“Fausti” i Pashko Gjeçit vjen pas 40 vjetësh
Dyzet vjet pas shqipërimit nga Pashko Gjeçi, “Fausti” i Gëtes vjen si një botim më vete.
Prej gati 10 vjetësh, ky libër priste të botohej. U përgatit njëherë,
por duke qenë se kishte nevojë të punohej sërish, u ripa edhe njëherë nga Ledi Shamku Shkreli,
e cila u kujdesur për këtë botim. Brikena Çabej e ka parë e dëgjuar Gjeçin të flasë për këtë libër.
Përktheu vetëm pjesën e parë, por edhe më të vyerën. “Me babanë dhe vëllanë tim,
Pashku kishte shumë miqësi. Ishte i veçantë. Vëllai e hodhi, e korrigjoi për herë të parë,
e kopjoi disa herë deri sa nxori kopjen e pastër të atij shkrimi. Ishin vitet ’60-’68.
Për një periudhë më të gjatë, megjithëse fëmijë, kam dëgjuar shumë për të.
Kam dëgjuar komente që bëheshin në shtëpi nga im vëlla, im atë e Pashku, tregon Brikena Çabej.
Marrë nga Gazeta Shqip 15.11.2008
,
Përkthimi i shpëtuar i Pashko Gjeçit
Elsa Demo bisedon me Ledi Shamku Shkreli
“Faust” 40 vjet pas përkthimit në shqipe nga Pashko Gjeçi. Fati i dorëshkrimit, qarkullimi nën dorë, refuzimi nga “Naim Frashëri” dhe sheshimi i gegërishtes në standard. Ledi Shamku-Shkreli, e cila ka bërë redaktimin dhe restitutio texti, jep edhe një vështrim krahasues me përkthimin në standard të Luarasit.
***
-Përse “Faust” dhe jo “Fausti” siç e njohim titullin e poemit dramatik deri më sot? Është pyetja që e parë që iu drejtua Ledi Shamku-Shkrelit, gjuhëtarja që është marrë me një teknikë të veçantë redaktimi, restitution texti quhet, që ka kërkuar ky “Faust” i Goethe-s, i përkthyer nga Pashko Gjeçi, i fjetur për 40 vjet që nga prurja në gegërishte. Pikërisht tek gjuha e Gjeçit, që e ka për natyrë pashquarësinë e emrave, rri përgjigja.
Siç do ta shohim në këtë intervistë informuese mbi fatin e përkthimit dhe redaktimit dëmtues që i është bërë veprës në kohë, gjuhëtarja hedh edhe një vështrim krahasues në mes “Faust” të Goethe-s (Gjeçi) dhe “Fausti” i Goethe-s (Skënder Luarasi). Përkthimi i të parit transmeton natyrshëm këmbënguljen e Gjeçit për të ruajtur një tipar me peshë në artin e Goethe-s, të quajturin “femërorja në art”.
Pas sa kohësh vjen ky përkthim i “Faustit” të Pashko Gjeçit dhe a kemi të bëjmë me një përkthim të ri? Në radhë të parë, nuk kemi të bëjmë me një përkthim të ri, por me një shqipërim të viteve ’60, i cili për rreth 20 e ca vjet mbeti në raftet e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, pasi regjimi nuk pajtohej me idenë e botimit të një vepre në gegnisht. Mbas shembjes së përmendoreve fetare në Shqipëri, perëndoi edhe koha e “tolerancës” që u bëhej korifejve të mëdhenj të letërsisë gege.
E megjithatë, edhe pas nëntëdhjetës, mjerisht kjo vepër mbeti pa u botuar për rrethana të tranzicionit. Por ndoshta ky botim kaq bibliofilik që pa tash dritën e justifikon në njëfarë mase këtë vonesë. Në fakt do doja me shtue se ky përkthim po pritej me interes të posaçëm nga rrethet e elitave të Tiranës m’atë kohë.
Eqrem Çabej e pat lexuar manuskriptin dhe i biri (që për fat të keq nuk rron më) bëri krejt daktilografimin dhe korrektimin e dorëshkrimit të Pashko Gjeçit. Fragmente të këtij boceti, ku mbi dorë e ku nën dorë, lexoheshin e komentoheshin asokohe duke shijuar eufoninë, metrikën dhe artin e një Goethe-je që fliste më shqip se shqipja zyrtare.
