back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ferri i Krimit… dhe ata që e kundërshtuan… Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Gazeta

Thanas L. Gjika
Thanas L. Gjika

Ferri i Krimit…

dhe ata që e kundërshtuan…

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

(Mendime rreth romanit “Ferri i Çarë” i Visar Zhitit)

Krimin komunist
ta njohim dhe ta dënojmë…
të përndjekurit t’i vlerësojmë…

 

Vepra të Visar Zhitit
Vepra të Visar Zhitit

Prolog
Mbas botimit të veprave dokumentare dhe artistike, memuare dhe fiction, etj, prej ish të përndjekurve e të burgosurve si Arshi Pipa, At Zef Pëllumbi, Sami Repishti, Musine Kokalari, Visar Zhiti, Astrit Delvina, Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Frederik Rreshpja, Makinsen Bungo, Zyhdi Morava, Jorgo Bllaci, Eugjen Merlika, Agim Musta, Tomorr Aliko, Lek Pervizi, Maks Velo, Uran e Hasan Kostreci, po dhe prej Mërgim Korçës, Uran Butkës, Pjetër Pepës, që nuk kanë qenë në burg, etj, etj, u duk sikur u plotësua letërsia jonë me aspektin e saj të munguar, me letërsinë e burgut, madje u shpreh dhe mendimi: “Mjaft më letërsi burgu!”, sepse lindi frika se mos ajo po zinte vendin parësor dhe po lihej pa u trajtuar jeta aktuale e pasdiktaturës.
Shoqëria jonë dhe qeveritë pasdiktatoriale nuk e dënuan si e sa duhet krimin komunist. Ish shkrimtarët e talentuar të kohës së diktaturës, atëhere nuk u revoltuan ndaj arrestimit e dënimit të njerëzve të pafajshëm, madje nuk e ngritën zërin as kur pushkatoheshin e vareshin kolegët e tyre.
Mbas shkërmoqjes së diktaturës këta shkrimtarë nuk i mohuan veprat e tyre të politizuara dhe nuk morën përgjegjësi mbi vete për aprovimin e politikës së partisë shtet. Ata nuk luftuan për demaskimin e krimeve të asaj kohe dhe sa për të larë gojën, thanë se këtë punë duhet ta bëjnë vetë ish të përndjekurit. Në një kohë kur dy krijuesit më të talentuar të kohës së diktaturës, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli nuk pretenduan se kishin qenë shkrimtarë disidentë, u përshfaq një dukuri tjetër, shkrimtarë shembullorë të respektimit të normave të realizmit socialist, filluan të mashtronin, të përpunonin opinionin se ishin ata të përndjekur e disidentë. Shkruan se disa poezi nuk u ishin botuar, se ishin larguar nga Tirana me qarkullim, se ishin survejuar prej Sigurimit, etj, por nuk sollën vepra konkrete me pëmbajtje disidente. Kuptohet se shprehja: Poetët janë legjislatorët e botës!, nuk u përket krijuesve të tillë!
Mbas vitit 1992, bijtë e ish pushtetarëve komunistë, me përjashtim të Bashkim Shehut, Spartak Ngjelës e ndonjë tjetri, nuk mbajtën qëndrim kritik e ndëshkues ndaj sistemit komunist dhe bëmave të prindërve, por justifikuan veten duke thënë se ajo kohë e ai sistem ishin të tillë dhe se nuk kishin përgjegjësi për ato që bënë prindërit e tyre. Me të tilla mendësi këta bij gjynahqarësh morën pjesë aktive në jetën politike dhe përbëjnë sot shumicën e klasës politike që qeveris Shqipërinë.
Natyrisht një situatë e tillë social-politike dhe psikologjike nuk kishte si të mos e mbarste botën emocionale dhe frymëzimin e krijuesve misionarë, të cilët e dinin se jeta e burgjeve shqiptare kishte ende shumë makabritete të pathëna. Ata që e kishin jetuar ferrin real shqiptar e dinin se ky ferr ishte shumë më dimensional. Ata e vuanin faktin se shoqëria jonë pasdiktatoriale nuk ndjente përgjegjësi për krimet e bëra në atë kohë, prandaj e morën përsipër detyrën morale, të cilën në fakt duhej ta merrte gjithë shoqëria jonë, zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit dhe vlerësimin si duhej i të përndjekurve të ndërgjegjes së asaj kohe, të cilët me jetën e bëmat e tyre nëpër burgje e kampe pune, i treguan botës se në Shqipëri kishte pasur disidencë antikomuniste të vërtetë.
Një nga këta krijues misionarë është dhe poeti e shkrimtari i talentuar Visar Zhiti, i cili mbas një vargu veprash të lavdërueshme me poezi e prozë, disa të shkruara gjatë jetës në burg, hartoi e botoi më 2012, dy vepra të reja romanore Rugët e Ferrit dhe Ferri i Çarë OMSCA-1, ku vuri në qendër jetën e vet dhe të shokëve të tij në burgjet miniera Spaç e Qafë-Bar, si dhe jetën pas kryerjes së dënimit, kur këta njerëz të çliruar prej burgjeve nuk trajtoheshin si të lirë, kurse në vitet e tranzicionit nuk u vlerësuan si meritonin.
Për turp z. Bujar Nishani, President i Republikës, dy tre vjet pas botimit të këtyre veprave madhore, dha një shëmbull tjetër të keq duke mohuar mendimin e z. Edi Rama, Kryeministër i vendit, për të emëruar shkrimtarin e shquar Visar Zhiti ambasador të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan.

