back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Eugenio Montale – Nga libri Eshtra sepiesh – Pakti 2008

Gazeta

Eugenio Montale - Nobel ne Letersi
Eugenio Montale – Nobel ne Letersi

Eugenio Montale –

Nga libri Eshtra sepiesh – Pakti 2008

Limonat

Ndigjomë, poetët laureatë
përsillen vetëm ndër bimësitë
me emra pak të njohur: bushe ligustra a dashtra.
Unë, për vete, dashuroj rrugët që të nxjerrin
ndër hendeqe të harlisuna ku ndër pellgje
të thara përgjysëm çunakët mbërthejnë
ndonji ngjalë hollake:
rruginat që përshkojnë buzë honeve,
zbresin mes kaçubesh kallami
dhe dalin ndër kopështe, mes pemëve të limonave.
.
Mrekulli, nëse potera e shpezëve
shuhet e gëlltitun nga kaltërsia:
ma qartë dëgjohet fëshfërima
e bisqeve mike në ajrin që thuajse s’luhatet,
dhe ndjesitë e aromës
që tokës s’i ndahet
dhe resh në gjoks nji ambëlsi të shqetë.
Këtu nga hareja e pasioneve
si me magji lufta heshtet,
këtu edhe ne të mjerëve na përket pjesa e pasurisë
dhe asht aroma e limonëve.
.
Kqyr, në këso heshtjesh ku sendet
braktisen dhe janë të gatshëm
të tradhëtojnë sekretin e tyre të mbramë,
atëhere na duhet
të zbulojmë nji hutím të Natyrës,
pikën e vdekun të botës, hallkën që nuk mban,
fillin që shpështillet që na vendos së fundi
në thelbin e nji të vërtete.
Vështrimi heton përqark,
mendja shqyrton pajtohet shpërbëhet
në parfumin që përhapet
kur dita vijon të zbehet.
Janë heshtimet ku duket
në çdo hije njerëzore që largohet
ndonjë Perëndi e shqetë.
.
Por na mungon iluzioni dhe na risjell koha
në qytetet e zhurmëshme ku kaltërsia shfaqet
vetëm me copa, sipër, ndër ojnisjet.
Shiu e sfilit tokën, pastaj; në dimër
nëpër shtëpi dendësohen mërzitjet,
drita bahet koprrace – hidhësohet shpirti.
Kur nji ditë, prej nji dere të çkyçun
mes pemëve të nji oborri
na shpërfaqet e verdha e limojve;
dhe ngrica e zemrës na shkrin prore,
kangët e veta
trumpetat e arta diellore.
.
Ossi di Seppia - Eshtra Sepiesh - Eugenio Montale
Ossi di Seppia – Eshtra Sepiesh – Eugenio Montale

Falset

Esterina, njëzet vjetët të kërcënojnë,
reja kuqegri
që pak nga pak të ndryn brenda.
Këtë kërkon dhe nuk ke drojë.
Të zhytun do të shohim
në tymin që era
shlyen a dendëson, me poterë.
Mandej nga gulfa e hirit ke me dalë
e tharë si asnjëherë,
mbrojtë te nji aventurë ma e largët, ngulmuese
pamja jote që i përngjet
Dianës shigjetuese.
Ngjiten të njëzet vjeshtat,
të mbështjellin pranverat që vanë;
ja për ty tringëllon
nji kumt nga rrathët elizjanë.
Nji tingull nuk të ngjan
me trokitjen e kanës
së krisur!; lus të jetë
për ty nji koncert i mahnitshëm
zilkash.
.
Dyshim’ i së nesërmes s’të kall frikë.
E hijshme shtrihesh
mbi shkambin e ndritshëm nga kripa
dhe në diell përcëllon gjymtyrët.
Kujton xixëllonjën
që mbi shkrepin e zhuritur ndalet;
të ve kurthe rinia;
me lakun prej bari të djalit.
Uji asht forca që të kalit,
në ujë zbulohesh dhe përtërin:
ne të përfytyrojmë si nji algë, nji petë,
si nji krijesë detare
që kripëzimi s’e cënon
por ma e pastër kthehet në stere.
.
Ke plotësisht të drejtë! Mos turbullo
me paramendime të tashmen e qeshur.
Hareja të ardhmen tani ta drejton
dhe nji krrusje shpatullash
fortesat e mugëtirës
sate të nesërme rrënon.
Çohesh dhe shtyhesh përmbi urëzën
e vogël, sipër vorbullës që kuit:
profili yt asht ngulitë
ballë nji sfondi prej perle.
Pezull rri majë traut drithërues,
pastaj qesh, dhe si e këputur nga era
përplasesh midis krahësh
të mikut tand hyjnor që të rrokë.
.
Të shohim ne, të racës
që mbijeton në tokë.
.
Leka Ndoja - Studiues
Leka Ndoja – Studiues, perkthyes, autor

Gati nji fantazi

Gëdhiu, e dallova
nga nji pemë prej argjendi
të zbardhylët te muret:
vijos nji vezullim mbyllë dritaret.
Kthehet ngjitja
e diellit dhe zanet
përhapen, pa poterën e zakonshme.
.
Përse? Mendoj diku nji ditë magjike
dhe me gara orësh tepër t’barabarta
shpërblehem. Magjistar i pavetëdijshëm,
nga koha e madhe, do vërshojë fuqia
që më gufonte. Tashti do të shfaqem,
do rropos udhë të shkreta, shtëpi të larta.
Kundrejt do kem nji vend bornash të dlira
por të lehta thuese i sheh në sixhade.
Do të rrëshkasë nga qielli larush nji rreze e vonë.
Përplot me dritë të padukshme pyje dhe kodra
do më thurin làvdin e rikthimeve gazmore.
.
Me gaz do lexoj shenjat
e zeza të degëve mbi të bardhë
si nji alfabet themelor.
E gjithë e shkuemja në nji pikë
përpara do më shfaqet.
S’do trazojë kurrfarë tingujsh
kjo hare vetmitare.
Do të zhduket në ajër
ose mbi nji hu do lëshohet
ndonji gjeluc i marsit.
.
Përktheu: Leka Ndoja
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.