
Et’hem Haxhiademi – Ati i Tragjedisë Shqiptare…
siç e cilëson Lasgush Poradeci
në intervistën: “Gjuha Letrare: të preferohet Dialekti i Elbasanit”
ndër të tjera thotë:
“Nëse veriu ka nxjerrë Budin dhe Bogdanin, Elbasani ka qit Dhaskal Todhrin.
Në kohrat e afërme dhe para se të mblidhej Kongresi i Stambollit, dhe para se të dilnin shkrimtarët toskë, Elbasani ka pasur Kristoforidhin, dhe në kohrat t’ona Aleksandër Xhuvanin… Elbasani, ka qenë qendër me rëndësi e lëvrimit të gjuhës shqiptare që nga kohrat e vjetra dhe ky aktivitet është çfaqur me mjete efikase: me klube, me fletore (gazeta), me revista, me libra. Ky punim i vazhdueshëm ka formuar një traditë të fortë dhe të çmuar…”
“Dialekti i Elbasanit është bashkimi natyral i dy dialekteve të mëdhenj : toskërishtes dhe gegnishtes. Në pikpamje morfologjike dialekti i Elbasanit është toskërisht, dhe në pikëpamje fonetike është gegënisht.”
(Gazeta Tomorri – Nr 141, Tiranë, e shtunë 3 Gusht 1940, fq. 3)

***
“Ndër përkrahësit e Haxhiademit, ishte Aleksandër Xhuvani, i cili botoi një recension në dy numra të gazetës “Illyria” më 4 dhe 11 janar 1936 me titullin “Nji tragjedi e re shqipe”.
Për “Skënderbeun” e Et’hem Haxhiademit, Xhuvani bën një shkrim pozitivist, përmes të cilit në fillim jep disa të dhëna për veprat e tjera të autorit dhe preferencën e tij për frymën klasike të tragjedisë. Më pas ndalet tek fabula e tragjedisë dhe tregon ndodhitë e pesë akteve të saj, duke përshtatur tregimin e tij sipas trekëndëshit strukturor të dramës klasike. Vijon me komentin e të gjitha karaktereve të tjera të tragjedisë, që i konsideron të arrira, duke e ilustruar vlerësimin e tij me copëza të dialogut. Skënderbeu, sipas Xhuvanit, shfaqet si hero i matur, i urtë, i çiltër, i durueshëm, por edhe mëshirëplotë e shpirtmadh, sepse e fal Moisiun edhe pse të tjerët e këshillojnë ta dënojnë…”
Teksti i mësipërm që shpreh vlerat e Etëhem Haxhiademit, është pjesë e një artikulli studimor, shkruar nga Prof. As. Dr. Gëzim Puka, i cili lëvron ndër të tjera studimin e dramës dhe teatrit shqiptar.
Respekt për ju Dr. Shefqeti, që sillni herë pas here në kujtesë figura madhore të kulturës shqiptare!
shënim nga Maxhid Cungu