back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Familjet Shqiptare midis dy Perandorive nga Albert Bikaj*

Gazeta

Noel malcolm - Agjentë Perandorakë
Noel Malcolm – Agjentë Perandorakë

Familjet Shqiptare midis dy Perandorive

nga Albert Bikaj*

për librin e Noel Malcolm: “Agjentë Perandorakë”

Një familje shqiptare në botën mesdhetare të shek. të gjashtëmbëdhjetë”.  
Shqipëruar nga Kastriot Myftiu.
Shtëpia botuese Dudaj, Tiranë, 2016.
564 faqe. ISBN: 9789994304400

Albert Bikaj
Albert Bikaj

Që nga titulli, mund të kuptojmë se ky libër synon të përshkruajë historinë e diplomacisë së Mesdheut të shek. të XVI, nëpërmjet një familjeje shqiptare, përmes së cilës paraqiten marrëdhëniet midis perandorive mesdhetare dhe roli i rëndësishëm i agjentëve në diplomacinë e fshehtë, e cila do të vendoste për fatin e dy botëve të ndryshme; asaj të krishterë dhe asaj islame. Këtu paraqiten elementë kyçe të historisë së Arbërisë Venedikase, veçanërisht gjatë rënies nën pushtetin osman, rolit të familjes Bruti dhe Bruni gjatë shërbimit të tyre për perandorët mesdhetarë në mënyra të ndryshme, duke krijuar kështu një “dinasti” të tërë agjentësh dhe dragomanësh (përkthyesish gojorë) që do të arrinin sukses të madh në të dy anët, si në perandoritë e krishtera ashtu edhe në atë osmane. Libri paraprihet nga parathënia e vetë autorit, në të cilën shpjegohet detajisht mbi idenë fillestare për të shkruar librin, i cili është i ndarë në 22 kapituj. Përsa i takon vlerësimit, libri është vlerësuar jashtëzakonisht, madje duke e krahasuar me librin e historianit të famshëm francez, Fernand Braudel. Vlen te theksohet se në variantin e përkthyer mungojnë ilustrimet përfshirë edhe fotografia e letrës së Gasparo Brunit.
Ndërmjet Venedikut dhe Perandorisë Osmane
Në dy kapitujt e parë autori përshkruan strukturën ekonomiko-politike dhe sociale të qyteteteve bregdetare të Shqipërisë venedikase, respektivisht Kotorrin, Tivarin, Budvën dhe  natyrisht Ulqinin. Nga ana administrative politike, Ulqini përshkruhet si një qytet i vogël me rreth 1600 banorë, i drejtuar tradicionalisht nga guvernatori venedikas. Përsa i përket strukturës shoqërore dhe kulturore (etnike dhe gjuhësore) të qyteteve të ndara në fisnikë, qytetarë dhe puntorë (fshatarë); autori vë theksin tek dygjuhësia në qytete dhe fshatra, veçanërisht në Ulqin dhe Tivar. Kjo shpjegon edhe natyrën e ndërlidhjes kulturore dhe natyrisht përdorimit të emrave kryesisht latinë, duke veçuar familjet fisnike ulqinake dhe figurat e ndritura që vinin nga ky qytet; familjet Armani, Bruti, Bruni dhe Pamalioti si dhe humanistin Lucas Panaetius‘ Olchinensis, filozofin Marsilio Ficino dhe predikuesin e famshëm Girolamo Savonarola. Rënia nën pushtetin osman të Tivarit dhe Ulqinit do t’i ndryshonte gjërat përgjithmonë. Qytetet në fjalë do të varfëroheshin jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë shoqëror dhe fetar, se kjo për arsye se pjesa më e madhe e banorëve të Ulqinit, duke refuzuar osmanizmin njësoj siç ndodhi në  Shkodër dhe Durrës, nën presion u larguan përgjithmonë nga vendlindja. Pikërisht këtu fillon edhe historia e hovshme e familjes Bruti/ Bruni, por para kësaj dëshiroj të theksoj veçmas procesin e konvertimeve.
Konvertimet kishin qenë të njohura veçanarisht në qytetin e Tivarit, herë duke kaluar nga kisha katolike në atë ortodokse serbe dhe anasjelltas, por konvertimet në islam ishin një risi që ishte pasojë e pushtimit osman, për të cilën autori shprehet se faktori kryesor (në përgjithësi për konvertimet) ishte dobësimi i Kishës dhe mungesa e predikuesve të fesë. Kjo solli konvertime masive në ortodoksizëm dhe islam veçanërisht në Kosovë. Gjithashtu ai thekson se administrata osmane nuk e detyronte me ligj konvertimin – gjë që duket kontraverse dhe hutuese, sepse osmanët siç shprehet autori më pas, detyronin haraçin dhe marrjen peng të djemve të krishterë për t’i rekrutuar më vonë si jeniçerë. Vlen të theksohet fakti se mënyra e vetme për t’i shpëtuar një dënimi me vdekje ishte konvertimi në islam, dhe me të vertetë, ndoshta ligjërisht islamizimi nuk ishte pjesë e perandorisë por që vihej në praktikë në mënyrë të terthortë. Sidoqoftë, autori shprehet se shumica e konvertimeve bëheshin për interesa personale që kishin karakter politiko-shoqërore. (Kapitulli:1, 2; fq.25-45).

