Fëmijët e tyre dhe fëmijët tanë
nga Av. Xhafer Sadiku
Lulzim Basha ka thënë në një fjalë të tij
para një viti e gjysmë tekstualisht kështu:
“Partia Demokratike nuk është partia e ish-të përndjekurve politikë,
por klasa e të përndjekurve politikë
është shtylla kurrizore e Partisë Demokratike”.
Mua më pëlqeu ky formulim,
por nuk më pëlqen aspak, që, gjykuar nga listat,
PD po hyn në këto zgjedhje pa “shtyllë kurrizore”
Agron Tufa
Pasi u ke hedhur një vështrim listave të kandidatëve për deputet, kujtesa të kthen njëzetë e ca vjet të shkuara, në një debat në parlament. Për ata që nuk e mbajnë mend, apo kanë qenë fëmijë, debatin e ndezi një nga krerët e lartë të partisë që kishte lënë pushtetin. Tërë urrejtjen e derdhi mbi disa deputetë, ish të persekutuar politikë.
Në diskutimin e tij, njeri prej tyre, zgjodhi t’i përgjigjej me një togfjalësh të marrë nga romani “Viti ‘93” i Hygoit, të përshtatura për rastin në fjalë. Përafërsisht, ai tha se partinë e parafolësit dhe Enver Hoxhën do t’i mallkonin nënat që i la pa bij, gratë që i la pa burra dhe motrat që i la pa vëllezër.
U duk se fjalët e tij e vunë me shpatulla për muri kalemxhiun e regjimit të përmbysur, kur pa pritur u ngrit një nga “liderët e lëvizjes studentore” të dhjetorit. Të gjithë prisnin të “gjëmonte” siç kishte bërë deri atëherë, por opinioni mbeti i shtangur nga fjalët e tij. Ju nuk doni ta kemi pushtetin ne, tha, por nëse do ta kenë këta, ku do të venë fëmijët tanë?!
Ç’ta zgjasim… Vitet rrodhën si lumi… Ashtu si tha “lideri”, ashtu edhe ndodhi. Vota ishte jona, pushteti i tyre. Ata u pasuruan duke e kthyer atdheun në pronë. Edhe pushtetin e konsiderojnë si pronë, madje po ua trashëgojnë fëmijve. Kudo do të gjesh fëmijët e tyre… të pajisur me armët e kohës, injorancen dhe arrogancën.
Po fëmijët tanë?! Rrugëve të botës… pa të ardhme në atdhe. Se bijtë e “liderëve” zbatojnë porosinë e baballarëve: “armikun e klasës nën thundër e mbaj!”
Marre nga gazeta Minerva.