back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Farsa e profesorëve postkomunistë – Ledi Shamku-Shkreli

Gazeta

Ledi Shamku-Shkreli
Ledi Shamku-Shkreli

Farsa e profesorëve postkomunistë

Reagim nga Ledi Shamku-Shkreli

Që ndonjë nga historianët të qe zvetnuar prej ndeshtrashave të jetës kjo dihet, por që gjuhëtarë, a ish-gjuhëtarë, të ndiqnin vullnetarisht shorten e tij kjo nuk hamendej. Këta përmes një letre plot pathos religjioz po i kërkojnë Kryeministrit të vendit të ndërhyjë politikisht mbi shkencën…(!) Epigonë të Androkli Kostallarit, ata po veprojnë sikundër Trofim Desinovič Lysenko që kërkonte vaktit mbështetjen e Stalinit për të manipuluar ose shtrembëruar proceset shkencore me qëllim mbërritjen e konkluzioneve të diktuara nga objektiva politike. E në këtë rast, meqenëse objektivat politike kanë rënë, këtyre neo-lisenkoistëve u shkon sak shprehja e Marksit se historia përsëritet gjithnjë dy herë, herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë. Po ndoshta më mirë kështu! Pas kësaj përshfaqjeje vulgare, gjuhësia shqiptare ka tani një tjetër shans të dekomunistizohet.

Delegatët e Kongresit në polifoto
Delegatët e Kongresit në polifoto

***
Janë do përralla tonat të moçme me hije e lugetër, në të cilat ngadhnjimi i së Mirës vjen vetëm mbasi bakeqësit ndryhen shtatë pash nën dhe’. Këto përralla më erdhën ndërmend teksa po lexoja letrën që njëzet firmatarët i kishin dërguar Kryeministrit, ngaqë janë “të bindur se koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe!”, duke mëtuar pra prej tij që të ndërhyjë ex cathedra e të shuajë diskutimet ndërakademike, posë atyre të opinionit shkencor mbarëkombëtar, lidhur me mirëmbajtjen dhe pasurimin e Shqipes së Përbashkët. Shkurt e shqip, këta firmatarë – që e mbajnë veten diturorë e shkencëtarë për më tepër – po i kërkojnë Kryeministrit që ai ndaj shkencës, e aq më fort ndaj gjuhësisë si shkencë, të sillet si Benito Musolini qëmoti dhe Enver Hoxha ca më vonë. Letra në fakt është rast për t’u studiuar si nga forma gjuhësore me të cilën është shkruar, ashtu edhe për nga përmbajtja.
Sa i takon formës, mund të thuhet pa droje se është e shkruar e gjitha në ligjërimin e drunjtë, të cilin Ardian Vehbiu e analizon bukur mirë te studimi i tij “Shqipja totalitare”. Po të mos kishte datë dhe referime ndaj ngjarjeve a personave konkretë, mund të hamendej se kjo letër del nga fondi i arkivave të KQPPSh. Dhe ngjason kaq shumë me stilin rrënqethës të fletërrufeve që i varnin dikur Çabejt në korridoret e Institutit të Shkencave. Mjaft të lexohen në të copëza të tilla si: “gjuha letrare shqipe iu nënshtrua një sulmi nga qarqe të caktuara” dhe të brofin para syve sintagma si: “qarqet borgjezo-revizioniste që kanë halë në sy unitetin Parti-popull”. Lereni syrin t’ju rrëshqasë prore mes rreshtash në këtë letër dhe do gjeni sërish: “Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur ‘ndërakademik’ ka hyrë në një rrugë të rrezikshme”, fjali kjo që kutërbon të njëjtën duhmë kalbësie si fjalia e dikurshme: “veprimtaria e rrezikshme e armikut të klasës”. Krupa vjen dhe shtohet kur fill më poshtë lexon se njëra palë “është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë”, shkruar po njëlloj siç demaskoheshin dikur ata që ishin bërë “bashkëpunues në goditjen ndaj diktaturës së shenjtë të proletariarit”.
Po ashtu ligjërimi totalitar karakterizohet nga moria e epiteteve me ngjyrim patetik. Dhe në fakt pasi mbaron së lexuari këtë letër (më vjen më natyrshëm ta quaj THIRRJE në fakt, njëlloj si ato të kohës së keqe), vëren se ajo gëlon nga cilësime si: e shenjtë, e palëkundur, shpërbërëse, e flijuar, rrënuese, liberalizma naivë, vepër e ndritur, përdhosëse, e pafalshme, etj, e plot e plot të tjera epitete kësodore. Po e le me kaq analizën formale ligjërimore të kësaj letre ngaqë besoj se çdo shqiptar që ka jetuar në kapërcyell të dy epokave, edhe të totalitarizmit edhe të tranzicionit, e ka fare të lehtë ta përqasë se gjuha e kësaj letre ka mbetur ende në dikaturë. Veçse dua të them se e bëra këtë përshkrim ngjërues të stilit të letrës pasi besoj fort në atë që thotë Vygotskij se “mendja pasqyrohet te fjala, sikundër dielli pasqyrohet në një bulëz uji”; me të vetmin ndryshim që te këto bulëza uji të amullt nuk pasqyrohet aspak dielli por hijet që themi se lamë pas…
Vijmë tani te përmbajtja.
Mbi çfarë ngrihen mëtimet e thirrje-shkruesve dhe çfarë i shqetësoka aq fort që, pas kaq motesh letargu albanologjik absurd (sa deri edhe Atlasin Dialektologjik të Shqipes na e botuan Arbëreshët e Italisë), u kujtuan tash befas t’i drejtohen Kryeministrit për punët e shqipes? Sipas tyre “puna e Këshillit të quajtur ‘ndërakademik’ ka hyrë në një rrugë të rrezikshme” dhe vec kësaj “rreziku” vjen edhe nga disa pikëpamje “liberalizmash naivë dhe eksperimentime teorish të ndërtuara në rërë” pasi, po sipas tyre “të flasësh sot për mangësitë e drejtshkrimit, të cilat qenkan bërë shkas i keqpërdorimit të gjuhës shqipe, është jo vetëm krejt e pasaktë shkencërisht, por dhe një veprim i padenjë edhe për një qytetar të rëndomtë”.

