back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Fejzi Alizoti – Komisari i Tokave të Lirueme Shqiptare nga Eugen Shehu

Gazeta

Fejzi Bej Alizoti (1874-1945)
Fejzi Bej Alizoti (1874-1945)

Fejzi Alizoti – Komisari i Tokave të Lirueme Shqiptare

nga Eugen Shehu

Fejzi bej Alizoti (22 shtator 1874 – 14 prill 945)

Kanë qenë me qindra e mijra bij të shqipes,
në shekullin e kaluar që ngase nuk patën mundësi shkollimi,
u larguan për në viset e largëta.
Lanë shtëpitë e shtrenjta, vatrat e dashura, prindërit e tyre
me dëshirën dhe shpresën e madhe
se një ditë do të ktheheshin patjetër
në dheun ku “balta asht më e ëmbël se mjalta”.
Se zogjtë e shqipes kurdoherë kur kanë ngarendur hapsirave,
shpirtin e kanë patur kurdoherë tek nana e vet…
Dhe nji nga ata ka qene edhe Fejzi Bej Alizoti, nga Gjirokastra…

Eugen Shehu
Eugen Shehu

Jeta e Fejzi Alizotit ngjau dhe u jetua pikërisht në këtë vazhdë trimërore të bijve të Shqipërisë. Fejzi Alizoti ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në qershorin e vitit 1874. U rrit në kujdesin e madh të prindërve, sidomos të Hasan Beut, të jatit, i cili nisi të mësonte Fejziut të vogël, mësimin e gjuhëve të huaja. Në krejt qytetin e Gjirokastrës, kjo familje ish e njohur, veçanërisht emër të mirë ka pasë lënë Alizot Pasha (gjyshi i Fejziut) i cili falë pasurisë dhe atdhetarisë ka pas ndihmuar mjaft patriotë të tjerë,në rrafsh të zgjimit dhe përhapjes së ideve kombëtare,në disa raste, familja e Alizot Pashës, pat kundërshtuar ashpër vendimet e Portës së Lartë lidhur me taksat që i viheshin shqiptarëve. Kur pat mbushur tetë vjet, Hasan Beu e dërgoi të birin në qytetin shqiptar të Janinës dhe e vendosi në një prej shkollave më të dëgjuara të qytetit. Qyteti i bukur, i banuar në masën mbi 90 përqind prej shqiptarëve, me liqenin e hijshëm me kalanë dhe legjendat për Ali Pashë Tepelenën, do të nxiste më tej fantazinë fëmijënore të Fejziut. Me urtësinë që e karakterizonte ai do të merrte këtu dijet e para në ç’rast do të formonte edhe idetë e para mbi rrjedhat e historisë së vendit të vet. Pas mbarimit me rezultate të larta të shkollës fillore, Fejzi Alizoti shkon në gjimnazin klasik të Selanikut ku edhe aty shquhet ndër shokë për vëmendje të thellë dhe rezultate konkrete në përvetsimin e dijeve. Truplartë, me një vështrim kurdoherë depërtonjës, jo rrallë në Selanik, Fejzi Alizoti do të mblidhte miqtë e vet shqiptarë duke shetitur aty në malin e vjetër të qytetit, do të ja merrnin këngëve trimërore të vendlindjes, ata që e patën njohur Fejziun, kanë treguar se ai kishte një zë mjaft të bukur. Pasi ka mbaruar shkëlqyeshëm gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1890, ka shkuar në Gjirokastër. Pas kësaj, ai është nisur për në Stamboll, në ndjekje të studimeve të larta, në bangat e Universitetit “Mylkije”. Edhe këtu u shqua për vullnet të lartë, me ç’rast ka marrë njohuri të thella në rrafsh të ekonomisë dhe administrimit civil. Stambolli i fundit të shekullit 19-të gjallonte prej shqiptarëve të cilët duke paraparë rrjedhat e ngjarjeve patën nisur të bashkoheshin në ide e mendime. Në këto rrethe patriotësh u përfshi edhe Fejzi Alizoti duke ecur në gjurmët e gjyshit dhe atit të tij. Ai ka qenë dhe mbeti deri në fund miku i shtëpisë së Naim Frashërit dhe veprën e këtij kolosi të Shqiptarizmës, bëri çmos jo vetëm ta vlersojë, por edhe ta përhapë në radhët e studentëve shqiptarë të Stambollit. Me komplimente të shumtë të autoriteteve të Universitetit, mbas përfundimit të studimeve të larta, Fejzi Alizoti dërgohet me shërbim administrativ në Siri. Plot tri vjet punë atje, bënë që emri i djaloshit nga Gjirokastra të dëgjohej deri në zyrat e larta të perandorisë. Për këtë “Në bazë të shërbimit të jashtëzakonshëm, të kryer me sukses, Fejzi Alizoti u gradua Prefekt në Humes të Tripolit dhe së andejmi përsëri me gradim u transferua në Bilesia të Azisë së Vogël” (Arkivi Qendror i shtetit -Tiranë. Fondi Këshilli Ministruer 1941, dosja 4, karakteristike e Fejzi Alizoti si Ministër Shteti).
