back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fiqiri Dine, Kryeministri i 30-të i Shqipërisë nga Eugen Shehu

Gazeta

Fiqiri Dine - Bruksel 1960
Fiqiri Dine – Bruksel 1960

Fiqiri Dine,

Kryeministri i 30-të i Shqipërisë

nga Eugen Shehu

Si një lum madhështor që ngarend të derdhet në det, ashtu edhe historia e trevës së Dibrës, kërkon të zgjohet nëpër kohë. Ky zgjim, ndonëse i dhimbshëm, ndonëse me të vërteta befasuese, kurdoherë është i mirëpritur prej shqiptarëve, kudo ku ato gjallojnë. Ky zgjim klith jo vetëm histori por na sjell në kujtesë të ditëve të sotme edhe emra të bijve të shquar dibranë, e Fiqiri Dine e meriton të kujtohet përherë me nderim.
I lindur në marsin e vitit 1898, Fiqiriu do të ishte një ndër djemtë e shumtë të kësaj familjeje të njohur në krejt Maqellarën. Dine Maqellara, ishte miku i ngushtë i Elez Isufit, Sufë Xhelilit, Sadulla Strazimirit e Nazif Grazhdanit, u shqua sidomos në lëvizjen e madhe kombëtare shqiptare për shpalljen e pavarsisë. Një varg betejash në vitet 1910-1911, provuan jo vetëm trimërinë e Dine Maqellarës, por edhe urrejtjen shekullore të tij ndaj serbosllavëve. Mendoj se është me vend të kujtojmë se qeveritë shqiptare të pas viteve 1915, disa herë e patën kërkuar Dine Maqellarën në Durrës e Tiranë, duke i bërë propozime për poste e funksione konkrete, por burri trim u mjaftua me detyrën provinciale të kryetarit të komunës së Maqellarës, detyrë të cilën e mbajti deri ditën që vdiq.
Më i madhi i djemve të tij, Fiqiriu, mbaroi në vitin 1914, shkollën e mesme, në Dibër të Madhe ku edhe u shqua ndër shokët për rezultate të larta në mësime. Është kjo arsyeja që Dine Maqellara, ndërhyn tek disa miq të tij në Austri dhe Fiqiriu tanimë 17 vjeçar, merr rrugën për në akademinë ushtarake në Austri. Aty bie në sy zgjuarsia dhe talenti i spikatur ushtarak i Fiqiriut, i cili ndonëse arrinte rezultate të larta në mësime, mendjen e kish në turbullirat ballaknike të viteve 1915-1918 e sidomos në Dibrën e tij të shtrenjtë.
Me të mbaruar akademinë ushtarake, në vitin 1919, Fiqiri Dine kthehet në atdhe. Në fillim ai punon për disa muaj në funksionin e nëntogerit, në Shkodër e madje, me formimin e Qeverisë atdhetare dalë prej Kuvendit të Lushnjës, Fiqiriu inkuadrohet në radhët e xhandarmërisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, me gradën e togerit. Arma e xhandarmërisë shqiptare, e ndihmuar edhe nga disa misionarë angleze e hollandeze, njohu përparime të shpejta në vitet 1919-1924. Është e kuptueshme që në këto zhvillime, ndërthuren edhe talenti, trimëria dhe ndershmëria e kuadrove shqiptare ndër të cilat militonte edhe Fiqiri Dine. Ngase shihnin në personalitetin e Fiqiri Dines, ushtarakun e rreptë por të ndershëm, komandantët direkt të tij dërgojnë relacione të njëpasnjëshme në zyrat eprore duke e propozuar atë në funksione të larta. Kështu në vitin 1920, e shohim birin e Maqellarës në funksionin e qarkomandantit të qytetit të Shkodrës. Orvatjet serbo-malazeze në fundvitin 1920, për të shkelur territoret shqiptare, kanë dështuar disa herë radhazi, falë organizimit luftarak të persosur të xhandarmërisë dhe ushtrisë kombëtare shqiptare në qarkun e Shkodrës. Janë dhjetra burime arkivore të xhandarmërisë shqiptare të cilat na bëjnë me dije mbi veprimtarinë atdhetare dhe ushtarake të Fiqiri Dines.