Pra bëhet fjalë për një përkthim, i cili e sheh dritën e botimit me një vonesë 40-vjeçare dhe ndoshta pikërisht për këtë bëhet edhe më i çmuar për brezin tonë, i cili pati fatin e rëndomtë ta shijonte Faustin veç në një standard të thatë. E mbaj mend këtë fakt në bangat e gjimnazit kur mësuesja e letërsisë tërhiqte vëmendjen e një nxënësi duke i thënë “Dridhu mor djalë se po reciton Faustin e Gëtes”. Por me atë përkthim nuk më dukej se kishte gjë për t’u dridhë, veç ndoshta asociacionit që krijonte kjo vepër e madhe e letërsisë botnore.
.
A ka të njëjtën histori sakrifice edhe kjo punë titanike e Gjeçit? Natyrisht, ky është një përkthim i madh, një ndër ato përkthime që do tingëllojnë gjatë ndër skenat dhe aulat shqiptare. Dhe si çdo gjë e madhe, besoj se është mbrujtë me shumë mund e kohë. Bisedoja me z. Çoçoli kohë më parë kur lindi ideja për të shkruajtur diçka rreth këtij përkthimi dhe provonim t’i imagjinonim skenat kur Pashku ynë rronte atbotë në një dhomë konvikti me një inxhinjer gjerman që punonte si konsulent në Shqipëri.
Mëngjeseve gjermani rruhej para pasqyrës, sa kur Pashku i kërkonte t’ia recitonte Goethe-n në gjuhë amtare për me i ndie tingllimin atyne vargjeve që po shqipëronte. Metrin e vargut ai mundej ta numëronte edhe në tekstin origjinal e mandej ta ruante në vargjet e shqipëruara, por zanimin s’kish si me e gjetë ndryshe.
E Pashku duhet ta ketë ditë fort mirë sa rëndësi ka të ruhet zanimi i origjinalit në përkthim. Duhet ta ketë dijtë doemos atë parakusht që Gjergj Fishta e shpreh me formulimin se “…përkthimi i njâjë vepre klasike, mbas mendimit t’em, ká shum analogì me të ráme nji zâni njâjë melodije me vegla të ndryshme muzikore”.
Thashë pra, që dorëshkrimi u zbardh në një fazë të parë nga Artan Çabej, por më pas me gjasë në vitet ’90 iu nënshtrua një redaktimi të nxituar, i cili sheshoi disa forma të shkodranishtes letrare në përkatësi hibride me ngjyresë standardizuese, duke dëmtuar inxhinjerinë strukturore të përkthimit dhe duke mpakur limfën gjalluese që kjo idiomë i jepte tragjedisë.
Ky ka qenë një moment i vështirë edhe për Pashkun vetë besoj, i cili ku me laps (me dyshim) e ku me bojë (këmbëngulës), pas këtij redaktimi u përpoq për t’mbramen herë të hiqte disa forma të standardit e të thjeshtonte një mori ë-sh të zëshme si fjala vjen ket e jo këtë, kerkoj e jo kërkoj, se kështu (apo kshtu?) ia diktonte zanimi i idiomës tij.
Në këtë pikëpamje redaktimi përfundimtar i veprës lypte heqjen e shtresave të mavonshme mbi digjitalizimin e viteve ’90 si dhe sondimin e korrigjimeve të bëra me dorë mbi daktiloshkrim për të nxjerrë s’andejmi substraktin origjinal dhe idiomatik të Gjeçit zanafillor.
Kjo teknikë redaktimi u krye me shumë skrupulozitet mbi bazën e metodikës që quhet Restitutio Texti; e për këtë posë Brikenës, konsulentes sime të paprajtshme, në gjithë këtë punë, jam konsultuar edhe me At Zef Pllumin, mik i kahershëm i Gjeçit, që m’sugjeroi me shkue n’Shkodër e me e lexue me zâ kët vepër atje “tue i vumun ré drejtshqiptimit e jo drejtshkrimit”.
Gjëra ksodore i saktësova edhe nga ballafaqimi me një kopje tjetër të daktiloshkrimit, të cilën me bujari ma pat dhënë e shoqja e Pashkut të pamundun.
Çfarë “të mira” na sjell ky përkthim? Pashko Gjeçi e mbërriti legjendën në t’gjallë të vet e për fat ai sheh sot edhe këtë botim, që për hir s’vërtetës, do thënë se përfaqëson një botim me bibliofilì të shënueshme. Ai është pajisur me ilustrimet e mahnitshme të Harry Clarke, të cilat munden me përcjellë edhe atë çka nuk duket në tragjedi. Kujtojmë këtu se Fausti i Goethes ka grishë ta ilustrojnë piktorë të mëdhej si Salvador Dalì apo Eugéne Delacroix.
