back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Fan Noli “në rrezik!” nga Agim Hamiti

Gazeta

Fan Stilian Noli (1882-1965)
Fan Stilian Noli (1882-1965)

Fan Noli “në rrezik!”

nga Agim Hamiti

Me rastin e 51 vjetorit të vdekjes së Fan Nolit

Noli është vlerësuar nga kritika letrare angleze si një ndër tre përkthyesit më të mirë në botë të veprës Shekspiriane (i pari – suedezi). Ai është pranuar gjithashtu ndërkombëtarisht si njohës shumë cilësor i Shekspirizmit.
Gjatë shekullit të kaluar, sa qe gjallë, Noli ka qenë i ftuar i përhershëm në kongreset e Shekspirianëve botërorë që organizoheshin në Londër. Madje ai zgjidhej përherë anëtar i presidiumit në këta kongrese studimorë. Në kongresin e parë të këtij lloji, të organizuar pas vdekjes së Nolit, një kolltuk në presidium ishte bosh me fotografinë e tij dhe me emrin e mendjendriturit tonë të Harvardit…!
Natyrisht, Noli e kishte arritur me punë vigane një prestigj të tillë botëror, sepse dihet që qytetërimi nuk bën dhurata lavdie false (si në Shqipërinë primitive). Ai e ka njohur gjuhën letrare angleze si rrallëkush. Në fillim të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, një grup intelektualësh letrarë (midis tyre edhe emra të njohur) publikuan disa vërejtje në adresë të novatorizmit gjuhësor të avancuar të tragjedianit gjenial, Shekspirit. Noli nuk hezitoi fare të botonte një artikull kritiko-satirik ndaj tyre me titull ironizues: “Shekspiri në rrezik!”. Artikulli, me një analizë kundërshtuese mjaft të argumentuar, bëri jehonë dhe njëkohësisht krijoi habi se kush ishte ky i huaj “i panjohur” që guxonte të ironizonte figura të mirënjohura letrare të kohës. Një ndër më të shquarit e këtyre emrave, Bernard Shou, i dërgoi një letër Nolit, domethënia e së cilës ishte: “Ku e gjen kurajon një prift shqiptar(!) të pretendojë se e njohka gjuhën letrare angleze më mirë se Né?!”
Pa e prishur terezinë, Noli e lexoi me vëmendje atë faqe letër proteste, gjeti 4 gabime ortografikë, i nënvizoi me të kuq dhe ia ripostoi atë të famshmit Shou, pa i shkruar asnjë fjalë.
Ashtu siç ndodh zakonisht midis të Mëdhenjve të Vërtetë, Shou e pranoi sfidën duke publikuar gabimet ortografikë që kishte bërë në letër dhe ruajti marrëdhënie me Nolin. (Sikur Shou të kishte qenë ndonjë shqiptar i sotëm, ai do t’i kish futur një të sharë për nënë nëpër dhëmbë Nolit dhe do ta kishte grisur letrën…)
Kush tjetër, përveç Nolit, mund të bënte një shqipërim kaq brilant të veprës së vështirë Shekspiriane?

Për shpirtin e sëmurë pas mëkatit,
Çdo lodër duket lajmërim i fatit;
Nga frika, fajësia dridhet, verdhet,
Dhe derdhet krejt, nga frika se mos derdhet.
Shekspir “Makbethi”.

Fan Noli
Fan Noli

Mirëpo para ca kohësh, një “Tufë” letrarësh shqiptarë lëshuan thirrjen “patriotike”:
“Ta përkthejmë Nolin në shqip!”.
Ku ta dinte i shkreti Noli se, pasi shpëtoi Shekspirin nga “rreziku”, do të rrezikohej për vete të tij prej letrarëve të sotëm shqiptarë me psikologji kacavjerrëse, të cilët mendojnë se po të merresh me sfida emrash të mëdhenj, do të fitosh diçka nga madhështia e tyre. Në të vërtet, në raste të tillë ndodh e kundërta: hija kabà e Njerëzve të Mëdhenj i fundos edhe më tepër në errësirë autorët e nismave të lajthitura.
Megjithatë deri sot “sfiduesit” e Nolit nuk na kanë ofruar ndonjë “çomlek letrar” duke përkthyer në shqip (nga ç’gjuhë, xhanëm?!) përkthimet brilante të Korifeut të anglishtes letrare, shqipes, spanjishtes e persishtes, i cili na mundësoi si popull të lexonim kryevepra të letërsisë botërore njësoj si në origjinal.
Zoti e shpëtoftë Nolin dhe shqiptarizmën prej marrëzive shqiptare!
(marrë nga faqja e FB e Agim Hamitit, 13 mars 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.