back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fati i dy intelektualëve dhe jo vetëm i tyre Vasil dhe Petraq Xhaçka – nga Gazmend A. Bakiu

Gazeta

Petraq Xhaçka
Petraq Xhaçka

Fati i dy intelektualëve dhe jo vetëm i tyre

Vasil dhe Petraq Xhaçka

nga Gazmend A. Bakiu 

-Në vitet ‘30 e deri në gjysmën e parë të viteve ‘40, letërsia, publicistika, periodikët, përkthimet, letrat shqip në përgjithësi arritën në zenit. Regjimi i kohës nuk kishte angazhim ideologjik dhe kjo rezervonte mjaft liri. Ato vite shënuan një diversitet të paparë në letrat shqipe, ndërsa autorët, shkrimet dhe veprat e tyre përbënin një mozaik, pak të imagjinueshëm sot. Françeskanë, jezuitë, ortodoksë, muhamedanë dhe laikë trajtonin tema nga më të ndryshmet. Kishim: Fishtën, Prennushin, Frashërin (Mit’hatin dhe Mehdiun), Poradecin, Koliqin, Floqin (Kriston dhe Thanasin), Haxhiademin, Merxhanin, Dalliun, Xoxën dhe shumë e shumë të tjerë që u kërkoj ndjesë që s’po i përmend. Asokohe u përkthyen për herë të parë vepra nga Hugo, Tolstoy, Çehov, Daudet, Maupassant, Remarque, Wilde, Chateaubriand, Dumas etj., madje edhe Rouseau e Shopenhauer.
Për fatkeqësinë e këtij vendi, e gjithë elita intelektuale e para 1945-s pati pak a shumë të njëjtin fund tragjik. Zakonisht, pushkatimin ose burgun dhe në raste fatlume mënjanimin. Mirëpo regjimi i vjetër nuk u mjaftua me kaq. Jo vetëm që ngriti “inteligjencien” e re fshatare, por varrosi edhe veprat e elitës së vërtetë. Librat e saj ishin të ndaluara, të groposura ne fondin e rezervuar të “Bibliotekës Kombëtare”, të padisponueshme për lexuesit dhe mjerë ai që i gjendej ndonjë vepër “e reaksionarëve” në shtëpi. Libra, revista, gazeta dhe fotografi pa numërim u dogjën, u grisën ose shkuan për karton.
Pas vitit ‘90 kemi pasur një ringjallje të vagët të autorëve që iu fshi jeta dhe vepra, nëpërmjet ribotimeve, studimeve apo dokumentarëve, por këto kanë qenë krejt të pamjaftueshme. Kultura e masës së gjerë popullore mbetet ajo që regjimi i kaluar injektoi me propagandën e tij të pashembullt, e cila ka jehonën e saj edhe sot kur sulmohen personalitete, që etiketoheshin posaçërisht “armiq” apo “tradhtarë”.
Përgjithësisht, në “Wikipedia” apo në artikuj të ndryshëm ju mund të lexoni ndonjë biografi të shkurtër, herë të saktë e herë të cunguar dhe të pasaktë, për autorët e atyre viteve. Edhe një foto përkatëse mund të gjeni. Mirëpo, autorët e varrosur janë shumë dhe lista është e gjatë; jeta dhe vepra e tyre, mbetet akoma në errësirë. Sidoqoftë, unë desha të përmend këtu një autor thuajse krejt të harruar. Ai është Vasil Xhaçka dhe do t’ju flas për të nëpërmjet botimeve të tij.
.
Librat e Ndaluar nga Komunizmi mes tyre edhe Vasil Xhaçka
Librat e Ndaluar nga Komunizmi mes tyre edhe Vasil Xhaçka

