back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Faik Konica Gjeniu dhe Nderi i Kombit Shqiptar – nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Faik Konica Gjeniu dhe Nderi i Kombit Shqiptar

nga Agim Xh. Dëshnica

“Kush nuk është i verbër s’mundet të mohojë që
sot për sot shumë Shqiptarëve u digjet zemra për
përparimin e Atdheut.“ Konica

Faik Konica dhe kritizerët vogëlanë

Në një kohë, kur diktatura po rrokullisej tatëpjetë honit, disa kritizerë vogëlanë me grada shkencore, u orvatën të shkonin më larg. Në librin Historia e Shqipërisë, vëllimi II 1984, tjetërsimi i historisë kaloi çdo kufi, me shtrëmbërime faktesh si këto: “Përfaqësuesit e rrymës reformiste të lidhur me regjimin e sulltanit synonin të kufizonin Lëvizjen kombëtare vetëm me disa kërkesa kulturore dhe ekonomike. Shprehëse e ideve dhe programi i kësaj rryme ishte revista ‘Albania’ e Konicës.” Po kush ishin këta “përfaqësues”?Në revistën Albania, Konica mblodhi rreth vetes poetë e shkrimtarë të talentuar, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Çajupi, Fan S. Noli, Asdreni e Filip Shiroka, të njohur në histori si patriotë të lirisë e pavarësisë atdheut. Ndërsa në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare”, gjenden këto radhë me të pavërteta, shpifje e fyerje: “Faik Konica (1875-1942), bir i një familjeje të vjetër bejlerësh, kryesisht publicist, ai nisi veprimtarinë letrare me botimin e revistës “Albania” (Bruksel 1897) dhe drejtoi për disa kohë gazetën “Dielli” të emigracionit shqiptar në SHBA, ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës. Që në vitin e saj të parë, “Albania” u vu në shërbim të politikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë. Politikan i paskrupull, Konica ishte i paqëndrueshëm, brutal e agresiv tërë jetën, duke sulmuar me një rast e me një tjetër shumë patriotë përparimtarë, duke u orvatur të diskretitonte qeverinë e parë të Ismail Qemalit, apo të godiste Kongresin e Lushnjës. Pas kundërrevolucionit të vitit 1924, ai u lidh me regjimin e Zogut, u përpoq të dëmtonte pabesisht Nolin me polemika e kërcënimet, apo të përçmonte veprën e Naimit. Shpesh ai paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcën popullore e përparimtare, duke mbrojtur, nga ana tjetër, që në krye të herës, tezën se vetëm paria aristokrate ishte në gjendje të udhëhiqte Shqipërinë, Këto të tëra, të veshura me një petk oksidentalizmi…” Megjithatë kjo tymnajë, nuk mundi të mbulonte dritën e një prej yjeve të botës kulturore letrare e kulturore shqiptare, të Faik Konicës.
Edhe pas vitit 1990, në librat “Historia e Popullit Shqiptar – III dhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, jeta e vepra e Konicës e rindërtuar po prej atyre duarve, paraqitet gjysmake: “Shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, njëri ndër personalitetet më në zë i kulturës e letërsisë shqiptare.”

Faik Konica Midis nji grupi bashkatdhetarësh
Faik Konica Midis nji grupi bashkatdhetarësh

Po ç’thotë e vërteta?