Një prefekt i Perandorisë Osmane,vetëm 23 vjeçar, do t’i bënte nder më shumë atdheut të vet. Fejzi Alizoti u shqua ndërkohë jo vetëm si administrator i plotfuqishëm por edhe si atdhetar. Bashkëkombasit e vet, në Azinë e Vogël, do t’i ndihmonte jo vetëm me të holla e vende të mira pune, por sidomos me fjalën e ngrohtë, me dëshirën e tij se “kudo ku jemi, kudo ku jetojmë, mendjen duhet ta mbajmë gjithmonë se kur do të ikim në Shqipni, për t’i shërbyer asaj”.
Në vitin 1906, ai i dërgon një shkresë Portës së Lartë, ku e bën me dije për ç’është arritur në Bileciq të Azisë së Vogël, dhe në fund shpreh dëshirën se do të ishte tejet mirënjohës Portës, nëse e dërgonte me detyrë në viset shqiptare. Disa muaj më pas i përkrahur edhe nga disa miq të tij në Stamboll, Fejzi Alizoti emërohet me detyrën e prefektit të Korçës, me ç’rast gëzimi i tij ishte tejte i madh. Korça e viteve 1906-1907, askurrë nuk duhet nënkuptuar si një qytet i veçuar e vetëm piktoresk. Mendoj se nuk duhet haruar se këtu ishin ngritur të parat çeta të udhëhequra prej Sali Butkës, Qamil Panaritit, Bajo Topullit etj. Të mos harrojmë se në Korçë e rrethina pat filluar ajo lëvizje e madhe e shkollës shqipe me Petro Nini Luarasin dhe Gjerasim e Savasti Qiriazin. Të mos harrojmë gjithashtu se çetat e kaçakëve shqiptarë të Strugës, Resnjës e deri ato të Kërçovës, gjenin çerdhe të ngrohtë në qytetin e Korçës, kur përndiqeshin nga bashibozukët turq. Në pamundësi për t’u ndalur më gjatë në këto radhë për Fejzi Alizotin, unë vetëm mund të pohoj rolin e madh të tij në zgjimin e vetëdijes sonë nacionale. Nëse dita, këtij djaloshi të shkolluar, i shkonte në zyrë, në punët e prefekturës, netëve ai do të ishte kurdoherë në shoqërinë e patriotëve shqiptarë. Vendimet e komandës së lartë të Manastirit në disa raste, prefekti Alizoti nuk i pat pranuar. Këto lidheshin sidomos me ndjenjën dhe internimet e patriotëve shqiptarë. Mandej në disa raste, ka qenë Fejzi Alizoti i cili lajmëronte Çerçizin dhe Bajo Topullin për rreziqet që u kanoseshin nga xhandarmëria osmane. Në vitin 1908, turqit e rinj u përpoqën të merrnin pushtetin në duart e tyre dhe ja arritën kësaj duke deklaruar pos të tjerave edhe lejimin e disa të drejtave për popujt e prangosur të perandorisë. Pati shumë shqiptarë që përkrahën ardhjen e tyre në pushtet duke paraparë natyrisht një sërë reformash të domosdoshme në atdheun e tyre. Fejzi Alizoti ndërkaq, është emëruar pas konstitucionit turk, në detyrën e Prefektit të Prizrenit, në vitet 