back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fashizmi Dhe Fryma Shqiptare – Vangjel Koça

Gazeta

Fashizmi Parathania nga Vangjel Koça
Fashizmi dhe Fryma Shqiptare 1940

Fashizmi dhe Fryma Shqiptare

Parathania nga Vangjel Koça

Vendi ynë është një lëmsh i ngatërruar problemesh: problem moral, problem mendor, problem politik, problem shoqëror, problem kombëtar. Këtë lëmsh të ngatërruar problemesh ia kemi hua robërisë pesëshekullore otomane, e cila nuk është shkulur akoma nga shpirti e nga mëndja jonë. Ka shtirë rrënjë të thella në nënndërgjegjen shqiptare dhe dikush e di se sa duhet të luftojmë akoma me veten tonë që të fitojmë ndërgjegjen e vetes sonë.
Arritëm të bëhemi Shtet me vete, duke qenë Kombësi e jo Komb. Kombësi: gjak, gjuhë, tokë. Jo Komb: bashkim shpirtëror. Është e vërtetë se historikisht Shteti është formuar përpara Kombit. Po në kohën që u bëmë në Shtet, puna kish ndrruar. Që të mos largohemi nga Ballkani ynë, historia na thotë se Shtetet Ballkanike para se të bëheshin Shtete ishin më parë Kombe. Si të tillë, si Kombe, u ngritën kundër Turkut dhe u çkëputën prej tij. S’ka fjalë se edhe ne Shqiptarët nga Lidhja e Prizrenit e tëhu nisëm të bëhemi Komb dhe në ditën e madhe të 28 Nëndorit 1912, arrijtëm me përparime të shënuara në këtë udhë. Po Shteti Shqiptar, në vend që ta shpejtojë këtë proces, e ngadalësoi tepër, herë-herë e qëndroi, herë-herë e prapsi. E dëshmon tragjedia shqiptare, që nisi nga ‘12-a e tëhu dhe arriti kulmin e saj në 15 vjetorin e fundit, 1924-1939. Nënndërgjegja shqiptare çeli fytin e mizerjevet tona pesëshekullore, që na zvarrisën në vallen e madhe e të skëterrshme të jetës e të vdekjes.

Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)

“Një ideal, që realizohet kollaj, është si hiri në gojë”, ka thënë një teozof i madh i ditëve tona, Krishnamurti. Natyrisht një realizëm i tillë është pa rrënja, çduket nën barrën e realitetit të ngrirë, lyp therorira të vërteta, të gjata, të paprera, që të vaditin pareshtur rrënjët, të rritin pemën e Idealit e ta mbajnë lart në këmbë përgjithmonë. Këtë të vërtetë duhet të kemi kurdoherë para sysh në Shqiptarët, që na dhëmbet ky vend dhe e duam me tepër se veten tonë.
Ditën 7 Prill ‘39 historia shqiptare bëri një të kthyer të madhe. Shqipëria lidhi fatet e saja përjetë me Italinë, nën një Kurorë të bashkëtë, dhe mbeti Shtet Indipendent në kuadrin e Perandorisë Italiane Fashiste.
Duke patur për bazë këtë realitet historik: Shtet Indipendent dhe pjesëtar i vetë-vullnetshëm në kuadrin e Perandorisë, në Shqiptarët, nën udhëheqjen e ndritur të Mbretit – Perandor e të Duce-s, dhe me ndihmën morale e lëndore të Italisë së Madhe Fashiste, duhet të vazhdojmë udhën që kemi nisur këtu e 60 vjet më parë: të bëhemi Komb dhe ta bëjmë këtë Vend të qytetëruar e të lumtur, se kështu t’i shtiem Shtetit tonë themele morale e lëndore të forta e të patundura. Në jetën e Shteteve e të Kombeve, që meritojnë dhe kanë vendosur të rrojnë, përpjekjet mund të ndërrojnë forma sipas kohërave dhe rrethanave historike, po qëllimi mbetet një dhe i pandërruar: forcimi dhe lulëzimi i Shtetit e i Kombit. Për fatin tonë të madh dhe për nder të Italisë se Madhe e të Forte, Mbreti-Perandor, Duce-ja dhe Njerëzit që i përfaqësojnë këtu në Shqipëri na e kanë thënë dhe na e kanë përsëritur shumë herë se, brenda kuadrit të Perandorisë së Re, Shqipërinë duan ta shohin shtet më vete të qytetëruar edhe Komb të lumtur e të lulëzuar. Pra, tani puna është në dorën e ne Shqiptarëve që të vazhdojmë udhën e madhe të realizimit të Ëndrrës sonë të Madhe, që është Shqipëria jonë Indipendente e madhe dhe e përparuar.
Një të tillë Shqipëri të nesërme po përpiqet të përvijësojë edhe Lazër Radi: në këtë vepër të tij të parë, që është edhe vepra e parë në lëmin “kulturës politike në Vendin tonë. I ri dinamik vetë, me kulturë dhe intuitë për të çmuar, ka përvetuar frymën dinamike të Kryengritjes fashiste dhe këtë frymë po përpiqet ta fusëj në realitetin shqiptar. Për ne Shqiptarët Fashisma mund të jetë një shkollë e madhe nacionalizme dinamike, sepse Fashizma, bashkë me anët e saja të përbotshme (korporativisma), është një doktrinë kombëtare shumë e flaktë.
Nuk mund të thuhet se Lazër Radi e ka përballur problemin shqiptar në tërësinë e tij të shumanshme, po mjafton vetëm një sy në tryezën e lëndës që të bindet njeriu, se shkrimtari i ri ka ngajtur shumë probleme tepër interesante të jetës shqiptare. Dhe këto probleme i ka rrahur me një stil, që tregon talent e kulturë, dhe me një pamje, që e nderon moshën e tij shumë të re. Përveç këtyre, Lazër Radi ka dhe një meritë tjetër: siç thashë edhe sipër, i fal kulturës politike shqiptare veprën e saj të parë, vepër që del nga një përballje e medituar e problemeve shqiptare ne sheshin e realitetit historik.
Bashkë me trajtimin teorik të këtyre problemeve, intereson edhe zgjidhja e tyre praktike me përpjekjen edhe të neve Shqiptarëve. Djalëria nacionaliste shqiptare – dhe ka një djalëri të vërtetë nacionaliste – le të bashkojë thellë në shpirtin e saj të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen në një tërësi të paçqitur, edhe me disiplinë të brendshme, me ndërgjegjen e detyrës e të përgjegjësisë, me frymë heroike, me ndjenjën e realitetit, le të shkojë përpara dhe le të përpiqet të realizojë idenë krijimtare shqiptare me frymën dinamike fashiste.
“Jeta – ka shkruar një italian i madh, Orioni – ka nevojë për një të përpjetë të paprerë”. Një e vërtetë, jo vetëm për individin, po edhe për Kombet. Një Komb, që nuk vazhdon të ngjitet përpjetë po qëndron në vend, vdes. Vullneti i ngjitjes përpjetë e shpie Kombin në realitetin e jetesës së ndërgjegjshme edhe e bën personalitet të gjallë, subjekt dhe jo kujtim të historisë. I tillë subjekt – jo kujtim i historisë – duhet të bëhet dhe Shqipëria jonë, Shtet me vete në kuadrin e Perandorisë Fashiste.
Vangjel Koça

Related Images:

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.