Por risia më e madhe e përshfaqjes së Faustit është ringjallja traditës letrare gege që ky përkthim evokon. E kjo në rrafsh teknik. Ndërsa në rrafsh poetik, do mjaftohesha me përshtypjen që na ka lënë Çabej mbi këtë përkthim kur thoshte se “vende-vende ai del edhe më i bukur se Gëtja vetë!” E pra, risi më të madhe se kjo nuk mund të pritet. Di veç me thanë se jemi me fat që e kemi këtë përkthim në dorë.
Çfarë rezulton nga krahasimi stilistikor dhe gjuhësor i këtij “Fausti” nga ai Luarasit, së fundi edhe nga ai i Shpëtim Çuçkës? Versionin e Çuçkës nuk e kam lexuar, por përkthimi i Luarasit krahasuar me Faustin e Gjeçit natyrisht që lë shumë për të dëshiruar qoftë në pikëpamje të rimës e metrikës që mungojnë e qoftë në pikëpamje të gjuhës në të cilën ai na e përcjell këtë vepër. Porse përkthimi i Luarasit të njohur duhet gjykuar kontekstualisht, brenda kornizave në të cilat ai qe i shtrënguar të bënte këtë përkthim, para të cilit me thënë të drejtën do kish dështuar kushdo që do të zgjidhte standartin si mjet gjuhësor të bartjes në shqip.
Veprën e madhe poetike të Volfgangut Goethe, regjistri i acartë i standartit nuk mundet ta nxërë. E nëse Luarasit i njehet një mëkat, ky mëkat nuk vjen prej tij, por prej pamundësisë për të dalë nga kornizat e detyruara të kodit gjuhësor. Po jap këtu një shembull që e jepte vetë Çabej ku del qartë estetika e Pashko Gjeçit në raport me përkthimin ekzistues të mësipërm:
Në skenën kur vritet vëllai i Margaritës (a më saktë i Gitës, siç e quan Pashku, duke na cytë ksisoj ta imagjinojmë si një vajzë shkodrane), kjo e fundit, duke mbajtë vesh gjullurdinë në rrugë, pyet kush u vra. Në përkthimin e Luarasit gjejmë përgjigjen “I biri i sat’ëme”, pak a shumë fjalëpërfjalë si në origjinal.
Ndërsa Pashku të befason e të mrekullon njiherit kur gjegjet “Kush pat me ty nji nanë!”. Çabejt i kandej gjithnjë ta citonte këtë pasazh. E pas mendimit tim, kjo frazë e Gjeçit ruan edhe një tipar të rëndësishëm të artit të Goethes, të cilin kritika botnore e quan “femërorja në art”. Them që e ruan këtë tipar të qenësishëm goethian, pasi natyrisht “kush pat me ty nji nanë” është shumë më e brishtë dhe e butë se “i biri i sat’ëme” apo jo?
.
A mund të themi se “Fausti” duhej ta kishte këtë fat, atë të veprave madhore të letërsisë botërore, si “Komedia hyjnore”, “Iliada”, pra përkthimi në gegërisht? Askush nuk mund ta dijë fatin që e pret një vepër artistike veç orakujve të Dodonës në Çamërine e tutjetëhushme. Por fati i Gjeçit përkthyes është shtampuar tashmë me shkronja arit në historinë e letrave shqipe. E sikundër thotë shprehja e njohur se “nuk ka dy pa tre”, nuk kish si të mos vinte pas dy shqiprimeve madhore, Iliadës së Shllakut e Komedisë Hyjnore të Gjeçit, një i tretë shqiprim si ky që kemi në dorë.
Pse një parathënie në gegërishte nga ty? Nga kjo parathënie hoqa dorë në minutën e fundit, pasi m’u duk më e denjë që libri të mbante nji cekasë të Gjergj Fishtës, botuar enkas për këtë vepër, një ndër kritikat më të thukëta e më të bukura letrare të përshfaqura në shtypin e viteve ’30. Ndërsa shkrimin tim mendoj ta botoj së shpejti në faqet e shtypit tuaj.
Do doja të shtoja diçka lidhur me pyetjen: ai shkrim nuk është në gegnisht në kuptimin klasik të fjalës, por në regjistrin e ashtuquajtur substandart që përdoret në metropolin tonë e që e flasin një pjesë e konsiderueshme e të rijve kryeqytetas. Në çastin që ky lloj ligjërimi shkruhet, ka mjaft trajta të gegnishtes sikurse edhe të t’folmeve të tjera.
Thellë-thellë besoj që nga ky ligjërim ka me lindë në një të ardhme, ndoshta jo krejt të afërt, një standart i ri, i ndryshëm nga ai i ’72, si përfundim i vetvetishëm i proceseve alkimizuese që kryhen në Furrnaltën Gjuhësore të kryeqytetit.
.
Marrë nga Gazeta Shekulli 17.11.2008