Figura historike shqiptare në portrete vizatimore të stilizuara
nga Lekë Pervizi
Art i veçantë i stilizuar e skematik punuar në kompjutër, ekskluzivisht për revistën Kuq e Zi
Figura historike shqiptare
Në mbyllje të çdo reviste kemi caktuar të paraqesim disa portrete të mbretërve iliro-shqiptarë në vizatime speciale të papërdorur nga piktorë të tjerë. Vizatime të stilizuara e skematikë, me anë të kompiuterit, ngaqë nuk shoh mirë nga sytë, kështuqë po përdor zmadhues që më lejojnë të vizatoj, në ekranin e posaçëm të skanerit. Kjo ka bërë që të zbatoj një stil skematik të përveçëm, krejtësisht i personalizuar e vetjak. I botojmë në revistën Kuq e Zi, që të mbetën aty si demonstrim i një lloj arti specifik, nga ana jonë. Në pamundësi që të paraqiten në ndonjë ekspozitë. Kështu që përveç portreteve të mbretërve ilirë, siç shihet figurat e mbretërve ilirë janë të punuara me fantazi, për t’ju dhënë njëfarë identiteti të përafërt, siç “na e ka prerë mendja”. Për ma tepër kemi fiksuar mbretnit e parë ilirë që nuk kanë asnjë shenjë të tyre. Ndërsa mbretërve të tjerë u kemi bashkangjitë edhe gratë e tyre, sigurisht të fantazuara, – gjë që u lejohet piktorëve.
Figura historike shqiptare
I dhamë përparësi Gjon Kastriotit, Skandërbeut e Lek Dukagjinit, figurat kryesore të historisë sonë. Pastaj vazhdojmë me mbretnit e mbretneshat iliro-shqiptare. Këto vizatime vendosëm të ua kushtojmë disa figurave madhore të historisë sonë, simbolikisht, që të qëndrojnë si kujtesë, të pranisë e kontributit të tyre në histori. Patjetër, si figura të racës sonë shqiptare të evidencuara në shekuj. Përsa i përket tre figurave të para të mesjetës, si atë e bir Kastriotët dhe Lek Dukagjini vendosëm në krye të rradhitjes me mbretnit paraardhës së tyre, me gjak iliro-shqiptar, por që bota e huej nuk na i njeh. Duke mos na njohur e mohuar origjinën tonë të lashtë, dhe si rrjedhim dhe figurat e mëdha historike të gjakut shqiptar. Kështu për të sanksionue këtë të vërtetë historike, ndërmorëm t’i fiksojmë këto mbretën e princa, parahistorikë e historikë, në vizatimet tona të stilizuara e modeste, por shumë simbolikë e njëkohësisht për ne shqiptarët një krenari legjitime. Këtë si detyre morale e patriotike iu ngarkua revistës Kuq e Zi, për t’ua përcjellë lexuesve të tashëm dhe të ardhshëm.
Portretet e 100 intelektualëve të interrnuar
Këtë lloj pune e arti e kemi nisur vonë, e siç e thashë, nga fakti i dobësimit të syve. Kjo është vërtet për t’u çuditur, sepse me këtë sistem, përveç serisë së mbretërve ilirë, arritëm të fiksojmë në skica skematike, një rradhë të burgosurve e internuarve të kampeve të komunizmit. E veçantë seria e 100 intelektualëve e patriotëve të kampit të izolimit të Kuçit të Kurveleshit, me të cilët ndamë dënimet, si dhe disa të kampit-burg të Porto-Palermos. Këta bashkëvuejtës kështu mbetën të fiksuar në faqet e revistës Kuq e Zi, për të mos u harruar kurrë.
Mbretën e mbretnesha ilire
Ne, kemi marrë përsipër t’u japim mbretënve e mbretneshave ilire një identitet figurativ, që të justifikohet ekzistenca e tyre, qoftë dhe me fantazinë e piktorit. E kemi filluar radhën me dinastitë shqiptare të Kastriotit e Dukagjinin, për të vazhdue me mbretërit ilirë, nga ma të hershmit, nga Hylli e me radhë. Nga 1300 deri 50 vjet para Krishtit, që janë 22 mbretën e 10 mbretnesha historike. Por që një pjesë e tyne ma e lashtë nuk ekzistojnë të figuruar, ndërsa me vizatimet tona, marrin një identitet pamor, siç veprojnë dhe vende të tjera, me koleksione vizatimore, të mbretërve e perandorëve të tyne të lashtësisë.
Princesha Argjiro heroina e Gjirokastrës
Princesha Argjiro heroina e Gjirokastrës, me figurën e së cilës mbyllim serinë e mbretërve iliro-shqiptarë.
Princesha Argjiro, qe vërtet asht një simbol heroizmi vetmohues. Siç dihet, historia e saj, shënohet nga invadimi i Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Turqit e rrethuen Gjrokastrën dhe arritën ta pushtoninë. Argjiro, që ishte dhe luftëtare përkrah të shoqit, si e pa që turqit e morën qytetin, mori fëmijën në krah dhe u ngjit në kullën e kalasë, prej nga u hodh me djalin e vogël, duke gjetë vdekjen. Një akt heroik vetmohues për të mos ra në dorë të turqve. Kështu ajo mbetet simboli i qytetit që mori emnin e saj, Gjirokastër. Kështu që historia dhe heroizmi saj u përjetësuen dhe vazhdojnë të përjetësohen në amshim.
Por kjo punë e jonë me vizatimet që paraqitem, na shtyn, (po ta kemi mundësinë), që të vizatojme edhe mbretërit e tjerë iliro-shqiptarë, parahistorikë. Vullnetin e aftësinë e kemi, varet nëse ia nisim asaj pune, që asht pak e vështirë, sepse vizatimet bahen me kompjuter, dhe nuk asht aq e lehtë, t’i përvishemi asaj pune, duke konsiderue edhe moshën e thyeme që kemi.
Këto janë disa figura kryesore, që kanë lënë shenja të tyre. Do të paraqesim mbretërit e parë Ilirë pa gjurmë figurative, për të fiksuar e nderuar kujtimin e tyne…
Marrë nga Revista KuqeZi