Faleminderit Çezar Ndreu!
Fushata e Vatrës: Çezar Ndreu e dha shembullin, dhuroi $ 1,500.00
Pas rikonstruksionit që iu bë ndërtesës së Vatrës, veçanërisht zyrës dhe sallës së madhe të katit të parë nga biznesmeni dhe aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar, bashkatdhetari nga Kosova, anëtar i këshillit të Vatrës, z. Rrustem Gecaj, Kryesia e Vatrës ka propozuar hapjen e një fushate për mobilimin e zyrave, plotësimin e rafteve të bibiliotekës dhe kornizimin e fotografive historike. Para Kuvendit fushata kishte nisë prej anëtarit të Këshillit të Vatrës, Ahmet Hoti dhe Ndrec Gjergji. Një dhurim i veçantë ishte ai që u bë të Shtunën e 31 majit 2014, në Vatër nga një nga vatranët e rinj, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Vatrës, i rritur në kampet e internimit të Vlorës, Çezar Ndreu.
Çezari i qe lutur editorit të Diellit, që “të mos e publikonte dhuruesin, duke dashur që të mbetej anonim. Nuk e bëj për t’u dukur, – tha në atë kohë, – po thjesht e ndjej se duhet bërë dhe kaq mundësi i kam… Vatra dhe Dielli meritojnë përkrahjen e çdo shqiptari të Amerikës!”
Dhurata e tij ishte një kompjuter i ri, prodhim i fundit dhe një printer, Scaner, fotokopje, me vlerë përmbi $ 1,500.00. E falenderojmë Çezarin dhe i kërkojmë ndjesë që nuk e ruajtëm anonimatin. Le të shërbejë shembulli i tij si nxitje edhe për gjithë vatranët e tjerë. Çezari nuk është i pasur, ai e siguron jetesën me mundim, por është bujar, prandaj nga kursimet e hequra mënjanë dha kontributin e tij pa u ndjerë. Vatra ka nevojë për kontributin e çdo vatrani, kudo ku jeton, e çdo shqipatri të Amerikës! Ta mbajmë gjallë traditën dhe historinë tonë në SHBA.
Kush do ta ndjekë Çezarin? Dielli do të publikojë emrat e të gjithë dhuruesve siç ka bërë për më shumë se një shekull jetë të Vatrës dhe vetë gazetës Dielli.
Ju Faleminderit Çezar!
http://gazetadielli.com