Visar Zhiti i burgosur
Visar Zhiti i burgosur

“Ferri çarë”, përbën një nga pikat kulmore të këijimtarisë së Zhitit dhe të mbarë letërsisë shqiptare të serisotme, prandaj po ndalemi për të treguar disa nga vlerat e kësaj kryevepre të letërsisë sonë.
Kjo vepër është një roman i një tipi të veçantë, ku subjekti shtjellohet ndryshe nga forma tradicionale e kompozicionit të romanit. Këtu nuk kemi të bëjmë me kompozicion të zakonshëm të veprave romanore, ku dallohen pika e lidhjes, pika kulminante dhe zgjidhja. Shtjellimi i ngjarjeve në këtë roman ka një renditje jo kronologjike, ku mbizotëron shpalosja e ndjenjave, meditimeve, vlerësimeve të autorit për ngjarje të ndodhura në burgun e Qafë Barit dhe të shumë bëmave të bashkëvuajtësve të tij në burg dhe në galeritë e minierës, si dhe mbas daljes nga burgu. Kohën e tashme në vepër e përbën jeta në burgun e Qafë Barit, me të cilën lidhet dhe titulli i veprës, por po aq të rëndësishme janë dhe e kaluara dhe sidomos e ardhmja, pra jeta para dhe pas burgimit të dytë në Qafë Bar. Jeta e së shkuarës dhe e së ardhmes përbëjnë material po aq të rëndësishëm për shtjellimin e ideve dhe shprehjen e vlerësimit emocional të autorit. Kalimi nga e sotmja tek e kaluara dhe e ardhmja bëhet me lehtësi dhe mjeshtëri artistike përmes futjeve e ndërfutjeve të shpeshta pa respektuar renditjen kronologjike.
Sa për ilustrim po përmendim se të kaluarës i përket rrëfimi i groposjes për së gjalli i shkrimtarit Mitrush Kuteli në kampin e Vloçishtit; rrëfimi i gjestit human që kreu trombisti Gasper Çurçia duke ndalur një natë krishtlindjesh anës xhades pranë kampit burg të Tepelenës ku luajti pjesën Shtille Nacht si dhuratë për të lehtësuar vuajtjet e të burgosurve, etj. Kurse së ardhmes i përket jeta e autorit dhe e shokëve të tij e paslirimit nga burgjet e Spaçit, Qafë Barit e Burrelit, rropatjet e tjera e deri te rënia në dashuri e autorit me vajzën e bukur Eda, e cila bëhet bashkëshortja e tij, jepet një testament për djalin dhe mbarë shoqërinë, jepet një ceremoni groteske me vlerësime të çuditshme për të dënuarit dhe dënuesit e tyre në zyra shqiptare dhe në kontrast me të përshkruhet dhënia e vlerësimeve të mirëqena në ambjente jashtë shtetit, ku autorit i jepen çmime dhe i kërkohet të falur për dënimet dhe vuajtjet që iu shkaktuan pa shkak për disa poezi hermetike që nxinin realitetin socialist.
Pjesët që i përkasin së kaluarës e së ardhmes dallohen në tekst mbasi janë botuar me shkronja italike, ashtu si janë botuar dhe meditimet, thëniet e kundërthëniet e autorit për ngjarje e persona të sjellë në vepër.
Edhe pse kemi të bëjmë me një vepër artistike, ku autori ka të drejtë të shtojë ngjarje e hollësira nga fantazia e vet krijuese për të tipizuar sa më mirë personazhet e veprës dhe për të dhënë sa më kuptueshëm idetë e veta dhe vlerësimin e tij ideo-emocional, Zhiti nuk e shfrytëzon këtë përparësi të artit. Ai ecën në një rrugë pak të shkelur prej krijuesve shqiptarë, prej të cilëve mund të përmendim tregimtarin Sami Repishti me veprën Pika Loti, ku tregohen ngjarje reale dhe portretizohen persona realë pa synuar të kalohet në tipizim e përgjithësim letrar me anë të fantazisë krijuese. Ky riprodhim i jetës ashtu si ishte pa përgjithësim e pa tipizim e ka shkakun e vet në faktin se jeta e të burgosurve shqiptarë ishte aq e tmerrshme sa që nuk kishte nevojë për përdorimin e fantazisë krijuese, mjaftonte pasqyrimi me realizëm i asaj që kishte ndodhur, paraqitja e personave historikë ashtu si kishin qenë e ashtu si kishin vuajtur.

