back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Et’hem Haxhiademi – Nymfat e Shkuminit (Poemë – Lyra)

Gazeta

Et'hem Haxhiademi (1902-1965)
Et’hem Haxhiademi (1902-1965)

Et’hem Haxhiademi – “LYRA” 1939

II

Nymfat e Shkuminit

**************************

Nymfat e lashtësisë...
Nymfat e lashtësisë…

Ndër zaje të Shkuminit ku rrëqethen
E të shkumzuëme valët prap përndahen,
Ku lisat buzës s’tij e rrisin gjethen,
Nymfat po lahen.

Ato jan’ ndemun n’ujin e kullumun’
E trupat lark u duken bor’ të bardha ;
Në krahanur shkëlqejn tyke notumun
Gjinjt porsi dardha.

Përmbrapa supavet të tyne flokët,
Si fije ari të kulluëm u derdhen,
Dhe rrezja e diellit kur u bie mbi kokët,
Faqet u verdhen.

Me gas në buzët zanë e rrokullehen
Të gjitha, dhe lëvizin porsi ngjala,
E tyke lojtun ambëlsisht dëfrehen
Ato ndër vala.

Po kur u nxehet shpirti nga gëzimi,
Nji kange të përmallshme ja thërrasin;
Nga tingujt e rrëqethshëm dhelatimi,
Malet buçasin.

Vrapon me shushërim të kandshme lumi
Se ujët n’zaje t’shtratit ze lëmohet,
E Nymfave të bardha si pëllumi,
Zani u shtohet.

Kumbon muzik’ hyjnore në kto rrethe
E zoqt cërrasin thekshëm nëpër kodra;
Të gjitha pemët jan’ zbërthyë në gjethe:
Nymfat duën lodra.

Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi – Vepra poetike – Lyra 1939

Veç kúr së largu nis e po ndëgjohet
Trazumun me zefirin zan’i fyllit:
I fryën bariu i vogël, qi qetsohet :
N’zemrën e pyllit.

Najadat heshtin kangën atëhere
E t’gjitha lakuriq nga lumi dalin,
E tyke ecun lehtas pa potere,
Hypin mbi malin.

Ato kah zan’i fyllit drejtojn’ çapin
E nga nxitimi lodhin kamb’t e buta;
Po kúr afrohet zani ndërrojn’ vrapin,
Shpejt porsi suta.

E mbassi enden n’formën e nji vargu
N’blerim të pyllit në nj’kruë t’ftohët erdhën;
Driadevet u duken për së largu
Flokët të derdhën.

Athere n’uj të krojit pin’ Najadat
E buzët ftohin t’bardha si zamaku,
Pastaj nxitojnë e piqen me Driadat,
T’kuqe si gjaku.

Të gjitha përshëndeten plot me gaze
Dhe njana t’jetrën puthin e fjalosen,
Kúr trupat dredhin dhe shikojn’ me naze
Zemrat plagosen.

Si tuf’ pëllumbash zanit i drejtohen,
Qi fylli dhelaton pranver’n e artë,
Dhe udhës kroje kúr takojn’ shikohen,
N’ujin e kjartë.

John William Waterhouse - Nymphs 1896
John William Waterhouse – Nymphs 1896

Qe për nji her’ bariu i vogël duket
Dhe asht tue ndejtun n’hijen e nji mani;
Nji fllad’i lehtë i ngatarron balluket
Porsi gajtani.

Përpara djalit bukurosh i ndehet
Bagtija qi nga zilet përgëdhelet,
Dhe me tërfil e bar ajó ushqehet,
Qingjat me delet.

Pran’ tij kërrabën ka dhe n’anën t’jetër
Nji trasje dhe katruven me uj t’kjartë,
Mbi ballin e ka vuë nj’kësul’ të vjetër,
Po t’bardh’ si kartë.

Atij vargje Satirësh i qarkohen
Dhe e kan’ fut’ në mes e valle hedhin;
Mbas taktit t’fyllit kúr zan’ rrotullohon
Trupat përdredhin.

E kúr u dukën Nymfat prej dy palësh,
U turrën edhe zunë ato m’i puthun,
U turbulluën porsi tallas prej valësh,
T’detit të rrudhun.

