FERRI – Dante Alighieri
në përkthimin e Mark Ndojës
Kanga 24 – Hajdutët dhe ndëshkimi për ta
Rrethi i tetë i Ferrit – gropa e shtatë – shpirtnit e hajnave rravgojnë cullak mes gjarpnijsh që i lidhin e tue u transformue përbind
V. 61-96. Poetët ngjiten nëpër shkëmbin ose urën e gropës së shtatë, që u përket hajdutëve. Këta përfund mallkojnë e llomotisin duke vërshëllyer sipas mënyrës së tyre. Hajdutët janë të lidhur prej gjarpërinjsh të neveritshëm; bëhen shkrumb e hi pastaj marrin trajtë njerëzore; këmbehen në gjarpërinj dhe rikthehen në njerëz për t’u shndërruar sërisht nga e para.
“Gjarpëri është dinak ashtu si hajduti. Gjarpëri rrëshqet dhe futet në çdo vrimë; hajduti mblidhet për t’u futur gjithkund. Gjarpëri është i urryer për gjithkënd; po ashtu dhe hajduti. Gjarpëri përgjon nëpër ferra dhe kafshon; hajduti dëmton në fshehtësi”; Land. “Pasi hajdutët nuk i njohin ligjet e pronësisë mbi të cilat mbahet konstrukti shoqëror, atëhere ndëshkimi për ta bëhet i ndjeshëm kur zhvishen nga çdo pronë, deri te ma intimi për njerëzit, trupi ynë. Hajdutët bëjnë çmos që të shpëtojnë, nga frika se humbin vetë rrënjën e pronës, domethënë personalitetin njerëzor, që është themeli i vërtetë “për mua dhe për vete”, për “time-n dhe tënde-n”, dhe si rrjedhojë për çdo pronësi, e drejta për të cilën nuk mund të konceptohet atje ku nuk ka individualitet dhe person inteligjent”; Perez.
Komente të Komedise Hyjnore nga G. Scartazzini, Leka Ndoja
61 – Për udhë u nisëm tehut t’atij cfrat
Q’ish thepa-thepa, i ngushtë e i pakalueshëm,
E ndaj të parmit fort mâ monopat.
64 – Ecja tue folë, t’mos dukesha i frigueshëm;
Kur ja po del nji zâ nga tjetra gropë,
Me fjalë si vërshëllim i pakuptueshëm.
67 – S’mora gjâ vesh megjithëse kisha hopë
Aty mbi gumë; por i zemruem për djallë
U dukte ai që fliste ashtu cop-copë.
70 – Unë po vështroja poshtë, po syt e gjallë
Me pamë n’at fund errsine u epshin kot
E prandaj thashë: “Mësues, vemi vërdallë
73 – Te tjetra pendë me zbritë atij kërbot,
Se prej këtu poterë veç ndiej valvalë,
Vërej teposhtë e gjâ nuk dalloj dot.”
76 – “Tjetër përgjigje” tha, “S’po t’ap, o djalë,
Veçse me punë, sepse kërkesa e ndershme
Duhet përkrahë me vepra e jo me fjalë.”
79 – Përkryeti i zbritën asaj urë të hershme,
Atje ku lidhej me të tettën pendë,
E mbasandej m’u çfaq humborja e tmerrshme;
82 – E lamsh lemerë pashë grumbull aty mbrendë
Gjithnduer gjarpijsh e prej gjithfarë farishte,
Sa më ngrin gjaku ende, tue m’u ndërmendë.
85 – Mâ të mos mburret Libja për ranishte;
Sepse në pjell skrapthij, shigjeta e rrshaja,
Shlliga e shkërpija, kurrë ajo s’do t’ishte
88 – E aftë me pjellë të liga e kaq murtaja,
As bashkë me gjithë ç’asht toka e Ethjopisë,
As ç’janë mbi Det të Kuq shkreti të mdhaja.
91 – Lakur vraponin gjindja lemerisë
N’at gjamëni gjarpijsh e me i gjetë s’dishin
Kund vehtes vrimë, a gurin e magjisë.
94 – Bollat përmbrapa lidhun duert ua kishin,
E nga pas shpine ato me bisht e krye
U dilshin para e varë vandak u rrishin.
Ilustrimi – Vanni Fucci, canto XXIV