back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shek. XVII – nga Fotaq Andrea & Dritan Muka

Gazeta

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shek. XVII

Me rastin e 554 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit

nga Fotaq Andrea & Dritan Muka

Që figura madhështore e Heroit Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, është trajtuar dhe glorifikuar historikisht nga emra të shquar të klasicizmit, humanizmit e iluminizmit europian e botëror, në mbushulli veprash historike, letrare e artistike – të cilat qëndrojnë në themel të shkencës skënderbegiane, – kjo përbën, me të drejtë, ajkën e krenarisë sonë kombëtare. Por që figura e tij të vihet edhe në qendër të baladës angleze të shek. XVII Shën Gjergji dhe Dragoi, recituar e kënduar si litani në kishat anglikane, duke e bërë Skënderbeun tonë të barabartin e mbi 50 heronjve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, – ja një veçanti e madhërishme për ikonografinë skënderbegiane. Për më tepër që kjo baladë angleze përbën në vetvete një lloj himni për kombin e ndritur anglez që ka për shenjt mbrojtës pikërisht Shën Gjergjin.
Dita e Shën Gjergjit – përcaktuar dikur 23 prilli, ka qenë festa tradicionale angleze dhe vetë kryqi i kuq i Shën Gjergjit në sfond të bardhë është flamuri i Anglisë. Deviza anglo-normande që e shoqëron “Hony soit qui mal y pense” – Mallkuar qoftë kush keq mendon, përbën emblemën e Urdhërit të Zharëtierës, urdhri më i lartë i kalorësisë britanike. Tepër i habitshëm është edhe fakti që Shekspiri (1564-1616), dramaturgu më i madh anglez e botëror, lindi dhe vdiq pikërisht më 23 prill, ditën e Shën Gjergjit.
Ballada angleze “Shën Gjergji dhe Dragoi” vë në dukje para së gjithash madhështinë e Shën Gjergjit, tek tingëllon si një rivendikim identiteti anglez. E shfaq Shenjtin Mbrojtës përmbi Heronjtë e mëdhenj të të gjitha kohërave duke shprehur në formë refreni ndjenjën e fuqishme të krishterë se vetëm kreshnikëria e Shën Gjergjit që u përball e mposhti Dragoin, simbolin e së keqes e të djallit është bëma më e lartë fisnike kalorësiake, e pakrahasueshme me kurrfarë tjetër dhe se të mohosh një gjë të tillë është e turpshme, mjaft që ta shkosh nëpër mend.
Balada apo romanca kalon kësisoj në “revistë” tërë heronjtë mitikë, antikë, klasikë e figura të ndritura të kombit anglez, francez dhe kombeve të tjera, gjithësecili me bëmën e vet karakteristike, me kreshnikërinë e vet të mahnitshme, por përsëri të pakrahasueshme me Bëmën e Lartë të Shën Gjergjit. 
Pa u ndalur në karakteristikën fisnike të çdo Heroi a Princi, të çdo lloj kohe, që la gjurmë të pashlyeshme në Histori me Bëmën e vet, në emër të humanizmit e njerëzimit, ja ku na shfaqet në Baladë figura e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut për bëmën e tij madhështore, atë luftë çerekshekullore kundër ish superfuqisë së kohës Perandorisë osmane. Brenda një vargu, në formë sintetike e me kundërvënie të fuqishme shfaqet, thjesht e prerë vetë kreshnikëria kastriotine: “Skanderbegun e madh Pasha Muhameti frikë e kish”(!) 
Krejt qëndresa heroike shqiptare përfshihet këtu, brenda këtij vargu esencial: Një Pasha Mehmet II, në krye të hordhive të tij 130-150 mijë vetëshe, në luftë të pareshtur 25 vjeçare me Skënderbeun e Madh në krye të gardës së tij pretoriane me 5 mijë kalorës dhe me një ushtri që nuk i kalonte më shumë se 20 mijë këmbësorë. Shpërpjestime të tilla numerike të kujtojnë me të drejtë luftën e Davidit kundër Goliatit, kur cilësia, virtyti, ndjenja e mbrojtjes dhe vetëdija kombëtare marrin përparësi e ngadhënjejnë ndaj sasisë numerike, vesit dhe ndjenjës për pushtim, gllabërim, mposhtje e poshtërim. Është kjo, përballja historike në dualitetin “E mirë – E keqe” sintetizuar gjatë kristianizmit në luftën e Shën Gjergjit kundër Dragoit. 
Dy vargje të tjera që pasojnë vargun e mësipërm janë po aq kuptimplota: “Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;/ Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot.” Nuk ka më bukur! Heroi shqiptar ngadhënjimtar Gjergj Kastrioti, shpallur nga papati “Atleti i Krishtit”, në paralelizëm të plotë me Heroin e krishtërimit Shën Gjergjin! Këtë paralelizëm e kemi shtjelluar tashmë në studimin tonë “Figura e Skënderbeut që bashkoi Nolin me Konicën”, botuar në këtë forum të Zemrës Shqiptare/Zemra jonë: 
http://www.zemrashqiptare.net/neës/40298/fotaq-andrea-skenderbeu-bashkoi-nolin-me-konicen.html 

