back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fan Noli bashkon shqiptarët në Nju Jork – pa dallim krahine a feje – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli me z. Mark Gjonaj, realizuesin e këtij projekti dhe shumë të tjerëve në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Frank Shkreli me z. Mark Gjonaj, realizuesin e këtij projekti
dhe shumë të tjerëve në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Fan Noli bashkon shqiptarët në Nju Jork –

pa dallim krahine a feje –

nga Frank Shkreli

Fjala në ceremoninë e emërimit të një rruge në Nju Jork, me emrin e Nolit

Përshëndetje dhe mirëdita të gjithëve…
Jemi mbledhur këtu sot si individë dhe si komunitet për të kujtuar një burrë të madh të Kombit shqiptar. “Nji ndër njerëzit ma të mëdhej që ka lindur fisi arbnuer. Poet letrar, fletorar, orator, diplomat, themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai radhitet në rendin e breznisë vigane të Rilindjes së Kombit, për të cilin u përpoq sa mujti, me vepër e shkrim”. Kështu është shprehur Ernest Koliqi, një tjetër i madh i Kombit, në një shkrim të gjatë  botuar në revistën Shejzat, me rastin e kalimit në amshim të Nolit, në Mars të vitit 1965.
Nuk jemi këtu, si individë të mburremi me pjesëmarrjen tonë. Jemi këtu të bashkuar rreth Fan Nolit, për të nderuar kët burrë të Shqiptarisë. Jemi këtu si shqiptaro-amerikanë, por me origjinë vijmë nga të gjitha anët e trojeve shqiptare.
Noli na ka mbledhur sot këtu nga Vermoshi e deri në Gjirokastër. Nga Kosova e lirë dhe e pavarur dhe nga Çamëria martire. Korçarë e labë, mund të ketë edhe arbëreshë. Për besë ka edhe shumë malësorë të veriut e të jugut dhe shqiptarë të fushave nga e gjithë shqiptaria. Mesazhi është i qartë! Jemi këtu nga të gjitha anët, ortodoksë, myslimanë e katolikë, nga qytetet dhe fshatrat e mbarë trojeve shqiptare, pa dallim dhe pa urrejtje për të nderuar një klerik të lartë të fesë orotodokse shqiptare, por mbi të gjitha një shqiptar të madh.
Në të vërtetë, nismëtari, promovuesi dhe arkitekti i këtij projekti përbashkues kombëtar dhe i shumë arritjeve të tjera në komunitetin tonë gjatë viteve, është shqiptaro-amerikani katolik nga veriu, i lindur jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë, politikani dhe aktivisti i palodhshëm i çeshtjeve shqiptare, shqiptaro-amerikani dhe bashkvendasi im, Z. Mark Gjonaj, i njohur tashti, i botës shqiptare.
Thank you Mark for working so hard to make this and other projects for the Albanian-American community a reality and for getting us all together today to celebrate this moment. Thank you!
Falënderimet gjithashtu i shkojnë edhe Federatës Pan-Shqiptare Vatra për ndihmesën e dhënë në organizimin e këtij celebrimi, në nder të themeluesit të saj, Fan Nolit.
Jemi këtu, pra për të  kujtuar dhe për të nderuar Fan Nolin dhe veprën e tij në mbështetje të interesave të Shqipërisë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshi edhe rolin që ka luajtur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – një trashëgimi kjo që vazhdon edhe sot e kësaj dite në radhët e këtij komuniteti. “Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e vatra të nderoni. Mbahu, Nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë”. Fan Noli, 1917
Prandaj, ia vlen të përmendet fakti se kjo ceremoni po zhvillohet këtë vit – siç duket në koincidencë – me 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, se Fan Noli ishte njëri prej mbështetësve dhe promovuesve më të fortë të këtyre lidhjeve, midis dy popujve tanë.
Jemi këtu për të nderuar Fan Nolin, natyrisht, por jemi të gjithë sëbashku, se kështu na e kërkon ndërgjegja, na e kërkon dashuria për njëri tjetrin, si shqiptarë të një gjaku, gjuhe e kulture, dhe si shtetas të lirë të Atdheut tonë të adaptuar – Amerikës. Natyrisht, na detyron edhe dashuria për trojet tona që po zbrazen, fatkeqsisht, dita ditës, por edhe për të ndarë me njëri-tjetrin shqetësimet për gjendjen në trojet tona të përbashkëta, sidomos konfliktet e fundit midis faktorëve politikë. Mesazhi i Nolit sot për gjithë shqiptarët, por sidomos për ata në vendlindje, do ishte: “O Shqiptarë, Nënës mos ia bëni varrë!” (Noli).

Senatori i Nju Jorku, Z. Chuck Schumer, diplomatët e Shqipërisë, Ambasadorja në Washington, Zonja Floreta Faber dhe Ambasadori pranë OKB-së në Nju Jork, z. Ferit Hoxha
Senatori i Nju Jorku, Z. Chuck Schumer, diplomatët e Shqipërisë, Ambasadorja në Washington, Zonja Floreta Faber dhe Ambasadori pranë OKB-së në Nju Jork, z. Ferit Hoxha

Por, më në fund dhe më me rëndësi, jemi këtu për të celebruar Amerikën tonë të dashur dhe lirinë që gëzojmë dhe që na mundëson ky vend-planet, që në liri dhe pa paragjykime, të nderojmë heronjët dhe të dalluarit e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, siç është Fan Noli, pa dallim e pa urrejtje krahinore, fetare ose politike prej askujt – përfshir autoritetet qveritare – por as ndaj njëri tjetrit, as ndaj të tjerëve.
Për 100 vjet Amerika, që nga koha e takimit historik të Nolit me Presidentin Wilson e këndej, iu gjend pranë Kombit shqiptar dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, duke na dhënë dorën dhe ndihmën kur kishim nevojë në mbrojtje të interesave tona këtu, por edhe mbështetjen e pazevëndësueshme ndaj bashk- vëllëzerve tanë matanë oqeanit.  Është një histori e gjatë kjo përpjekjesh ç’prej kohës së Nolit e Konicës, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi në fillim të shekullit të kaluar e deri tek çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, në fillim të këtij shekulli.
Ndihmat materiale, mbështetja diplomatike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qenë kurrë të kushtëzuara ndaj një individi ose partie politike, por bazuar në bindjen dhe besimin e fortë se – megjithë dallimet që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve – për arsye historike dhe politike – të gjithë shqiptarët pa dallim, gjithmonë janë shprehur, historikisht, (me përjashtim të regjimit të djallëzuar komunist të Enver Hoxhës), se janë një dhe të pandarë në një miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fan Noli ka thënë se: Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan – i vjetër dhe i ri – i kishte borxh Fan Nolit, një detyrim moral, në të vërtetë që, pjesërisht, shpërblehet sot.  Urimet e mia!

Frank Shkreli
Me z. Mark Gjonaj, realizuesin e këtij projekti dhe shumë të tjerëve në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Të nderuar me praninë e e udhëheqsit të shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Senatorin nga Nju Jorku, Z. Chuck Schumer dhe me diplomatët e Shqipërisë, Ambasadorja në Washington, Zonja Floreta Faber dhe Ambasadori pranë OKB-së në Nju Jork, Z. Ferit Hoxha

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.