Ahere heshti fylli dhe pushoi,
U prish dhe varg’ i valles qi vazhdonte;
Ç’do prej Satirësh nga nji Nymf pushtoi.
Dhe e përqafonte.

Nji britëm e nji gas nga goja t’arta
Të Nymfavet buçiti të gëzuëme;
U shkrefën n’zemra dashuni të zjarrta
T’kohës kaluëme.

Poema Nymfat e Shkuminit (Lyra 1939)
Poema Nymfat e Shkuminit (Lyra 1939)

Pastaj bariu i vogël rishtas nisi
Nji melodi me fyll të fërshëllente;
Dëfrimi mâ i math ahere krisi
Dhe t’mallëngjente.

Satira dhe Nymfa bashkë u hodhën
Ndër valle dhe dredhshin gas ke buza;
Për qark tyke kangtumun ambël brodhën,
Si t’ishin Muza.

Midis të ksaj hareje n’hije rrinte
Sireni fusharak me flok’ të thimun;
Nga kto dëfrime t’mallshme po e ndinte
Shpirtin të ngimun.

E nga nji her’ me synin plak vështronte
Najadat me Satirët të trazumun,
Dhe cila mâ e bukur asht kërkonte
Për t’a dallumun.

Por shum’ mâ tepër dashunija theri
Barin’ e vogël kur Najadat shihte.
Për varg të tyne porsi rreth byleri,
Zemra i rrihte.

Kush s’do të digjesh e s’do t’përcëllohesh.
Kah shihte t’bukrat vasha të kërcenin?
Kush s’do t’a humbte mendjen e t’marrohesh.
Kur kto dëfrenin?

Henrietta Rae - Nymfat e Ujit 1909
Henrietta Rae – Nymfat e Ujit 1909

Gjimonte pylli me dëllenja t’trasha
Dhe malet për kundrejt jehimin pritën;
Nga Helikona t’Mnemosinës vasha
Shpejtazi zbritën.

Këto të nand virgjina kangëtare,
Me veshje t’holla erdhën si mbas stine;
Në njanën dorë e kishin nga nj’ kithare
N’tjatrën dafine.

Dhe porsa sosën n’vendin e gazmendit,
Ku loznin valle Nymfat e Shkuminit,
Të gjitha u rradhosën si mbas rendit
N’hije të blinit.

Ndër’to má par’ Kaliopeja nisi
Me kang’ t’kallzojë veprat e të parve,
Dhe me kithare t’ambël t’a stolisi
Fis’n e Shqiptarve.

Fatozat si këndoi qi koha solli,
Filloi Klioja kangën tregimtare,
Sâ burra t’vefshëm e të famshëm polli
Nana shqiptare.

Nga njomështia e zanavet buçitën
Kodrinat porsi kûr i rreh duhija,
E Nymfat lodratare u çuditën
Nga bukurija.

Pastaj e kap kitharën me ja nisun
Nji kange Uranija me duër t’arta,
Se qiellin yjet qysh e kan’ qindisun
Me pika t’zjarrta.

E kúr e thoshte këtë kang’ hyjnore,
Satirët kqyrshin me habi të madhe
Najadat, qi i kishin rrok’ përdore,
Porsi sarkadhe.

E Melpomena kur kitharen mori
Te kambët me kothurna e mbëluëme,
Mallngjyëshëm kangëtoi si rá dëshmori
Për atdhé t’lume.

Si rá dëshmori për Shqipnin e dashme
Dhe derdhi gjakun krejt ajó vajtoi,
E qysh u fikën djemt për vajza t’pashme
Ajo kangtoi.

Por kur Thalija më fëtyr’ gazmore
Nji melodi t’zakonshme përsëriti,
Të gjitha vashat porsi topa bore
Gazit i shkiti.

Dhe dhelatoi e bukra Muz’ plot lodra
Polemin t’on’ qi nuk e sheh drejtimin,
Dhe malet përkundrejt naltsuë me kodra
Ktheshin jehimin.

Por nuk vonoi edhe Polihymnija
Të marri pas asaj kitharën n’dorë,
Edhe t’këndoj si falesh Pellazgjija
N’tempujt hyjnorë.