Flitet mbi operacione të shumta dhe dalin në pah, trimëria e birit të Maqellarës: ”Mbramë, rreth mesnatës, në vendin e quajtur Tamare, forcat tona janë përpjekë me disa çetnikë serbë të armatosur që patën shkel kufirin shqiptar. Reparti ynë asht rrezikue se tepërmi, por asht dasht ndërhyrja e kapiten Fiqri Dines, i cili ka drejtumun me sukses operacionin ku kan metë të vramun 4 ushtarë serbë e janë plagosur disa të tjerë…”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi Qeveria e Lushnjës, dokumenti 37/a fleta 13).
Në fund të vitit 1921, janë forcat serbe të ndihmuara nga bjellogardistët rusë, të cilët mësyjnë në Malësitë e Mirditës, gjoja për të ngritur aty flamurin e pavarsisë së shqiptarëve. Ahmet Zogu, (atë kohë në detyrën e ministrit të mbrendshëm shqiptar) njofton pos të tjerave edhe Fiqiri Dinen, i cili në krye të 300 burrave niset drejt Mirditës. Ai lufton trimërisht në krye të xhandarmëve shqiptarë duke vënë në vend nderin e qeverisë shqiptare të dalë nga Kuvendi historik i Lushnjës. Të nxitur nga ky qëndrim, në një prej luftimeve të kryera në Dibër, forcat serbe i djegin shtëpinë Dine Maqellarës dhe ngase burrat ishin të gjithë nën armë për mbrojtjen e atdheut, serbët i marrin gratë dhe fëmijët e Dinajve dhe i internojnë në Manastir. Fatmirësisht, në gjoja kryengritjen e Mirditës, ushtria kombëtare shqiptare zuri mjaft robër si serbë, ashtu edhe bjellogardistë. Me urdhër të Ahmet Zogut, robërit serb u ndëruan me familjet dibrane të internuara në Nish dhe Manastir, me ç’rast përfitoi edhe familja e Dine Maqellarës. Në fillim të viteve ’30-të, Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu, u përpoq të luajë një politikë sa më të hapur në Ballkan e më gjerë, por duke bërë gjithmonë kujdes të vazhdueshëm si më parë për sigurimin e tërësisë tokësore shqiptare politike. Duke mos harruar rrezikun nga fqinjët, ai vazhdonte gjithmonë me reformimin të ushtrisë kombëtare shqiptare, ai mundi ta modernizojë atë si në koncepte edhe në armatime. Mendoj se ky ka qenë vlersimi i drejtëpërsëdrejti i tij, i cili në krye të katër grupimeve më të mëdha ushtarake vendosi: Muharrem Bajraktarin, Preng Previzin, Fiqiri Dinen dhe Hysni Demën. Në komandën e grupimit të vet ushtarak, Fiqiri Dine u shqua jo vetëm si prijës ushtarak i rreptë por edhe politikan shumëdimensional. Ashtu sikundër bëri përpjekje të gjithanshme për ruajtjen e kufijve detarë e tokësore, ç’prej Shëngjini deri në Lurë, ashtu ndërmori edhe mjaft veprime politike për të lejuar që shqiptarët e këtej kufijve politikë të vitit 1913, të mundnim të gjenim ngrohtësi në vatrat tona, në pronat tona, kur shkonin ktej në shtetin amë, të ndjekur prej forcave pushtuese serbosllave, kullat e tij në Maqellarë, por edhe shtëpitë ku banonte në Shkodër, Burrel e Tiranë, ishin oda që rrinin kurdoherë të mbushura plot e përplot me trima. E vërteta është se Ushtria Kombëtare Shqiptare, nën komandën e Fiqiri Dines, Muharrem Bajraktarit, Hysni Demës dhe Preng Previzit, jetoi jo vetëm me shqetsimin e mbrojtjes së kufijve të shtetit amë, por ndërmori nisma konkrete ushtarake në disa raste, edhe në mbrojtje të shqiptarëve të trevave të tjera etnike. “…Askurrë na nuk e kena pranue Shqypninë e ndame… ka thënë Fiqiri Dine, më 28 nëndorin e vitit 1938, në fjalën e mbajtur përpara efendive të garnizonit të Dibrës,se ajo asht ndamun jasht vullnetit të popullit tonë dhe çka bahet e vendoset jashtë këtij vullneti, nuk reziston dot gjatë!”.

