back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Fan Noli: “Më ka zënë shqipja” nga Anton Çefa

Gazeta

Fan Stilian Noli
Fan Stilian Noli (1882-1965)

Fan Noli: “Më ka zënë shqipja”

nga Anton Çefa

13 Mars 1965, vdiq Fan Noli – Ta përkujtojmë *

 

“Në një rast pyeta Nolin,
se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë?
M’u përgjiq me katër fjalë: “Më ka zënë shqipja!”
Pastaj shtoi: “Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur
prej armiqve të jashtmë dhe të brëndëshme,
ka nevojë për njerës idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale
për një qëllim të shenjtë dhe të lartë!”
Qerim Panariti
Fan Stilian Noli (1882-1965)
Fan Stilian Noli (1882-1965)
.
Nuk mund të përfshihet në një portret personaliteti i Nolit, veprimtaria e të cilit shtrihet në aq e aq rrafshe: rrafshi i atdhetarizmit, i besimit, i burrit të shtetit, i politikanit, i diplomatit, i historianit, i publicistit, i oratorit, i poetit, i letrarit, i kritikut letrar, i përkthyesit, i muzikantit, i muzikologut, i të gjithave, i universales.
Veç kësaj, në veprimtarinë e Nolit këto nuk janë rrafshe, po janë maja malesh që shkëlqejnë me madhërinë dhe madhështinë marramendëse mbi botën shqiptare dhe përtej saj, duke e përndezur e flakëruar me idealet më të fisme dhe me ndjenjat më të ngrohta.
U lind dhe jetoi jashtë Atdheut, por Atdheun e kishte gjithmonë me vete. Atdheu qe dashuria e tij zjarrpërvëluese, që i gufonte në shpirt e i përvëlonte në zemër. E digjte në kraharor “Zjarri i shenjtë”, si e quante dashurinë për Atdheun dhe veprimtarinë deri në flijim për t’i shërbyer. “E kishte zënë shqipja”.
Po, e kishte zënë shqipja, shqipja e fjalës, shqipja e veprës, shqipja e zemrës, shqipja e mendjes, shqipja e ditës, shqipja e kohës.
Si “Kalorës i Skënderbeut”, siç e quajti veten, ndezi një Diell për ta shëndritur Atdheun, dhe krijoi një Vatër për ta ngrohur.
Si “Misionar i Krishtit”, ndërtoi Kishën dhe Kisha foli shqip. E shkëputi nga kthetrat e përgjakshme të Patrikanës, që vollën helm, kallën zjarr, kulluan gjak; ndërsa na sot me mençurinë tonë të çoroditur, me vullnetin tonë të hallakatur, ia kemi dorëzuar përsëri asaj.
Si Mojsí i tregoi popullit rrugën drejt një oazi të bleruar, të lirë, të qytetëruar, demokrat; por ishte shumë herët, tepër heret. Mollës së demokracisë jo vetëm nuk i ishin pjekur frutat, por nuk i kishin çelur as lulet.
Kur u përpoq të mbillte demokracinë, Atdheu ishte vetëm një shkretëtirë anadollake, shkretëtirë e thatë varfërie e paditurie, dhe ishte i vetëm, me shumë pak shokë, me një Gurakuq, “shpirt i bardhë si dëborë”; me një Bajram, “trim, tribun i vegjëlisë”, dhe me një Vinjau, “mikun dhe kolegun”. Avniun, udhëheqësin e dashur të rinisë e vranë, kur Atdheu kishte më shumë nevojë për të; Gurakuqin e vranë, “me tre plumba na i ranë”; Bajrami u vra, “as je vrarë e as po vritesh”.
.
Faik Konica dhe Fan Noli, ne mes Gjergj Pekmezi
Faik Konica dhe Fan Noli, ne mes Gjergj Pekmezi
.
U mundua të mbillte demokracinë në shkretëtirën e thatë të varfërisë e të padijes, mes atyre që nuk e kuptonin dhe atyre që nuk donin ta kuptonin, dhe sidomos të atyre që e luftonin.
Kishte qëllim të krijonte një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, kur ndërgjegjja shqiptare ishte një truall i papunuar, kur asaj i mungonte humusi i atij ideali të lartë, që e digjte në kraharor.
Si mësues i vyer na la porosinë: “Shqipërinë, të mirë a të ligë, ne e bëmë, dhe jua lëmë të tjerëve që ta mirësojnë.” Por ja që ne të tjerët, jo vetëm nuk po e mirësojmë, por përkundrazi po e keqësojmë, dhe sot Shqipëria është në duar të atyre që janë mjeshtër të keqësimit.
Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimeve botërore, të lashta e të reja, perëndimore e lindore, ia shtroi mjeshtërisht popullit në sofrën e dijes, të kulturës dhe të artit, i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist. Në verbin e blertë të shqipes çeli lule fjala e sa e sa gjuhëve botërore të gjalla e të vdekura.
Ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashembullt në energjitë shpirtërore; u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, Ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.
Sot ngrihet para nesh madhështor, vigan në bëmat e Tij, sot që kemi më shumë nevojë se kurrë për idealin e Tij, për mendimin e tij, për fjalën dhe për veprën e Tij. Nuk ndoqëm porositë e Tij, prandaj bëmë gabime të pafalshme. Sot jo vetëm nuk i ndjekim, por i mohojmë, bile i luftojmë.
Na flet e na flet, sot e mot, na flet nga Panteoni i atdhetarit idealist, na flet nga Pulpiti i predikatarit të devoçëm, na flet nga kathedrat e shkencës, të kulturës e të arteve; na flet me ndjenjë, na flet me erudicion, na flet me urti. Na të dëgjojmë, përpiqemi të ecim në rrugët që na mësove, po na merren këmbët dhe ecim kuturu.
Gjithsesi, duke u munduar të ecim në gjurmët Tua, do të na zërë edhe ne shqipja dhe do të ndizet në kraharorët tanë Zjarri i Shenjtë. Është me fat ai që digjet në këtë Zjarr.
*Shkrim i redaktuar
.
Anton Çefa - Manhattan, prill 2016
Anton Çefa – Manhattan, prill 2016

“Më ka zënë shqipja” (Fan Nolit)

nga Anton Çefa

Fjala shqipe si zjarri i shejtë
në gjoks të digjte.
 
Gjuhët e botës te fjala shqipe.
 
Me zjarr të shejtë ngroh e ndriçon
skutina të errta gjoksesh të plogshta.
 
Të zuni shqipja me anarkitë,
na zuni ne zi e ma zi,
antropofagë, kolltukufagë
zi e ma zi.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. I nderuari Zoti Çefa!
    Faleminderit, që na e kujtuat, këtë njeri të shquar shqiptar.
    Do doja të dija si është shprehur Zoti Fan Noli, për periudhën pas 1944. A ka dicka të shkruar? Kam dëgjuar sikur i janë bërë ftesa nga qeveria e Enver Hoxhës për të ardhur në Shqipëri?
    Mendoj qe fat i madh, që nuk e përjetoi diktaturën më të egër, që ka përjetuar kombi shqiptar, diktaturë që me siguri mund te themi, qe më e egër, se gjithë të mëparshmet së bashku.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.