Brunët dhe Brutët

Historia fillon me Antonio Brutin, nipin e Matteo Brunit origjina e familjes së të cilëve rriedhnin nga Durrësi dhe Shkodra, ndërsa vetë Antonio ishte i ardhur nga Lezha si adoleshent. A. Bruti gjatë kohës venedikase merrej me tregti duke u vënë në shërbim herë si agjent e herë si diplomat i Venedikut, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në çeshtjet ekonomiko-politike, gjë për të cilën do të shperblehej me titullin e lartë duke u shpallur “Kalorës i Urdhërit të Shën Markut”. Vdiq me 1571, fill me rënien e Ulqinit nën pushtetin osman. (Kapitulli: 3, fq. 45-55)
Personazhi i rrallë shfaqet në kapitullin e rradhës, arqipeshkvi i Tivarit, Imz. Giovanni (Gjon) Bruni, njëkohësisht kunat i Antonios – pjesmarrës i Konçilit të Trentit i njohur për rolin e tij në kundëreformacionin katolik në vendlidje. Gjatë Konçilit të Trentit ai do të jepte kontribut në tema të ndryshme që kishin të bënin me financat kishtare dhe lidhjet martesore; në të cilat – shprehet autori, se ndikim të madh kishte përkatësia e tij shqiptare. (Kapitulli 4. fq.)
Kapitulli shtatë në tërësi përmban nëntema, në të cilin përshkruhet dëshira e madhe për liri gjithashtu edhe përpjekjet e para për organizimin e kryengritjeve antiosmane në të ashtuquajturën Shqipëri osmane nga vetë Imz. Gjon Bruni, së bashku me kunatin e tij Antonion. (Kapitulli 7. fq.) Mbas dështimit të kryengritjes arqipeshkvi do të zihej rob dhe do të vritej tragjikisht në Betejën e Lepantit. (Kapitulli 8)
Në kapitullin e pestë gjejmë Urdhërin e Kalorsëve të Maltës, historinë e të cilit autori e përshkruan detajisht, duke filluar nga themelimi, struktura, roli dhe deri tek vetë antarët e tij, ndër të cilët Gasparo Bruni gjen edhe fisnikë shqiptarë. Si kalorës i Urdhërit kishte fituar respektin e vetë papë Piut të V-të; të cilit do i vihej në shërbim duke ndihmuar arritjen e marrëveshjes së koalicionit antiosman. Gasparo do të merrte pjesë në Betejën e Lepantit (në të cilën vëllai i tij, Gjoni, do humbiste jetën) si kapiten i një ndër anijeve më kryesore të udhëheqësit së betejës, Marcantonio Colonna (me të cilin kishte bashkëluftuar edhe në Qipro). Së bashku me Gasparon, do të merrte pjesë edhe nipi i tij, Nicolò i cili u vra gjatë betejës. Veprimtaria e Gasparos nuk do ndalej me kaq, ndonëse ai do shpërblehej nga Papa Gregori i XIII me “commenda”, ai do të thirrej sërish në shërbim të Papës, kësaj rradhe në shtypjen e kryengritjeve të hygenotëve në Avinjon, duke shërbyer me sukses. Kjo do të ishte edhe aventura e tij e fundit, duke e lënë të birin e vet, Antonion nën kujdesin e Colonnas dhe me mbështetjen e vetë Papës. Gasparo vdiq në Cosenza. (Kapitulli 15)
Mbas rënies së Ulqinit dhe betejës së Lepantit, Brutët dhe Brunët do të mërgonin në Kopër të Istras; aty ku edhe familje të tjera shqiptare kishin gjetur strehim. Brutët dhe Brunët, ndonëse refugjatë, do të gëzonin respekt dhe do të ruanin statusin e fisnikërisë në atdheun e tyre të ri. Kjo për vetë faktin se anëtarët e kësaj familjeje besnikërisht kishin dhënë kontribut të madh për Republikën e Venedikut, duke u bërë të njohur si dinasti “dragomanë”; ndër pinjollët e fundit do të ishin Cristoforo dhe Pasquale. Ata do të integroheshin shumë shpejt në shoqëri, veçanërisht Jacomo dhe Matteo. (Kapitulli: 10, 19)
