Ferra – nji poezi nga Xhelal Ndreu
Nji prezantim përmes të qenit Ferrë… Jozef Radi
Xhelal Ndreu, lindi Sllovë të Dibrës më 1910, kreu filloren dhe Internatin e Kastriot të Peshkopisë, më pas Shkollën Teknike të Fulzit… Del në mal me të jatin dhe vëllezrit me idenë e lirisë… por më pas ideja e lirisë i shëndrrohet në burg prej vitit 1949-1960, në Kala të Gjirokastrës, Burrel, etje., dhe vdes në kampin e interrnimit në Lubonjë të Vlorës, në korrik të vitit 1988.
Ka shkruar mjaft, po kurrë nuk iu botua asgjë. Ka lënë dorëshkrim librat: “S’ka qetësi në Lisivalle” dhe “Cuca e Radomirës”. Ishte njohës i mirë i shumë gjuhëve të huaja si: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, turqisht, rusisht, serbisht dhe arabisht…
Poezia në fjalë “Ferra”, mbasi e lexova disa herë e konsideroj si poezi antologjike, dhe me kënaqësi e paraqes sot në sitin tim…
Xhelal Ndreu, duke jetuar nji jetë burgjeve dhe kampeve si armik, në mënyrë ironike, ai e identifikohet veten me të keqen, (në kët rast me “Ferrën”…) dhe me mjete nga më të bukurat stilistike, kësaj ironie “dibrane” ndaj Ferrës, i jep nji vlerë të lartë asaj, duke e ngjyrosë me emocione mjaft forta, si për të dëshmuar se vuajtja nëpër të cilën kaloi Ai, dhe mjaft familje shqiptare, (ndër to edhe familja e madhe e Ndreve), që u detyruan të mbajnë mbi supe për nji gjysëm shekulli paragjykime dhe mallkimin e të qenit “Ferrë”, ai me nji solemnitet provokues e mbyll kët poezi me shprehjen se: I lindun si Ferrë… “Veç e kam për nder…”
Ferra – Xhelal Ndreu
(nga libri “S’ka Qetësi në Lisivalle”)
Kur kanë ra farat mbi dhe,
Unë mbina ferrë…
Si e qysh kështu kam le,
Veç e kam për nder.
Rranja ime shumë acare,
Mbin’ në cdo vend,
Ta zaptojshem botën fare,
E kam pasë ndërmend.
Se si rroj e se si hjek,
Vetëm unë e dij;
Ndaj i grici kush t’mi prekë,
Manaferrt e mij.
Trandafili fis’i emi,
I bukur me erë,
ferrë gjethin, dega-gjembi,
Rranjen e ka ferrë.
Rranxë meje lulet celin,
Me atë bukuri,
Mos t’i prekin,
mos t’i shkelin,
Unë roje ju rrij.
Kur me vrull i bjen skyfteri,
Me hov e rrëmbim,
Ferrci i vogël, ah i mjeri,
Tek unë gjen shpëtim.
Zemër-keqe pra në m’dini,
Pse çjerr e lëvirë,
Në punë time të më lini,
Se dhe unë bëj mirë.
Sikur t’prishej gjithësia,
T’ndreqej dhe njeherë,
E t’më pyetshin se çdo vija,
Unë do t’vijshem ferrë…
Marrë nga Muri i fb Cezar Ndreu 14 dhjetor 2013
Kur vlerësohet jeta e një njeriu, e para gjë është se si ai shtetas është sjellë në raport me interesat e Atdheut.
Në këtë kuadër, si bashkëpatriot i autorit, do të më pëlqente që dikush të shkruante më shumë për qëndrimin e Ndreajve. Jo për këngën… atë e ka qarë Hazizi (edhe pse e detyruan ta ndryshonte) tek: “900 vorret kush i bani, Dibra e Madhe e Sheh Zerqani”