Nga ana tjetër, kemi në këto vargje edhe dy elementë themelorë simbolizues që përjetësojnë lavdinë kastriotine: “eshtrat hajmali të Skënderbeut” dhe “brirët e dhisë në përkrenaren e tij”. Balada angleze duket sikur e thotë açik: “ushtarët turq mbanin në gjoks eshtra hajmali të lavdisë skënderbegiane”, eshtra këto që na shfaqen si “të shenjtëruara”, teksa “kreshnikët shqiptarë (bedjlerbegët) mbanin mbi krye brirët e dhisë”, ato brirë që të kujtojnë historikisht Pirron e Epirit, Aleksandrin e Madh, vetë “dhinë mitologjike Amaltea”. 
Është e njohur se arma simbol e Shën Gjergjit është ushta. Është po aq e njohur se edhe arma kryesore e stradiotit shqiptar – në themel të Kalorësisë së Lehtë Europiane me Gjergj Bastën në krye, që bëri Histori në shekujt XIV-XVII – është gjithashtu ushta, nga ku madje edhe fjala e bukur shqipe “ushtar”, “njeriu i ushtës”, “njeriu i zanatit të luftës”, siç është cilësuar historikisht vetë shqiptari. Gjë që nënkupton se çdo “ushtar” shqiptar ka mishëruar në vetvete një “Gjergj Kastriot”, një “Shën Gjergj”, nga ku edhe guximi i tij i pamatë dhe shpërthimi i ndjenjës së tij të fuqishme të Mbijetesës së lavdishme historike shqiptare.  
Po japim më poshtë romancën lutësore angleze, pa hyrë në hollësitë domethënëse të bëmave të Heronjve të Mëdhenj apo të gjesteve të tyre mitike e simbolike, si guri i hobesë së Davidit të Vogël, apo nofulla e gomarit të Samsonit, e më tej preshi i simbol i Shën Davidit, shenjtit mbrojtës të Vendit të Galëve, etj. Janë simbole kuptimplota, po aq sa eshtrat-hajmali të Skënderbeut dhe brirët e dhisë që përmenden në baladë. Po e japim përkthimin e kësaj balade të plotë në nderim të popullit anglez dhe të kujtimit të Bajronit të Madh që i bëri të njohur shqiptarët në botë me vargjet e tij të pavdekshme, me kostumin shqiptar që mbajti të veshur aq hijshëm.
Më në fund, një recitim i shkëlqyer artistik i baladës në gjuhën origjinale angleze, me një zë melodioz sublim, që mbush kubetë dhe kupolat e kishave anglikane për të oshëtirë në pafundësi si lutje e mesazh hyjnor, që depërton për t’u mishëruar në çdo pore të besimtarit të krishterë dhe të vetë qenies njerëzore, mund të ndiqet me dëgjim në rrjetin: 
https://ebba.english.ucsb.edu/ballad/34079/recording
https://ebba.english.ucsb.edu/ballad/34079/xml

Baladë angleze e shekullit XVII për Shën Gjergjin
Baladë angleze e shekullit XVII për Shën Gjergjin