Vasil Xhaçka

Në vitin 1928, Vasil Xhaçka ishte drejtor i revistës “Ora”, ndërsa pronari ishte C. A. Chekrezi, por arritje e madhe është revista e përjavshme “Vatra e Rinis”, 1933-‘39, ku ai ishte drejtor dhe pronar. “Vatra e Rinis” ishte revistë “për djem dhe për vajza”, pra për rininë, e para e këtij lloji në Shqipëri. Mirëpo, Vasil Xhaçka ishte edhe shqipërues dhe autor i shumë librave, të cilat mund t’i ndajmë në dy grupe.
Në vitin 1934, Xhaçka përktheu një cikël pjesësh policeske, zhanër në modë asokohe, të cilat u botuan në një seri prej 11 numrash me 30 faqe secili. Autorët ishin Conan Doyle dhe G. Potier, ndërsa titujt ishin: “Vrasësi misterioz”, Nr.1; “Gracka e vdekjes”, Nr. 2; “Al Kapone dhe kontrabandistja e bukur”, Nr.3; “Spiunët”, Nr.4; “Njeriu i errësirës”, Nr.5; “Çeta e të treve”, Nr.6; “Makina e vdekjes”, Nr.7; “Për një milion dollarë”, Nr.8; “Fantazma e kuqe”, Nr.9; “Dhoma e përgjakun. Hakmarrja e egërt”, Nr.10-11. Të fundmet pjesë nga ky cikël janë librat “Skandali i Bohemisë” nga Conan Doyle dhe “Shoqnija kontrabandiste” nga Gloria Scott (1939).
Grupi i dytë i librave të Vasil Xhaçkës ishin botime me tema qytetarie dhe titujt flasin vetë: “Shoku i familjes” (1935) të cilin e ribotoi të përmirësuar me titullin “Miku i Familjes” (1944), ku përfshiu edhe receta gatimi; “Si t’i rrisim fëmijët. Familja dhe shkolla” (1937); “Ç’duhet të dijë çdo i ri”, përkthim nga Sylvan von Stahl (botuar më 1936 dhe më 1939); “Si të flasim dhe si të shkruajmë (Letra, shkresa tregtare e zyrtare etj.)” (1938). Kjo seri librash mbyllet me “Anektoda të Nastradin Hoxhës” (1944).
Por pa dyshim, vepra që i ka rezistuar kohës më shumë nga të gjitha është “Kalendari enciklopedik”, të cilin e botoi çdo vit për 12 vjet rresht, nga viti 1933 deri në vitin 1945. Mit’hat Frashëri pati botuar “Kalendarin Kombiar” në vitet 1897-1916 dhe 1926, 1928; jezuitët kanë botuar “Kalendarin” në vitet 1912-1927, por “Kalendari enciklopedik” 1933-1945 i Vasil Xhaçkës arriti një nivel të ri. Ai ka informacione interesante e të vlefshme; është një vademekum kulturor për çdo vit kalendarik, frut i një pune të kujdesshme, duke qenë nga më të mirët e këtij lloji. Vetëkuptohet se pas vitit 1945, botimet Vasil Xhaçkës ndërpriten dhe vepra e tij groposet si për gjithë elitën e kohës. Por një gjë e pazakontë kish ndodhur: ai arriti të botonte në vitin 1958, një libër për fëmijë me 36 faqe: “Kopshtari plak. Përralla dhe tregime”.
Në socializëm e kishin lënë pa punë dhe merrej me përkthime. Kishte kontribuar në luftën ndaj okupatorit dhe djalin e madh e kishte pasur partizan. Një episod të shkurtër me të na ka treguar Beqir Ajazi te libri i tij “Nga Shkaba me kurorë te Drapëri me çekan”, Tiranë, 2000. Thuhet se pati shkruar edhe një artikull kundër privilegjeve të kastës komuniste, por artikullin nuk kam mundur ta gjej.
Për Vasil Xhaçkën kam gjetur veç një fotografi gazete. Munda të marr vesh se kishte lindur më 1895, por jo kur kish vdekur. Ai kishte pasur katër fëmijë (dy djem dhe dy vajza), por midis tyre dallon djali i vogël Petraqi.
.
Pjesë nga vendimi i dënimit të Petraq Xhaçkës
Pjesë nga vendimi i dënimit të Petraq Xhaçkës

Petraq Xhaçka (1932-2004)

