back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fernando Pessoa: “Poet do me thanë me u shti…”

Gazeta

Fernando Pessoa (1888-1935)
Fernando Pessoa (1888-1935)

Drojë e përjetshme prej Pessoas…

nga Jozef Radi

Fernando Pessoa,
asht ndër figurat ma komplekse të letërsisë portugeze dhe asaj botnore…

Artist i madh fragmentar,
për të cilin asht pak e vështirë me u dhanë nji përcaktim i plotë dhe i saktë,
po asht e pamundun mos të thuesh se asht i madh…!
Po… po, shumë i madh!  Ka lanë mbas vedit nji vepër shumpërmasash
dhe nji shumsi shkrimesh, që prekin zhanre të ndryshme krijimi,
prej së cilës del nji mendim i trazuem dhe origjinal,
i karakterizuem prej pikpyetjesh e enigmash të shumta…
Pessoa, asht ndër ata poetë që m’ka mundue shumë për sjelljen e tij në shqip…
pse n’vend që me gërmue un te Ai,  asht Ai që pa e kuptue ka gërmue mbrenda meje,
e s’ma ka ba të lehtë m’u marrë me të… pse ai tehu i mprehtë i fjalës, 
i mendimit dhe ndjenjës… të vret n’se ti s’e ke kuptue si dhe sa duhet botën e tij…
lene mandej po ta kesh keqkuptue… e keqshkrue!!!
Ky pra, asht Fernando Pessoa sipas meje…
me të cilin merrem prej ma shumë se nji dekade… e kam botue veç pak gjà prej tij,
diku e dikur n’Arsin e 2004-ës…e mundem me thanë vetëm se s’asht lehtë m’u mbrritë Pessoa,
dhe s’di edhe sa m’duhet që Ai nji ditë t’më pranojë si mik të vetin…
Mundem me thanë se u banë shumë kohë që me droje ia lypi kët nder…
Po ai veç hesht… e asgjà ma shumë…
Ju mbetet ju si lexues, m’u ba fjalëmirë, nëse e ndeshni Pessoan n’përkthimet e mia!!

j.radi, 2003-2014

Fernando Pessoa
Fernando Pessoa

Fernando Pessoa:

nga “Poet do me thanë me u shti…”

S’jam asgjà.
S’do të jem kurrë asgjà.
S’mundem ta pranoj mosqenien asgjà.
Pse, kam mbrenda vedit krejt andrrat e botës… Pessoa

1.
Poeti jeton me shtirjen.
Dhe kaq n’thellësi mbrrin m’u shti ai
sa shfaqet si dhimbje
n’at dhimbje që ai ndjen me t’vërtetë…
 
2.
Të qenit poet s’asht nji ambicje imja.
Asht mënyra ime me qindrue vetëm…
 
3.
Kam dhimbje koke
dhe bote…
 
4.
S’kam dëshirë me kujtue askend, e më m’njoftë kërkush.
Kemi m’u ndjeh tepër
nëse e kuptojmë se kush jemi…
 
5.
Shtirje do me thanë me njoftë!
(ose e thanë ndryshe: Shtiru dhe njih!)
 
6.
Letërsia, si krejt artet,
asht nji rrëfim…
mbasi jeta s’na mjafton..
 
7.
Kam për jetën
interesat e nji xherdhitsi lamshesh…
 
8.
Mendimi duhet me nisë
prej të qenit i panënshtrueshëm…
 
9.
Sinqeriteti asht nji pengesë serioze,
mbi të cilin artistit duhet me fitue…
 
10.
Jam bà i shumfishtë që t’më ndjejnë,
që t’më ndjejnë jam detyrue me ndje gjithçka,
e kam shpërthye,
jo s’kam bà tjetër, veçse kam vërshue…
 
11.
Kaloj dhe mbetem,
njashtu si Universi…
Skicë mbi portretin e Pessoas
Skicë mbi portretin e Pessoas
12.
Me ndje gjithçka në gjithfar formash,
me jetue gjithçka kudo që t’ndodhesh,
e me mbetë i njejti
n’krejt trajtat e mundshme, njiherit…
 
13.
Derdhë mbi buzët e mia puthjet e krejt takimeve,
valvitë mbi zemrën time shamitë e krejt lamtumirave…
 
14.
Jam edukue me Fantazi,
kam udhëtue vazhdimisht tue ua ofrue dorën,
kam dashurue, kam urrye, kam folë,
e kam mendue gjithnji kët gjà:
tana dit’t e mia ta ken kët dritare përballë,
e tana orët t’më duken t’miat, bash prej kësaj…
 
15.
Vdekja asht kthesa e rrugës,
me vdekë do me thanë se s’të ka pà askush…
 
16.
Çfarë di?
Çfarë kërkoj?
Çfarë ndjej?
Çfarë m’duhet me kërkue n’se m’duhet me kërkue?
 
