back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Eskili dhe Kadareja – nga Robert Martiko

Gazeta

297393184_2062723233935918_7701289143882990839_n

Eskili dhe Kadareja

nga Robert Martiko

Problemi nuk është se i mungojnë “Eskilit” të Kadaresë
gjërat më themelore për të paraqitur të kompletuar në esencë
fizionominë gjigante të dramaturgut grek, por sepse vetë shoqëria shqiptare
mbetet e paaftë për të mundur të ndryshojë fatin e saj…

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Vetë autori shkruan në librin e fundit se është marrë me Eskilin qysh në vitin 1985, e ka plotësuar gjatë ribotimeve të shumta, dhe se edicioni i III është përfundimtar. Konkluzioni është se “Eskili” i Kadaresë mbetet edhe sot e kësaj dite krejtësisht i zbehtë në thelbin e tij, për të mundur, të paktët individët me mendje të hapur të kuptojnë rolin e tij grandioz në histori, si Hapës Kohe, i shoqërisë humane.
Është interesante se në librin e titulluar “Eskili ky humbës i madh” Kadareja ka botuar në kopertinë edhe një shkrim lavdërues për vetveten, të Alain Bosquet, poet e shkrimtar i dëgjuar francez, anëtar i Akademisë Mbretërore i Gjuhës e Literaturës Franceze në Belgjikë. Por me sa duket, as njeri dhe as tjetri njohin thelbin ndriçues të Eskilit.
Për të hyrë në temë, tragjedia “Orésteia” përmban tri tragjedi të titulluara: Agamemnoni, Koeforet e Eumenidet. Agamemnonin, kryekomandant i ushtrisë greke në Trojë, kur kthehet nga lufta, e vret gruaja e tij, Klitemnistra. Për të marrë gjakun e babait, Oresti vret nënën e tij. Fantazma e Klitemnistrës zgjon Erinitë, shpirtra të gjakut e të hakmarrjes për të masakruar Orestin. Ato e arrijnë, janë gati ta vrasin, por i ndalon Perëndesha Athina me mendimin se fati i Orestit duhet të vendoset nga drejtësia. Gjyqtarët ndahen më dysh: tri vota pro dhe tri kundër. Vota e shtatë, e Athinasë, vendos që Oresti të deklarohet i pafajshëm. Mjaft e rëndësishme është se pas përfundimit të gjyqit, Erinitë gjakmarrëse kthehen në Eumenide me shpirt të pastër: iu hiqet e drejta për hakmarrje personale. Pasi një shoqëri nuk rritet e përparon me ligje xhungle, si ato të vëllavrasjes në diktaturën e kaluar.
E veçanta e tragjedisë “Orésteia” ishte se ditën tjetër nga dhënia shfaqjes, qytetarët e Athinës shkuan drejt e në Aeropag për të ndryshuar ligjin e hakmarrjes. Pra, pikërisht për këtë rol grandioz si Hapës Kohe përmendet Eskili në Histori. Ky pikërisht është roli i shkrimtarit: Të Hapë Kohën. Kjo pikërisht ndodhi në Rilindjen Evropiane. Shpirti i pavdekshëm i Eskilit vlejti dhe vlen dhe sot e kësaj dite, për të ndërtuar dhjetëra gjenialë të tjerë, për të ndryshuar vetë shoqërinë humane. Mirëpo këto gjëra me karakter aq shumë ndriçues për vetë lexuesin shqiptar, as që përmenden fare në librin për Eskilin. Përveçse për të futur Perënditë në Lojë, përmes interpretimit human: pasi pikërisht kjo shënoi daljen nga Mesjeta në Evropë, sigurisht në tjetër nivel, nuk është i paktë përfytyrimi gjenial i Eskilit, për të kthyer Erinitë në Eumenide. Krejt ndryshe vëllavrasja e organizuar nga Propaganda nën Diktaturë pati vetë Kadarenë protagonist kryesor. (Te “Pashallarët e Kuq” i bënte thirrje diktatorit Enver Hoxha, me vargje, të vriste shqiptari shqiptarin). Sigurisht jo për të hapur Kohën si Eskili, por për të kthyer kohën e shoqërisë shqiptare shekuj të tërë pas. Prandaj shoqëria përballohet sot me një shtet grabitës, pa ligje, pa mirëqenie, pa siguri e sigurime të mjaftueshme shoqërore, me një emigracion që rend me shpejtësi skëterre, pa ndalim, me Njeriun e Ri Socialist të pranishëm kudo. Kadareja merret në libër me gjëra jo esenciale, bie fjala me gjakmarrjen në Veri të Shqipërisë. E bën nga padituria apo kërkon të fusë lexuesin tru-kokosh në qorrsokak! Mund të krahasohet gjaku sporadik i derdhur në Veri me gjakun e mijëra e mijëra shqiptarëve të torturuar e vrarë në masë nga gjysmë shekulli Diktaturë me Luftë Klase, Vëllavrasëse, të Organizuar!…
Është çudi, jo vetëm inteligjenca e kufizuar e intelektualit shqiptar të dalë nga kultura e vetëm marksiste që njohu në jetë: por edhe ajo e Alain Bosquet lë aq shumë për të dëshiruar. Në anën tjetër, janë vetë njohuritë Filozofike Perëndimore që lënë Kadarenë të zbuluar si shkrimtar. Asnjë përbindësh i artë si Dante, Shekspir, Gëte apo Hygo, do të shkruante qoftë edhe një rresht pa ato njohuri. Me sa duket, Kadareja nuk pati kurrë aftësinë apo dëshirën për tu kompletuar, të paktën kur ra Diktatura. Të shpëtonte nga shënimet e leksioneve të kufizuara të Moskës kur studjonte për letërsi. Pasi gjëra të sipërfaqëshme, pa inteligjencë, rrethrrotullon ne librin e tij. Konkluzioni është se të gjitha veprat e tij nën prizmin filozofik çalojnë. Dhe problemi nuk është Kadareja, por vetë shoqëria shqiptare e cila ka mbetur në duar jo të thelluara. Shkruan në Google: Rilindje Shpirtërore dhe rezulton një Asgjë e Tmerrshme me perspektivë veç kaosin e tragjedinë e pandarë për shoqërinë, sot në nevojë më shumë se kurrë, për sa kohë që Mendimi Intelektual nuk do të marrë situatën në dorë. Dhe përsëri e përsëris: se pa mbizotërimin në Mendim të frymës së një Pjetër Meshkalle të ndershëm, fisnik, burrëror, që futet në burg në kohën e tre milionë skllevërve-duartrokitës, Shqipëria është një vend pa të ardhme. Do të qarkullojë në shekuj mendimi gjysmak, i pafiltruar, tragjik, i vdekur për së gjalli, intelektual, marksist, aktual. Korrupsioni do të mbizotërojë në jetë të jetëve…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.