back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Figura e Gjergj Aranitit në letërsinë popullore – nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Ilirjan Gjika
Ilirjan Gjika

Figura e Gjergj Aranitit në letërsinë popullore

nga Ilirjan Gjika

Një prej figurave të shquara të historisë së Shqipërisë gjatë shek. XV ishte edhe Gjergj Araniti, si një prej aleatëve dhe njerëzve të afërt të Skēnderbeut. Bashkëpunimi midis tyre nisi në Lidhjen e Lezhës të 2 marsit 1444, u forcua nga martesa e Heroit me të bijën, Donikën, për të vijuar deri në vitin 1461, kur Gjergj Araniti do të ndahej nga jeta.1) Por duke u fokusuar te figura e Skëndërbeut historiografia dhe historianët e kanë anashkaluar në një farë mënyre këtë personalitet të shquar. Ndoshta shprehja e historianit gjerman Babinger, se: “Nuk ekziston as dyshimi më i vogël, se prej famës së dhëndrit të tij Skëndërbeut, ky personalitet është mbuluar me një errësirë shqetësuese”, gjen pasqyrimin më të mirë në këtë rast.2)
Ndërkohë ndryshe nga historia, figura e Gjergj Aranitit është trajtuar gjerësisht në letërsinë dhe folklorin popullor. Në morinë e krijimeve të shumta të popullit veçohet edhe kënga e njohur e Gjorg Golemit, i përmendur prej Barletit edhe si Arianit Golem Topia, që sipas Gjon Muzakës: “… ishte zot i një pjesë të Maqedonisë, të vendit të Çermenikës, e Mokrës dhe të Shpatit…’’3)
E mbledhur në vitin 1938, në Bërzeshtë të Librazhdit nga nxënësi normalist Shahin Zharri, ajo u botua me titullin “Kanga e Gjorq Golemit, Princit të Sopotit”, në nr. 16-17 të revistës “Shkolla Kombtare”.4) Ja se ç’thuhet në vargjet e saj, bazuar në një publikim të këngëve popullore historike, botuar në Prishtinë në vitin 1978.5)

Gjergj Arianiti (1383-1462)
Gjergj Arianiti (1383-1462)

Ky sulltani qan me lot:
-Kam nji Skënder në Sopot,/ Në Mal Plak, me nji brek,
Gjorq Golemi, thotë – Jam mbret,/ Gjorq Golemi kryezot.
Nizet vjet me ta luftoj,/ Asqerin ma turpëroi

