back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Etëhem Haxhiademi – Skëndërbeu – Tragedi me Pesë Akte

Gazeta

Skenderbeu - Tragjedi - Et'hem Haxhiademi
Skenderbeu – Tragjedi – Et’hem Haxhiademi

Etëhem Haxhiademi

Skëndërbeu – Tragedi me Pesë Akte 

Tiranë 1935 – Shtëpija Botonjëse “Kristo Luarasi”

Parathanëje

Këtë rradhë këndonjësvet të ndershëm u parashtroj nji tragedi tjetër, subjekti i të cilës asht heroi i ynë kombëtar Skënderbeu, themë e marrun prej historis s’onë ma të këthjellët.
Në tragedit e mija të maparëshme ma tepër më ka tërhekun landa në vetëvehte se sa themat kombëtare. Me “Ulisin” e “Akilin” kam dashun të thur dy tragedi me dy kryetrimat e epopevet homerike Odyssen e Iliada. Me Aleksandrin e Pirron dy tragedi qi të kenë për protagonista dy kreshnikë të historis s’onë përpara Krishtit, ndërsa për ta dyshohet vërtetësija Shqiptare. Këtë herë, tyke e ditun se popullit t’onë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragedin “Skënderbeu” me protagonist heron t’anë kombëtar.
Ernest Koliqi per Et'hem Haxhiademin
Ernest Koliqi per Et’hem Haxhiademin

Landën e kësaj tragedije do t’a kallxojmë me pak fjalë:

Ahere kur Turqit kishin pushtuë gjithë siujdhesën e Ballkanit dhe i kërrcnohesh rrezik i math Shqipnis dhe kur gjithë shpresat e Europës së Krishtene ishin varun vetëm ke Shqipnija e ke krahu i Skënderbeut kundrejt rrezikut te Turqvet, Moisiu, kushërini i Skënderbeut dhe gjenerali ma i mirë i tij, trathtoi atdheun e vet dhe iku në prehnin e Sulltanit.
Shkaqet e trathtis së Moisiut simbas dokumentavet historike ishin këto: nakari kundrejt Skënderbeut për famën qi fitonte për ditë, lakmija për t’u ba mbreti i Shqipnis dhe kallximet qi i fuste për ditë e shoqja Zanfina, mbassi kjo e urrente Skënderbeun për shkak se ky e ndau prej burrit të parë Karol Muzakë Topis për t’i dhanë motrën për gruë Mamicën. Këto shkaqe pra, e shtynë ma në funt Moisiun jo vetëm të trathtojë atdheun e vet , por të vinjë ma vonë dhe si komandant i ushtris turke për të luftuë me Skënderbeun.
Në luftën qi u ba afër Dibrës së Poshtme, ushtrija turke u thyë e u prish. Moisiu, mbassi kishte frikë të shkonte prap në Turqi dhe i munduëm prej vetëdijes u këthyë përsëri në Shqipni dhe i ra ndër kambë Skënderbeut për t’i falë fajin e madh qi bani. Ç’do t’jetër mbret kundrejt nji trathtije të tillë do t’a dëmtonte pa mëshirë Moisiun, por Skënderbeu tepër shpirtmath u mallëngjyë prej tij dhe e ngriti me durët e veta e e puthi në ballë tyke ja dhanë prap gradën qi pat ma përpara.
Ndërsa Moisiu luftonte kundër Skënderbeut, Zanfina e shoqja e tij, përpiqesh gjithnji me intriga qi t’i mbushi mendjen dhe Hamzait për t’a trathtuë t’ungjin: Skënderbeun.
Zanfina u përpoq pa pushuë për të ja arrimun qëllimit, por vetëm se kur iu mbush mendja Hamzait për të trathtuë t’ungjin, burri i Zanfinës, Moisiu u këthye nga Turqija dhe erdhi e i ra ndër kambë Skënderbeut. Pra Moisiu u penduë dhe Hamzai e filloi trathtin.
Nga ky dëshprim ahere Zanfina marrohet dhe therë vehten me thikë.
Kjo asht me pak fjalë landa e kësaj tragedije.
Gjinokastër, 1 Maj 1935 
.
Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (1405-1468)
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu (1405-1468)

Vetët

Skënderbeu, Donika, Hamzai, Moisiu, Zanfina,Urani

Scena asht në Krujë, në pallatin e Skënderbeut

Akti i Dytë – Scenë e Pestë

Skënderbeu, Donika, Hamzai, Urani
 
Skënderbeu
Përsri po shoh me ndihmë t’armve t’mija
Kështjellën kryenalt’ qi ka Shqipnija.
Ç’do vend qi kqyr e Krujës, asht qi m’rriti
Dhe për t’a mprojt’ ma von’ më pregatiti.
Nuk trembem un pse blihet nji banorë,
Se për atdheun do t’vdes me arm’ në dorë.
Dhe ju të dashtun t’mij afrohi pranë
Të çmallem mbas të keqes qi m’pat ranë.
Afrohu ti o Kont besnik ma parë,
Qi n’koh‚ rreziku m’gjinde këshilltarë;
Dhe ti o gruë, eja më kap prej dore,
Se kur mungoj, m’ruën krenarin mbretnore.
Por dhe Hamzait s’i ap lej’ të qëndrojë
Aq lark dhe t’ungjin mos t’a përqafojë.
Ju duë të gjithve pran‚ sikur më doni
Dhe si m’rrethojë anmiku më rrethoni,
Kërkoj të ndershëm t’jeni ma së pari;
Kaq asht përgdhelja e nji luftëtari.
 