Euterpeja pastaj me zan bilbili
Kangtoi me thellësi të shpirtit stinat,
Qi çel zamaku edhe trëndafili
Nëpër kopshtinat.

Pranverën përgëzoi me lule t’çelun
E me zymyla t’bardhë ver’n e ngrohtë,
Dhe nisi ambël pastaj me përgdhelun,
Dimnin e ftohtë.

Po pse Eratoja rrin si e ngrime
Dhe për t’a kap’ kitharen s’sheh nevojën?
Pse vall në këtë gas ka ran’ n’mendime
Dhe s’e çel gojën?

Vitet '30 - Intelektuale elbasanas - Haxhiademi i pari djathtas
Vitet ’30 – Intelektuale elbasanas – Haxhiademi i pari djathtas

Nji flakë e mbrendëshme e ka coptumun
Até, dhe t’ngjomën zemër ja ka tretë,
Prandaj në mes të gazit e mendumun
Rrin dhe e qetë.

Por nuk e lan mâ gjat’ motrat e t’jera:
E ngusin qi mâ tepër mos t’mendojë,
Dhe si stërviten fishkujt kúr vjen vera,
Nisi t’këndojë.

Përmendi vuëjtjet qi pëson rinija
E nga nji her’ pa dash’ nji ah lëshonte,
Se shpirtin ja përcllonte dashunija,
Sa s’e duronte.

E nga nji her’ me bisht të syut vështronte
Barin’ qi n’mes të tyne kish qëndrumun,
Dhe n’kang e sipër nga nji gas i lshonte
Për t’a trazumun.

Prá kúr Eraton t’jerat po shikoshin,
U ngrit Terpsikora me petka t’holla,
Në krahanúr të ngritme i qëndroshin
Gjinjt porsi molla.

Ajo në qark të tyne n’valle hidhet
Dhe motrat t’jera veglat tingëlloshin
Tyke e bamun buzën n’gas përdridhet;
Nymfat shikoshin.

Po n’mes t’këcimit nga nji her’ qëndronte
Dhe syn bariut tyke kënduëm ja ngulte,
Pastaj si kthehesh rishtaz e vallonte,
Belin përkulte.

Ahere vashat ndjenjat kur po shkrijshin
Me kangë e valle në shkëlqim të diellit,
U pan’ të trija lakuriq të vijshin
T’bukrat e qiellit.

Ato kan pimun sis’ nga Eurimoma,
Edhé i kishin trupat si zamaku
Të bardha e me burma dur’t e ngjoma,
Faqet si gjaku.

Të trija ishin kapun dor’ për dore
Dhe ecnin n’hije t’gjetheve fjesht naze,
Pëshpritshin tok me ambëlsi hyjnore
Si zoqt n’kafaze.

Me flok’ të derdhuna e gas ke buza,
Këto nga pak në vendin u afruën,
Ku Nymfat ishin të trazuëm me Muza
Edhe qëndruën.

Në rrjedhën e Shkumbinit (Gensus)
Në rrjedhën e Shkumbinit (Gensus)

E si trajtuën pastaj nji rreth të trija,
Në atë vend ku édhe t’jerat ishin;
Aglaja, Eufrosina dhe Thalija
Rrotull zun’ t’ vishin.

O vasha, ju qi ndritni porsi hanza,
Edhé për lodra keni shijë t’madhe,
Qysh flitni ju sikur currit fëllanza
Nëpër livadhe?

Qysh qeshni ju me buzët qumështore,
Sá qi prej gazit rrathë i lshoni gushës?
Qysh ju shëmblleni si tre topa bore
n’mezin e fushës?

Ato u rrotulluën u rrotulluën
E rrethin kputën mbasandaj Najadat,
Po me ato u ngritën e u bashkuën
Hamadriadat.

Dhe kúr për t’shkuë të gjitha po mendohen,
Po vijshin prej së largu me rend t’kalit
Grumbuj prej Oreadash sá s’dallohen,
Nymfat e malit.

Këto qëndroshin nëpër shpella t’gjana
Dhe nëpër vende t’gjelbërta të pyllit,
E kúr ndër shkrepa qen’ përndam’ të tana
Ndin’ zan’ e fyllit.