Petraq Xhaçka kreu studimet në Bashkimin Sovjetik, në Institutin “Gupkin” të naftës në vitet 1955-‘59. Ai ishte tipi i intelektualit që s’ka të bëjë me inteligjencien false fshatare të regjimit komunist dhe është indicie që edhe në atë kohë të errët ka pasur njerëz që vlenin, jo vetëm moralisht por edhe intelektualisht.
Petraq Xhaçka ishte doktor i Shkencave Gjeologjike dhe falë zotësisë së tij ka pasur drejtimin teknik, kryesisht të shërbimit gjeologjik të naftës dhe të gazit në Shqipëri, në vitet 1960-‘83. Kishte botuar dy libra për Fakultetin e Gjeologjisë: “Njohuri mbi gjeologjinë e naftës dhe të gazit” (1972) dhe “Gjeologjia kontinentale e naftës dhe e gazit. Metodat e llogaritjes së rezultateve të naftës dhe të gazit” (1982).
Ne do të dinim shumë pak ose aspak, për Petraq Xhaçkën nëse ai 6 muaj përpara se të vdiste nuk do të botonte librin: “Kalvari i një intelektuali. Kujtime nga Ferri i Industrisë së naftës, kur Sigurimi i Shtetit ndiqte pas si hije naftëtarët.” (2004).
Në këndvështrimin e historianit, memuaret janë burimet më të diskutueshme dhe që duhen marrë gjithnjë me rezervë duke i shoshitur. Mos vallë, autori që shkruan kujtimet na gënjen, do që të paraqesë në dritë pozitive veten apo ka memorie kreative?! Kemi plot shembuj të tillë, por në rastin e Petraq Xhaçkës këto dyshime në tërësi nuk qëndrojnë. Përkundrazi, ndihet ndershmëria në rrëfim.
Ai na ka treguar përndjekjen dhe tmerrin e njerëzve që punonin në nxjerrjen e naftës. Duke qenë se është arrestuar më 6 mars 1986 dhe është liruar më 29 mars 1991 dhe duke lexuar torturat që ka pësuar së bashku me “grupin armiqësor, sabotator, që donte të përmbyste regjimin popullor”, ne kuptojmë se asgjë nuk kishte ndryshuar nga regjimi i Enverit në periudhën e Ramizit. Por rrëfimi i tij është më gjithëpërfshirës se historia personale. Përpara nesh, veç hetuesve xhelatë e injorantë të pashpirt që i përmend me emër, parakalojnë Mehmet Shehu, Hekuran Isai, Rrapi Mino, Qemal Lame e të tjerë. Na tregon ndër të tjera se si Enver Hoxha “zbulonte” naftë, se si Prokurori i Përgjithshëm jepte “fjalën e nderit”, se si zhvillohej hetuesia dhe të dënonte gjykata dhe “takimin” me kryetarin e Hetuesisë se Përgjithshme në burg, më 1987. Kjo më ka mbetur në mendje dhe desha ta përmend.
Pasi sigurimsat e kishin torturuar, rrahur dhe masakruar, e kishin shtrënguar Petraq Xhaçkën të pranonte akuzat “për sabotim, grup armiqësor për të përmbysur pushtetin popullor, si poliagjent” etj., vjen dhe e takon Qemal Lame në burg, duke i thënë që ishte gjë e mirë që kishte pranuar dhe se duhej të vazhdonte shtjellimin e ngjarjeve dhe të tregonte të gjitha nyjet e “aktivitetit armiqësor”. Petraqi i thotë se i ka pranuar akuzat e rreme nga torturat ekstreme dhe se asgjë s’është e vërtetë. Përgjigja e kryehetuesit ishte:
“Urdhëroj që ndaj të arrestuarit Xhaçka të përdoren të gjitha llojet më të rënda të torturave që kemi, derisa ai të pranojë e të mos i kundërshtojë më akuzat tona!” (P. Xhaçka, Kalvari i një intelektuali, Tiranë, 2004, f.250.)
Në përfundim të hetuesisë që zgjati 10 muaj dhe të gjyqit që zgjati vetëm 5 ditë (5-10 janar 1987), Petraq Xhaçka dënohet më 10 janar 1987, me 25 vjet burgim, së bashku me katër kolegë të tjerë. Ishte nga të fundit të burgosur politikë që u liruan më 29 mars 1991, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991.
Petraq Xhaçka kërkoi ribërjen e procesit gjyqësor dhe mori pafajësinë në vitin 1992. Pas kësaj emigroi në SHBA, ku edhe vdiq 6 muaj pasi botoi librin që përmendëm më lart (2004), me anë të të cilit na bëri të njohur historinë e tij dhe jo vetëm të tij.
.
Marrë nga Gazeta Shqiptare 02.02.21
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.