back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Et’hem Haxhiademi (1902-1965) – klasicisti i letërsisë shqipe Anton Cefa

Gazeta

Elbasani - Kulla e Sahatit
Elbasani – Kulla e Sahatitv

Et’hem Haxhiademi (1902-1965)

– klasicisti i letërsisë shqipe 

një profil letrar nga Anton Cefa

Et’hem Haxhiademi është përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ai botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).

Studiuesi Anton Cefa
Studiuesi Anton Cefa

Kushtet politike dhe shoqërore të vendit tonë janë bërë gjithnjë pengesë që jehona e  zhvillimeve letrare të Europës të dëgjohet në kohën e vet. Kështu ndodhi edhe me klasicizmin. Ardhja e kësaj rryme letrare në letrat shqipe përmes penës së Haxhiademit qe tejet e vonuar. Kjo rrymë letrare që lindi, u zhvillua dhe lulëzoi në Europë, fillimisht dhe kryesisht në Francë, në shekujt XVII-XVIII, tek ne lindi, u  zhvillua, lulëzoi dhe përfundoi në dekadën e katërt të shekullit të kaluar, me veprat që përmendëm.
Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plotgojë që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Nëse Naimi është “pjellë e vonë e romantizmit”, siç e ka cilësuar Çabej, Haxhiademi është pjellë tepër e vonë e klasicizmit.
Ashtu si përfaqësuesit e mëdhenj të klasicizmit evropian, Rasini, Kornej, Bualo, La Fonteni, Molieri, etj., i lidhen  veprat e tyre me problemet e kohës, edhe Haxhiademi, duke i marrë subjektet nga antikiteti grek, bibla ose nga historia jonë e hershme dhe mesjetare, trajtoi probleme aktuale shoqërore e morale të shoqërisë shqiptare. Kështu që veprat e tij kanë karakter të theksuar edukativ dhe didaktik.
Edhe në pikëpamje të formës, veprat e tij i kanë qëndruar me besnikëri tragjedisë klasike; ato janë shkruar në poezi, në vargje 12-rrokëshe.
Në vitet ’30 të shek. të kaluar, kur u botuan dhe u shfaqen në skenë, tragjeditë e Haxhiademit patën jehonë në mendimin kritik letrar, pozitiv e negativ, ndër gazetat e revistat e kohës si  në gazetat “Arbënia” dhe “Drita”, në revistat “Minerva”, “Perpjekja shqiptare”,  etj. U prit jashtëzakonisht mirë dhe u shoqërua me një entuziazëm të papërshkruar popullor drama “Skënderbeu”, që u shfaq në Tiranë, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, etj.
Më vjen mbarë të bie këtu një vlerësim të njërit prej yjeve më të shkëlqyer të gazetarisë sonë të viteve ’30, Branko Merxhanit, për këtë vepër: “Libri i fundit dhe ma i bukur i dramaturgut t’onë Etem Haxhiademit asht “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, Tiranë, 1935. Fëtyra e çuditçme e fatozit t’onë legjendar, symbolizon typin e njeriut tragjik, të cilit nuk i mungon elementi demonik për të frymëzuar tragedinë ma të goditur, jo vetëm të jetës së tij private, por edhe të mjerimeve historike të së gjithë jetës së populit shqiptar. Vepra e Haxhiademit, që zë një vend të posaçëm nëpër botime letrare të vitit të kaluar, asht prova e parë guximtare për të krijuar një Typologi të shpirtit rreth epokës karakteristike të Skënderbeut. Fatozi i ynë kombëtar, ky burrë i math me origjinën e tij shqiptare, me edukatën bizantino-islamike dhe me shpirtin e shqiptarit të kulluar dhe ‘par excenllence’, produkt gjigand i mythit primitiv të Malsisë s’onë, është Titani që ngreh lart grushtin e vet kundrejt dënimit të fatit, që tyranizoi qysh prej shekujve Gjenin t’onë dhe që ka mbyllur, me zemrim dhe me keqdashje, udhën e madhështisë s’onë mun në pragun e historisë. Njerz që rrojnë jetën si nji tragjedi, kanë vdekjen e nji heroit…”

Branko Merxhani (1894-1981)
Branko Merxhani (1894-1981)

Në vitet e diktaturës, veprat e Haxhiademit u hoqën nga qarkullimi dhe shkrimtari atdhetar që vuante në Burgun e Burrelit si “Armik i Popullit” u mohua plotësisht. As studentët që kryen fakultetin e letërsisë shqipe gjatë atyre 50 viteve të çmendura nuk mësuan se letërsia shqipe ka pasur edhe rrymë klasiciste dhe një përfaqësues të saj. Në tekstet e historisë së letërsisë sonë u kritikuan ashpër shkrimtarë si Fishta, Konica, Vinçenc Prenushi,  Anton Harapi, Bernardin Palaj, gazetarët e shquar të viteve ’30 si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, etj., po emri i tij nuk u përmend asnjëherë.
Haxhiademi fatkeqësisht vdiq në burgun e Burrelit. Ish – të burgosur kanë folur edhe për dy vepra të shkruara në burg: “Jeta e njeriut” (roman) dhe “Koha e premtueme” (dramë), të cilat nuk i njohim.
Mbetet detyrë e dorës së parë po aq letrare sa edhe patriotike, që historia e letërsisë dhe kritika letrare të pasqyrojnë e të analizojnë veprimtarinë letrare të shkrimtarit Etëhem Haxhiademi, që ky të jetojë në letërsinë dhe në kujtesën e popullit tonë për të cilin punoi dhe vdiq.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.