
Fëmijë të internuar…
nga Osman Kaceli
Kur pashë para një muaji, emrin e Keda Kacelit në listën e kandidatëve për deputetë në parlamentin shqiptar u bëra me krahë, mbasi e njoh shumë mirë prejardhjen e saj, e njoh mirë kapacitetin e saj, e njoh mirë përgatitjen, shkollimin, kulturën, që askush s’e ka në parlamentin tonë…
Por në listat e hapura paraprake të Partisë Demokratike, ajo humbi nga vetë demokratët… Edhe një herë që na u dha rasti të kishim njeriun e duhur përfaqësuesin tonë, u bëmë vetë pengesë…
Nuk donim mbesën e Jonuz Kacelit, atëhere ta gëzojmë mbesën e Beqir Ballukut…!!!
Më poshtë sjell një shkrim të Osmon Jonuz Kacelit, që flet për kohën e internimit të familjes Kaceli në Çorovodë, pas pushkatimit të babait të tij… Dhe jo vetëm babai i tij, por edhe 21 të tjerë, të gjithë në një gropë të përbashkët. Elita shqiptare në një varrezë masive. Çmenduria e kohës…
Faleminderit Osmon për shkrimin, faleminderit që ndan me ne ditët e hidhura të fëmijërisë suaj në internim, sot në përkujtim të ditës së parë të internimit.
Respekt për nënën tuaj heroinë, që me një tufë fëmijë u përball me vështirësitë e një jete të papritur në internim..
Respekt për familjen Kaceli…

Para 74 vjetësh…
nga Osman Kaceli
Ditë e premte, me datë 23 mars 1951. Ende nuk ishin mbushë tre javë nga dita që kishim mbrrijtë në Skrapar, vendin e internimit, në bazë të urdhnit të kryeministrit gjakatar: Enver Hoxha! Ishim sistemu me banim në nji magazinë xhamash, që ishte aneks i Prokurorisë, rreth 20 metra larg Policisë. Mbasi u njoftuem se neve duhet të sistemoheshim vetëm me nji banesë, ndërsa për jetesë, shteti duhet na siguronte vetëm punë sa për të nxjerrë bukën e gojës, Nona e Vera motra e madhe 17 vjeçare, u caktuen me punu në nji punishte të Kooperativës së Konsumit, e Berinën 16, e vendosën si pastruese në disa Zyra në sheshin përballë Policisë. Drita 13 vjeçare e unë 9 kishim fillue shkollën. Drita në klasën e shtatë, e unë në të katërtën. Gjyshja jonë e dashun 75 vjeçare, kujdesej për Mirin 6 vjeç e dy motrat, binjaket e vogla pak ma shumë se 3 vjeçare, Alaska e Dhurata!
Më kujtohet mirë që Xhajë Liu, i cili na përcolli deri në Skrapar, i la Nonës për jetesë 5000 lekë. Se çfarë mund të blenim me këto lekë përveç bukës, nuk jam në gjendje ta përcaktoj. Dij me siguri, që me shitje të lirë, sheqeri kushtonte 250 lekë. Merret me mend, se nëqoftëse nuk ishin maru, shumë pak lekë i kishin mbet Nonës, ose mo mirë Verës, e cila si me thonë, administronte ekonominë e shpisë.
Ato ditë, në sheshin pranë Zyrave ku do të punonte Berina, kishin ardhë dy kamjona ZIS, të ngarku me grunë, që ishin caktu për Skraparin, nga ndihmat që Bashkimi Sovjetik kishte pru në Shqipni, me rastin krizës së llahtarshme të bukës në ato kohë. Gruni në kamjonat nuk ishte vendos në thasë, dhe e shkarkunë me lopatë e me kova nëpërmjet nji dritareje, në nji dhomë të madhe, që komunikonte me dhomat që punonte Berina.

Ndërsa Nona e Vera vazhdonin punën në punishte, natyrisht nën survejimin, apo në rastin ma të mirë, nën kuriozitetin e puntorve të tjerë, Berina vu re se drejtuesi i atyne zyrave, atë ditë kishte ndryshu në nji farë mënyre, sjelljen e tij ndaj saj. Ai ishte nji invalid lufte hecte i shoqnum me dy paterica të mëdhaja, që i mbështeste në sqetulla. Quhej Marsel e ishte ndër njerëzit mo me influencë të Skraparit. U vishte mjaft mirë e me shumë kujdes. Berina nuk i kishte pranu “avancat” e tij, e i kishte thonë që nuk donte të punonte mo aty, por do shkonte të punonte së bashku me Nonën e saj. Me kto fjalë, e pa nji e pa dy, kishte dalë prej zyrës e fill e në “shpi”, tamon në vakt dreke. Gjyshja, Zyra Kaceli ( e Saldajve), me të msu motivin, që Berina ia kishte tregu me pak fjalë, me qetsi e me vendosmëni, i kishte dhonë të drejtë.
Po kështu vepruen edhe Nona e Vera me t’u kthy nga puna. Kuptohej që kjo sjellje nuk mbeti pa pasoja.
Të nesërmen e ksaj dite, ndërsa kto të dyja u paraqitën në punishte, nuk u pranuen në punë. I komunikuen se s’kishin mo nevojë për punë në Kooperativën e Konsumit. Menjiherë
Nona shkoi tek Policia, për me i njoftu kte lajm, ato i kishin thonë: “që javën tjetër do të punoni në N.Sh.N-ën e Beratit, që ka nji degë këtu në Skrapar!”
Që nga ajo ditë, Nonës (me nji ndërpremje tre vjeçare), Verës, Berinës (me shumë pak ndryshime të parandsishme) e tre muej mo vonë edhe Dritës, nuk i u nda puna e rondë fizike ose si quhet “e krahut”, deri në fund të jetës! Të mos harrojmë se kjo ishte e shoqnueme pa ndërpremje e në vazhdimësi, me nji përndjekje të egër e mizore.
Me këte rast, i kërkoj Presidentit të Republikës, që t’i akordojë nji nga medaljet ma të rëndësishme, shtetasve shqiptarë të maposhtëm:
1.Mereme Sali Tagani (Kaceli) (1911-1989) (postmortum),
2.Vera Jonuz Kaceli (1933-2007) (post mortum),
3.Berina Jonuz Kaceli (1935)
4.Drita Jonuz Kaceli (1938 – 1985) (post mortum)!
Theksoj se të katër shtetaset e masipërme, nuk kanë përfitu asnji shenjë mirnjohje, të çdo lloj forme nga shteti, shoqnia, farefisnija, apo ndonji institucion fetar apo bamirës!
Kam apo s’kam të drejtë?!
Osman Kaceli