17.
Nga i katërti kat ku banoj deri n’pafundësi,
n’intimitetin e kandshëm të mbramjes që zbret kadalë,
prej njasaj dritareje që sheh shfaqjen e hyjve,
lshohen andrrat e mia n’harmoni t’nji ritmi,
n’nji largësi që i shtyn ndër udhë e vende t’panjoftuna,
ndoshta hipotetike, o thjesht t’pamunduna…
.
Fernando Pessoa
Fernando Pessoa
18.
Mall!
Oh, sa mall kam edhe për ato gjanà që s’qenë asgja për mue,
për ankthin e ikjes së kohës e smundjen e misterit të jetës.
Ftyrat që random i shihja n’rrugët e mia t’zakonshme:
n’se s’i gjej m’kap trishtimi,
edhe s’qenë asgjà tjetër për mue,
pos simbol i krejt jetës.
Ku njasht si ai plaku i paemën, me tutat e pista
me t’cilin kryqëzoheshim thuej përdit
në nantë e gjysëm të nadjes?
Po ai topalli që shiste biletat e llotarisë
e m’dërdëlliste pa prà, me ma mbushë mendjen pa sukses?
Po ai trashamani i hareshëm, me cigare n’gojë,
që rrinte si shtyllë te dera e duhanshitsit.
Po ai duhanshitsi veremli?
Çfarë bahet me të gjithë ata,
që veç për faktin se jem pà vazhdimisht,
tash bajnë pjesë n’jetën time?
Nesër edhe unë kam me humbë në Rua da Prada,
o në Rua dos Douradores, o në Rua dos Fanquerios.
Nesër edhe unë – shpirti që ndjen e mendon,
ai univers që unë barti n’vetvedi –
po, po nesër edhe unë do t’jem nji prej atyne
që ka me rreshtë s’kaluemi andej pari,
e nji prej atyne tjerve ka me pyetë habitshëm:
“Ç’ka të ket ndodhë vallë me at filanin?”
Po e gjitha kjo ç’ka po ndodh tash,
ajo ç’ka ndjej dhe ajo ç’ka përjetoj kët çast
s’do t’jetë asgja ma shumë
veç nji kalimtar ma pak
në t’përditshmen e rrugëve t’nji qyteti çfaredo…
 
19.
Shpirti im asht nji orkestër misterioze;
s’di sa vegla muzikore tingllojnë e klithin mbrenda meje:
korda e harpa, lodra e tambure.
Po vedin, ah vedin… e njof si simfoni…
 
20.
Sot papritmas
ndjeva në vetvedi
nji sensacion absurd po të drejtë.
Përmes nji drite të msheftë e hyjnore,
kam kuptue që s’jam askushi.
Po askushi, absolutisht askushi…
 
21.
Çdonjeni prej nesh
asht ma shumë se nji,
asht shumë,
asht nji shumsi vetvetesh…
 
Përktheu: Jozef Radi
 
(Pjesa hyrse e Librit “Il Poeta è un Fingitore”. 200 citime të përzgjedhuna nga Pessoa prej Antonio Tabucchit për botuesin Feltrinelli” botuar te Revista Ars, gusht 2004)

 

Rubrika e Arsit: "Qiell i Përtejmë"
Rubrika e Arsit: “Qiell i Përtejmë”

Skeda Fernando Pessoa

Ndër veprat ma të njoftuna të tij janë
-Nji shumsi e vetme.
-Poezi
-Poezia e Alvaro de Campos
-Odet e Ricardo Reis
-Faqe ezoterike
-Letër së fejuemes
-Libri i shqetsimeve.
-Poeti – si filozof i shtirjes
-Marinari
-Novela policore

