back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Europën apo krimet e komunizmit?! – Deklaratë për shtyp – Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)

Gazeta

5 Maj 2018 - Demostrim komunist me figurën e Ditatorit
5 Maj 2018 – Demostrim komunist me figurën e Ditatorit

Europën apo krimet e komunizmit

Deklaratë për shtyp

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)

“Letër e hapur Presidentit të Republikës,
Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit,
liderëve të partive politike, Kryeprokurores
dhe Trupës diplomatike të akredituar në Shqipëri”.
 
Incidenti me portretet e diktatorit Enver Hoxha dhe simbolet e komunizmit, pak minuta më parë (në paraditen e 5 majit) gjatë ceremonisë së homazhit për “Ditën e Dëshmorëve”, përbën një akt të rëndë provokimi, fyes e lëndues për të gjithë qytetarët e lirë shqiptarë, një dhunim të parametrave të lirive demokratike që na garanton Kushtetuta e shtetit demokratik.
Ky provokim nuk është një akt i vetmuar i nostalgjikëve të diktaturës, që bëhet demonstrativisht në sy të krerëve më të lartë të politikës shqiptare, të qeverisë dhe opozitës, të përfaqësuesve më të lartë të shtetit. Këto akte provokimi janë të shumta, të shpeshta e të shtrira ndër vite. Ato janë një atentat mbi lirinë dhe standardet demokratike; ato nxiten dhe nxisin ndërsjelltazi për një gjallërim të establishmentit të vjetër ideologjik – trashëgimtarë të enverizmit – për një aksion më të gjerë, me synim kthimin e Shqipërisë prapa, në kohët më të zeza të rrënimit e përçudnimit që kaloi shoqëria jonë gjatë diktaturës.
Këto akte publike provokimi nuk janë të rastësishme. Ato mbështeten e marrin kurajë, gjithashtu, nga qëndrimet e hapura në media të një elite propagandistike, të formuar e shuguruar me mendësinë totalitare nga nomenklatura komuniste e diktatorit E. Hoxha, kryesisht profesorë, akademikë e historianë, të cilët i kanë shpallur qëndrimet e tyre publike duke mohuar Krimet e Komunizmit dhe me apelin për rikthimin dhe rivlerësimin e figurës së diktatorit Hoxha. Këto zëra dhe akte flagrante provokimi, që bien ndesh me normat, standardet dhe të drejtat e lirive kushtetuese demokratike, që i garantojnë qytetarit tonë moscënimin e dinjitetit, kalojnë të pandëshkuara ligjërisht, përmes indiferencës shokuese të politikës shqiptare dhe institucioneve ligjzbatuese të shtetit.
.
Krimet e komunizmit me pak shifra
Krimet e komunizmit me pak shifra
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit shpreh indinjatën për këtë akt të rëndë e të hapur provokimi dhe i bën thirrje Presidentit të Republikës, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit të Shqipërisë, liderit të opozitës, Kryeprokurores, znj. Arta Marku, organeve të drejtësisë dhe Trupës Diplomatike të akredituar në Shqipëri të merren seriozisht, duke e trajtuar ligjërisht e moralisht këtë akt tejet fyes provokimi, me manifestimin e portreteve të diktatorit Hoxha dhe simboleve të komunizmit me 5 maj, në Varrezat e Dëshmorëve.
Nga ana tjetër, rastet e shumta e të përsëritura me aktet, gjestet, manifestimet dhe thirrjet për rikthimin e ideologjisë totalitare komuniste përmes simbolit të fatkeqësisë shoqërore e kombëtare shqiptare, shtrojnë nevojën urgjente të miratimit nga Parlamenti Shqiptar të një platforme ligjore për dekomunistizimin e Shqipërisë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të atyre që në një formë a në një tjetër, përpiqen të ringjallin trashëgiminë politike dhe ideologjike të diktaturës komuniste. Të miratohen ligje të ngjashme me ish-vendet komuniste, që sot janë anëtare të BE!
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, përmes kësaj deklarate, kërkon nga pushtetet politike dhe ekzekutive të shtetit shqiptar t’u jepet përgjigje definitive të gjitha tendencave të ngjashme, që synojnë rikthimin e diktaturës komuniste dhe kufomës politike të diktatorit Enver Hoxha në kushtet kur shteti shqiptar ende nuk ka vendosur drejtësi për viktimat e komunizmit; ende nuk ka gjetur varret dhe eshtrat e mijëra të vrarëve që pushkatoi ai regjim; ende nuk ka dënuar përgjegjësit direktë e indirektë për tragjedinë popullore të shkaktuar gjatë diktaturës komuniste; ende nuk ka dënuar strukturat kriminale të KQ të PPSH dhe ish-Komitetet e Partive apo strukturat famëkeqe të ish-Sigurimit të Shtetit komunist, që janë sot më aktive se kurrë, në pozicionet nyje të institucioneve tona, që kontrollojnë kompaktësisht të gjithë arkivat shtetërore.
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, përmes kësaj Deklarate, u kërkon institucioneve më të larta të shtetit, të politikës dhe drejtësisë, të dëshmojnë konkretisht vullnetin e tyre përballë shoqërisë shqiptare, se po na prijnë drejt dyerve të BE me dinjitet dhe vlera njerëzore, pa kryqëzatat histerike që tundin portretet e diktatorit kriminel Enver Hoxha dhe pa simbolet e komunizmit. Pra, ose Europën, ose krimet e komunizmit. Të dyja nuk shkojnë bashkë: njëra e përjashton tjetrën!
 
Për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit,
Drejtori Ekzekutiv
Agron Tufa
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.