back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Figura e Lef Nosit në shtypin e shkruar komunist në regjimin totalitar shqiptar 1945-1965 – nga Sokol Paja/ Dielli

Gazeta

Lef Nosi (Pikturë e Arben Morinës)
Lef Nosi (Pikturë e Arben Morinës)

Figura e Lef Nosit në shtypin e shkruar komunist

në regjimin totalitar shqiptar 1945-1965

nga Sokol Paja/ Dielli

Shtypi i shkruar komunist përgjatë viteve 1945-1965 ishte një instrument i përqëndruar forcërisht në duart e partisë-shtet që kontrollonte gjithçka. Faqet e shtypit mbushen me gjyqe të zbardhura të kundërshtarëve të regjimit komunist. Shtypi, me qëllim forcimin e pushtetit dhe përgatitjen e publikut për forcën dhe egërsinë e regjimit, i bënte jehonë të madhe goditjes së kundërshtarëve politik të sistemit monist. Të njëjtin fat pati edhe Lef Nosi, firmëtari i pavarësisë, i cili u akuzua nga komunistët si tradhëtar dhe bashkëpunëtor i nazifashizmit. Në këtë punim do të zbardhim dhe do të analizojmë paraqitjen e figurës së Lef Nosit në faqet e shtypit të shkruar komunist. Do të merren në shqyrtim artikujt e botuar si në gazetën “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, etj të cilat ishin më afër partisë-shtet. Në regjimin totalitar shqiptar media kontrollohej totalisht nga shteti dhe “propaganda ishte si një drogë e detyruar për të gjithë kombin”. Media ishte aktori kryesor në lidhjen mes pushtetit dhe masave. Propaganda sistemit komunist shqiptar bazohej në zbatimin sistematik të mendimit marksist-leninist, i cili nëpërmjet mediave depërtonte në çdo qelizë shoqërore dhe shtetërore.
.
Lef Nosi - Mehdi Frashëri - Pater Anton Harapi
Lef Nosi – Mehdi Frashëri – Pater Anton Harapi

Lef Nosi në faqet e gazetës “Bashkimi”

Shtetet totalitare median e kanë një ndër partnerët më të fuqishëm për konsolidimin e diktaturave. Regjimi komunist në Shqipëri përgjat 45 viteve të sundimit, median e kishte një aleat të fortë sidomos kur bëhej fjala për dënimin e kundërshtarëve të regjimit. Gjyqet ndaj “tradhtarëve” të regjimit, mbushnin me porosinë e Komiteteit Qëndror dhe drejtuesve të propagandës, faqet kryesore të shtypit të shkruar. Në faqen e parë dhe kryetitull hapeshin gazetat e kohës ku titujt, mbititujt e nëntitujt pompozë i bënin jehohë “kriminelit” të radhës që po likujdohej nga regjimi. Në regjimin totalitar shqiptar “shtypi, mediat në përgjithësi, sikurse dhe sektorë të tjerë, si arsimi e kultura, konsiderohen si pjesë përbërëse e sistemit të propagandës së Partisë në fuqi dhe vendosen nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Partisë”. Përgjat monitorimit të shtypit të shkruar komunist në periudhën 1945-1965, në gazetën Bashkimi si organi më zyrtar i qeverisë për kohën, Lef Nosi paraqitet si: Fytyrë e poshtër tradhëtie, kriminel lufte i dorës së parë, bashkëpunëtor i nazi-fashizmit, gjakpirës dhe mashtrues i popullit, trashëgimtar i institucioneve antikombëtare, trashëgimtar i gjakpirësve feudalë, përgjegjës për luftën vëllavrasëse, shkaktar i robërisë kombëtare dhe mjerimit të popullit, tradhtar i popullit, përkrahës i politikës së aventurës me qëllim nënshtrimin e Shqipërisë, sabotator, njeri dhelprak e djallëzor, pjesëmarrës në mbledhjet ku është vendosur atentat ndaj njerëzve të frontit, dhunues të rendit popullor nëpërmjet bashkëpunimin me reaksionin ndërkombëtar, propagandues i parullave helmatonjëse te “ballit” etj. Akuza në shtyp përgjatë zbardhjes së procesit gjyqësor ndaj Lef Nosit në kuadër tëgjyqit kundër Këshillit të Lartë të Regjencës, Nosi akuzohet: “Ke inspiruar, urdhëruar, ndihmuar, okupatorin në vepra kriminale si: vrasje, tortura, arrestime dhe burgime në masë, internime dhe shpërngulje masive të popullsisë në masë drejtë kampeve të shfarosjes në Gjermani, Prishtinë etj, për grabitje, djegie, plaçkitje, rrënime pasurish të shtetit e privatëve”. Ndër faqet e shtypit Nosi paraqitet si publicist dhe propagandist i vënë në shërbim të nazizmit. Nosi fajësohet dhe akuzohet në shtyp se kishte ndihmuar në përhapjen e Legalitetit dhe Ballit kombëtar. Nosi akuzohet edhe si bashkëpunëtor në tradhtinë e klerit katolik, dhe pjesëmarrës e miratues i pushtimit italian të Shqipërisë. Ashpërsia e sistemit në gjyqin ndaj regjentëve, justifikohet si një hakmarje e drejtë e popullit ndaj tradhëtarëve që shitën atdheun, që shitën interesat e popullit dhe sabotuan ndërtimin e shtetit komunist. Referuar dosjes gjyqësore të zhvilluar më 1 shkurt 1946, rezulton në faqet e gazetës Bashkimi se Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë, ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare, akuza për të cilat sipas propagandës në shtypin e kohës, vdekja ishte pak. Nosi akuzohej si “anëtar i regjencës gjakatare, përkrahës i reaksionit ndërkombëtar, spiun i kuislingëve, njeri me ndërgjegje naziste” dhe regjimi i ri nuk mund të kishte në gjirin e tij tradhtarë të tillë. Reagimi i regjimit komunist mbështetet si një dëshirë e pakompromis e popullit, pra paraqitet sikur këto po i dënon populli jo pushteti dhe shteti ishte idetyruar të përmbushte deshirën e popullit. Partia pushteti e populli ishin një. Lef Nosi përmendet sëbashku me anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Regjencës si Maliq Bushatin, Pater Anton Harapin. Në vitin 1946, që përkon dhe me dënimin me vdekje te Lef Nosit dhe qeverisë së regjencës, shtypi shfaqet shum i ashpër dhe kthehet totalisht si një tabelë ku vareshin vendimet e gjykatave që dënonin kundërshtarët e regjimit. Regjimi nuk pranonte kundërshtarë.
.
Lef Nosi - Kryetar i Kuvendit
Lef Nosi – Kryetar i Kuvendit

