Fan Noli në Boston, Sami Frashëri në Stamboll?!
nga Faruk Myrtaj
Njera nga pyetjet për Edi Ramën, si kryeministër, në takimin me ndjekësit e tij në New Jork, ishin pengesat për kthimin e Fan Nolit në Shqipëri.
Në fushatë elektorale, Rama u ndje në zor të dukshëm. Si rrallë herë u ngatërrua, duke e shëmbëllyer Fan Nolin në USA, refuzuar si Sami Frashërin në Turqi.
“Duhen biseda të forta me qeveritë përkatëse…”, u shpreh Edi Rama.
Për Sami Frashërin ka vështirësi. Gjithë qeveritë shqiptare kanë provuar ta mbushin hapësirën boshe te “Vëllezërit Frashëri”.
Edhe pse me vulë në ngjizjen e Rilindjes Kombëtare dhe ëndrrën e shqiptarëve për dritë, shtet e prosperitet, edhe pse mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar, si Shemsedin Sami ai është ndër pionierët e nacionalizmit turk.
Noli e ka një mungesë të dhimbshme të pa-justifikueshme, në flamur-ngritjen shqiptare në Vlorë, por është prani e vazhdueshme në procesin e bërjes së shtetit shqiptar, i veçantë në kulturë, gur kilometrik në udhën jo të lehtë të vetëdijes shqiptare.
Krahas Faik Konicës, Isuf Luzajt dhe pak të tjerëve, mbetet ndër figurat e spikatura të kontaktit me botën dhe Perëndimin Atlantik.
Për Nolin s’dimë arsye të mëdha, të pamënjanueshme që Amerika të ketë interes për përpjekje të pa-negociueshme, si në rastin Sami Frashëri, për ta mbajtur Nolin Tonë në tokën e saj.
Sado i shënjuar në rolin e aktivitetin e tij në Amerikë, gjithnjë dhe vetëm në funksion të Çështjes Shqiptare, për komunitetin aty, sado i veçantë dhe i nderuar, Noli nuk është i pa-lëshueshëm.
Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Qoftë edhe vetëm për këtë arritje, të cilës ai iu kushtua, si akti më i rëndësishëm pas shpalljes së Pavarësisë 1912, lirisë e Pavarësisë së Kosovës 1999-2008, Noli pritet të kthehet.
Shqipja e Tij në përkthimet dhe në shërbesat liturgjike në përdorim kishtar, është në nderin e Gjuhës dhe kombit të dëgjohen në Tiranë.
Nolit i është shprehur mirëseardhja edhe herët. Pas Luftës së Dytë, deri më 1965, kurrë nuk e mendoi dot këtë kthim, as edhe si vizitor.
Atëherë pse sot vështirësohet kthimi i Tij?
Nga kush duhet marrë leja për kthimin e Fan Stilian Nolit në Tiranë? Pse e vështirësoi përgjigjen Edi Rama?
Cila hije e ka penguar ardhjen e Hirësisë së Tij Fan Noli, në Shqipërinë e tij?
Marrë nga Muri i FB Faruk Myrtaj 6 janar 2025