Shtate vjet prolog - Ledi Shamku Shkreli
Shtate vjet prolog – Ledi Shamku Shkreli

Le t’i sqarojmë me radhë. Këtu e dhjetë vjetë më parë u ngrit një këshill ndërakademik, si bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave të Prishtinës, i cili duke marrë shkas kryesisht nga simptomat e pamira që po shfaqnin përdorimet e shqipes së shkruar si edhe nga një grumbull çështjesh ortografike që vetë Kongresi i Drejtshkrimit i vjetit 1972 i la për t’i zgjidhur më pas, vendosi pra ky Këshill t’i shqyrtojë ato. Dhe janë në fakt një sërë çështjesh konkrete mbetur pa zgjidhje si, rastet e çrregullta të zanores “ë” të patheksuar, rasti i shumësave të rrëmujshëm, rastet e përdorimit të shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj, drejtshkrimi i huazimeve neolatine në shqipe për të cilat Çabej deri në fund nuk qe, e nuk qe në një mendje me drejtshkrimin, etj. Duke qëndruar te këto cështje konkrete dua të them se këto dhjetë vjet ka gjëlluar debat pikëpamjesh edhe në shtypin e shkruar, edhe në tryezat e pakta të akademikëve. Sjell në vëmendje se në tryezën e organizuar me Akademinë e Shkencave dhe praninë e gjuhëtarit Tullio De Mauro, Ardian Klosi diskutoi pikërisht mbi problemin e pazgjidhur të drejtshkrimit të “ë”-së, duke u shprehur kësisoj: “Le të qëndrojmë tek ë-ja e patheksuar, drejtshkrimi i së cilës i shkakton dhimbje koke çdo shqiptari që ulet të shkruajë. Shkruhet amtar apo amëtar, gjithçka apo gjithëçka, vetëvetor apo vetvetor, malësor apo malsor e kështu me radhë? Nuk njoh asnjë njeri, përveç redaktorëve profesionistë ose disa mësuesve të gjuhës, që t’i shkruajnë siç i do drejtshkrimi rastet e vështira dhe të shumta të ë-ve të patheksuara. Të gjitha vështirësitë vijnë nga fakti se autorët e drejtshkrimit të 1972-shit këtu më njërën anë nuk e ndoqën parimin fonetik (dhe praktikisht nuk mund ta ndiqnin në mënyrë konsekuente), por më anë tjetër edhe përzierjen e tij me parimin morfologjik ose historik shpesh e bënë në mënyrë alogjike, me përjashtime e me kundërthënie të shumta. U ndala këtu vetëm në problemet që sjell zanorja (ose gjysmë a çerekzanorja) ë në drejtshqiptim dhe në drejtshkrimin ekzistues. Por natyrisht problemet shtrihen edhe në zgjidhje që janë gjetur për fonema a kombinime të tjera”. Po ashtu problematikë konkrete mbetet edhe drejtshkrimi i emrave të huaj në shqipe, dhe afërmendsh do të qe i tillë, pasi siç del nga arkivat, zgjidhja që ende kemi ne sot, erdhi me urdhër nga Drejtoria e Agit-Propit në fillim të viteve Pesëdhjetë, firmosur nga vetë Nexhmije Hoxha ku thuhej se meqë në Bashkimin Sovjetik emrat e huaj shkruhen ashtu siç lexohen, edhe në Shqipëri duhej vepruar po ashtu. Mirëpo hane alfabeti cirilik i rusishtes e hane alfabeti latin i shqipes! E ngaqë politika diktonte asokohe mbi shkencën, çështja mbetet paradoksalisht e pazgjidhur edhe sot.
Nuk po zgjatem më tej në problematikat konkrete pasi dua t’u le vend atyre parimore. Dhe problematikat parimore para të cilave gjendet sot gjuhësia shqiptare janë dy: E para – A do të vijojë të përditësohet e të saktësohet norma letrare e shqipes siç ndodh në të gjitha gjuhët e botës? Dhe e dyta – A do ta shmangim rrezikun e asaj që Çabej me shqetësim paralajmëronte qysh në vjetin 1957, duke shkruar se “po rrezikojmë të krijojmë një gjuhë prej letre, një gjuhë pa jetë, e cila me kohë do të shkëputet nga gjuha e gjallë”? Vijojmë më tej: A do të bëhet më në fund drejtshkrimi ynë gjithëpërshirës? (pasi qysh kur ky u vendos, Çabej këmbëngulte se “nuk është puna të caktojmë një kod për dyqind a treqind vetë, por për katër milion shqipfolës që e kanë shqipen gjuhë amtare”). A do t’u bashkangjitemi më në fund metodave studimore që ka shkenca bashkëkohore, e cila merr në vështrim dhe studion të gjitha përdorimet faktike të një gjuhe pa asnjë paragjykim, pasi siç vërente R. Jakobson qysh në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë “çdo përdorues i një gjuhe bën vetiu përthyerjen Normë-Usus”, pra Normë-Përdorim? A do t’u bashkangjitemi tezave aktuale europiane për një edukim gjuhësor demokratik në shkolla, të cilat e konsiderojnë trashëgiminë gjuhësore, edhe atë dialektore bashkë me zhargonet, pjesë të pandashme e tejet të rëndësishme të didaktikës gjuhësore krahas edukimit me normën letrare? A nuk pati këmbëngulë edhe Xhuvani të bëhej kjo gjë ndër ne qysh në vitet Pesëdhjetë?
