back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fajtori – tregim nga Petro Zheji

Gazeta

Vëllezërit Gjergj dhe Petro Zheji-2
Vëllezërit Gjergj dhe Petro Zheji

Fajtori

nga Petro Zheji

 
Natën një njeri kreu një vrasje. Në sytë e botës e të zemrës së tij, kërkoi të zhdukë gjithë shenjat e veprës që kish bërë.
Priti me zemër të ngrirë agimin, për të parë nëse ua kishte arrijtur qëllimit. Kur zbardhi drita, pa përqark e vështroj me kënaqësi që asnjë gjurmë s’dukej mbi tokë. Deshi të fërkojë duart nga gëzimi, po pa ahere një gjë të tmerrshme; të gjithë gjishtrinjtë, pëllëmba dhe kurrizi i dorës gjer në kyç qenë të lyera me gjak.
Vajti përnjëherë tek një çezëm për t’i larë, por ujët e kulluar shkiste mbi të kuqtë e gjakut, pa mujtur t’ia hiqte.
Rendi në lumë po lumi kalonte me vrull nëpër gjishtëtinjt e tij, pa qënë i zoti t’ia hiqte ate ngjyrë.
Vrapoi në det, por dallgët përplaseshin me furi kundrejt bregut e pastaj ktheheshin prap, pa patur forcën që të shngjyrosnin ato duar.
 
Ikja
I fshehu ahere duart nën sqetull e iku larg nga vendi i vrasjes. Kaloj fusha e kapërxeu male. Kur e zinte etja krrusesh mbi ndonjë krua e pinte porsi një qen; kur kishte uri, iu avitesh pemëve e porsi dhitë, ushqenesh me gjethet e tyre.
Humbi çdo shenjë njerëzore. U nda nga shokët, s’foli me asnjeri, s’qeshi më. Zemra iu ngurua e lotët u thanë nër sytë tija të friguara.
Një ditë filloi të bjerë dëborë, ujtë u ngri, fusha u mbulua me një çarçaf të bardhë.
Ay, si një ujk, u ënd me frikë e me dëshpërim përqark shtëpiave të fshatit, duke pritur çastin në të cillin të tërë do t’i kishte zënë gjumi, për të plotësuar dëshirën e tij rrëmbenjëse.
.
Natë me hënë....
Natë me hënë….
Nata e Krisht-lindjes
Me habi të tija të tëra shtëpitë atë natë qëndronin të ndriçuara. I fshehur prapa një ferre priti që dritat të shuheshin. Por më kot! Atë natë sa më vonë bënesh aq më shumë dritat shkëlqenin.
Aty nga mesi i natës u hapën dhe portat e filluan të dilnin njerëz. Kambana e kishës zu të bjerë. Din-don, din-don.
-Më kanë zbuluar! – Kambana po bie që të thërrasë fshatarët për të më ndjekur.
Filloi të vrapoj por vuri re që të tjerët në vend që ta ndiqnin e të vraponin, si bënte ai, shkonin mengadalë: në vënd që të bërtisnin, flisnin me qetësi. Kambana s’binte me forcë e tingujt e saj ishin t’ëmbël!
-Ku venë tërë këta njerëz në këtë ore?? – mejtoi.
Njerëzia vente në kishë, e cila i kishte dyert e hapura e brenda qe plot me dritë e me këngë.
Me trishtim i shikonte nga larg besnikët që shkonin mbi dëborë duke u fjalosur.
Kur të tërë hyn mbrënda, priti që porta të mbyllej: shpresoi se do ngelte përsëri vetëm. Përkundrazi, porta ngeli e hapur: dukej sikur ta thërriste:
-Hyj dhe ti! Hyj!
 
Falja
U avit! Pa mbrenda: të tërë besnikët qenë të kthyer nga altari. Mori guxim, e duke fshehur më me kujdes duart e përgjakosura, ngjiti shkallët.
Asnjë s’u kthye ta shohë.
Qëndroi në fund të kishës, gati për të bërë një kërcim, për të dal jashtë, nëqoftëse nonjëri do e vështronte.
Të tërë më zë të ulët luteshin të kthyer nga altari dhe ai s’kuptonte se ç’prisnin nga ajo anë!
Ndërkaq, një kor filloi të këndojë një hymn hyjnor e kambanat zunë të bien. Prifti këndonte:
Krishti u lind!
Lavdi për Perëndinë në qiell!
Lumturi për popujt mbi tokë!
Besnikët, duke bër kryqin, ulin kokën në shenjë nderimi. Për pak kohë, vetëm fajtori qëndroi pa bërë asnjë lëvizje në fund të kishës, me duar të fshehura nën sqetull!
Por pastaj ra në gjunjë edhe ai pa e ditur se ç’bënte, kryqëzoi në kraharor, para Shpëtimtarit, duart e përgjakosura.
Ndjente në zëmër një peshë të rëndë, e i hipte në fyt një komb i math të qari. Iu duk sikur i zihej fryma, iu duk sikur vdiste. Tha: “Krisht, falmë!”
Ndjeu ahere t’i hapej krahërori e një dallgë lotësh i shpërtheu nga ata sy që kishin mbetur prej kaq kohësh të thata.
Qau shumë, e kur pushoi,
Pasi rrotulloi një herë të parët përqark, pandehu se e kishin parë dhe njohur.
-Do më dëbojnë, – mejtoi: e vështroi duart që i mbante akoma të kryqëzuara..
-Por duart e lagura nga lotët e tij të nxehtë, ishin të pastra e të bardha, ashtu si i kishte patur në vogëli.
-Mesha e mes-natës mbaroi.
Njerzia largohet dalë nga dalë. Duke kaluar para të falurit të gjithë ndënqeshin, e ai u ndënqesh të gjithëve nga pas lotëve që vazhdojnë t’i qullin sytë e duart e pastruara.
.
Marre nga Gazeta Bashkimi i Kombit 1944

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.