1908-1909, në këtë qytet, vetëdija kombëtare qe gjallëruar së tepërmi dhe këto ndjenja çdo ditë e më shumë po binin ndesh me veprimet e Turqve të Rinj. Duke qenë njeri i pjekur dhe me kulturë të thellë, duke u dalluar si administrator i aftë, Fejzi Alizoti u dërgua aty pikërisht për të gjetur një “të mesme të artë” midsi krerëve kryengritës në Kosovë dhe shtabit ushtarak të Portës së Lartë. Por kjo e “mesme e artë” askurrë nuk u gjend pse vetë Fejzi Alizoti, ishte rritur me shqiptarizmën e madhe me shpirt. Gjyshi e babai i vet patën luftuar kurdoherë për pavarsinë e Shqipërisë dhe vet Fejziu asaj kohe punonte e vepronte nën devizën: “T’i shërbejmë Turqisë, por jo aq sa të shkatërrojë interesat e nalta të kombit tim!”. Është kjo arsyeja që mjaft krerë të lëvizjes së armatosur shqiptare gjejnë prehje në Prizren, madje konsuj të huaj këtu bëjnë me dije se këta kryengritës, në mënyrë të fshehtë bashkëpunojnë me prefektin shqiptar të Gjirokastrës. Për më tej, Fejzi Alizoti doli hapur kundër ekspeditave ndëshkimore të Xhavid Pashës, i cili disa herë kërkoi bashkëpunim me prefektin e Prizrenit. Kur Xhavid Pasha pa tek Fejzi Alizoti një kundërshtar të vendosur, atëherë ai sigurisht ka bërë me dije Portën e Lartë. Kësisoj, me urdhër të Portës së Lartë, në marsin e vitit 1910, Fejzi Alizoti e len vendin e prefektit të Prizrenit dhe shkon në Stamboll. Ai pritet me dashamirësi aty ku autoritetet e larta, duke i fshehur qëllimin i thonë se e kanë larguar ngase do ta çojnë në Rumuni ku do të studiojë më tej për administrim të komunave. Pas gjashtë muaj kualifikimi aty Fejzi Alizoti shkon me detyrën e administratorit të qytetit Urfa në Azinë e Vogël. Lidhur me qëndrimin e tij si administrator, natyrisht që flasin gradimet e Portës së Lartë. Ndërsa lidhur me atdhetarinë e tij, unë do të përmendja ç’ka u tha në vitin 1941, në emërimin e tij si Ministër Shteti shqiptar: “Në Urf, të Azisë së Vogël, zoti Alizoti, çliroi nga burgjet atdhetarët shqiptarë, shokë të tij. Pastaj gjithnjë tue përfitue nga rrethanat, dhe i brymosur prej rrethanave ndërkombëtare, propozoi pranë qeveries së Stambollit dhe siguroi prej saj njohjen e gjuhës shqipe, që të mësohej në shkollat fillore. Gjithashtu siguroi që rekrutët shqiptarë të mos merreshin me shërbim ushtarak në vise të largëta si Jemeni dhe njëkohësisht që taksat lokale të pagueme nga populli shqiptar, të përdoreshin për nevoja të popullit”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Dosja Këshilli Ministruer 1941 , faqe 7).