Por për figurën e Gjergj Aranitit ekzistojnë edhe dhjetra krijime gojore në formën e tregimeve popullore. Për mbledhjen e tyre një kontribut të madh ka edhe etnografi Dhosi Liperi, një nga pionierët e parë të kësaj disipline në Shqipëri. Si partizan i punës në terren ai u mor gjatë viteve 1929-1965, kryesisht me mbledhjen dhe studimin e gojëdhënave popullore për Skënderbeun, të cilat të përpunuara në tre libra (12 gjithsej) i dorëzoi dikur si dorëshkrime në institutet e Folklorit dhe Gjuhësisë. Publikimi i tyre u realizua vetëm në vitin 2014, kur familja Liperi botoi korpusin e këtyre kërkimeve dhe studimeve, me titullin: “Mitologjia Skënderiane’’. Duhet theksuar se edhe Dhosi Liperi vijoi traditën e krijuar në Shkollën Normale të Elbasanit ku studjoi në vitet 1925-1927.6) Mësuesit e saj dhe veçanërisht prof. Aleksandër Xhuvani, kishin si praktikë pune që gjatë pushimeve të verës t’iu jepnin nxënësve si detyra mbledhjen e proverbave, shprehjeve të frazeologjisë popullore, materialeve folklorike, këngëve dhe legjendave. Kështu veproi edhe Shahin Zharri kur mblodhi botoi i pari në vitin 1938, “Këngën e Gjorg Golemit”, një nga kryeveprat e folklorit tonë popullor.7)
Ndërkohë që në librin “Mitologjia Skënderiane’’, Dhosi Liperi, na sjell kërkimet e legjendave për Gjergj Aranitin të zhvilluara në vitin 1965, në Elbasan dhe në krahinën e Shpatit. Të tilla janë “Jorg Golemi”, “Qyqet e Sopotit”, “Zaptimi i Sopotit”, “Tanushët dhe Muzhaqët”, treguar nga bartës të folklorit në fshatra të këtyre zonave.
“Jorgj Golemi ka qen krajl i Sopotit. Kalanë e sarajet i ka pasë në Sopot. Sopoti gjendet në mal të Bërzeshtës, nga lindja e Valshit. Në atë kohë krali shkoi në kishën e Galigatit për festën e Shënmërisë që bëhet në 15 gusht. Në kala të Sopotit la rojet e tij. Roja e parë ishte Panxhi, e dyta Toçi dhe e treta Bosi. I vete lajmi sulltanit të Turqisë që krajli nuk gjindet në Sopot dhe sulltani drejton ushtrinë e tij menjëherë për të zaptuar Sopotin…’’, – shkruan Liperi për legjendën e Jorg Golemit, tregua nga Koftë Qosja në Valsh.9)
Por, përveç kësaj figure historike, Dhosi Liperi, zbuloi edhe disa emra të tjerë të epokës, të cilët nën emërtimin “bashkëluftëtarë të padiktuar prej historisë”, ja rekomandon institucioneve përkatëse për t’i përfshirë në tekstet historike. Midis tyre është edhe kapedan Petro Petroshi një nga komandantët e Gjorg Golemit, personazh i legjendave popullore të Shpatit dhe Sopotit, por i panjohur prej historisë së shkruar.10) Për të ekzistojnë gojëdhanat “Fitorja e Petro Petroshit”, “Lufta e Mëlizës”, “Mulliri i Sulltanit”, “Kapedan Petro Petroshi” si dhe kënga “Nëna e sulltan Fetihut”, të cilat Dhosi Liperi i mblodhiu fshatrat Shelcan dhe Mlizë.11) Ndërsa në fshatrat Shelcan dhe Shtërmen ai ra edhe në gjurmët e shtëpive që kishin mbetur nga trashëgimnia e fisit Petroshi. Gjatë kësaj ekspedite, Dhosi Liperi, vizitoi edhe varret e Mëlizës, të cilët i përkisnin ushtarëve turq të vrarë në betejën kur Petro Petroshi shpartalloi ekspeditën turke, ndoshta gjatë fushatës së Sulltan Mehmetit II të vitit 1466.12)
Ky ishte shkurtimisht një vështrim mbi folklorin dhe letërsinë tonë popullore, subjekt i së cilës është Gjergj Araniti, përfaqësuesi më në zë i një prej familjeve më të vjetra të fisnikërisë feudale në Shqipëri. Ndërkohë që merita kryesore është pikërisht e njerëzve që i mblodhën ato në terren, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e folklorit.

Bibliografia

1-Fan Noli, Vepra IV, Tiranë 1989, f. 99, 146-147, 162
2-Franc Babinger, Arianit Komneni, vjehrri i Skënderbeut, Konferenca e Parë të Studimeve Albanologjike, Tiranë 1965, f. 477.
3-Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, USHT-IHGJ, Tiranë 1967, f. 96; G. Musachio, Historia genealogia della casa Musachia, Ch. Hopf, Chroniques Greco-romanes, Berlin 1873, f. 283.
4-Avni Alcani, Shahin Zharri, Progres, Tiranë 2006, f. 26.
5-Demush Shala, Këngë popullore historike, Rilindja, Prishtinë 1978, f. 80-81.
6-Dhosi Liperi, Mitologjia Skënderiane, Emar, 2014, f. 723-729.
7-Avni Alcani, Shahin Zharri, Progres, Tiranë 2006, f. 26.
8-Dhosi Liperi, Mitologjia Skënderiane, Emar, 2014, f. 264-267.
9-Po aty, f. 265-266
10-Po aty, f. 226
11-Po aty, f. 227-231
12-Po aty, f. 226-231

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.