back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Etja e Gurëzuar e Arbrit ose Përvijimi i realitetit, i mitit dhe i ëndrrës nga Anton Çefa

Gazeta

Anton Çefa - Manhattan, prill 2016
Anton Çefa – Manhattan, prill 2016

Etja e Gurëzuar e Arbrit

ose Përvijimi i realitetit, i mitit dhe i ëndrrës

nga Anton Çefa

Mbi romanin e Anton Nikë Berishës

“Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar”

Botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2002

Anton Nike Berisha
Anton Nike Berisha

Etja – ky pësim i fuqishëm psikologjik më shumë se fiziologjik – e sendërtuar në rrafshet më të ndryshme të jetës e të përtejjetës së qenies sonë, të arbrit, me një mjeshtëri të lartë artistike, është fryma në të cilën gjallit tema, ideja, mesazhi i romanit të Anton Nikë Berishës “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar”.
Jeta e njeriut është një etje e pashuar. Jeta e Gjin Bardhelës, personazhit të romanit, është një etje sa e pashuar aq e gurëzuar në një gjakim të fuqishëm dëshire e vullneti, ideali e shprese, ëndrre e realiteti.
Gurëzimi është një dukuri që na ka ndjekur ndër shekuj – gurëzim i qenies dhe i shpirtit, i ëndjes dhe i njëmendësisë, i mendimit dhe i ndjenjës, i idealit dhe i veprimit. Gurëzimi i etjes për të jetuar në rrjedhat e gjakut tonë…Gjin Bardhela është një arbresh i gdhendur kohërave dhe hapësirave të Arbrit, një personazh që bart fatin tonë dhe prandaj na takon të gjithëve dhe çdo dukurie që lidhet me ne: historisë sonë, mitit, psikologjisë, mënyrës së jetesës, zakonit, kulturës, artit.
Në agoninë e Gjin Bardhelës – fizikisht më shumë i vdekur se i gjallë, shpirtërisht më afër jetës se vdekjes – na ravijëzohet historia e shpirtit të arbrit, pasqyra e identitetit tonë etnik, trashëgimia e psikës sonë kombëtare, një qenësi e mitit dhe e realitetit, përvijëzim i ëndrrës dhe i zhgjëndrrës. Ai është personazhi i vetëm i veprës, që tërheq, nëpërmjet përfytyrimit, një mori personazhesh të tjerë, të gjallë e të vdekur, që gjallojnë në këtë botë dhe në të përtejmen; të gjithë të gurëzuar në etjen e Arbrit për jetë.
Bota shpirtërore e Gjinit, ëndrra dhe filozofia e tij për jetën, për njeriun dhe njerëzimin në përgjithësi dhe, në mënyrë të veçantë për arbreshin, është shpalosur artistikisht nëpërmjet dialogëve të tij me një zë që i flet së brendshmi, i cili nuk jetëson vetëm një alter ego, por kryen disa funksione artistike: kujton, argumenton, kundërshton dhe, mbi të gjitha, përsiat, filozofon.
Romani shtjellohet nëpërmjet një përfytyrimi të vagëlluar, krahas kujtimit të freskët, nëpërmjet një jehone të largët, po edhe të një zëri të afërt, të fuqishëm, që plotësojnë tablonë e gjallë të botës shpirtërore arbëreshe.
Çfarë ka arketipi i jetës shqiptare është aty, tek etja e gurëzuar e Gjin Bardhelës, duke filluar nga emri dhe deri tek shpirti i tij dhe i Arbrit. Aty është “jehona e copëzave të rrëfenjave të plagosura nga fjalët e humbura e të harruara nëpër kohë”; aty është mitologjia dhe bestytnia të mpleksura bashkë, miti dhe realiteti, legjenda dhe historia; Kësheta flokartë, Mirëza e Malit, Orët e Shtojzovallet, E Bukura e Dheut dhe e Detit, gjarpri me këmishën e tij të shpirtëzuar, Kostantini i besës së madhe, prirja për vetërrënim, armiku turk…
Duke u endur në botën e shpirtërave të të Parëve, “në genin e të cilëve ka pasur më shumë gjak Arbri”, bota arbëreshe, dikur aq fisnike, aristokrate, ku edhe arbrit e thjeshtë i thërrisnin nënës “Zonja Mëmë”, Gjini takon, ndër të tjerë, gjyshen, që i thotë: “Ti kudo dhe në çdo kohë je i këtyre njerëzve, i botës që i përkasin ata dhe paraardhësve të tyre”.
Në roman jepet vlera e virtyteve tona të larta etnike: kulti i nderit, në funksion të të cilit rri marrja e gjakut; pesha e nëmur e antinderit, e korisë; altari i miqësisë (“Ai që shkel në shtëpinë e tjetrit, është i mbrojtur nga Zoti e nga e drejta zakonore”); e pathyeshmja besë, që shqiptari ia jep dheut e qiellit, vetes dhe tjetrit, tokës dhe detit, (po edhe detit, sepse “ky dejt na lidh me detin e të parëve; për këtë arsye i themi Dejti jonë”) dhe kurora e virtyteve tona etnike, apoteoza e burrërisë, që fal gjakun para djepit të përmbysur.