Lindja e Faik Konicës më 15 mars 1875, në një familje fisnike shqiptare në Konicë, vendbanim i hershëm shqiptar, pa asnjë dyshim ndikoi në edukimin e shtegtimin e tij atdhetar, arsimor e kulturor. Mësimet e para i mori në vendlindje, mësimet e mesme në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër e në Liceun Perandorak francez të Gallatës në Stamboll dhe i përfundoi në Francë. Pas tyre ndoqi studimet e larta për filozofi në Dizhon e Paris, Atje, në disa konkurse për hir të aftësive intelektuale, u nderua me çmime të para. Mandej la Europën e udhëtoi për në Amerikë. Më 1912, u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit. Historia e vërtetë për Faik Konicën rendit një varg vlerash: atdhetar i madh, politikan, drejtues i lëvizjes patriotike dhe diplomat. Mbi të gjitha ai njihet, si veprimtar në shërbim të kombit, me kryeveprën e vet, revistën “Albania”, në Bruksel e Londër dhe lidhjet e pandërprera me atdhetarët e mëdhej të Rilindjes Kombëtare, me letra dhe në kuvende. Përgjigjen më të gjetur ndaj shpifjeve për dashurinë e madhe ndaj bejlerëve turkoshakë, e jep Konica vet me vjershën e njohur satirike, Anadollaku në mësallë dhe thëniet filozofike të shpërndara në gazeta, revista e librat e veta. Konica aq sa qe i rreptë ndaj “festellinjëve”, që humbisnin kohën larg lëvizjes për pavarësi, po aq urtë shtronte çështjen e pavarësisë, teksa shkruante: “Vërtet Shqiptarët sot për sot zunë të kenë një dëshirë të pambajtur për gjuhën t’onë; vërtet ata më të ftohtët zunë të kuptojnë se është nevojë t’i fryjmë gjallim kombit; vërtet dalin libra e të përkohëshme, në të cilat kombi mori shije e pa të cilat nuk jeton dot pas sodit; vërtet, me një fjalë, punët ndryshuan në ca vjet e sipër, e kush nuk është i verbër s’mundet të mohojë që sot për sot shumë Shqiptarëve u digjet zemra për përparimin e Atdheut. Po, me gjith këto, nuk kemi lumtimin të shohim një bashkim të vërtete e të fortë.” Hasan Kaleshi, një nga studjuesit seriozë të veprës së Konicës, rreth zhurmës akademike në lidhje me qendrimiin ndaj Austrisë, shkruan: “Edhe sikur kjo pasqyrë e (Konicës) të na dilte me disa njolla, madje edhe krejt negative ashtu sikurse duan ta paraqitin dogmatikët e Shqipërisë dhe mjerisht, nën ndikimin e tyre, edhe disa në Kosovë, prapë se prapë nuk do të kishte të drejtë askush që ta hjekim Konicën nga lëvizja jonë kombëtare, nga historia e jonë e kulturës dhe e letërsisë. Sepse, duke e hjekur nga këto, ne s’bëjmë gjë tjetër veçse varfërojmë kulturën tonë edhe jo aq të pasur dhe si pasojë varfërojmë edhe vetveten.” Gjithashtu edhe dijetari i njohur Namik Resuli duke mbrojtur Konicën shpjegon, se “Austria i ka mbrojtur gjithmonë shqiptarët, ndryshe sllavët dhe grekët do ta merrnin zvarrë Shqipërinë.” Në një prej librave të publicistit nga Kosova, Bejtullah Destani, botohet një shkrim i vitit 1912, i poetit të shquar francez Guillaume Apollinaire, i njohur me Konicën më 1903, në Londër. Ndër të tjera ai shkruan: “Një nga njerëzit që kam takuar e kujtoj me nderim të veçantë, Faik Bej Konica, është një nga më të pazakontët.” Apollinaire, na bën të ditur se gjatë studimeve në Francë, Konicën e mundonte malli për atdheun e vet, Shqipërinë. I kthyer në Turqi ai kishte marrë pjesë në një lëvizje të fshehtë kundër Sulltanit. U dënua në mungesë, dy herë me vdekje. Më tej poeti francez tregon një ndodhi rreth Konicës e revistës Albania në Bruksel: “Një ditë ai tërhoqi vemendjen e një polici. Ai e pyeti: “Nga ç‘’vend jeni?”, “Jam nga Albania.” “Ku banoni?”‚ “Në rrugën Albania!” – “Me ç’punë merreni?”- “Punoj në Albania”‚ Mos doni të talleni me mua?”, u përgjigj polici, e kështu patrioti shqiptar e kaloi natën në një nga stacionet e policisë.”
Faik Konica, më 14 prill 1912, merr pjesë në themelimin e Federatës Panshqiptare Vatra në Boston dhe zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Më 1913, Fan Noli e Faik Konica, përfaqësuan Federatën Vatra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Po në atë vit Konica zgjidhet kryetar në Kongresin e shqiptarëve mbledhur në Trieste, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai kreu shërbime diplomatike për Shqipërinë, në Austri, Zvicër, Itali etj. Më 1921, i kthyer në Boston, zgjidhet kryetar i Federatës “Vatra”. Me anën e gazetave Dielli dhe “Shqiptari i Amerikës”, përkrahu zhvillimet demokratike në Shqipëri. Në gazetën Dielli 22 janar 1922, Faik Konica shkruan: “Fan Noli do t’i bënte shërbimin më të madh Shqipërisë, sikur të ish i zoti të klliste pakë frymë regulle, drejtësie dhe bindjeje në mes t’asaj turme të dehur e cila vë në rrezik një popull të pafajshëm, të shënuar nga dora e fatit për një vdekje t’afërme dhe të turpshme…”

Ndërsa Noli i ngritur në mbrojtje të Konicës në Parlamentin e vitit 1923, u shpreh: “Faiku është krylëronjësi i gjuhes sonë, është zbulonjësi i flamurit tonë të harruar, është kryekalëronjësi i lirisë dhe independencës kombëtare, dhe ne të gjithë s’jemi veç dishepujt e tij. Historia e paanshme s’munt ta mohojë këtë gjë, as s’munt të mohojë që i ka falur çështjes tërë rininë e tërë mendjen këtu e njëzetë e shtatë vjet me radhë pa reshtur.”

Faik Konica gjatë qeverive të viteve ’20-’40, vijoi t’i shërbente Shqipërisë, me detyrën e konsullit, pastaj të ministrit fuqiplotë në Uashington deri në fund të jetës më 15 dhjetor 1942. Letrat në fillim të Luftës së Dytë Botërore me Mbretin Zog, ministrat apo sekretarët e tij në Londër, me Fan Nolin në Boston dhe Departmentin e Shtetit në Uashington, dëshmojnë për shqetësimin e tij të madh për fatin e atdheut të pushtuar.
.

