Figura e Iliaz Bej Vrionit nderohet me
Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
“Unë vetë uroj që Shqipërisë
t’i vijë dëshira dhe vullneti për t’u lidhur
me të kaluarat e saj dhe të zgjedhë ndër to.
Thuhet se është kthyer faqja.
Përpara se ta ktheshe, sikurse kam thënë shpesh,
duhet ta lexosh, madje me vemendje dhe pa paramendime…”
Marrë nga “Kujtimet e një evropiani – Psherëtima fati”
Jusuf Vrioni
Nderohet Figura e Iliaz Bej Vrionit nga Presidenti Meta, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Emërtohet sheshi ish axhensisë me emrin “Iliaz Vrioni”, dhe busti i tij do të vendoset aty në qershor, kohë që përkon edhe me 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Me 22 Dhjetor 2017, ora 11:00 me kërkesë të Bashkisë Berat, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta nderoi Personalitetin e shquar beratas z. Iliaz Vrioni pas vdekjes, me urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Ceremonia u zhvillua në ambjentet e Pallatit të Kulturës Margarita Tutulani, njëkohësisht edhe Bashkia e Qytetit të Beratit emërtoi sheshin e ish axhensisë me emrin “Iliaz Vrioni”.
Ndër nga aktivitetet e ditës së 22 dhjetorit ishte edhe përurimi i pllakatës së sheshit “Iliaz Vrioni”, ish-sheshi “Agjencia”. Të pranishëm në këtë përurim ishin Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Prefekti i Qarkut, z. Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, deputetë të Qarkut Berat, të afërm të familjes Vrioni dhe qytetarë.
Falenderim të jashtëzakonshëm për Kryetarin e Bashkisë Berat z. Petrit Sinaj, për gjithçka që bëri edhe pse u kundërshtua ashpër nga ata që nuk duan të ndahen nga e shkuara e tyre e zezë dhe kriminale, ai ja doli me shumë vendosmëri duke i bërë një nder shumë të madh historisë së Shqipërisë, qytetit të Beratit dhe familjes Vrioni.
Falenderime dhe mirënjohje!
I nderuar President i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta
I nderuar Kryetar i Bashkisë, Berat z. Petrit Sinaj
Të nderuar pjesëmarrës, Antarë të Këshillit Bashkiak dhe qytetarë të Beratit!
Nderimi që i bëhet sot njërit prej përfaqësueseve më të shquar të familjes Vrioni, të paharruarit Iliaz Vrioni, të birit të Mehmet Ali Vrionit më jep rastin të shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjithë Ju, që bëtë të mundur këtë ngjarje!
Kjo Dekoratë e lartë me titull “Gjergj Kastriot – Skënderbeu” si dhe vendosja e emrit të Iliaz Vrionit këtij sheshi të qytetit te Beratit është shprehje e konsideratës dhe respektit të qytetarëve për vlerat kulturore e patriotike të bijëve të Tij. Ky akt i lartë përgjegjshmërie në vlerësimin e kontributeve të figurave të historisë kombëtare është shembulli më i mirë se si funksion Liria.
Lumja ti Shqipëri, – thashë, – që ke hyrë në këtë rrugë, nder për Bashkinë Berat dhe Kryetarin e saj!
Zoti President, Ju lutem pranoni falënderimet e mia të përzemërta dhe respektin e pakufishëm për personalitetin Tuaj!
Me respekt Iliaz Ali Vrioni
Mësues i Merituar Westlake, USA, 21 Dhjetor 2017
(materiali u përgatit nga Redon Veliu)