Fryn ndër fletët e romanit e të jetës së Gjin Bardhelës romantika e jetës arbëreshe, shenjëzuar me poezinë e me vallet. Poezia shqipe e lëvruar që në burimin e saj, tek De Rada (“Ishte një gjakim vegimi i përgjumur ose zhgjëndërr e përëndërrt që Poeti i dha me dorën e vet të lexonte atë që kishte përftuar”) dhe vallet që mbajnë gjallë shpirtin e kombit (“Kush harron valljet, harron frymëmarrjen”, sepse “pa to e pa gjuhën s’ka më arbëresh”).
Përvijohet në këtë vepër legjenda dhe e vërteta në mishërim të fatit të Arbrit nëpër kohë. Edhe pse e kanë varrosur kunatën në themel të urës, tre vëllezërit vazhdojnë ta ndërtojnë atë, sepse ajo nuk ka përfunduar, i mungon ende një krah. Fatalitet apo rrjedhë tragjike e historisë sonë? Si thotë edhe poeti Podrimja: “Një krah në qiell e tjetri në mishin tim”.
Pranë legjendës, tek një “rrëfim i djegur” digjet vërtetësia e një realiteti të porsa kaluar. Forcat e errëta të sigurimit me shpikjet e tyre të çoroditura ia kalojnë shumëfish dënimit të Sizifit, i cili bart gurin e fatit të vet në mbretërinë e errësirës, në botën e Hadit, ndërsa të burgosurit tanë e bartin atë shumë herë më të rëndë, në dritën e diellit – një nga shpikjet e vëllezërve tanë përbindësh.
Vepra është gatuar në një prozë të hijshme, e pajisur me fluiditetin e poezisë, që rreh të bëhet poezi e vërtetë dhe që bëhet e tillë jo rrallë. E gjitha e brumosur në magjen e një shqipeje të pastër, të pasur e të bukur, të zgjedhur me kujdesin e këmbënguljen e bletës për nektarin. Dhe së fundi, e gjitha e veshur me velin e mëndafshtë nusëror të metaforës, që i shkon aq për shtat.
I gjithë romani është një tablo e gjerë, e realizuar me një harmoni, që bart vlera të larta estetike; por ka aty, brenda atij mozaiku, përshkrime e tablo të tëra aq mahnitëse (si  tabloja sa tragjike aq madhështore e virgjireshave kruetane që hidhen në greminë për të mos u bërë pre e epshit të armikut, rrëfimi grotesk për forcën shpirtërore të shpirtit të gruas së burgosur, tabloja e mrekullueshme e detit, epilogu i romanit në kapitullin: “Etja e ngrirë në buzë”), të cilat e pasurojnë prozën tonë. Po sjellim një shembull të veçantisë së shtjellimit poetik, që në vepër njëmend janë të shumtë: “Dejti tashmë kishte mbledhur ninëzat e fundit të zbardhemta, të harruara aty – këtu nëpër hapësirë nga sosja e ditës. Faqja e ujit dhe gjithë ajo që kapte syri, morën një pamje të përhitur, që të kujtonte ngjyrën e shkëmbinjve të rrahur nga stuhitë ndër mote. Hëna, syëndërruese e natës, nuk kishte gjasë të përlindte dritësimin e saj të hershëm, t’u falte valëve epshin e vallëzimit nusëror, siç vepron zakonisht kur zbret dhe i puth ato mbrëmjeve të fundverës e të fillimvjeshtës as t’u tregojë reve udhën e shtegtimit, që pastaj dalldisen, deri në ekstazë, nëpër qëndizmat e kaltërsisë së qiellit. Tisi i territ vazhdonte ta përgjumte detin bablok, i cili përgatitej t’i falej kolovajzës ëndërruese të natës!”
Vepra është një përsiatje e gjallë filozofike, e metaforizuar apo e drejtëpërdrejtë, e përshkuar nga një tonalitet i lartë e fisnik i një thirrjeje optimiste për jetën, edhe kur ajo na shfaqet në gjendjet e saj më tragjike, për vlerat e njeriut dhe të njerëzimit, për vitalitetin dhe vlerat tona etnike, dashurinë për vendin e lindjes dhe për atdheun, për të bukurën në natyrë e në art, larg çdo note fataliteti që në dukje të përhijohet në ndonjë rast.
Përsiatjet e autorit dhe të personazhit, zëri i brendshëm i këtij të fundit e plotësojnë dhe e thellojnë metaforën e mesazhit të veprës, e ndalojnë vrapin e leximit aq tërheqës, që i merr frymën lexuesit dhe e bën të mendojë për jetën dhe vdekjen dhe për dukuri të tjera, që ndodhin në udhëtim, nga njëra tek tjetra.
Etja e gurëzuar e Gjin Bardhelës është një himnizim i përpjekjeve stoike të njeriut për të jetuar duke pranuar që jeta është dhimbje; dhe kjo jo dosido, por një dhimbje e madhe, tragjike – dhe sa më tragjike aq më e bukur.
Veç kësaj, ajo – etja, është një pranim i së përkohshmes përballë amshimit, një sens i pajtimit të këtij mospërkimi, i mospërkimit të kundërshtive të jetës sonë me harmoninë universale, gjë që përbën burimin e gëzimit, të lumturisë në prehër të vuajtjes – një atmosferë shpirtërore katarsi, për të cilën bota shqiptare ka nevojë sot, ndoshta më shumë se kurrë.
Botuar në “Dielli”, janar-mars, 2003

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.