back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Evokim në histori – Oso Kuka nga Denata M. Rroji 

Gazeta

Oso Kuka n'kullë t'barotit
Oso Kuka n’kullë t’barotit
Evokim në histori – Oso Kuka
nga Denata M. Rroji 
Osman Bejtullah Kuka (i thirrun Oso Kuka) u lind në vitin 1820 në qytetin e Shkodrës, me origjinë të hershme nga Kukësi dhe vdiq heroikisht në vitin 1862, në luftë kundër ushtrisë Malazeze ndaj trojeve shqiptare.
Kufiri shqiptar ndodhej deri në Vraninë (Vranja) të Malit të Zi dhe aty shqiptarët kishin ngritë nji kullë të naltë për me ruajtë e kufinin midis dy vendeve. Pikërisht në këtë ndërtesë fillon dhe përfundon historia e heroizmit të shkodranit Oso Kuka.
Oso Kuka, ndonëse shume i ri, ishte komandant i rojeve kufitare.
Në qershor të vitit 1862, malazezet mësynë Vraninen me nji ushtri prej 3000 vetash me synim me hy n’ Shkodër. Ishte e qartë se rania e Vraninës do t’ sillte edhe ramjen e Shkodrës.
Oso Kuka ishte i vetëdijshëm se po luftonte kundër nji ushtrie te organizume e superiore të mbretit malazez Nikolla, i ndihmum nga Rusia.
Osoja anipse me djelmoshat fare të rinj shkodrane, rezistoi gjatë, mirëpo sulmuesit malazezë ishin të shumtë, te vendosun për me e marrë me çdo kusht Vraninën.
Oso Kukës i ishin premtu përforcime te reja, nga Shkodra, mirëpo ato po vonoheshin. Pas luftimeve të ashpra, atij po i vriteshin edhe ushtarët e fundit një nga një. Ne këtë kushte, Oso vendosi që jetën e tij ta shndërronte n’ fitore duke i shkaktu dame të mëdha kundërshtarit. E kshu ai vendos “me u ba plumb”, të vetëvritet me ushtarët që i kishin mbijetu dhe me shkrimjen e trupit tij, të digjej edhe armiku.
Kështjella e Vraninës
Kështjella e Vraninës

Kangë për Oso Kukën

nga Azem Gani Kovaçi

Të Mërkurën, në dy sahati,
Ishte mbledhun Mali i Zi;
Osmanagës na i vojt xhevapi
Vranina t’âsht bâ hasi.

Osmanaga tha nji fjalë:
Mos ja hiqni gozhdën derës,
A s’i njifni Vraniçarët
Se janë qena të pa besë?

Ç’ka po thot e zeza Shkodër?
Na ndihmë paçim Perëndinë,
Me lot kjajnë i madh e i vogël,
U doq Osja në Vraninë!

Ti Nikollë, i biri i shkinës,
Shpejt i mblodhe tetëmijë vetë
Me i ba yryç Vraninës
Ku janë lidhë burrat me vdekë!

Po ndigjo, bre Nikollë popi,
A s’ke pa Shkodranë me sy?
Mue më thonë Oso Baroti
Që djeg vedin… edhe ty.

Po shkina me këto lajme,
Ç’ka na bani Oso Kuka:
Perenikt i dogji fare,
E Dodosht’i shtini në futa.

Me këto lajme vojti shkina,
Po ndigjo more Nikollë,
Për pa u djegë gjithë Vranina
Osmanaga nuk bjen n’dorë.

Osmanaga del në pexhere,
Yryç ban tuj u hallakatë,
Jena bamun muhasere,
S’ka kah vjen Shkodra imdatë!

Salja i vogël nji grimë fëmi
Shokëve t’vet u jep garjet,
Jalla burra në franji
Se shkojmë lule për xhenet.

Salja i vogël, Met Golemi
Bajtin luftë si dy asllana,
Na s’mund të rrimë me na djegë zjermi
Por do të pritena me kapidana.

Salë Behri nji grimë fëmi
Hypë nelt e i thërret Ezanit
Bini burra për Shqipni,
Sot për ne asht ditë Bajramit.

Salë Behri e Met Golemi
Në krajlhane janë rrethue
Se ta dinë të gjithë alemi,
Osmanaga na u varrue.

Hajde, hajde Osmanaga.
Per dynja s’paske mendue
Në katër qoshet ju dha flaka:
Nami yt s’ka m’u harrue.

Na kur vojtme, në Maksud-Kullë
Krisi topi e kumbaraia,
Osmanaga digjej nur,
Rahmet i jep gjithë dynjaja.

Krajl Nikolla thot nji fjalë,
Me yryç në kullë me hi
Oso Kukën e due gjallë
Se âsht namë për Mal të Zi

Ç’ka po i gjegjë Nikollës Shkjenimi?
Në Vraninë me çue imdatë:
Asht rrethuemun Oso trimi
E s’bjen në dorë pa u ndezun flakë.

M’katër anët rrah telegrafa,
I vojt lajmi të gjith’ krajlnis,
Ah! Të lumtë, bre Osmanaga,
Ç’ja ke zbardhë faqen Shqipnis!

Ditë e natë tuj kjamun shkinat,
Kuku bajnë se ç’na ka gjetë;
Habiten si ndezen trimat,
Kush i gjallë nuk paska mbetë!

Osmanaga burrë bejleku
Me njizetekatër vetë,
Krent’e vramë edhe të vdekun
Ma shumë janë se dyqind vetë.

Nikoll popi, ka kallxue
Me kët punë s’fitova gja,
Ç’ka ma bani Osja mue
S’ma ka ba kërkush n’dynja!

Osmanaga me nji herë
Me gjithë shokë lidhi kët besë:
A ma mirë me vdekë me nderë
A me rrnue me faqe të zezë?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.