Veprimtaria kulturore e letrare

Profesorët e moshur pa kulturë, të varfër me dokumente, meqë nuk janë marr me Konicën, shkruajnë me hamendje, se ai krijoi pak ose disa shkrime i la të papërfunduar. Përkundrazi, gjithë ajo veprimtari e gjerë në Shqipëri, Europë e Amerikë, ligjëratat, shkrimet pa mbarim në gazeta e revista, qindra letra e dokumente që zbulohen në arkivat e bibliotekat e qyteteve, ku ai jetoi e punoi, si Parisi, Brukseli Bostoni e Uashingtoni, dëshmojnë krejt ndryshe. Kështu në vend të profesorëve, në shtypin shqiptar shkrimtarë e hulumtues të rinj, herë pas here njoftojnë lexuesin e gjerë për gjetje shkrimesh, letrash e librash të Konicës.
Faik Konica përmendet në historinë e vërtetë të kulturës sonë kombëtare, si krijues i prozës moderne, shkrimtar i talentuar e poet me ndjesi të veçanta, eseist i rallë, themelues i kritikës letrare shqiptare, publicist, përkthyes, mjeshtër i gjuhës shqipe dhe studiues i gjuhëve të tjera. Në rrethet intelektuale të Parisit, ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar, i papërmbajtshëm në polemikë, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të kombit shqiptar, i gatshëm t’u përgjigjej në çdo gjuhë, atyre që fyenin atdheun, ashtu siç dinte ai vetë. Faiku i Albanias historike. Ai fliste e shkruante lirshëm shqip, greqisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe turqisht. Namik Resuli, shkruan: “Proza e Faikut është shumë e këndëshme, shumë e limuar e njëkohësisht shumë e thjeshtë e fort e rrjedhëshme. Ajo zbret në zëmër të lëçitësit mu si nektari i perëndivet që deh dhe ngreh shpirtin në një botë tjetër, në një botë bukurishë të pasosura. Artikujt e Albanias e të Diellit, shtyllat e Dr. Gjëlpërës e përkthimet si ato të përrallave arabe, përbëjnë në vetvete më se një vepër të plotë e të kryer. Ato do të mbesin për Shqiptarët si ca nga faqet më të bukura e më të hijeshme të prozës, si një model i gjallë i shqipes, jo vetëm nga pikëpamja estetike po edhe nga pikëpamja e punimit të gjuhës.”
Veprimtaria kulturore letrare e Konicës në shërbim të atdheut përshkoi shtigje të shumta në Europë e Amerikë. Më 1895 në Paris nxjerr në dritë librin “Shqipëria dhe turqit”. Në Bruksel e më pas në Londër, boton revistën “Albania” dhe “Albania e Vogël”. Më 1909 i ftuar nga atdhetarët shqiptarë të Amerikës vendoset në SHBA. Në Boston drejton gazetën Dielli, krahas saj të përkohëshmet “Trumbeta e Krujës”, “Ushtimi i Krujës”. “Bota e Re” etj. Këto gazeta e revista politiko-kulturore dhe letrare të Rilindjes sonë, bënin të ditur këdo me historinë e pasur e kulturën e popullit shqiptar dhe programin e lëvizjes kombëtare. Disa nga këto krijime janë: “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, “Katër përralla nga Zullulandi”, “Shqipëria si m’u duk”, përkthimi“Nën Hijen e Hurmave”, Ndryshe nga tërë krijimet e realizmit socialist, Konica me rrëfimet mjeshtërore, pa fyer asnjë me emër, pajis me dijeni të githanëshme çdo lexues, mëson si duhet folur e shkruar shqip. Shkruan me nderim për traditat e mira kombëtare, edukatën e moralin, thjeshtësinë në veshje e sjellje, për historinë e vërtetë, politikën, filozofinë dhe kryerjen e detyrave në përputhje me ligjet në fuqi. Pa zbukuruar asgjë, ai kritikon të metat e shoqërisë pa tepri me qëllim të qartë prej atdhetari, përparimin mëtejshëm në vendin tonë. Me këshillat, “ruaju nga vetja e nga të tjerët” në një farë mënyre u drejtohet bashkëatdhetarëve si prind e vëlla. Shumë nga e krijimet e Konicës kanë ngjyresat e një proze poetike. Të tilla janë “Malli i Atdheut”, “Ca kujtime mi At Gjeçovin”, “Anës Liqenit”, “Në liqen”, “Bora”, “Jeta e Skënderbeut”, “Abdul Frashëri”, “Naim Frashëri”... Nga leximi i tyre zbulohet poeti i ndijshëm i dashurisë për atdheun dhe heronjtë e kombit, për njeriun e natyrën. Krahas veprimtarisë atdhetare e diplomatike, shkrimet e botuar deri më sot, gjuha e bukur shqipe me prirje drejt njësimit, mënyra fisnike e të folurit, janë shembëll për të gjithë, edhe sot, qoftë për poetët, shkrimtarët e kritikët e letërsisë, qoftë për politikanët e gazetarët shqiptarë. Faik Konica me kritikën e përkryer, vlerësonte sipas meritave të gjithë pa përjashtim, poetët e shkrimtarët, Naimin, Fishtën, At Gjeçovin, Nolin, Asdrenin, Çajupin, madje për çështje politike edhe Ismail Qemalin, Ahmet Zogun etj. Ndërkohë ai mbeti deri në fund miku i tyre besnik. Veçojmë edhe raste, kur Konica në kritikat e veta përfshinte edhe ndonjë poezi të Naimit, për të cilin zhurmojnë më kot edhe sot analistët soc-realistë dhe heshtin për vlerësimin në tërësi prej tij të veprës së Naimit. Ata harrojnë, se Konica si kritik kërkues i palodhur, i mësuar me poezinë e poetëve të mëdhej modernë në Paris e Londër, duke çmuar dhuntinë e poetit tonë kombëtar, aftësitë shprehëse e hijeshinë e gjuhës shqipe, dëshironte një Naim të niveleve bashkëkohore europiane. Kundër tërë kësaj zhurme, Konica në shkrimin Naim Frashëri, rendit një varg cilësish të poetit tonë kombëtar, si: “zëmër-gëzuar, mëndjehollë, fjalë kripur, ndjesë hollë, yll i ndritshëm e i rrallë në qiell të Shqipërisë.” At Gjergji Fishta, adhurues i Naimit e quante Konicën “arbitër i shkrimeve ma elegante të shqipes”, ndërsa Fan S. Noli “euridit të shkëlqyer dhe patriot i madh.” Për poetin Apollinaire, është një “enciklopedi ambulante.”
Konica shkrimet e veta i nënshkruante edhe me pseudonime: Faik be Konitza, Faik bej Konitza, Faik Bey Konitza, Fk.B.K., FBK, Fk Konitza, Fk K-ntza, Fk K, etj.