Ndëgjuën edhé kitharet dhelatuëse,
Qi tingëllojshin durët porsi karta
Të Muzave me zana fishkëlluëse
Dhe goja t’arta.

U ngritën prá dhe erdhën me takumun
Shoqet e t’jera për t’a shtuë dëfrimin,
Dhe në gazmend të tyne m’u bashkumun,
Ndoqën drejtimin.

Kúr qe ban’ së largu shtat gjahtorë,
Të mveshun me fustane kindagjana,
Dhe mbajshin nga nji pushk’ të gjat’ në dorë,
N’brezat shishana.

Ndriçoshin syt e zes sá her’ shikonin
Atá dhe dukesh sikur shkrepëtini,
E vetullat mbi ballin u qëndronin
S’i bisk ullini.

Djelmoshat kishin dalun asaj ane
Për të luftumun shpezët nëpër pyje;
Përsipër ishin vesh’ me kuparane;
Ngjajshin si yje.

Najadat kur i pan’ te po kërcenin
Dhe Muzat që po luëjshin me kithare,
Ndaluën përmrapa gjethesh të vërenin
T’bukrat gaztare.

Ndaluën edhé shikojshin të habitun
Nëpër gërsheta t’gjerdheve prej dege,
At’ trum’ të rash me faqe pa përkitun
Si lule shege.

Djelmoshat qi prej bote s’kishin dije,
Kah kqyrshin se ç’ka lindun Eurinoma,
Filluën t’u trakullin prej dashunije
Zemrat e ngjoma.

Mbassi nuk po duroshin t’rrishin, dulën
Të shtatë edhé u shfaqën n’shesh papritën
E si sqyfteri përmbi zoqt u sulën;
Nymfat bërtitën.

Bërtitën tyke nxjerrun gas nga buza
E prej vargimit qi qen’ mbledh’ zbërthehen
Vrapojn’ pastaj Driadat bashk’ me Muza,
Se djemt u ndehen.

Ca rendin nëpër shkrepat me rrëpina
E ca të t’jera malit nalt i ngjiten,
Disa prej tyne derdhen ndër lugina,
Sa qi nuk vriten.

Por nuk shpëtuën të gjitha, se gjahtorët
Nga nji prej tyne kapën kur vraposhin,
Edhé i ngritën përmbi krahanorët,
Qi t’i shtrëngoshin.

Elihu Vedder - Vallzimi i Nymfave - 1885
Elihu Vedder – Vallzimi i Nymfave – 1885

Kërthiste Nymfa në krahnuër të djalit
E nga nji herë e kthente klithmën n’gaze,
E lunte porsi ndonj’ pëllumb i malit
Për të bam’ naze.

Të bukrit djem e vasha i përpoqën
Me njani t’jetrin buzët fjesht dashni
Dhe ngjomën t’shkretat zemra qi u dogjën
Për at’ stoli.

Mbas pak asnji lëvizje nuk ndëgjohesh
Dhe heshti zhurmi qi qé n’ato rrethe;
Ç’do Nymf’ në prehën t’djalit po qetohesh
N’prozhmin plot gjethe.

O çuna të pabindun, nuk shikoni
Qi s’po i lini vashat ju të qeta?
Pse nuk vazhdoni udhës po m’trazoni
Nymfat e shkreta?

Për to vajtojn’ Satirët pa pushumun,
Se lodra mâ e ambël po i ndahet,
Edhe bariut me sy të përlotun
Zemra i çahet.

Mbassi Najadat djemt i përgëdhelin
Dhe erë u marrin flokve tue i fërkumun,
Posi zymylave n’pranver’ qi çelin,
Nisen me shkumun.

Goditën pra kësulat përmbi vetull
Dhe murën pastaj udhën e pasosun,
Dhe Nymfat flokgështenjë i vuën nën sqetull,
Si gjah t’plagosun.

Kur kta largoheshin me çapa t’prehta,
Se dielli zuë nga pak të perëndonte,
Bariu i vogël lshonte lot të nxehta
Edhé vajtonte.

16-XII-1933

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.