Faleminderit Mjeshtër!
mbresa nga Petrit Ruka
mbi librin “Pikëllim në një foto të vjetër” të Qerim Vrionit
Studimet në fushën e fotografisë shqiptare, mbi historinë, estetikën dhe vlerat e saj janë ndoshta një nga fushat më të varfra e të zbehta të kulturës sonë. Dhe jo vetëm të varfra, por edhe të vonuara në kohë. Gjithmonë janë numëruar me gishta njerëzit që i kanë kushtuar mundin dhe jetën e tyre kësaj dege të rëndësishme të artit, fotografisë, njërës prej magjive më të madhe të shpikura prej mendjes njerëzore. E midis këtyre të paktëve, pas viteve ’90 fillon të spikasë e të zërë vend qendror në këtë hulli studiuesi Qerim Vrioni, nga më aktivët dhe më të përkushtuarit, me botime serioze të njëpasnjëshme, të cilat po zënë ballin e kësaj dege të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare. Me mbi 100 artikuj të këtij lloji në shtypin tonë periodik, pas librave të suksesshëm “150 vjet fotografi shqiptare” e “Fotografia – një grusht diell” me artikuj e studime mbi fotografinë, Vrioni erdhi me librin e vyer “Fjalor i fotografisë”, i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe, i cili plotësoi një mungesë të thellë mbi artin e kësaj gjinie. Për herë të parë në një libër të plotë vijnë njohuri bazike mbi terma e gjini, rryma e drejtime të fotografisë, histori botimesh botërore të kësaj fushe, proceset e instrumentet me të cilat ajo realizohet. Libri mbushi një boshllëk të madh jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, që duan të dinë se si lindi dhe funksionon ky art, por edhe për profesionistët e tij, studentë të artit pamor e të kinematografisë, për gjithkënd që do të dijë mbi këtë pasuri kolosale që është vetë kujtesa e shoqërisë njerëzore.
Dhe ja së fundi vjen me një surprizë tjetër duke sjellë nga harresa e gati një shekulli një zbulim të thukët, emrin dhe veprën e një fotografi të madh si Kolë Maca, pothuajse i panjohur nga publiku shqiptar dhe historia e fotografisë sonë. Libri titullohet “Pikëllim në një foto të vjetër” dhe hedh dritë mbi një emër të madh e mbi një vepër fotografike të rrallë që pati një rrezatim përtej kufijve të Shqipërisë, ndër gazetat e revistat më të njohura evropiane. Shkas për këtë libër është bërë një fotografi e famshme e fotografit shkodran me titullin “Gjon Pali dhe e bija” një shkrepje fatlume e vitit 1913, gjatë luftës për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtimi malazez, e botuar së pari në gazetën italiane “La Domenica del Corriere”, shtojcë javore e “Corriere della Sera” të datës 25 maj – 1 qershor 1913, për artikullin redaksional me titull: “La fine della Guerra Balcanica” (Fundi i Luftës Ballkanike.)
Kaq ka mjaftuar si majá për studiuesin Vrioni për të mpiksur një libër të tërë të mrekullueshëm me një shikim shterues mbi jetën, vlerat dhe peshën e këtij fotografi të madh, mbi historinë e kësaj fotoje, estetikën e saj, rrethanat në të cilat u ngjiz, kohën e psikologjinë e atyre viteve. Një vështrim i gjithanshëm mbi një foto të vetme dhe një histori e tërë e një epoke, mbi etnografinë, ritualet e vdekjes, zakonet, veshjet, psikologjinë, karakterin e shqiptarëve në luftë, jetë e vdekje, lidhjet shpirtërore familjare e sa e sa kumte të tjera…
Fotografia e lartpërmendur, që shërben si nismë për një libër të tërë, është me të vërtet një vepër e rrallë artistike, pak e njohur deri me ardhjen e këtij libri, i cili i bën një vështrim shterues asaj nga të gjitha drejtimet e mundshme nga ato dimensione që kërkon një studim serioz dhe me përkushtimin që e karakterizon Qerim Vrionin në punët e tij. Kështu, me dinjitetin e plotë të një punimi shkencor libri merr vlerën e një zbulimi për një fotograf të madh të panjohur në ato përmasa që ai meriton, por dhe bëhet një shembull i shkëlqyer se si studiues të tjerë duhet të gjejnë pasionin dhe vullnetin për t’i dhënë kulturës sonë studime të tjera të kësaj natyre mjeshtërore. Vepra i kapërcen kufijtë e një studimi monografik për jetën dhe veprën e Kolë Macës duke rrezatuar më gjerë zhvillimet e artit fotografik në Shqipëri përgjat gjithë një shekulli. Për qindra e mijëra njerëz që janë të pasionuar pas historisë së këtij arti, por edhe për lexuesin e gjerë, ky libër përbën padyshim një pasuri të madhe sepse leximi i tij përveç krenarisë për trashëgiminë tonë kulturore të mbush edhe me mirënjohjen e merituar ndaj studiuesve të tillë si Vrioni, që meritojnë nderim dhe falënderimin e të gjithëve. Çdo libër i tillë është së pari një akt i madh dashurie ndaj vendit të tij e kulturës sonë kombëtare dhe autori këtë ka dëshmuar në çdo faqe e rresht te tij. Ndaj unë dua të jem veçse njeri prej të parëve që nxitoj t’i them faleminderit dhe t’i shpreh urimet e mia këtij mjeshtri të palodhur.
U shtofshin njerëz të tillë që na i bëjnë jetën më të bukur e më të pasur!
.
Gazeta “Telegraf”, 21 qershor 2019