Konica Ambasador në Uashington

Pas marrëveshjes e miratimit nga mbreti Zog si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, Konica u nis nga Bostoni dhe arriti në kryeqytetin e SHBA, më 11 korrik 1926. Pas punës shlodhej, duke dëgjuar muzikë klasike, sidomos të Vagnerit e Moxartit. Adhuronte dirigjentin me famë botërore, Arturo Toscanin. Në një pritje në ambasadën italiane në Uashington, Konica kishte kuvenduar me të për afro një orë dhe kishte mbetur i mahnitur nga thellësia dhe fisnikëria e muzikantit të madh.
Në gazetën, The Washington Post (1 prill 1934, shkruhej: “Askush nga njerëzit e trupit dilomatik në Uashington, nuk është më i njohur dhe më i pëlqyer se Faik Konica, Ministër i Shqipërisë.”
Gjatë gjithë kohës që ishte ministër në Uashington, Konica nuk kishte lënë verë pa shkuar për pushime në Suamskot, vend me famë botërore për kapjen e aragostave, që tërhiqte amerikanët e kamur dhe pushues të shumtë nga bota. Në një nga ndërtesat përballë oqeanit, Konica kishte zënë miqësi me pronarin, i cili e ftonte të qëndronte falas dy javë më tepër. Hapësira e oqeanit dhe largësia nga zhurmat e Uashingtonit e ndihmonin të qetësonte mendjen dhe hipertensionin e tij. Suamskoti kishin një të mirë të madhe, sepse komunitetet e shqiptarëve ishin afër. Mund të merte autobusin e trenat për në Boston.

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Konica dhe Noli

Në vitin 1937, Faik Konica nuk ishte parë me Fan Nolin prej një kohe të gjatë. Në të vërtetë, një kronologji e lëvizjeve të tyre tregon, se Konica me Nolin nuk kanë patur shumë raste të takoheshin në jetë. Historia e marrëdhënieve të drejtpërdrejta mes tyre fillonte më 1909, kur Konica arriti për herë të parë në Boston nga Europa. Pak vite më vonë, më 1912, Vatra e dërgoi atë dhe Nolin në Evropë. Por për shkak të punëve, miqtë nuk mundën të qëndronin bashkë. Noli u kthye në Boston më 1915 dhe pas katër vjetësh u nis përsëri për në Europë. Konica u kthye nga Europa në Boston më 1921, ndërkohë që Noli nuk ndodhej më aty. Ata ishin shkëmbyer dhe gjatë asaj kohe kishin komunikuar me letra. Deri në fund të vitit 1924, mes të dyve kishte vetëm fjalë adhurimi të ndërsjellë. Në parlamentin e Tiranës, Noli pat qenë mbrojtësi i madh i Faikut, i cili kishte boll armiq. Në Boston, Konica ia shpërblente me shkrimet në Dielli, ku Noli paraqitej me ngjyrat e një heroi, i cili përfaqësonte Vatrën atje, ku bëhej beteja më e vështirë për fatet e shtetit të ri, në Shqipëri. Më vonë, kthimi i Zogut në pushtet u bë shkak që marrëdhëniet të prisheshin. Mes Konicës dhe Nolit nisën shkëmbimet e ashpra, që vazhduan gati një dhjetëvjeçar. Ndonëse polemika u fashit në vitin 1934, sedra nuk i lejoi miqtë e vjetër të takoheshin.
Më 28 nëntor 1937, komuniteti shqiptar i Bostonit e festoi Ditën e Flamurit me një ngjarje të shënuar. Në meshën që Noli dha atë të dielë në Kishën e Shën Gjergjit, kishte ardhur, edhe Konica. Pas meshës, peshkopi kryesoi në sallën e kishës “festimin e lirisë”, siç quhej nga shqiptarët, dhe të dy patën një bisedë të ngrohtë. Njerëzit përreth ishin të ngazëllyer. Brezi i vjetër i vatranëve shikonte historinë t’u shpalosej përpara syve, ndërsa më të rinjtë, ata që nuk e kishin jetuar kohën, kur Konica dhe Noli luftonin për shtetin e ri, e kishin të vështirë ta kuptonin simbolikën e këtij takimi. Të dy ishin pjekur nga lufta dhe kishin mësuar ta hidhnin vështrimin më larg se politika.
Nga intervista që Konica, i dha pas disa javësh kryeredaktorit të Diellit, Nelo Drizari, mund të kuptohej, se mes dy burrave kishte nisur një miqësi e re plot ndjenja respekti.