Më pas me fillimet e luftës italo-turke (për sundimin e Libisë), Porta e Lartë e emëron Fejzi Alizotin, si guvernator i ishujve në Dodekanez. Këtu sigurisht, Fejzi Alizoti vendosi si kurdohere një rregull dhe admnistratë të përsosur duke siguruar jo vetëm qetësinë, por edhe begatinë e banorëve të këtyre ishujve. Nga ana tjetër ai ndiqte me vëmendje ngjarjet e rënda që patën pllakosur Perandorinë. Brenda këtyre ngjarjeve, Fejzi Alizoti në çdo mënyrë analizonte veprimet e lëvizjes kombëtare shqiptare duke u përpjekur t’u paraprinte atyre. Një letërkëmbim i shumtë, hedh dritë në faktin se prej ishujve të Dodekanezit, Fejzi Alizoti ishte i lidhur me mjaft atdhetarë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Stamboll, Sofje dhe Kostancë. Qe fatin e atdheut të vet, ai e sheh kurdoherë të lidhur ngushtë me veprën e atdhetarëve, e dëshmon edhe vajtja e tij në Shqipëri, si i dërguar i Turqisë ndaj rebelimeve të atdhetarëve në Jug të Shqipërisë. Populli i labërisë, duke paraparë masakrat e Xhavid Pashës në Kosovë, i revoltuar në kulm prej sjelljes së turqve të rinj të cilët rendën të mbyllin edhe ato shkolla e klube të pakta shqiptare, u mblodh në vendin e quajtur Cepo në Gjirokastër, duke dhënë besën për të rrokur armët e për të luftuar për autonominë e Shqipërisë. “Kryengritja e labërisë e tronditi aq thellë Turqinë, e cila dërgoi një delegacion nën kryesinë e Fejzi Alizotit, me qëllim që të qetsonte shqiptarët” (Arkivi qendror i shtetit – Tiranë, Fondi 270, dosja 49, fleta 62).

Gjirokastra viti 1943
Gjirokastra viti 1943

Pakkush ka besuar se Fejzi Alizoti ka shkuar në Labërinë e vet për të qetsuar gjendjen. Vajtja e tij në Gjirokastër u prit me entusiazëm të madh jo vetëm nga dashamirët e popullit, por edhe vetë atdhetarët shqiptarë. Fejzi Alizoti, duke u njohur nga afër me kryengritësit e punët e tyre, u përpoq të spjegonte rëndësinë e një bashkëpunimi më të madh të kryengritësve të Jugut me ato të Shqipërisë së Mesme e sidomos me trimat e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Ngase pat njohur burrat si Bajram Curri, Ded Gjo Lulin e Isa Boletini, kur ishte prefekt në Prizren, Fejzi Alizoti dërgoi prej kryengritësve të Labërisë dy-tre vetë të cilët do të jepnin mesazhin e bashkëpunimit në viset Veriore shqiptare. Dy javë qëndrimi në Labëri, bënë që biri i Gjirokastrës të çmallej sadopak me vendlindjen e vet të dashur e për më tej, t’u jepte fjalën gjirokastritëve se shumë shpejt, në rastin më të parë, ai do të kthehej aty, për t’u vënë në krye të punëve të lëvizjes kombëtare shqiptare. Dhe fjalën e mban. Menjëherë pas largimit nga Shqipëria, ai kërkon prej portës së Lartë disa kohë të shlodhet kinse është lodhur nga detyrimet e mëdha. E vërteta është se prej ishujve të Dodekanezit, ai le fronin e shtrenjtë të Governatorit, për t’u futur menjëherë në gjirin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Shkon në Konstancë të Rumunisë dhe vjen në kontakt me atdhetarët shqiptarë aty. Mbron në kuvende të shumta, tezën e luftës së popullit shqiptar për pavarsi, por gjithmonë çon mesazhin që me turqit të jemi të matur, me qëllim që prej fuqive të Portës së Lartë të përfitojmë sa më shumë, duke patur parasysh sidomos, agresivitetin e shfaqur prej monarkive ballkanike. Ka qenë pikërisht në Konstancë, në rrethet e shqiptarëve që mblidhnin ndihma në të holla për lëvizjen kombëtare, kur është ftuar të shkojë menjëherë në Shqipëri, prej plakut të Vlorës, Ismail Qemalit. “Mbas një telegrami që mori nga zoti Ismail Qemali, i cili ishte në dijeni të plotë dhe i dinte ma mirë se kushdo tjetër shërbimet e nalta por të heshtura të tij, Fejzi Alizoti erdhi në Vlorë…”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi “Këshilli Ministruer “ 1941).