Katër Kolonelët e Ushtrisë Shqiptare: Dine - Pervizi - Bajraktari - Dema
Katër Kolonelët e Ushtrisë Shqiptare:
Dine – Pervizi – Bajraktari – Dema

Pushtimi fashist i Italisë, do të brengoste burrin e mençur të Maqellarës, por gjithsesi nuk do ta mposhte. Të Katër Kolonelët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, të lidhur me njeri tjetrin në besë malesh, vijuan luftën e tyre kundër okupatorit italian. E vërteta asht se Fiqiri Dinen, ashtu si kundër edhe miqtë e tjerë të tij, komanda e lartë ushtarake e thiri disa herë duke i premtuar grada e detyra më të larta. Por biri i Maqellarës asesi nuk pranoi. Përgjigja e tij, ishte krijimi i çetave nacionaliste dhe lufta me armë kundra çdo okupatori. Përkundër asaj çështë thënë e shkruar për “tradhëtarë” Fiqiri Dine (prej historiografisë komuniste envero-titiste), misionarët anglez që ndiqnin me sy luftimet në Shqipëri, në vitet 1943-1944 shprehen; “Gjithashtu tre krerë fisnorë kishin ngritur qendra rezistence kundër italianëve. Fiqiri Dine në Dibër, në kufirin me Jugosllavinë, Muharrem Bajraktari në Lumë, në luginën e thyer të Drinit të Zi dhe pas arratisjes nga burgu italian, kryezinjtë në Kosovë”. (Julian Amery “Kujtime që nuk shlyhen” – Tiranë 1995, fq 80).
Janë me dhjetra beteja madhore të zhvilluara në Malet e Dibrës, të cilat, të udhëhequra nga Fiqiri Dine, përcaktuan fatet e mëtejshme jo vetëm të Dibrës, por krejt trevave veriore të Shqipërisë. Në këto beteja të pakompromis, biri i Maqellarës ishte kurdoherë në radhët e para, i heshtur por tepër i dashur me bashkëluftëtarët e vet, i rreptë me ata që shfaqnin mendime anarkike dhe tepër largpamës në politikat ballkanike që luheshin në kuriz të shqiptarëve. Në vitet 1942-1943, ai gjithashtu u shfaq hapur kundër komunizmit sllav, mandej jo rrallë në malet e Dibrës pat qarkulluar simbolika e shprehjes së tij se; “Kryet e Dibranëve s’ka mujt me i ulë kurrë serbi e malazezi, por po don me i përkulun komunizmi!”.
Në korrik-gushtin e vitit 1943, lidhjet e Fiqiri Dines me Organizatën e Ballit Kombëtar janë tejet interesante. Burri i Maqellarës, ushtaraku vizionar, politikani me prirje perëndimore, parashihte tek ky grupim politik një realizim konkret të aspiratave shekullore të shqiptarëve. Për më tej ideja e Shqipërisë Etnike, e cila gjallonte në konstitucionin moral të krejt popullit tonë, e ftonte Fiqiri Dinen të bashkëpunonte realisht me këto forca politike. Kështu në korrik 1943, me porosi të Mit’hat Frashërit, Fiqiri Dine mbledh në katundin Homesh të Dibrës, krejt prijësat e Veriut. Në