***
Shumëkush befasohet nga dukuri të pabesueshme, kur edhe në vitet ’40-’44, në Shqipëri nxënësit vijonin të njiheshin me jetën e veprën e Faik Konicës, përmes librave Te Praku i Jetës, Rreze Drite, Shkrimtarë Shqiptarë, Bota Shqiptare. Gjithashtu, siç ndodhte shpesh, ndërsa më 1955, në Prishtinë botoheshin veprat e plota të Konicës, në Shqipëri gjatë tërë viteve të diktaturës ndalohej çdo shkrim i tij. Në ato kushte, kur shkrimet e Konicës nuk njiheshin as nga nxënësit, as nga studentët, vihej re, se profesorët me bindje të majta tejkalonin çdo cak. Në përpjekjet e tyre për të zhvleftësuar gjithçka, përdornin terma të huaja për mendimin estetik, larg të vërtetave, madje përbuzëse, si këto: “reaksionare”, “borgjezo-klerikale”, “mistiko-fetare”, “formaliste”, “paskrupull”, “brutale”, “agresive” etj. Por në kohën, kur sistemi komunist u shemb, profesorët pasi shtrembëruan me ngulm jetën e veprën e Nolit, u sulen të botonin për interesa vetiake veprat e Konicës, meqë sipas tyre tani nuk qenkeshin më të tilla, as “reksionare”, as “formaliste”, por “madhore.” Dhe shì për shkak të paaftësisë e ngutjes, një prej tyre (prof. N.) qarkulloi me bujë një dokument pa vlerë, “Testamentin” e shkruar, kinse nga Konica, me lutjen për prehjen e trupit të vet në atdhe. Nik Kreshpani, në gazetën Dielli 20 tetor 1965, hedh dritë. mbi këtë çështje të shtruar nga Noli në një takim me disa të dërguar nga Tirana rreth vitit 1945. “Ata u përgjigjën: ‘Shumë mirë; munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, po më parë duhet ta sjellim përpara gjyqit të popullit.’ Noli i ndezur u tha: “Po dëgjojmë dita ditës, se jeni dyke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë, po kurrë nuk na kishte shkuar mendja, se jeni aqë trima sa të hidhni në gjyq edhe të vdekurit.” Pra, edhe “letrat” për këtë çështje, të dërguara gjoja “me konsiderata” diktatorit, madje të botuara për habi më 1996, nga këta soj profesorësh, janë të pabesueshme e pa kurrëfarë vlere.
Dijetarët e mirëfilltë të historisë, bashkohen në një mendim: Faik Konica, ky gjeni i shqiptarizmit, është ndërlidhësi më i fuqishëm i Rilindjes Shqiptare me zhvillimet e mëdha historike dhe ngadhnjimin e Pavarësisë Kombëtare, mjeshtër i madh i gjuhës shqipe dhe personalitet i kulturës e i letërsisë.
Vetëm pas triumfit në 1992, të demokratëve në Shqipëri, Faik Konica u nderua prej tyre me titullin e lartë, Nderi i Kombit dhe sipas një dëshirë të herëshme, shprehur Nolit, tashmë ai prehet në tokën amtare të cilën e deshi aq fort, në kodrat e Tiranës pranë Sami, Abdyl e Naim Frashërit.

 

Faik Konica me perkushtim Vasil Panit
Faik Konica me perkushtim Vasil Panit

Nga Proza e Faik Konicës

Feja e flamurit

Flamuri kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë, Flamuri i Skënderbeut, Flamuri Ynë, është nga më të bukurit e botës. Ay Flamur valoj në 20 luftëra të dëgjuara, luftëra për të mbrojtur jo për të shtypur të drejtën.
Eshtë Flamuri i nderit. Eshtë Flamuri i Lirisë. Po më tepër është: symboli, shenja e e dukur e Kombësisë sonë. Me këtë Flamur të pëmëndur nga historianët, të kënduar nga vjershëtorët s’munt të na e mohojë njeri Kombësinë.
Djem të Shqipërisë, shpresa e Atdheut, ju që nuk keni gjakun e ftohur nga pësimet, as trutë të thara nga interesi pse s’ju qëllon zemra kur e shihni Flamurin e racës tuaj?
Nuk arrini ta nderoni, duhet ta doni – ta doni me thellësi e me zjarr.
Po që ta doni, duhet ta kuptoni mirë.
A e dini sa shpresa shtërgjyshët tuaj lithnë mbi këtë Flamur, a e dini sa lot kryelartësie i kanë derdhur nënat, sa lule kanë thurur vajzat e Arbërit?
U lajthitnë ata që thanë se të rinjët duhet të mësojnë nga pleqtë.
Jo!
Historia na tregon se pleqtë kurdoherë kanë mësuar nga të rinjët.
Djelmuri Shqiptare mësoi Kombit Shqiptar Fenë e Flamurit!
(E botur në “Trumbeta e Krujës”, 15 prill 1911)

Malli i atdheut

Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut, viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra qe vihen re ndër popuj te huaj, të gjitha këto ta përgëzojne zemrën e të bëjnë jo të harosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dëndur mendja. Me tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di ç’të mungon, s’di se ç’te duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dëndur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg te cilëve nuk rron dot mirë nje shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i Atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ay shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jeshë jashtë Shqipërise, e të jesh lark, për te kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri t’ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letrë, ajo fjala m’e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gas të parrëfyeshëm, se na sjell si nje copë t’Atdheut…