Një udhëtim plot peripeci ka kaluar më pas Fejzi Alizoti për të hyrë në Shqipëri. Gjandarmët turq patën urdhëruar arrestimin ngase Perandoria Osmane e njihte prej kohësh influencën e vet në rrethet patriotike shqiptare. Me ndihmën e miqve të vet mund të hyjë ilegalisht në Gjirokastër e prej andej udhëton për në qytetin e Vlorës ku ishte ndërkaq qeveria e përkohshme shqiptare. Së pari aty merr takim me Ismail Qemalin e më pas takohet me personalitete të tjera shqiptare të cilët nuk munguan të shpallin përmes atyre rrebesheve, pavarsinë e Shqipërisë. Ngase njihet si ekonomist i zoti dhe personalitet i cili nuk mund të abuzojë me pushtetin që i jep popullit, caktohet nga Qeveria e Përkohshme shqiptare si ndihmës i parë i Ismail Qemalit për financat dhe problemet e tjera ekonomike. Menjëherë pas emërimit në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të financave, në kabinetin e Ismail Qemalit, biri i Gjirokastrës u vu në krye të punëve tejet të vështira. Shqipëria e sapodalë prej natës së gjatë osmane, jo vetëm trashëgonte një varfëri të skajshme, por edhe i mungonin elementet e domosdoshëm të organizimit të ekonomisë. Të gjithë e dimë tanimë, se askush nga Europa nuk e ndihmoi me të holla Qeverinë e Vlorës, përveç një grupi atdhetarësh nga Rumunia, Bullgaria dhe Amerika. Po të marrësh parasysh se që në ditët e para të punës së saj, Qeverisë së Përkohshme shqiptare, atëherë lehtësisht mund të kuptohen vështirësitë ekonomike të vendit. E vërteta është se me vullnetin që e karakterizonte, Fejzi Alizoti punoi asaj periudhe ditë e natë duke organizuar ekonominë shqiptare, madje duke përpiluar krejt aktet ndërkombëtare të qeverisë së Vlorës me vendet Europiane. Duke njohur nga afër burokracitë e mëdha të aparatit administrativ turk, si edhe mentalitetet e rrënjosura të shqiptarëve, Fejzi Alizoti bëri ç’ish e mundur të vendoste në administrimin e ekonomisë shqiptare, ligje të kohës dhe njerëz me mentalitete të reja. Një varg urdhërash e udhëzimesh të qeverisë së përkohshme, të karakterit ekonomik, të cilat janë të firmosura prej Ismail Qemalit, natyrshëm janë pregaditur prej Fejzi Alizotit, i cili në orët e vona të mbrëmjes i kalonte kurdoherë në shoqërinë e plakut të Vlorës. Për më tej, me insistimin e Fejzi Alizotit, iu dha një fond i konsiderueshëm, Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, e cila drejtohej prej Mehmet Pashë Derallës dhe merrte përsipër barrën e rëndë të mbrojtjes së kufijve shqiptare të kërcënuar prej serbo-malazezëve, bullgarëve dhe grekëve. Puna dhe veprimtaria atdhetare e Fejzi Alizotit, kanë zënë vend të veçantë në kujtimet e kryetarit të shtetit të parë shqiptar Ismail Qemali.