Visar Zhiti "Ferri i çare"
Visar Zhiti “Ferri i çare”

Ngjarjet që tregohen në roman riprodhohen ashtu si kanë ndodhur. Vendet ku shtjellohen ngjarjet jepen me emrat e tyre përkatës. Fjalët, mendimet dhe vetë emrat e personazheve janë fjalë, mendime dhe emra të njerëzve realë, bashkëvuajtës të autorit. Në këtë aspekt nuk kemi të bëjmë me fantazinë krijuese të Zhitit. Kaq thellë ka shkuar ky romancier në këtë drejtim, saqë krijohet ideja sikur kemi të bëjmë me një vepër të letërsisë dokumentare. Mirëpo karakteri dokumentar i materialit të veprës përbën pikërisht një nga aspektet artistike të saj, mbasi ai është shfrytëzuar në funksion të idesë së autorit për të dëshmuar me realizëm konkret se burgjet e komunizmit shqiptar në Spaç dhe Qafë Bar ishin një ferrr i vërtetë, shumë më torturues e më cfilitës së ferri imagjinar i krijuar prej poetit italian Dante Alighieri; se vlerësimin e vërtetë ndaj të përndjekurve të komunizmit shqiptar po e bënin shumë më seriozisht të huajt sesa qeveritë shqiptare të tranzicionit, etj.
Ajo që e bën këtë vepër të quhet vepër artistike, konkretisht roman lirik, ka të bëjë me mënyrën e thurrjes të materialit jetësor, pra me kompozicionin e veprës, kompozicion i cili është shumë i ndryshëm prej romaneve të tjerë të letërsisë sonë dhe asaj botërore. Thurrja origjinale e materialit jetësor, që përfshin dy periudha (48 vjet diktaturë dhe 20 vjet tranzicion), me kalime në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen, e mbushur me thënie e kundërthënie, me zërin e subkoshiencës së autorit, me vlerësime emocionale, meditime dhe shprehje e figura të shumta artistike, janë ato elementë që e bëjnë veprën Ferri i Çarë – një roman modern të letërsisë sonë.
Vlerësimi i shkrimtarit rumun Aurel Maria Baros për krijimtarinë e Visar Zhitit, vënë dhe në kapakun e pasëm të librit, që duket sikur i përket këtij të fundit më shumë, është shumë domethënës: “…teksti i Visar Zhitit është një afresk gjithëpërfshirës dhe tepër i gjerë, me thellësi, ku asnjë nga sëmundjet e regjimit nuk është harruar. Në këtë tekst lumturisht bashkekzistojnë, me domethënie të thella, sekuenca të tmerrit dhe të poezisë së ndjeshme… grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe fatalizmi më gjunjëzues…”