Baladë angleze e shek. XVII për Shën Gjergjin dhe Dragoin

kënduar si lutje në kishat anglikane

Përse u dashka mburrë Artur e kalorës të tij,
Kur ua njohim ato luftëra plot bëma e kreshnikëri ;
Përse u dashka folë për Sir Lansëlo të Liqerit,
A për Tristan të Leonisë, që për zonjëza u ndeshën ndezur nga dashuri; 
Lëçitini ato të lashta histori dhe do shihni për bukuri,
Se vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin e mposhti gjithë trimëri,
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Palé për mbretër e monarkë sa gjatë do mund të flisni,
Apo për Romakët e lashtë që vetes i dhanë shkëlqim,
Me Hanibalë e Skipionë që luftuan plot guxim;
Palé të flisni për kalorësin kreshnik Rolandin Tërbimë;
Për Remin e Romulin që Romën ngritën në këmbë; 
Por vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin vu nën këmbë;
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Njerëzit në luftë se ç’i shpunë Jefte e Gideon,
E të gjithë muarrën arratinë, Gibonitë e Amonitë,
Bëmë e Herkulit ndodhi aty, në luginën Bass; 
Me nofull gomari njëmijë të vrarë Samsoni la pas; 
E kur u verbua, Tempullin rrafshoi nga dhéu,
Por Shën Gjergji, Shën Gjergj dragoit shpinën ia theu 
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Valentin e Orson gjak të Pepinit kishin në vena, bënin hata,
Alfred e Aldrikus kalorës kreshnikë qenë, plot bëma të mëdha;
Katër bijtë e Amonit me Karlin e Madh luftuan, 
Fisniku Hugh i Byrdosë dhe Godfrej i Bujonit,
Të tërë kalorës frëngj qenë, paganëve fenë ua ndryshuan;
Por Shën Gjergji, Shën Gjergji zemrën ia shkuli dragoit,
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Henri V, Francën nën këmbë e vuri, e pushtoi, 
E duke marshuar plot lavdi, krejt armët ia dërrmoi,
Shembi kala, shembi e shkretoi mbarë qytete,
Kurorë të dyfishtë e trefishtë në krye vu mbi vete,
Frëngjit i theu e në dhé të vet u kthye krenar pa njohur tutë
Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, e bëri dragoin qingj të urtë
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Shën Davidi, siç e dini, djathë të shkrirë e preshin do, 
E Jasoni ish ai që bashkën e artë e solli, kërkuar ngado;
E Patriku – mirë e dini, – Shën Gjergjit i shërbeu, 
E, para se t’ia vjedhë, plot shtatë mote kalin ia ruajti, ia ushqeu, 
Për këtë vepër aq të ndyrë, skllav mbet, e skllav të tillë askund nuk has;
Por Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin goditi, e vrau,
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Tamberlani, perandori, brenda në kafaz kurorëzuar,
Flamuj të përgjakur shpaloste qytete më qytet të rrënuar;
Skanderbegun e madh, Pasha Muhameti frikë e kish,
Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;
Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot;
Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin coptoi atë mot,
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Otamon Tartari nga racë e Persëve ish,
Mongoli i madh gjoksin gjithë hekur dhe gozhdë e kish;
I riu grek Bucefalin kalëronte gjithë krenari,
Por ata nëntë kreshnikët Shën Gjergji i shihte me qesëndi;
Gustav Adolfi, i Suedisë ishte mbret, luftëtar i rreptë, të tërë i theu,
Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, bishtin plot helm Dragoit ia preu,
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Poldragon e Cadëallader, për gjakun anglez ishin krenarë,
Por edhe pse Xhon i Gandit armiqtë i tmerroi, veç Shën Gjergji triumfoi;
Agamemnoni, Klemedoni e Maqedoni bënë tërë ato kreshnikëri,
Por përmbi ta, veç kampioni ynë shkëlqeu në trimëri;
Kalorësit guximtarë të Maltës, në luftë me turqit, shpatat i vringëllinë,
Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, me Dragoin u ndesh, aty në shesh;
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, përjetë mallkuar qoftë, siç e nisi.

Amazona Bidia, me bëmën e vet, Poetusin e mposhti, pa njohur tutë,
Me po aq egërsi sa një vandal, got, saraçin e çifut,
Të fuqishmit Holofernus, nderur në shtrat,
E urta Judit, kokën ia fluturoi me shpatë,
Trimi Qiklop me Jupterin u ndesh pa pyetur për rrufetë e tij,
Por Shën Gjergji, Shën Gjergji e vrau Dragoin, a s’është kjo një mrekulli?
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Që Mark Antoni u ndesh me mbretëreshë të Egjiptit, s’ka dyshim,
Sir Eglamori, ky kalorës kreshnik, s’kish njohur dështim;
Fuqi e Gorgonës kish marrë dhenë, e plakun Bevis kush nuk e kish frikë,
Mirmidonët e Prester Xhonët, përse vallë s’u njohën kalorës fisnikë?
Trimi Spinola qytetin Breda shtiu në dorë, Nassau, krahët ia mbuloi,
Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin e dërrmoi,
Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,
Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.