këtë tubim, pos të tjerave merrnin pjesë edhe Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Isuf Luzaj të cilët në fjalën e tyre u ndalën rreth bashkimit të formacioneve nacionaliste të kësaj treve në një komandë të vetme. Më pas, ka qenë vetë apsotulli i shqiptarizmës, Mit’hat Frashëri, i cili ka propozuar në krye të komandës ushtarake, Fiqiri Dinen. Burime relevante flasin për atë, se ndërsa në Homesh zhvillohej tubimi i krerëve nacionalistë, forca të shumta italiane marshuan drejt Maqellarës dhe pas raprezaljeve të shumta në popull, bënë shkrumb e hi, shtëpinë e Fiqiri Dines. Ky me të marrë vesht lajmin, në krye të 700 dibranëve, rrethon Maqellarën dhe pas dy ditë luftimesh të rrepta e çliron plotësisht atë.
“Përsa u përket forcave italiane, ato të sulmuara nga forcat dibrane të Fiqri Dines, u detyruan të tërhiqen në lagjen e tyre, në qytetin e Dibrës. Pa humbur kohë komandanti i Divizionit italian, gjenerali Diaz, dërgon me mision në Maqellarë prefektin e Dibrës Mehmet Hoxhën (ky ishte nga Gjakova. Prej një burimi të sigurt është njoftuar se ishte në shërbim të komunizmit serb. Më vonë u emërua ministër në qeverinë federative të titos) Prefekti në fjalë, i garantonte Fiqiri Dines se gjenerali Diaz do t’ia paguante gjthë vlerën e shtëpise në napoleona flori. Fiqiri Dine, i indinjuar për këtë propozim provokues, i thotë të dërguarit të gjeneralit se ai nuk ishte një njeri që mund të blihej me para dhe se nuk do të bëhej kurrë tradhëtar i atdheut!”. (L. Radi “Rëfime për Dinejt e Dibrës” fq.46). Edhe në muajt gusht-shtator 1943, forcat nacionaliste dibrane, të udhëhequra nga Fiqiri Dine, zhvilluan me sukses disa luftime, kundër divizionit italian të komanduar nga gjenerali Diaz. Ndonëse italianët përdornin rëndom artilerinë e rëndë si edhe teknikën luftarake moderne, nacionalistët duke shfrytëzuar maksimalisht terrenin, të prirë trimërisht prej Fiqiri Dines, në mjaft luftime ngadhnjyen kundër forcave italiane. Lidhur me aftësitë e larta organizuese të birit të Maqellarës, misionarët anglezë do të shkruanin tekstualisht: “Njeriu më i fuqishëm i Dibrës, ishte Fiqiri Dine, dikur pasues i Ahmet Zogut. Fiqiriu kish udhëhequr kryengritjen e famshme dibrane më 1943, dhe kishte dëbuar italianët nga Dibra… Fuqia e tij vinte jo nga numri i pushkëve, por nga ndikimi i tij, mbi krerët më të mëdhenj, të cilët i admironin cilësitë e tij si burrë shteti. Kudo që shkonin në Dibër, ne i shihnim shenjat e ndikimit të tij të fuqishëm…”.(Julian Amery. “Kujtime që nuk shlyhen “ Tiranë – 1995, faqe 104).