Specifikat e regjimit komunist në Shqipëri 1945-1965

Regjimi politik që qeverisi Shqipërinë 1945-1990, ishte totalitarizëm stalinist. Totalitarizmi është regjim politik ku kavetëm një parti politike dhe i cili nuk pranon asnjë kundërshtim të organizuar. Shteti kontrollon, menaxhon dhe orkestron totalitetin e aktiviteteve të shoqërisë. Shtetet totalitare kontrollojnë dhe përcaktojnë çdo aspekt të jetës dhe aktiviteteve njerzore. Totalitarizmi është sistem unik që në esencë, është model qeverisës ku, një parti ka të gjitha pushtetet: ekonomike, politike, ushtarake dhe juridike. Shteti totalitar shqiptar përgjat 45 viteve kishte në themel një ideologji të imponuar për të gjithë; një partie vetme që kontrolloi tërë aparatin shtetëror, një aparat të tmerrshëm policor që ushtroi terror, dhunë, frikë e përndjekje; një autoritet qendror për ekonomi, një monopol të mjeteve të komunikimit masiv dhe një monopol të forcës ushtarake. Sistemi komunist në themel të ndërtimit të shtetit totalitar kishte si qëllim eleminimin e kundërshtarëve, eleminimin e fesë dhe një propagandë ekstreme në media për të përgatitur orkestruar dhe manipuluar opinionin e median që i kontrollonte totalisht. Me qëllim frikësimin e popullit ndaj pakënaqësive apo ndoj revolte të mundshme, regjimi komunist përdori torturat fizike dhe psikologjike që gjatë 45- vjetëve të diktaturës ishin nga më të pashembulltat në Shqipëri dhe më gjerë. “Diktatori paranojak Enver Hoxha, e bëri Shqipërinë një skenë ku luajti teatrin më gjigand të absurdit, ai që për ironi ish kundër artit modern, vetë ish autori, regjizori dhe aktori më i pamëshirshëm i aplikimit të terrorit absurd në jetë”. Propaganda në shtypin e shkruar komunist në fillimet e vendosjes së regjimit totalitar është e tipit parapërgatitës ku ngulmohet dhe jepet ideja mbi rëndësinë që kishte lufta ndaj gjithçkaje që binte ndesh me sistemin e ri që po instalohej. Feja dhe tradhtarët si Lef Nosi e kundërshtarë të tjerë të regjimit, mbushnin faqet e shtypit të përditshëm. Komunistët në shtyp propagandonin për një shoqëri të unifikuar dhe pa ndarje fetare se në këtë mënyrë ndarja dhe lufta e klasave do të ishte e dobët. Me anë të propagandës antifetare po përgatitej njeriu i ri komunist antifetar. Ideologjia fetare zëvendësohet me ideologji komuniste. Në çdo punë apo në çdo vendodhje të komunistit, “ai duhet të japë shembull organizimi, ideologjie, të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore, të tregojë iniciativën, të jetë novator dhe luftëtar për një prodhimtari të lartë në punë. Komunisti është organizatori, është edukonjësi dhe prijësi politik i masave”. Të dënuarit dhe të persekutuarit e regjimit komunist akuzoheshin si kriminelë lufte, grabitës, shkatërrim e plaçkitje të pasurisë së popullit, bashkëpunëtorë të shtypësve dhe okupatorëve të huaj. Të burgosurit në regjimin komunist “liheshin për ditë radhazi pa bukë e pa ujë, hera herë lidhur kokëposhtë, hera herë nga duart. Rriheshin egërsisht me grushte, me shkelma, me shufra hekuri”. Regjimi totalitar në Shqipëri bëri që të kishim ateizmin si ideologji shtetërore dhe praktikimi dhe ekzistenca e institucioneve fetare ndalohej me ligj. Totalitarizmi shqiptar kishte nën zotërim gjithçka ndodhte në këtë vend. Vërehej roli udhëheqës i Partisë së Punës në të gjithë jetën e vendit, politizimi i pushtetit Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor, parimi i unitetit të pushtetit, planifikimi i përgjithshëm i administrimit të punëve shtetërore, ideologjizimi i plotë i krejt shoqërisë.
.
Lef Nosi para gjyqit komunist
Lef Nosi para gjyqit komunist