Në verën e vitit 1913, u duk sheshazi se Esat Pashë Toptani (i cili mbante postin e ministrit të ekonomisë shqiptare) pati bërë shkelje mjaft të rënda kundrejt programit të qeverisë. Ai mundi të abuzojë me disa fonde duke paisur me armë e veshmbathje disa reparte në Durrës me preteksin e rrezikut serb, por në fakt ai përgadiste dhe armatoste gardën tradhëtare të tijën. Kur ai doli hapur kundër Qeverisë së Vlorës, këshilli i Pleqësisë i Kuvendit historik, vendosi që financat shqiptare të lihen në dorën e Fejzi Alizotit, i cili me ç’rast u ngarkua me detyrën e Ministrit të Ekonomisë, edhe në këtë funksion ai dha prova ndershmërie e përkushtimi të thellë. Mendoj se është tepër interesante të njihet qëndrimi i Fejzi Alizotit në ardhjen e Princ Vidit, në vitin 1914. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrrollit i përbërë prej fuqive europiane, për të ulur sa më lehtësisht Princin në fron, kërkoi që Ismail Qemali, të paraqiste pranë këtij komisioni, dorëheqjen e vet të parevokueshme. Vetë Fejzi Alizoti, këtë rast e shpjegon më vonë, publikisht, ku pos të tjerave ai thotë: “Propozimin e komisionit internacional të kontrollit për dorheqje, Ismail Qemal Beu, me dy nga pjestarë të qeverisë, zotërinjtë Luigj Gurakuqi dhe Fejzi Alizoti vendosën ta pranojnë me konditë që për unifikimin e administratës, të hiqej edhe Esat Pashë Toptani nga qyteti i Durrësit. Komisioni e pranoi këtë propozim!”.(Fejzi Alizoti, Gazeta “Drita”, më 13 dhjetor 1936).

Fejzi Alizoti (1874-1945)
Fejzi Alizoti (1874-1945)

Nga viti 1914, e deri më vitin 1920, Fejzi Alizoti ka patur funksione të larta në admnistratat shqiptare që ja linin vendin njëra tjetrës. Ai kurrë nuk u kursye të vihej në detyrat e vështira të ekonomisë shqiptare, madje për shumë kohë ka marrë një shpërblim tejet modest, përballë funksioneve që kryente. Miq të tij në Stamboll i dërgojnë lajme se qeveria turke ka urdhëruar faljen e tij dhe i ka kërkuar Alizotit të shkojnë në Stamboll ku e presin funksione të larta shtetërore. Këtyre miqve, me plot respekt, Fejzi Alizoti iu shkruan se mjaft ka punuar në rininë vet për Perandorinë Osmane, tash e tutje, energjitë dhe aftësitë e veta, ai do t’ia falte Shqipërisë deri në vdekje.
Duke njohur aftësitë e mëdha të tij, qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës i vitit 1920, i jep atij detyra të rëndësishme në riorganizimin e sektorëve ekonomikë të vendit. Më tej, duke paraparë se ekonomia shqiptare do të kishte ndërthurje të shumta me interesat italiane, Fejzi Alizoti dërgohet në Romë si përfaqsues fuqiplotë i Shqipërisë. Periudha 1922-1925, do të jetë për Fejzi Alizotin në Romë, një periudhë e ngarkuar me punë mjaft voluminoze e të vështira. Por pjekuria e një ekonomisti dhe administratori të talentuar,bënë kurdoherë, në çdo firmë të hedhur, Fejzi Alizoti, të shihte se çfarë fitimi do të kishte populli i vet, pavarsia dhe e ardhmja e tij. Një numër i pafund letrash e telegramesh të viteve 1922-1925, të dërguara prej Alizotit në Tiranë, flasin për kujdesin e vazhdueshëm të tij në forcimin e ekonomisë shqiptare, si edhe atdhetarizmin për të mos lënë shtigje për keq interpretime politike. Gjithmonë i vetëdijshëm për resurset e mëdha natyrore të Shqipërisë, edhe në vitet e mëvonshëm kur punoi në Tiranë, Fejzi Alizoti u përpoq të organizojë e të planifikojë një ekonomi me karakter tërësisht kombëtar, ai ishte dhe mbeti armik i huave në para duke thënë shpesh kolegëve se shqiptari s’e ka patur traditë të lype borxhe.