Këto janë kryesisht problematikat e udhëkryqet parimore e metodologjike para të cilave gjuhësia shqiptare ka tash njëzet vjetë që ndodhet.
Ka në këtë letër plot argumentime të paqena, që i kanë formuluar aty pasi i kanë stërmbllaçitë më parë, si fjala vjen: vendet e zhvilluara rrotull nesh nuk e prekërkan gjuhën; nësa e vërteta është krejt ndryshe. Ndaj ose këta ish-gjuhëtarë gënjejnë prore ose janë prej dekadash të painformuar. Po rreshtoj këtu data e fakte të rishikimeve të fundit drejtshkrimore të disa gjuhëve europiane. Sa i takon gjermanishtes, Komisioni i risaktësimit të drejtshkrimit nisi punën më 1980 dhe pati disa ndryshime a risaktësime rresht në kodin e kësaj gjuhe, përkatësisht në vitet 1982, 1984, 1990, 1996 dhe i fundit qe projekti i Këshillit për drejtshkrimin e gjermanishtes i vitit 1998 i cili vendosi që drejtshkrimi i përditësuar të qëndronte ne fuqi krahas drejtshkrimit të mëparshëm deri në vjetin 2005. Vetëm më pas, në vitin 2006, hyri në fuqi ai i përditësuari. Dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që deklarojnë ish-gjuhëtarët tanë se ndryshimet aty prekën vetëm germat e veçanta të alfabetit gjerman. Po i rendis ndryshimet e tjera të cilat në thelb iu ngjajnë atyre që lypen ndërmarrë në shqipe: 1.U rishikuan huazimet në gjermanishte, të cilat pavarësisht se përdorimi i kish përshtatur me fonologjinë gjermane, kërkohej ende të shkruheshin sipas formës klasike (a nuk kemi ne një mori fjalësh kësodore si: kushinetë, ekzistencë, konkurrencë, kuzhinë, kanotierë, autobus, karrige, korridor, standard etj. për të cilat ka pasur mjaft polemikë në Kongresin e Drejtshkrimit pasi duke u lënë siç u lanë, shuanin fuqinë përshtatëse të shqipes? Por u këmbëngul të shkruheshin sipas drejtshkrimit të gjuhëve nga i huazonim, jo sipas ligjësive tona të shqiptimit, çka don të thotë se sipas kësaj logjike për të drejtshkruar shqip këto fjalë duhet patjetër të dish të drejtshkruash frengjisht, italisht e kështu me radhë. Dhe natyrisht po të shkruash sikundër në fakt gjindja shkruan, sipas ligjësive të shqipes: guzhinetë, guzhinë, konkurencë, egzistencë, autobus, standart etj, ata qahen te Kryeministri: “O babi, o bá!”; 2. U zgjidh çështja e germës së madhe; 3. U njëjtësua gjithkund shkrimi i fjalëve më vizë në mes siç e diktonte përdorimi; 4. U njëjtësuan, poashtu siç e diktontë përdorimi, rastet e mbaresave fundore të cilat dilnin herë me “au” për arsye fonologjike e herë me “auh” për arsye etimologjike, duke i dhënë të drejtë arsyes fonologjike pra gjuhës së folur (Ehh sa forma artificiale e hibride ka sot drejtshkrimi i shqipes pikërisht nën pretekstin e kësaj arsyes etimologjike, avantazhin e së cilës në fakt Saussure e rrëzon qysh në vitin 1910! E mandej na ankohen këta ish-gjuhëtarë që shqiptarët nuk dijnë të drejtshkruajnë. Natyrisht, nuk e kemi gjithë popullin etimolog!); 5. Thjeshtimet gramatikore të vërejtura ndjeshëm në qendrat kryesore të landeve u përfshinë në gramatikë, dhe as aty nuk ju drejtuan kryeministrit duke i shkruar se: “kjo nuk duhet lejuar të ndodhë. Nuk duhet lejuar të ndodhë vulgarizimi dhe zhargonizimi i gjuhës sonë letrare”. Dhe për të ndërmarrë këto ndryshime, u mblodhën së bashku gjermanë, austriakë e zviceranë, dhe ranë në ujdi sepse i bashkonte gjermanishtja, anipse të folmet e tyre mund të dallojnë shumë më tepër seç dallon e folmja e jugut të Shqipërisë nga më i thelli vis i Kosovës! Dhe kërkush nuk akuzoi askënd për tradhti a për qarqe të rrezikshme siç disa nga thirrje-shkruesit për turp të Zotit kanë akuzuar gjuhëtarët e Prishtinës, duke e zvetnuar punën deri aty sa, prej fyerjve që kanë shtizuar, sot nuk ulen dot bashkë qoftë edhe në një debat televiziv!