Ca kujtime mi at Gjeçovin

At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Françeskanëvet, një ditë u njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet, nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan dhe ca më tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zez ku shkëlqente mendja po dhe zemërmirsija, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të paka, po kurdoherë me vent. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të veçantë, si për shëmbëll Kanuni i Lek Dukagjinit, ase vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca më gjatë, dhe ahere ish gëzim ta dëgjonte njeriu.
Aso kohë At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katund i Mirditës, mb’udhë nga Shkodra në n’Orosh. -A i vemi mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave?- më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtu pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re, dhe që më mbushi me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtat’ a tetë orësh me kalë, nuk gjetmë as katund, as shtëpi; veç një hani të varfër, ku qendruam për të pirë një kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shenjë gjallësije, një vent i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndija dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u çpërblye përtej shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ase, që të flasim më drejtë, në famulli të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëpi nja dy milje më tej, as që dukej.
Famullija – një ndërtesë prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka, po e mbushur dhe zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të Shtëpisë-qendronte, mikpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipërija: një lartësi e përulur, në mund t’afroj e të lidh dy fjalë aqë të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendje e panjohur, nga njeriu vetë, i cili bir i vërtetë i të Varfërit t’Asisit, në pastërti e në robëri të zemrës së tij e dinte veten të vogël. Famulli, shkolla dhe vent këshillash të mira u jipte fëmijve themelet e stërvitjes, u përndante fjalë të urta dhe ngushëllimet e njerësve në nevojë. Kohën që i tepëronte, At Gjeçovi i a kushtonte studimit.
Merrej ahere me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një arrin gjer në ditët tona, ësht Kanuni i Lek Dukagjini. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturinë, e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nja dy mijë faqesh, studim i palodhur e i hollë, ku kish mbledhur, radhitur dhe ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shum përtej Kohës së Mesme.
Në kat të sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shije të mbaruar, nga dora e vetë At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçan, një enë të vogël të quajtur “lacrumatorium”, – lotore, asish që të vjetërit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës së tyre, i mbulojn në varr bashkë me të vdekurin që ky të kish se ku të mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurr ndër mënt se pas ca vjet cilido prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin.

Anës liqenit  – Gegë Postribës

Nata po afërohet. Drita e ditës, tretet dalë nga dalë; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupet e epta të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqje-një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male tona-shtrihet, e i mpshtjell. Mbasandaj, pakë nga pakë manushaqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza. Njëri mbas tjetërit, yjtë çpojnë qiellin, pikëlojnë dritë. Nata u afërua. Nata erdhi.
E kur afërohet nata, kur vjen nata, më pëlqen të vete të rri anës liqenit. S’është si liqeni i Ohrit, me ujëra të kulluara si të një rrëkeje, si liqeni i Janinës, që shkëlqen si një fushë e shtruar me pasqyra, si liqeni i Shkodrës, det i vogël i rrahur tej e këtej me lundra të moçme sa Shkodra e n’anë të të cilit gjallojnë malësorë të rreptë. Eshtë një liqen nuk m’i math se një kopësht, në mes të një pylli të punuar, liqen i ndyrë e i bukur, – i ndyrë se uji i qelbët, i bukur se pemët që e rrethojnë mvarin degët e tyre gjer mbi faqe të tij, edhe mbi faqe të tij hëna ndrit e lot. Në pushim të natës bretkosat këndojnë. Herë herë, një peshk, e një tjetër, e një tjetër, shumë pishq, tingillojnë ujin. Uji përsëri pushon e fle. Po një erë e ngadaltë (shumë e ngadaltë!) unjet mbi liqen e i zhubravit faqen.
(Marrë nga” Albania”- Bruksel)

Në liqen

Fletët, të thata e të verdha, kanë rënë, nga lisat e rreth-e-rrotull, mbi liqen, edhe duken si njolla ari në një pasqyrë të vjetër. As erë, as zë zogu. Një pushim i trishtimshëm. Vetëm, lark së largu, ushtimi i çapeve të një ëndërrimtari… Remat, herë herë, e në një hop që të dyja, i bien ujës: qark e hapen, që venë duke u-madhuar e duke shtyrë fletët: suli shket duke u-shulluar. Edhe nata po bie. Përtej u-ndes një dritë, që rrënjen në një copë të liqenit…

Bora

Kthielltësia e qiellit shkoi me diellin, me lulet, me verën. Vjeshta e trishtishme erdhi dhe iku. Tani po hyn dimëri, edhe qiellin e kanë mbuluar re të qeta e të ftofta. Edhe sot, për të parën herë, zuri të bjerë bora…
Prapa qelqeve të dritores, po shikonj. Nga dalë nga dalë, si kur ka frikë të ndëgjohet, bora fluturon flokë flokë e shtrohet mbi dhe. Bie kudo, e duket se kërkon të ndreqë e të zbukuronjë: Dy çupa të vockëla shkojnë, e, në leshërat e arta të tyre, të lëshuara mbi shpatullat, bora shkruan trëndafile të ergjenda. Djelmt qeshin, hidhen, lozin, e lëftojnë me topa. Zoqtë vërtiten rreth e rrotull prakeve: ciu, ciu, një thrime bukë! Si në verë, gjithë bota janë veshur në të bardha.
Flokë flokë, nga dale, po bie bora…