Ndër anëtarët më të ndritur të familjes Bruti ishte padyshim Bartolomeo, të cilin e gjejmë në gjashtë kapituj të librit. Bartolomeo do të fillonte karrierën që në moshë të hershme menjëherë mbasi do mbaronte kursin e trajtimit si “giovanni di lingua” tek bailoja venedikas në Stamboll; për të shërbyer si dragoman (përkthyes) i bailos por jo vetëm, duke arritur të hynte në shërbim të habsburgasve dhe moldavëve vasalve- të Perandorisë Osmane. Ndonëse punët e çuan të bashkëpunonte edhe me osmanët, feja për të, si për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, do të kishte rëndësi të veçantë kështu që edhe ai do t’i vihej në shërbim Kishës, duke mbështetur fuqimisht jezuitët dhe përhapjen e katoliçzmit në Moldavi. Feja kishte luajtur një rol të rëndësishëm në jetët e Brutëve dhe Brunëve, por kjo nuk do të ishte shkak që ata të shkëputusnin lidhjet familjare me të afërmit e tyre myslimanë. Kjo vihet re më së miri me bashkëpunimin e tyre të ngushtë, veçanërisht me Sinanin, Vezirin e madh. Veziri do t’i mbështeste fuqimisht duke i ngritur në detyra të larta; shkarkimi i të cilit do të shkaktonte edhe vdekjen e Bartolomeos por edhe dobësimin e Antonio Brunit (Kapitulli: 11, 13, 14, 18)
Familjes Bruni do t’i shtohej edhe një figurë tjetër e ndritur, e cila do të jepte kontribut si akademik por edhe si mbështetes i zjarrtë i katoliçizmit e veçanërisht Urdhërit jezuit; ky ishte Antonio Bruni, i biri i Gasparos, i shkolluar në një ndër kolegjet katolike më të mira të Europës. I shkolluar dhe i përgaditur me frymën e kundërreformacionit Antonio do të mbështeste fuqimisht jezuitët, duke ju bashkangjitur Bartolomeos në Moldavi dhe duke mbështetur habsburgasit. Përveç përkushtimit të tij për Kishën ai do të jepte kontribut mjaft të rëndësishëm edhe për atdheun e tij, duke lënë të shkruar traktatin e tij për Shqipërinë por edhe për vendet e tjera ballkanike nën Peraandorinë Osmane, të cilin Lazaro Soranzo e përdori si referencë në librin më të shquar (për Perandorinë Osmane të asaj kohe) “L’Ottomano” – zbulimi i së cilit do të bënte të mundur edhe shkrimin e kësaj vepre, siç shprehet vetë autori në parathënie. Libri historik “L’Ottomano” do të kishte ndikim të madh, duke rindezur dëshirën për një kryqëzatë antiosmane në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri, aty ku kryengritjet ishin të shpeshta ndërsa mbështetja e perandorive të krishtera do t’i nxiste edhe më shumë. Në kapitullin e parafundit përshkruhet kryengritja Ballkanike e përkrahur nga Perandoria Habsburge, si kryengritësit më liridashës veçohen shqiptarët; himariotët dhe fiset Veriore, të cilët njëkohësisht vlerësohen nga Antonio Bruni si katolikët më besnikë në të gjithë Perandorinë. Për fatin e keq, edhe kjo kryengritje do të dështonte dhe e gjitha kjo falë Republikës së Venedikut, e cila bashkëpunonte ngushtë me osmanët. Organizatorët u arrestuan dhe më pas u vranë nga vetë venedikasit. (Kapitulli: 12, 14, 16, epilogu)
Libri voluminoz përfundon me traktatin e Antonio Brunit, tregon më gjërësisht tema mjaft të rëndësishme përsa u takon trojeve dhe origjinës etnike arbërore gjatë mesjetës; zbulimi i të cilit na jep shpresë se do t’i paraprijë zbulimeve dhe dëshmive të tjera për historinë e Shqipërisë. (Kapitulli: 21, epilogu). Nëpërmjet historisë së familjes Bruni dhe Bruti, e shkruar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Sir Noel Malcolm, na zbulon një studim me rëndësi të madhe njëherazi për marrëdhënjet ndërshtetërore dhe rolin e fesë në Mesdhe të shek. të XVI, por edhe njëkohsisht duke pasqyruar në mënyrë indirekte dhe në mënyrë të shkëlqyer historinë e një kombi të tërë që i dhuroi bij të shquar Europës me të cilët duhet të ndihemi krenarë.

*absolvent i marrdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.