Pushtimin fashist të 7 prillit, Fejzi Alizoti e priti me ndjenjën e thellë të revoltës si krejt shqiptarët. Duke qenë në dijeni të shumë traktativave ekonomike me Italinë, ai thirret të marrë përsipër, të drejtojë ekonominë shqiptare. Por Fejzi Alizoti nuk pranon. Ekonomisti me përvojë gjysëm shekullore nuk mund të viret nën tutele të italianëve. Ngase nuk pranon aty, e çojnë në verën e vitit 1939 në qytetin e Korçës, në detyrën e prefektit. Këtu rri vetëm 3-4 muaj. Në 28 nëntorin e vitit 1939, në Korçë organizohet një demonstratë shumë e madhe e nacionalistëve dhe rinisë korçare. Në krye të demonstratës ishte flamuri kuqezi i Skenderbeut si edhe disa të rinj të veshur me kostume kombëtare. Të nesërmen, gjandarmëria italiane në Korçë, arrestoi rreth 70 vetë dhe për këtë Fejzi Alizoti iu drejtua ashpër autoriteteve të larta italiane. Kur këta nuk e përfillën burrin shqiptar, atëherë Fejzi Alizoti dhe menjëherë dorheqjen si prefekt, me ç’rast ky akt u përshëndet prej nacionalistëve shqiptarë. Më 17 maj të vitit 1941, me vendim të Këshillit Ministror të Shqipërisë,vendoset: “Emnimi i zotit Fejzi Alizoti, Ministër Shteti, komisar civil i Qeverisë Shqiptare për të ushtrue në viset e Kosovës, Dibrës e Strugës, pushtetet civile qe i janë dhanun Qeverisë”.(Fletore zyrtare shqiptare, numër 85, datë 9 qershor 1941).
Menjëherë pas kësaj detyre, Alizoti,filloi të punojë me energji të pasura, ngase shihte të realizohej një prej ëndrrave të hershme të shqiptarëve, bashkimi i trojeve në një shtet të vetëm. Peja, Prizreni, Prishtina, Prehseva, Kumanova, Tetova, Gostivari e Struga, u bënë më pas kësaj date, vendet më të dashura për ekonomistin dhe atdhetarin Fejzi Alizoti. Si komisar i Tokave të Lirueme, ai e ndjen përgjegjsinë e madhe morale që kishte funksioni i tij, ndaj nuk u kursye të linte pas dore gruan dhe katër fëmijët në Tiranë, për t’iu kushtuar lulëzimit të viseve etnike Shqiptare.
Organizon kudo administratën shqiptare në këto treva që ende rënkonin prej dramës serbo-sllave, bullgare. Bashkëpunon ngushtësisht me patriotë të tillë shqiptarë si: Fuad Dibra, Ibrahim Lutfiu, Asllan Boletinin, Xhevat Kallajxhiun, Kadri Saliun, Jup Kazazin, Ernest Koliqin, Xhafer Devën, Xhem Gostivarin, Hasan Dostin, etj. duke u përpjekur si për vendosjen e rregullimit, ashtu edhe funksionimin e plotë të administratës civile dhe përhapjen e arsimit shqip në këto treva. Mbase nuk duhet harruar se veprimtarinë e tij të gjithanshme si Komisar i Tokave të Lirueme Shqiptare, ai e konceptoi kurdoherë të përbashkët me luftën e tij në parlamentin shqiptar të atyre viteve. Shtypi shqiptar i asaj kohe, duke u ndalur në figurën e Fejzi Alizotit, pos të tjerave theksonte; “Figurë politikani e provueme, i palodhur dhe energjik, ka lënë kujtimet më të mira gjatë karrierës së tij si përfaqsues i popullit. Fjalimet e tij në Parlament kanë lujtur kurdoherë një rol të parë… ka luftue injorancën dhe abuzimet për të shpëtuar me çdo mënyrë prestigjin e racës dhe ka përkrahun marrëvajtjen shoqnore ekonomike-financiare të vendit për t’i dhënë Shqipërisë ate hov e përparim, që lejon pozita e saj gjeografike, e shkuemja historike dhe vetë vlera e këtij populli të etun për naltësinë shpirtërore”.(Gazeta “Kosova”, më 18 korrik 1941).