Profesor Eqerem Çabej
Profesor Eqerem Çabej

Vijojmë me Francën. Pas thagmës së vitit 1996 me ligjin Toubon, që mëtonte të gjobiste çdo keqshkrues publik të frengjishtes me dhjetëmijë franga (ligj i cili u propozua nga këta ish-gjuhëtarë do kohë më parë edhe këtu te ne), ky vend ndërmori një sërë reformash për thjeshtimin e kodit drejtshkrimor. Dhe pas disa rishikimeve të qenësishme të cilat kishin nisur qysh në fund të viteve ‘90, më 2008 drejtshkrimi i rishikuar u vendos edhe nëpër shkolla. Për këto reforma të frengjishtes punuan bashkë Franca, Belgjika, Zvicra dhe Kanadaja e largët frankofone duke gjetur bashkëpunim. Natyrisht, kur thjeshtuan shumësat emërorë apo format e përbëra foljore, askush nuk vuri veton për mosndryshime, siç ndodhi me njërin nga firmatarët e kësaj letre, i cili ndërsa diskutohej mbi thjeshtimin e “ë”-ve, u ngrit e briti: “më mirë të më prisni mua njërën dorë!”. Dhe ky, bashkë me ndonjë tjetër janë anëtarë të komisionit ndërakademik, e që në mungesë të argumenteve shkencore, kërkojnë një deus ex machina politike, mbasi e bllokuan dhe sorollatën qëllimisht për dhjetë vjetë punën e komisionit dypalësh Shqipëri-Kosovë.
Po të hapet sot faqja zyrtare e Akademisë Franceze, e cila njihet për konservatorizmin e saj, do të lexoni edhe motivin pse u ndërmorën këto ndryshime të kodit drejtshkrimor: “Il est normal également que l’orthographe évolue. C’est pourquoi il est normal que les instances compétentes en la matière proposent, de temps en temps, des modifications, comme elles l’ont fait par le passé. Ces dernières années, l’allemand, le portugais ou encore le néerlandais, pour ne citer que ces quelques exemples, ont adopté des modifications de leur orthographe”. Kjo është vetëdije prej shkencëtarësh. Të pranojnë se gjuha e përbashkët ndryshon dhe ta mirëmbajnë atë duke pasqyruar herë pas here ato ndryshime që sjellin jetë e fuqi në thelbin e lashtë të saj, i cili përndryshe do të mumifikohej duke i përkitur vetëm një pakice imponuese. Çfarë propozojnë sakaq letërshkruesit tanë? Që kodi standard të shpallet objekt trashëgimie kulturore i rëndësisë së veçantë. Nuk e di nëse kjo është qesharake a e tmerrshme! Duan ta ngrijnë shqipen, ta mumifikojnë e ta trajtojnë atë si një monument muzeal kulturor që të studiohet në shkollë siç studiohet sot latinishtja apo greqishtja e lashtë, gjuhë të cilat nuk kanë më folësa. Ndërkohë që roli i gjuhëtarit është mirëmbajtja e standardit, duke e kultivuar atë fort nëpër shkolla po edhe duke ia studiuar ngërçet që ka e duke ia thjeshtuar ato. Për të mirën e standardit vetë. Roli i gjuhëtarit është të studiojë cilat keqpërdorime të kodit