Fernando António Nogueira Pessoa lind në Lisbonë, me 13 qershor 1888 nga Madalena Pinheiro Nogueira dhe Joaquim de Seabra Pessoa, kritik muzikor në nji t’përditshme portugeze. Jetim nga i ati prej vitit 1893, e kalon rininë në Afrikën e Jugut, në ndjekje të nji martese të dytë, që e ama bën më 1895, me komandantin Joào Miguel Rosa, konsull portugez në Durban, ku Pessoa kreu të gjitha studimet.
Në 1905, kthehet në Lisbonë, i regjistruem në kursin e Filozofisë në fakultetin e Letrave, por mbas nji aventure të dështueme botuese, impenjohet si korrespondent i frëngjishtes dhe anglishtes për ndërmarrje të ndryshme tregtare. Detyrime të cilat i ruajti për tanë jetën.
Në 1913, mbasi kishte kalue eksperienca të ndryshme, bahet përhapës i “paulismit” dhe gjen entusiazëm midis shkrimtarëve të brezit të vet. Në të njajtën kohë nis me bashkëpunue me revistat si A-Aguia, Portugal Futurista, etjerë, duke iu kushtue në mënyrë të veçantë romantikëve anglezë dhe Baudelairet, nji aktivitet letrar i nisun qysh prej kohës kur ishte student në Universitetin e Kjeptaunit. Aty rreth vitit 1914, shfaqet përmes pseudonimeve: Alberto Caeiro, Ricardo Reis dhe Álvaro de Campos.
nga fëminia shfaqja e personazhit të fantazisë së tij Kavalier la Pas, nëpërmjet të cilit Pessoa “i shkruante letra vetvetes”.
Në 1915, së bashku Mário de Sá-Carneiro, Almada Negreiros, Armando Córtes-Rodriguez, Luis de Montalvor, Alfredo Pedro Guisado e të tjerë i japin jetë revistës avanguardiste Orpheu, ku shfaqen edhe eksperiencat futuriste, pauliste e kubiste; revista edhe pse jetëshkurtë, zgjoi polemika të thella në ambientet letrare portogeze, tue i hapë prespektivë evolucionit të poezisë portugeze.
Vjen nji periudhë në të cilën Pessoa tërhiqen prej interesash ezoterike, të cilat kanë me pasë nji ndikim të thellë në veprën e tij. Nisë prej vitit 1920, e vetmja aventurë sentimentale e jetës së tij. Grueja e quejtun, Ofelia Queiroz, asht nëpunëse e nji prej ndërmarrjeve të import-eksportit, për të cilat punonte edhe Pessoa. Raporti, mbas nji pauze prej disa vitesh, ndërpritet përfundimisht në 1929.
Në 1926, në nji intervistë dhanë nji gazete të kryeqytetit, mbas grushtit ushtarak që i dha fund Republikës, Pessoa nisi me shprehë pikëpamjet e veta rreth teorisë së Perandorisë së Pestë, sipas së cilës mbreti Don Sebastian, i vdekun në 1578, në betejën e Alcazarquivir, do të kthehej me trup e shpirt me rivendosë nji mbretni të drejtësisë dhe paqes. Kjo Perandori do të kishte karakter të veçantë kulturor dhe aspak politik a ushtarak si Perandoritë e maparshme.
Më 1934, Pessoa publikon Mensagem, të vetmen përmbledhje me vargje, nën kujdesin e vet poetit.
Me 30 nëndor 1935, Fernando Pessoa vdes në nji spital të Lisbonës, mbas nji krize hepatice, shkaktue kryesisht prej abuzimit me alkoolin.
Në 1942, u botuan “Poesias de Fernando Pessoa” të ndjekuna nga “Poesias de Álvaro de Campos” (1944), “Odes de Ricardo Reis” (1946), “Poemas de Alberto Caeiro” (1946), Poemas dramaticos (1952), Poesias ineditas (1955 e 1956), Quadras ao gosto popular (1965), Novas poesias ineditas (1937), Poemas inglese (1974), Livro de Desassossego (1982), etjerë.
.
Përgatiti j. radi (botue në Ars – Gusht 2004)
Revista Kulturore Ars
Revista Kulturore Ars

Përgatiti j.r. (botue ne Ars – Gusht 2004)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Pessoa ështe një nga poetët që ka lënë një thesar të paçmueshëm, por përgezimet duhet t’i shkojnë edhe përkthyesit që ka bërë gjithashtu një punë të mrekullueshme dhe na dha mundësinë të lexojmë mjaft vargje magjike prej këtij autori!!!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.