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Levantinët

“Paisque Poccasion se presente, dua të ju thom dhe një tjetër gjë, si vus voulez biëre, me la permettre – Certainment, lutem flisni”-1) Këto fjalë të çuditshme i dëgjova një ditë në Tiranë. I habitur të nxë se paska dhe në Shqipëri negrë, ktheva kokën të shoh dy afrikanët. Po çudia ime u shtua, duke zbuluar se folësit ishin të bardhë. Të veshur mirë, po më mirë sesa duhet, dukja e tyre më kujtoi këshillat që Poloniusi i jep të birit në “Hamletin e Shekspirit” “Rrobat e tua të jenë aq të kushtueshme sa e ka fuqinë çanta jote, por jo tepër të bukura; të shtrenjta, jo të shkëlqyera; – se të veshurit shfaq soin e njeriut.” Të dy folësit më plagosnë dhe undën me një erë të mirë, po tepër të mirë e tepër të fortë; dhe kjo më kujtoi vjetërinë klasike e cila ish e mendjes se “Ai që bie erë të mirë, bie erë ligsht.” “Male olet qui bene olet.” Dhe prej Martielit u hodha në një tjatër roman, Plautus, i cili ish i mendjes se: “edhe gruaja bie erë mirë, kur s’bie erë fare.” “Mulier recte olet ubi nihil olet.”
Rashë pastaj në mendime mi fuqinë’ e erërave, dhe m’u tek të këndoja përsëri sikur ta kisha nën dorë veprën e madhe të Havelock Ellisit “Studies on the Psychology of Sex” ku një volum i tërë merret me erërat dhe bisedon forcën e tyre mi të rriturit e mi të zhdukurit e dashurisë. Kur dëgjova përsëri të dy njerëzit: “Ç’thua sikur nous allions nous promener?2). “Oui, eja të dalim për një promenadë.” Dhe u larguan. Ahere pata rastin t’i vë re mirë të ecurit e tyre. Ishin çape të vogëla e të matura me një të tundur delikat të këllqeve. Nga të gjithë lëvizjet e tyre kuptohej pikësëpari, kuptohej lehtë e sheshit se ata kishin frikë se mos i merrnin për fshatarakë, për njerëz të maleve, të pagdhendur e të pastërvitur në hollsitë e qytetarisë.
Cilët ishin këta njerëz? Rashë në mendime, dhe pak nga pak m’u kujtuan shumë njerëz të tjerë si ata të dy që qenë larguar duke tundur këllqet e duke lënë pas tyre një gjurmë livandoje Dhe kuptova se kisha të bëja me një soj njerëzish që unë bashkë me ca miq-mendjeje i kemi qojtur që njëzet vjet e tëhu “Levantinë.” Ata përbëjnë në mes shqiptarëve një klasë më vete që shquan nga klasat e tjera si në të veshurit e në të sjellurit ashtu dhe në mendime e në gjuhë. Mendimi i themelit nër Levantinët (në qoftë se kukllat mund të thuhet se kanë mendime) është se çdo gjë e vjetër në Shqipëri u duket atyre ose e poshtër ose qesharake. Janë të bindur se shqipja është gjuhë e dobët dhe e pazonja për të biseduar punë me rëndësi ose për të shfaqur ndjenja të holla. Në këtë pikë shëmbëllejnë me një njeri gjysëm të egër përpara të cilit mund të shtroni një violi të vjetër të paçmuar, një violi Stradivarius ose Amati të thomi; dhe nga që ai s’di të nxjerrë nga violiri i rrallë veç një zë si zërin që që bën sharra kur takon një gozhdë, derëbardhi i pagdhendur beson dhe thotë se violiri që pati në dorë s’ka të bëjë fare me muzikën. Levantinë janë të bindur se shqiptarët s’dinë gjësendi nga “etiketa” – kurse “etiketa” e një malësori që ka trashëguar zakonet e shtërgjyshërve ka një bukuri, një hollësi, një erë të kthiellt të cilat u kanë pëlqyer gjithë artistëve, shkrimtarëve, njerëzve prej shtëpish të mira të Evropës së Perëndimit që kanë rastin e mirë t’i njohin. Dhe gjithë ata udhëtarë janë tallur me mënyrat e Levantinëve tanë.
Levantinët kanë një shije të veçantë, që i bën qesharakë në çdo punë, po veçan në
të shtruarit e shtëpive. Një nër ta, pak vjet më parë, pati rastin të shtrojë sallonet dhe zyrat e një Përfaqësie shqiptare me rëndësi. E dini se ç’bëri? Pa u ndrojtur aspak shkoi dhe kopjoi sallonet e një shtëpie të ligë të Parisit, një “templum Veneris” të njohur. Jo me qëllim të keq, po vetëm sepse pas shijes tij, ajo ish më e mira pasqyrë e elegancës dhe e mjeshtërisë së zbukurimit. Nga ana tjatër ai që gërmon dhe vë re jetën e popullit në Shqipëri, gjen mësime të ndryshme. Shqiptari siç e ka thënë shpesh Miss Durhami, ka një shpirt të tij një frymë arti
të vërtetë.
1-a(përkth angl.) Studime për psikologjinë e Seksit.
1-(përkth fr.) Meqë erdhi rasti… po të dëshironi një birrë, më lejoni…sigurisht, lutem flisni.
2-(përkth.fr.) Ç’thua sikur të bënim një shetitje? Po, eja të dalim për një shetitje.