Urani
O mbret i nalt’ i vendit, vlera e ime
Me Tuëjën po të matet asht nji thrrime.
Vetëm me shpatën qi në dor’ mban mbreti,
Shqiptari mburret sot dhe ruhet shteti.
Sa për tjerët fatoza si Urani,
Krahinat tona i kish djeg’ Sulltani.
 
Donika
O burr i shtrenjt’, për ty qaj ditë e nat,
Se fatin tim e kan’ zili gjith’ grat’.
Nji ças prej teje nuk e ndaj mendimin,
Kur armët tuëja rujn’ gjith’ Krishtenimin.
Ndën hijen tande u naltsuë atdheu
Dhe shpresa asht vetën ka Skënderbeu.
 
Skënderbeu
Të gjith’ fjal’ t’ambla flitni, t’gjith m’uroni
Dhe po përpiqi t’gjith’ të më gëzoni.
Vetëm im nip ende nuk flet ndonj’ fjal’,
Qi e kam rit’ në gjinin tim si djal’.
I mbyllët qenka ba kto dit Hamzai;
N’fëtyr’ të tij muë më përtrihet vllai.
Ktë e kam drit’ të zemrës, shpres’ lumnije;
Me kte nuk do t’dobsohem prej fuqije.
Afrohu pra o nip të puth në ball,
Se kur s’ju shoh për ty ma shum’ kam mall.
 
Hamzai
Kënaqem mbret’i im kur kshtu shpërblehem
Dhe n’hijen tuëj jetoj edhe ushqehem.
Për dashunin e ungjit kam nevojë,
Se dhe kafshatën s’munt t’a fus në gojë
Shkëlqim i mbretit rreze lshon n’gjithë anët;
Përzuë Golemin dhe liroi Dibranët.
Sot ç’do shqiptar në valle duhet t’hidhet,
Se fatbardhsija e jon’ me t’ujën lidhet.
E un për fronin Tuëj veçanërisht,
Kur m’falni bukën do të vdes trimnisht.
 
fragment nga filmi Skenderbeu
Fragment nga filmi Skenderbeu

Skënderbeu

Fjal’ skllavi n’gojën e nji princi s’doje,
O bir i Kastriotit, të ndëgjoje.
Te ti un kam lith fatin dhe kam var’
Gjith shpresat për ma von’ t’kombit shqiptar.
Pra ndonse mburrjet e mëdha qi s’shkojnë,
Sado të rrema qofshine fërkojnë
Nji mbret, por prej të nipit s’dëshiron,
Se emnin e shtëpis së vet rrëzon.
Hamza prej teje prisje fjal’ dashnije
E jo fjal’ skllavi qi për ty s’kan’ hije.
 
Hamzai
Fisniku edhe skllavi, mbret’i im,
Në koh’ të soçme nuk po ka ndryshim,
Vetëm nji mbret dallon përmbi të gjithë
Ato krahina qi n’mbretni jan’lidhë.
Prej kësaj rreglle s’mund të përjashtohem
Veç un, pse nip’i mbretit numurohem,
Ndoshta e don e mira e Shqipnis,
Qi t’lam dhe titllin e fisnikëris.
E un gati jam t’ap shembllën e parë
Për t’a vijumun çdo fisnik shqiptar.
 
Skënderbeu
Kto fjalë, o nip i zemrës, mbas mendimit
Tim, ty të dalin prej ndonji dëshprimit.
Por dëshpërimin si të jet’ m’a thuëj
Dhe mos më prek porsa këtheva n’Kruj’.
Të them edhe këtë qi s’asht e ligë
Nji lloj’ të bahet skllavi me fisnikë,
Se asht parim’i Krishtit qi kan’ lè
Të barabart gjith’ njezit mbi kët’ dhè,
Vetëm se nuk bashkohet ndër shqiptar’
Parim i shtetit me parim fetar.
 
Urani
O mbret’i im, as un nuk di t’a ndaj’,
Të mirën dhe të ligën, as Hamzai,
Duhet t’shprovohem na nji koh’ të gjatë,
Me mendje tuëj qi t’mundemi m’u matë,
Se edhe luftën mendja e fiton
E krahu vegël asht qi e ndihmon,
Pra fjalët tona ju mos i shikoni
Në kët’ gëzim t’fitimit qi shijoni.
Për nder t’kombit dhe për nder t’atdheut,
Përjet’ duhet t’i falem Skënderbeut.
 
Donika
Çka thuë o Kont’ jan’ fjalët e të tanve,
Se pëshpëritet sot në goj’ t’Krutanve
Emni i burrit t’im si shpëtimtar
I Dibrës dhe i kombit shqipëtar.-
Por na ende këtu do të vonojmë?
Në të këthimet tjera ecni t’shkojmë.
Atje salloni asht i pregatitun
Dhe luftëtar’ me vler’ jan’ tyke pritun.
Kur dit’kremtimi asht për krejt qytetin,
Edhe pallati t’a kremtoj’ për mbretin.
 
Fund’ i aktit të dytë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.