Përfundime

Në regjimin diktatorial, shtypi ishte mjet i fuqishëm i propagandës në shërbim të konsolidimit të pushtetit monist. Në likujdimin e armiqve të pushtetit, mediat shfrytëzoheshin masivisht nga shteti për të bindur publikun dhe frikësuar masat. Përgjat monitorimit të shtypit të shkruar komunist në periudhën 1945-1965, në gazetën Bashkimi si organi më zyrtar i qeverisë për kohën, Lef Nosi paraqitet si: Fytyrë e poshtër tradhëtie, kriminel lufte i dorës së parë, bashkëpunëtor i nazi-fashizmit, gjakpirës dhe mashtrues i popullit, trashëgimtar i institucioneve antikombëtare, trashëgimtar i gjakpirësve feudalë, përgjegjës për luftën vëllavrasëse, shkaktar i robërisë kombëtare dhe mjerimit të popullit, tradhtar i popullit, përkrahës i politikës së aventurës me qëllim nënshtrimin e Shqipërisë, sabotator, njeri dhelprak e djallëzor, pjesëmarrës në mbledhjet ku është vendosur atentat ndaj njerëzve të frontit, dhunues të rendit popullor nëpërmjet bashkëpunimit me reaksionin ndërkombëtar, propagandues i parullave helmatonjëse te “balli” etj. Akuza në shtyp përgjat zbardhjes së procesit gjyqësor ndaj Lef Nosit në kuadër të gjyqit kundër Këshillit të Lartë të Regjencës, Nosi akuzohet: “Ke inspiruar, urdhëruar, ndihmuar, okupatorin në vepra kriminale si: vrasje, tortura, arrestime dhe burgime në masë, internime dhe shpërngulje masive të popullsisë në masë drejtë kampeve të shfarosjes në Gjermani, Prishtinë etj, për grabitje, djegie, plaçkitje, rrënime pasurish të shtetit e privatëve”.
Ndër faqet e shtypit Nosi paraqitet si publicist dhe propagandist i vënë në shërbim të nazizmit. Nosi fajësohet dhe akuzohet në shtyp se kishte ndihmuar në përhapjen e Legalitetit dhe Ballit kombëtar. Nosi akuzohet edhe si bashkëpunëtor në tradhtinë e klerit katolik, dhe pjesëmarrës e miratues i pushtimit italian të Shqipërisë.
.
Lef Nosi Filolog - Edelajda Cenaj-Çepaj
Lef Nosi Filolog – Edelajda Cenaj-Çepaj

Bibliografia

-Cenaj, Adelajda, Lef Nosi filolog, Naimi, Tiranë 2015
– Fuga, Artan, Monolog, Dudaj, Tiranë, 2010
-Gazeta “Bashkimi” 1945-1965
-Gazeta “Në Shërbim të Popullit” 1945-1965
-Gazeta “Zëri i Popullit” 1945-1965
-Gazeta “ Zëri i Rinisë” 1945-1965
-Kasoruho, Amik, Shqipëria, ankthi dhe ëndrra, UET Press, Tiranë 2012
-Velo, Maks, Esse për Diktaturën Komunistë, 55, Tiranë 2003

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.