Veçanërisht popullsia e Maqedonisë shqiptare, nuk do të harrojë ndihmesën e Fejzi Alizotit në forcimin e pushtetit shqiptar në këto treva. Me urdhër direkt të tij, në vendet kyçe të administratës së asaj periudhe, u vendosën shqiptarët e vërtetë,ata që ishin të zotë të udhëhiqnin por edhe të pafriguar nga propaganda maqedonosllave-bullgare. Në një prej tubimeve të Tetovës, ndërsa ra fjala për Shqipërinë etnike, Alizoti kumtoi: “Për mue, shqiptaret janë një, si ai në Prevezë ashtu edhe në Mitrovicë e Shkup. Tash që rrëzojmë gardhet që na vu Europa më 1913, duhet me u dashtë ma fort sho-shoqin e me u dal zot fateve qe na kanë trokitë”.Natyrisht tragjedia e madhë kombëtare që përfshiu shqiptarët në vitet 1944-1945, do të ishte edhe tragjedia e krejt komunistëve serbo-malazezë që kishin lëshuar metastazet e kancerit në Partinë Komuniste Shqiptare, nuk mund të prisnin as gjykimin e ftohtë dhe as vlersimin real të jetëve njerzore. Më parë se për jetët njerzore, ata mendonin për internacionalzmin proletar. Kështu në grupin e parë të “armiqve të pushtetit popullor” u projektua pos të tjerave edhe dënimi me vdekje i Komisarit Civil të Tokave të Lirueme Shqiptare, term i cili paradoksalisht, u fshi menjëherë prej klikës së Tiranës. Për rreth dy muaj, kryetari i gjyqit special të Tiranës, i drejtuar nga teneqexhiu-komunist Koci Xoxe, u mundua të hedhë baltë e të shpif sa të mundi, duke e akuzuar Alizotin në mënyrë nga më absurdet. Janë rreth 120 faqe pyetje-përgjigje ku pas çdo shpifjeje komuniste, del qëllimi i pastërt dhe i ndershëm i burrit nga Gjirokastra. Ndonëse në moshën gati 70 vjeçare, gjatë gjykimit, atë nuk e lanë të takohet asnjëherë, as me gruan dhe as me katër fëmijët e vet. Dënimin me vdekje e pret qetësisht.
Fjala e fundit e tij, është një aktakuzë e fuqishme ndaj komunizmit që pat plakosur Shqipërinë…

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Ndërsa këta burra të vyer të kombit e prisnin të qetë vdekjen, në sallën e kinema “Kosova” ku zhvillohej gjyqi, disa mjeranë thërrisnin të etur për gjak se donin t’i shihnin në litar “kriminelët”. Ndërsa shtypi i Tiranës shkruante: “Kryesia e këshillit Antifashist, në mbledhjen e pardjeshme, refuzoi kërkesën që kishin paraqitur 17 kriminelët e luftës, të dënuar me vdekje nga Gjyqi Special i Kryeqytetit. Pas rrëzimit të tij, mbrëmë në darkë,ora 19/19′, të 17 të dënuarit u ekzekutuan. Të ekzekutuarit janë: Fejzi Alizoti, Terenc Toci, Aqif Permeti, Gustav Murdez, Koço Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Beqir Valteri, Javer Hurshiti, Dik Cami, Isamil Golemi, Zef Kadarja, Tasim Bishqemi, Shyqyri Borshi, Daut Çarçani, Kol Tromara dhe Bahri Omari” (Gazeta “Bashkimi “ më 15 prill 1945).
Kështu kish nisur tashmë, në shtetin amë të binte nata e zezë e komunizmit serbosllav, e cila fuqishëm ishte i zgjatur dhe në tokat tashmë të pushtuara shqiptare nga serbosllavët, ajo natë e tmerrshme e trishtueshme për kombin tonë që zgjati jo ma pak se gjysëm shekulli.
Bern-Zvicër
Marre nga http://gazetadielli.com/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.