Prometheu i Lidhur

“La vie est triste, hélas! et j’ai lu tous les livres!” (“Jeta është e trishtë, ajmé! dhe librat i kam kënduar të tëra!”)
Me këtë radhë nis një nga vjershat e poetit frëng Stefan Malarmé. Dhe një fjalë të atillë, të pakë janë njerëzit me letra që nuk e kanë përsëritur disa herë në udhë të tyre. Edhe të rrojturit edhe këndimet vjen një orë që lodhin e mërzitin dhe njeriu kërkon shpëtimin në një shkujdesje e në një mospërfillje që e bëjnë padashur e pa vënë re si një nxënës i Budës.
Po le t’i tingëllojë jashtë zëri i një vajze që shkon; gishtërinjtë e mefshtë le të kthejnë fletët e harruara të një libri të dashur dhe menjëherë muzika e jetës dhe e artit na zgjon zemrën dhe na ngjall përsëri mendjen. Rrija një natë në odë time pa dëshirë e pa mejtim, duke vërejtë avullin që ngrihej si me të përtuar nga një filxhan plot me çaj të Kinës; dhe jo për të kënduar, po për të lojtur hoqa nga rafti një libër të vogël e të hollë dhe pa kënduar as emrin e tij, nisa të kthej fletën ngadalë, kur më zuri syri këtë vijë: “Është kurdoherë i ashpër kush ka pak kohë që urdhëron.” – përkthim i dobët i një teksti të fortë si brunz. Cili e ka thënë këtë fjalë të thellë? Hodha një sy në titull të librit dhe pashë latinisht: Aeschyli Prometheus.
Një libër dymijë e katërqind vjetësh i vjetër nga mosha; por nga mendimet aq i ri, sa dukej se u shkrua dje, duket sikur përqesh me hidhërim dhe stigmatizon përjetë nonjë njeri të pasuruar nga lufta […], që rrëmben fuqinë në rrëmujë e sipër edhe si i dehur nga triumfi i papritur, vërtit kërbaçin dhe kërkon gjak. Se natyra e njeriut nuk ndërron; dhe një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vërtetën e të gjithë kohëve të pastajme.
Eskili është poeti më i lartë e më i thellë i vjetërsisë klasike. S’ka as mjeshtërinë elegante dhe të mbaruar të Euripidit, as lirizmin e lulëzuar të Sofokliut. Eskili ka një madhëri fisnike si të artistëve që punojnë mermerët e Parthenonit. Shumë herë të kujton Shekspirin, jo Shekspirin e Julietës ose të Rosalindës, po Shekspirin e Hamletit dhe të Laertit.
Ndër të gjithë veprat e tij që kanë shpëtuar nga prishja dhe kanë arrirë gjer te ne, më e thella është “Prometheu i lidhur”. Lënda e kësaj tragjedie mund të tregohet me dy fjalë: Prometheu, një gjysmëperëndi, pati mëshirë për njerëzit dhe u shpuri zjarrin, të cilin gjer ahere e dijnë dhe e gëzojnë vetëm perënditë; Zeusi, i pari i perëndive, që ta ndëshkojë për vjedhjen e zjarrit vë ta lidhin Prometheun në një shkëmb të egër e të shkretë të Detit të Zi, ku do mbetet i munduar gjersa të pendohet e të kërkojë ndjesë: po ai, me një kryelartësi të hidhur, nuk do t’i përulet padrejtësisë. Aq. Pak punë për një dramë dhe me gjithë këtë është drama më e gjallë, më e fortë e njerëzore, është drama e përjetshme e idealistit që vuan për mendimet e tij.
Atë natë mbeta pa gjumë si m’u tek menjëherë të këndoj Prometheun e Eskilit anembanë. Dhe në çdo faqe zbuloja që më shtojin çudinë, aq nga thellësia e mendimit sa nga bukuria e mbrujtur e trajtës.
Ja një grusht gurë të çmuar nga ata më të rrallët e më të çuditshmit. Shkoni dhe zgjidhni:
Prometheu qan tragjedinë e tmerrshme të jetës së vet. “Shikoni, thotë, shikoni, të lidhur një perëndi fatkeqe dhe, pse vuan? Nga dashuria e madhe që pati për njerëzit”.
Me rasën e këtyre fjalëve vëmë re afrimin e Prometheut të shtën në hekura për dashurinë që pati për njerëzit, me Krishtin e kryqëzuar. Një turmë simpatike e pyet Prometheun, cilat janë arsyet e mjerimit të tij. “Është një mundim për mua që t’i rrëfej, thotë, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim.”
Eskili i vë në gojë Prometheut një gjykim të thellë mbi karakterin e tiranëve: “Tiranët kanë një ves të keq, që nuk u zënë besë miqve.” I thonë: “Lëri fjalët e kota, e gjej nonjë shërbim për mundimet e tua”. “Është gjë e lehtë, – përgjigjet Prometheu, kur e ke këmbën jashtë greminës t’u japësh mësime, të këshillosh ata që vuajnë. Unë i prisja të gjitha këto që heq, fajin desha dhe e bëra, nuk e mohoj dot. Kur u shërbeva njerëzve, e vura veten në të dhëmbura.”
Për inatin, për zemërimin, Eskili vë një fjalë shumë të hijshme në gojë të Oqeanit. Oqeani i thotë Prometheut se fjalët janë mjekët që shërbejnë zemërimin. Oqeani i thotë një tjetër fjalë të urtë Prometheut: “Del më i fituar njeriu i mençur që bëhet sikur s’ka mend.” Këshillë si plak. Si duket ky mendim: “Më mirë vdes njëherë njeriu se sa të vuajë çdo ditë.” Këtë mendim mund ta keni dëgjuar shumë herë dhe të mos ju bëjë përshtypje: po mos harroni se këtë dhe fjalë të tjera, Eskili i tha i pari; duhet t’u kthejmë forcën që kanë pasur, po që humbën nga përdorimi i dendur për të kuptuar bukurinë e virgjër të tyre. Mos harroni se kjo vepër është shkruar dy mijë e katërqind vjet më parë. Dhe kurorëzimi i veprës, fjalë plot kryelartësi dhe forcë fisnike: “Koha duke përparuar do të japë gjithë mësimet”. Por për fat të zi, mësimet shumë herë vijnë tepër vonë.
M’u duk gjë e pëlqyer të jap bashkë me përkthimin edhe fjalën në gjuhë të Eskilit, ashtu siç i ka shkruar poeti tri herë i lartë. Një libërz dyzetfaqesh. Mund ta ngrejë një foshnjë me majën e një gishti, se ky libërz është i lehtë si një pendë. Por nuk është vetëm një libër. Është një monument. Dhe një monument me aq rëndësi, sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë nga vendi.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.