Një tipar i veçantë e madhështor i Zhitit si njeri dhe krijues është se tek ai, si tek pak të tjerë dënimet, mundimet, torturat, puna rraskapitëse nëpër burgje dhe jashtë tyre, nënvlerësimi dhe përbuzja e pushtetit dhe e pushtetarëve, nuk ia egërsuan shpirtin. Duke bashkëvuajtur me klerikë katolikë të shkolluar në Europën Perëndimore, ky shkrimtar u mbrujt me dashuri e humanizëm, larg urrejtjes, krejt ndryshe nga aparatçikët e partisë e të Sigurimit, të cilët duke u angazhuar në luftën e klasave sipas mësimeve dhe urdhërave të partisë, u mbrujtëm me urrejtje, cmirë dhe keqdashje. Pra jeta plot vuajtje dhe shoqëria me intelektualë të nivelit të lartë, e ndihmuan Zhitin të arrinte atë që ne shqiptarët e tjerë nuk kemi mundur ta arrijmë: çlirimin prej ndjenjës së urrejtjes.
Në këtë drejtim patën ndikuar dhe jeta e babait të tij, poet e aktor i talentuar, që ishte burgosur dhe ai pa faj prej regjimit komunist. Prindërit e tij, nënë e babë portretizohen si dy shenjtorë. Ai e asimiloi dhe e bëri të vetën mendësinë e krishtere të të falurit. Me një formim të tillë ai iu kushtua përmes artit luftës për emancipim shpirtëror dhe rigjenerim moral të popullit tonë.
Ky tipar mesianik tepër human i krijimtarisë letrare të Zhitit u vu në dukje prej njohësit më të mirë të letërsisë shqiptare, prej albanologut kanadez, profesor Robert Elsie-së, i cili ka theksuar se “…vepra e këtij shkrimtari është pa kurrfarë fryme ligësie e urrejtjeje dhe pa atë tiparin kaq shqiptar – thirrjen e palëkundur për hakmarrje!”
I shkruam këto mendime duke synuar për të tërhequr vëmendjen e institucioneve dhe personave përkatës në Shqipëri për ta përkthyer në disa gjuhë të huaja veprën dyvëllimshe Rrugët e Ferrit dhe Ferri i Çarë, këtë kryevepër të munguar në letërsinë tonë. Vepër e cila ka vlera të mëdha për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe shumë më gjerë për njohjen sa më tërësore të tmerreve të komunizmit dhe për vlerësimin që duhet t’i japë ajo kundërshtarëve të së keqes, për të cilët ka nevojë të përhershme.

Shprehim bindjen se kjo kryevepër do të vlerësohet dhe studiohet gjithnjë e më shumë dhe shpejt do të futet në programet shkollore, etj. Botimi në gjuhë të huaja dhe leximi i saj prej institucioneve dhe individëve të specializuar, do të sjellë mundësinë për të propozuar edhe dhënien e çmimit Nobel, të cilin ajo e meriton.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.