi Theohari gjen vizionin e një intelektualeje të arrirë në shumë fusha.

Rozi Theohari mes Luleboreve ne Amerike
Rozi Theohari mes Luleboreve ne Amerike

***
Kur Rozi u ngrit për të paraqitur ca nga çastet e jetës së saj prej shqiptareje (ata ja kërkuan njëzëri…), e folura e saj e lirshme, e ngrohtë, e hapur i bëri të gjithë ta dëgjonin me vëmendje.
Midis shumë detajeve të jetës ajo tha: “…në fshatin tonë në Dardhë, rreze maleve, ku dëbora shtrohet gjatë gjithë dimrit, ishte tradite që burrat venin në emigrim për arsye ekonomike. Ashtu iku dhe gjyshi im dhe babai im dhe shumë të tjerë. Dhe kur vinin letrat prej Amerike ishte një ngjarje e veçantë… dëgjohej këmbana e kishës që lajmëronte… dhe njerëzit prisnin letrat që ishin shumë të rralla e me shumë mall. Unë u rrita pa babanë. Ai ishte si një ëndërr për mua që mbeti këtu në Amerikë, prandaj në shumë mënyra ky vend ku im atë ka jetuar e punuar, më duket mua një atdhe i dytë… me duket si Shqipëria.
Rozi foli shumë dhe dha plot çaste. Dikush kërkoi ndonjë kujtim që kishte të bënte me kauzën e fryrë të komunizmit. Ata kishin njohuri të bollshme për komunizmin.
Dhe Rozi rindërtoi një nga çastet sa absurde aq edhe komike të jetës së saj si gazetare në një revistë të kohës. Ajo rrëfeu me humor dhe lirshmëri absurdin e kërkësave të bosëve komunistë. Ajo rrëfente me një anglishte të zhdërvjellët duke e shoqëruar edhe me plastikën e saj ekspresive dhe të ftuarit qeshnin. Ata të gjithë tashmë ndodheshin në Shqipërinë e largët të atyre viteve. Kishin hyrë plotësisht në skenarin e atij çasti të huaj, kishin kapur situatën qesharake të burokracisë shqiptare, të sheqerosuar me ca citate të Mao Ce Dunit kinez, që na e shtuan barrën e persekutimit edhe më tepër.
Uneë e dëgjoja me admirim dhe kënaqesha që humori kapej aq lehtë nga dëgjuesit. Të përcjellësh batuta groteske-komike në një gjuhë të huaj është shumë e vështirë… po Rozi ja doli me sukses. Dhe të gjithë qeshnin e qeshnin dhe shprehnin habinë se sa absurde kishte qenë kjo teoria e “famshme “ e komunizmit.

***
Pastaj kitara e Majk Meles, shpërndau tinguj dhe zëri i këngëtarit e shoqëronte me ëmbëlsinë e zërit mesdhetar (prindët e tij vinin nga brigjet e Jonit… Greqisë)
Cdokush ishte ndjerë shumë mirë dhe ja ku erdhi çasti i fundit kur Toni Toledo falenderoi zonjën Eizabeth, të ftuarit dhe në veçanti autorët që na mblodhën në këtë takim.
Nga klubi i artistëve të Lynnit z. Toledo i dhuroi Rozit një libër me poezi të poetit gjerman Reinhart Rilke.
Kishte qenë me të vërtetë një kohë e shkuar mirë.
Kishte qenë shumë ngrohtë dhe shumë e thjeshtë të bëheshe pjesë e atij klubi artistësh.
Lynn, Massachusetts Prill,17, 2011

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.