vijnë si rezultat i kulturës së mangët gjuhësore e cilat rrjedhin prej pasaktësive apo njëanshmërive të vetë standardit. Dhe tek e mbrama, roli i gjuhëtarit është të mos i qepet thjesht e vetëm një varieteti gjuhësor, sic është Standardi, por krejt trashëgimisë gjuhësore amtare dhe madje të gjejë shtigjet si ta derdhë atë në kompetencën dhe performancën e përdoruesve të asaj gjuhe. Për këtë lypet një edukim gjuhësor demokratik e pa kurrfarë paragjykimi. “Linguista sum, linguistici nihil a me alienum puto” – kjo moto e Jakobsonit në fakt ka vlerë për gjuhëtarin apo shkrimtarin po aq sa betimi i Hipokratit për mjekun.
Si përfundim, ku duhet kërkuar pra rivlerësimi i shqipes? Te një politikë e përtërirë gjuhësore e te një didaktikë krejt e re e saj ndër shkolla. Ç’vlerë ka nëse papagallohen përmendësh poezitë e Migjenit, Çajupit, Fishtës e Mjedës, apo përkthimet e shndritshme parastandarde të Shekspirit a Dantes, bërë nga Fan Noli e Pashk Gjeçi, nëse forma e tyre gjuhësore, pra shqipja e traditës, nuk përvetësohet e nuk frymëton te nxënësit e shkollave tona? Me këtë didaktikë atavike gjuhësore që kemi nuk ka si të frymëtojë pasi ajo nuk edukon me shumllojshmërinë dhe nuk nxit ushtrimin e shumllojshmërisë, siç kërkonte dikur Xhuvani i urtë. Dhe po u vijua kështu edhe do kohë, po koha do të vërtetojë drojen e Ardian Vehbiut, i cili duke kritikuar mësimdhënien e mefshtë e të mangët të shqipes nëpër shkolla, shkruante se: “nuk do jetë e largët dita kur nxënësit do pandehin se Gjergj Fishta ka qenë bashkëkohës i Skënderbeut”.
Qëllimisht letërshkruesit, e ndoca të tjerë si ata, duan ta fokusojnë rrejshëm debatin te revanshizmi krahinorist i ndonjë elementi ekstremist që fshihet në nevojën mbarëkombëtare për rishikimin e rregullave të drejtshkrimit. Askush nga gjuhëtarët profesionistë, brenda a jashtë Shqipërisë nuk kërkon as më të voglin revanshizëm krahinorist në standard (krim që në fakt e patën bërë po ata që sot akuzojnë), askush pra! Por të kërkosh ta mbash mbyllur me çdo kusht standardin, don të thotë ta lesh shqipen një gjuhë thjesht në letër. Dhe nuk ka asnjë metodë shkencore që t’i mbështesë ata në këtë paudhësi kombëtare. E meqë e kanë braktisur me vetëdije shkencën, duke vijuar në ecjen e tyre sui generis (e pat deklaruar vetë Kostallari më 1973-shin), sot po kërkojnë sërish të mbijetojnë nën sqetullën e politikës. Veçse me këtë gjest suicid ish-gjuhëtarët tanë kanë asgjësuar vetveten, pasi ndër misionet parësore që ka gjuhëtari është që me shkencën e vet ta mbrojë gjuhën nga çdo ndërhyrje politike a ideologjike.
gazetatema.net

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.