Fernando Pessoa nga “Libri i shqetësisë”
përkthye nga Gazi Bërlajolli
Me bashkëpunue, me u ndërlidhë, me veprue me tjerët, asht vetështytje metafizikisht shkatërrimtare. Shpirti, që i asht dhanë vetjes, nuk i duhet falë marrëdhanieve me tjerët. Fakti hyjnor i të qenit nuk i duhet nënshtrue faktit djallëzor të të bashkëqenit.
Në të vepruem me tjerët më humb nemose nji gja – me veprue vetëm.
Kur nënshtrohem, ani që ngjan se po zgjanohem, kufizohem. Me u shoqnizue asht me vdekë. Për mue, pos vetëdija jeme asht e njimendtë; tjerët më vijnë si dukuni të papërcaktueme në këtë vetëdije, e kish me qenë shkatërrimtare me u falë ndoj njimendësi tepër të vërtetë.
Carroku, që me kambëngulësi don me e ba të veten, i avitet ma ngjat Zotit, sepse don me qenë.
Ne të rritunve jeta na tkurret në lëmoshën dhanë tjerëve. Rrojmë të tanë prej lëmoshës së huej. E çojmë dam vetvetësinë ndër orgjitë e të bashkëqenit.
Gjithësecila fjalë e shqiptueme na tradhton. I vetmi ndërkëmbim i durueshëm asht fjala e shkruejtun, mbasi nuk asht gur në urën ndërmjet shpirtnave, por rreze e dritës ndërmjet yjeve.
Me sqarue asht mos me pasë besim. Krejt filozofia asht diplomaci nën njifarë përjetësie… Si diplomacia, gjà thelbësisht e rreme, që ekziston jo si gjasend, por tanësisht e kryekreje për nji qëllim.
I vetmi fat fisnik për shkrimtarin që botohet asht mos me e gëzue famën që e meriton. Por fati fisnik i vërtetë, i përket shkrimtarit që nuk botohet. Nuk po thom që nuk shkruen, se ky nuk asht shkrimtar. Po thom atij që prej natyre shkruen, po që prej tekeve shpirtnore s’e paraqet atë që shkruen.
Me shkruejtë asht me i mishnue andrrat, me krijue nji botë të jashtme për shpërblimin(?) e padyshimtë të natyrës sonë prej krijuesish. Me botue asht me ua dhanë këtë botë të jashtme tjerëve; po për se, nëse bota e jashtme e përbashkët për ne e për ta asht e njimendta “botë e jashtme”, ajo e landës, e dukshmja dhe e prekshmja? Çka kanë të bajnë tjerët me gjithësinë përmbrenda meje?
.
Marre nga muri i Fb. i Gazi Berlajollit 16 mars 2020
.