back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Et’hem Haxhiademi – Prej së largu… (Lyra -1939)

Gazeta

Et'hem Haxhiademi i Ri
Et’hem Haxhiademi i Ri

Lirika e nji tragjiku

nga Jozef Radi

Heshtja e gjatë mbi Haxhiademit, duhej ta kish vra kahera Muzën e Tij.
Por mendoj dhe besoj se mrekullisht ka ndodhë dhe ka me ndodhë e kundërta edhe në të arthmen.
Muza e Haxhiademit, në krejt trajtat e saj që ka me u shfaqë hap mbas hapi ka me dëshmue në qetësinë e vet, pa asnji brohorimë a fanfarë sa e gjallë dhe e freskët, sa njerzore dhe koherente, sa e domosdoshme dhe sa shqiptare, sa klasike dhe sa moderne, sa reale dhe sureale asht dhe ka për te mbetë ndër kohna…
Ajo asht aq e paktë sa mundet me u quejtë edhe Nektar Perendish…
Poezia e “Lyrës” së Haxhiademit ka me u shfaqë si nji klithëm e butë, si nji dorë e shtrime në qiell, si nji vegim që vjen së largu, po edhe si nji dëshmi e dështimit të së Keqes… Edhe pse e paktë, e theksoj kët term, (“Lyra” – ka vetëm 10 poezi) ajo asht ndër ma të plotat e poezisë shqipe; edhe pse e drojtun dhe e plagosun ajo asht ndër ma të shumngjyrtat dhe ma jetgjatat; edhe pse vjen prej heshtjes së gjatë, ajo veç heshtjes s’ka me i përkitë kurrë! Jo, Kurrë!!
Prej së largu asht nji poezi që shumë prej lexuesve shqiptarë, (përfshi edhe shkruesin e këtyne rreshtave) e takon mbas plot Tetëdhjetë e nji vitesh… Kohë e mjaftë me u harrue… Poezia asht e nji delikatesë të pashoqe, e nji vargu të gdhendun me nji dashuni prej Fidie, asht djaloshi që ndërsa shetit botën… dhe len gjurmët e nji dashnie të thellë, ku gjithkush mund te gjejë pak vetvedi… tretun ndër kohna!
“Prej së largu…” dhe ndonji tjetër mbas saj, sigurisht kanë me u vlerësue si ndër ma të denjat e lirikës shqiptare…!
28 qershor 2014

Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi – Vepra poetike – Lyra 1939

Et’hem Haxhiademi

V

Prej së largu…

(Lyra -1939)

~~~~~~~~~

Për kokën tande thuëj Sofi,
Kush t’i fërkon balluket,
Nashti qi gjindem larg nga ti
Dhe malli nuk më duket;
Për t’gjat’ të lumit shkojshim,
Ahere na n’pranverë,
Dhe kurr nuk e kujtojshim
Të ndamen ndonji herë,

Dhe sot, Sofí, ti kúr kalón
Andej me ndonji t’jetër,
Nga zemra e ime gjak pikòn
Prej dashunis së vjetër;
Ahere ti më thoje
Se t’jetër nuk do t’ketë,
Qi zemrën t’ia dhuroje,
Derisa t’ijshe n’jetë.

E lark atje ti, ku buçet
Danubi me tallaze,
Më thuëj, Sofi, me cilin flet
Aq ambël ti me naze;
Prej turpit kúr të ngjyhen
Mollzat e faqes ty
E në të kuqe lyhen,
Un duë të shoh me sy.

Por drit’ e yllit tand t’a dishë,
Qi deri tash më dogji,
Do t’zbehet shpejt, Sofí, po t’rrishë,
Në prehën të ndonji shoqi;
Kúr do të duësh t’shikohesh,
Gëzuëshëm në pasqyrë,
Aq tepër mos krenohesh,
Se je me at’ fëtyrë.

Prá buzët t’uëja mos i len
Prej t’jetri të kafshohen,
Se erë e lules mâ s’të vjen
E t’gjith’ do të largohen;
Kûr të qëndrojsh e lamun
Si vesa në mëngjes,
Ahere ke me pamun
Se sa të rijt i ndes.

E lumin ti kûr don me pa,
Mbështetun n’pezull t’gurit,
Të ruhesh tepër mos me vra
Dy mollët e krahnurit;
Kur ti, Sofí, kërruse,
Shkëlqejn’ porsi kristal,
Se dalin jasht prej bluse,
Por t’jetri: Mos ja fal!

E n’kopësht prehnin kur e mbush
Me lule prej zambaku,
Të ruhesh mos të qaset kush,
Se muë më prishet gjaku;
Ató, si t’i mbështjellish,
Ti lidhish me kordhel
Edhe te un t’i sjellish,
Prej mallit qi s’më del.

Trishtim dhe humbje...
Trishtim dhe humbje…

Dhe kúr të dalish me shetitë
Ndën gjethet e nji ahu,
Të mos të dukesh ndonji ditë
Me tjetër krah për krahu;
Por vetëm duë të endesh,
Si endem unë këtu,
Dhe s’shoh prej aso sendesh,
Qi shohin syt e tu’.

Por ah, ti ndoshta po kërcen
Ndër valle e gëzuëme,
Edhé të tjerve i ndërsen
Të t’uëjat buz’ të shkruëme ;
Sepse dhe muë m’përvlove,
Si bane buzën n’gas,
Ahere kúr kalove
Dhe un të ndoqa pas.

Por ti ahere qe e re
Edhe me sy s’shikoje,
Nji her’ këtheve kryët e m’pe
Në rrugën qi vazhdoje;
Por prap kur e këtheve
Fëtyrën e argjandë,
Ti zemrën m’a rrëmbeve
Me pamjen tande t’randë.

Prandaj Sofí, e urt’ të jeshë,
Si qingjat e kullotës,
Se veç ahere do të keshë
Ndriçimin e gjith’ botës;
Fëllanzën e ndjek gjahtori,
Derisá flururon,
Po në kafas po e mori,
Me sy – as s’e shikon.

23 maj 1934

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.