Rrëfim për Dinejt e Dibrës
“Rrëfim për Dinejt e Dibrës”
Monografi dokumentare nga Lazër Radi

Kapitullimi i Italisë, solli konfiguracione të reja politike në Shqipëri. Tashmë ishte konturuar një vijë e ashpër demarkacioni midis forcave nacionaliste shqiptare të udhëhequra prej Ballit Kombëtar dhe forcave partizane komuniste të udhëhqura prej komunistëve të Beogradit. Kjo vijë e ashpër demarkacioni, u shëndrrua në dimërin e egër 1943-1944 në një luftë të dhimbshme vëllavrasëse, e cila frymëzohej prej guzhinave të ndyra serbosllavo e ruse. Për të vërtetën historike duhet thënë se në fillim të vitit 1944, qeveria angleze pranoi që Hungria, Rumunia dhe Bullgaria, të hynin në sferën e ndikimeve Sovjetike. Ata tërhoqën misionin e tyre ushtarak edhe nga Beogradi, me ç’rast u kumtuan jugosllavëve se për ta, do të kujdesej Baba Stalini. Ky fatalitet, do të mbështillte më pas edhe tokat shqiptare, kur aty të lulëzonte terrorizmi bollshevik.
Misioni Anglez në Dibër, i përfaqsuar nga Peter Kamp, që në fillimet e veta të veprimtarisë u bashkua me forcat nacionaliste të udhëhequra nga Fiqiri Dine. Anglezët kërkuan prej Fiqiri Dines që forcat e tij të viheshin në front për të luftuar kundër gjermanëve. E vërteta është se burri i mençur i Maqellarës pranoi këtë ide të anglezëve, vetëm nëse këta do të plotsonin kushtet e tij siç ishin furnizimi me veshëmbathje, armatime e municione të luftëtarëve si edhe zhvillimin e luftimeve larg zonave të banuara ku gjermanët të mos kishin mundësi të kryenin reprezalje në popull apo të digjnin qytetet shqiptare…
Peter Kamp, në kujtimet e veta, flet pos të tjerave për vizionin e qartë të Fiqiri Dines, i cili rrezikun më të madh për ardhmërinë shqiptare e parashihte tek vendosja e komunizmit dhe jo kalimi i përkohshëm në këto troje i forcave gjermane. Ka vizion, kjo ndjenjë e përgjegjsisë për fatet e vendit të vet, do të bënte që në fillim korrikun e vitit 1944, të pranonte besimin që Këshilli i Naltë i Shqipërisë, i dha për të drejtuar shtetin shqiptar. Shumë është përfolur në 50 vitet e diktaturës komuniste, kjo përgjegjsi e madhe morale e Fiqiri Dines.
Shumë lart është hedhur mbi ato ditë kur ndritte si xhevahiri, mendimi nacionalist shqiptar, ai mendim i thellë që buronte prej dëshirës së shqiptarëve, për të jetuar kurdoherë së bashku në trojet e tyre etnike. Më poshtë, do desha t’u jap lexuesve të mij, vetëm disa rreshtat e parë që burri i Maqellarës, trimi i Dibrës, Fiqri Dine, mbajti në ceremonin e marrjes së detyrës së vështirë të kryeministrit shqiptar:

Zotnij të ndershëm!
Bashkë me shokët e mij, me të cilët sot kam nderin të paraqitem para Zotnisë suaj, mora përsipër në këto kohra kaq të vështira këtë barrë të rëndë që i shkëlqyeshmi Këshill i Naltë pati besimin e ma bani nderin të ma ngarkoje.
Para se t’u lutem me ma dhanë votëbesimin tuej, me lejoni të parashtroj në vija të përgjithshme, mendimet themelore që do të udhëzojnë veprimet tona në lidhje me mundësitë e dhanuna prej gjendjes së kesaj lufte që gjigandët po zhvillojnë ndërmjet tyre e që drejtazi apo tërthorazi kanë prekë thellësisht edhe vendin tonë, qoftë në fushën landore apo në atë shpirtërore. Ideali Kombëtar mbi gjithshka.
Mbi gjithshka Zotnij Deputetë, qëndron Ideali Kombëtar, kombi shqiptar, tanësia etnike shqiptare, vllaznimi shqiptar n’emnin e Atdheut, të rendit publik dhe të përparimit. Është detyrë e gjithsecilit prej nesh dhe e të gjithëve së bashku t’ia përshtasim metodikisht veprimet tona këtij ideali të përbashkët po deshëm t’i shmangemi çdo mosmarrveshjeje që ve në rrezik gjendjen tonë të sotme dhe atë të një të nesërme më të bukur e më të shkëlqyeshme që e kemi për detyrë e të drejtë ta parashikojmë. E nesërme që për ne asht Shqipëria Etnike, Shqipnia në shërimin e saj nga plagët e rënda shpirtërore e landore, Shqipnia në ndërtimin e saj kulturor, shoqënor, ekonomik e financiar mbi themele më të shëndosha e më të sigurta. Tue pas gjithë këtë qëllim, na do t’i qëndrojmë besnikë vetes sonë e njeni-tjetrit, e tërthorazi do t’i qëndrojmë besnikë kushteve të shteteve të mëdha ndërluftuese dhe do të jemi korrektë me fqinjët tanë. Gjithashtu, do të mundim të marrim, të pranojmë e të durojmë çdo barrë e çdo therrori që na paraqitet, të kryejmë çdo veprim e detyrë që të na kërkohet”. (Gazeta “Bashkimi i Kombit” më 21 korrik 1944).
Që në ditët e para të qeverisjes, Fiqiri Dine mori një varg masash me të cilat donte të parandalonte luftën vëllavrasëse midis shqiptarëve të grupuar në dy formacione politike me kahje të kundërt. Në fjalimet, bisedat si edhe urdhërat e dhëna ato ditë, burri i Maqellarës ky antiserbosllav i lindur, u përpoq me çdo kusht të denonconte komunistët serbë, për çorbën e hidhur që po gatuanin në Shqipëri. Ai vendosi qëndrime tejet korrekte me gjermanët mandej hyri në bisedime konkrete lidhur me fatet e trevave shqiptare në Kosovë e Maqedoninë perëndimore. Autoritar në vendimet e marra, Fiqiri Dine ka urdhëruar një pjesë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, të luftonin në kufijtë etnike shqiptare si kundër serbo-malazezëve, ashtu edhe kundër bullgarëve e sllavomaqedonasve. Madje një tjetër vlerë e pamohueshme e Fiqiri Dines, gjatë periudhës së shkurtër të qeverisjes së tij, ishte pakti antikomunist që ai lidhi me Ismail Golemin në Jug, Abaz Kupin në Shqipërinë Mesme dhe Gjon Marka Gjonin e Preng Previzin në Shqipërinë e Epërme. Mik e bashkëluftëtar i ngushtë i tij mbeti deri në fund edhe Muharrem Bajraktari. Ndonëse lufta vëllavrasëse dukej se po shuhej, këtë gjë nuk mund ta pranonin komunistët. Herë herë, rrugicat e qyteteve kanë qenë mbushur me traktet e tyre duke sharë e fyer Burrin e Maqellarës, i cili duke e kuptuar qëllimin e tyre provokues, nuk ka ndërmarrë asnjë aksion kundër bazave komuniste. Duke parë këtë qëndrim të matur të nacionalistëve shqiptarë, në atë qerthull të rrezikshëm ngjarjesh, nacionalçlirimtarët shqiptarë të përzier me serbë, nuk kanë vonuar të shpallin luftën deri në vdekje midis shqiptarëve. Në një udhëzim të klikës komuniste të Tiranës pikërisht në gushtin e vitit 1944, është thënë: “Të hidhen menjëherë trakte nga ana e korpusit, e divizioneve, ku përveç tjerave të thuhet edhe kjo, e cila të jetë kryesorja; Mehdi Frashëri, Lumo Skendo, Ali Këlcyra, Fiqiri Dine, Lef Nosi dhe gjithë bashkëpuntorët e tyre kuilingë, janë tradhëtarë të popullit, si të tillë do të shkojnë në gjyq për tradhëti, çdo manovër e tyre dhe e kujdo tjetër do të jetë e kotë. Të gjithë krerët e tjerë do të shkojnë përpara gjyqit…” (Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Udhëzimi dërguar shtabit të korparmatës I-rë më datë 5-9-1944.Vëllimi II, faqe 145 ).
Në gushtin e vitit 1944, Stalini pat filluar kundërofensivat e mëdha. Tashmë ai nuk mund të pyeste për milionat e ushtarëve të rënë, por kërkonte lavdinë e rrënuar nëpër gërmadhat e qyteteve që digjeshin. Fitoret e bolshevikëve po rrisnin radhët e nacionalçlirimtarëve në krejt Evropën Lindore, popujt e të cilës as nuk mund të imagjinonin, terrorin e kuq, ndarjet e përçarjet, që do të vinin paskëtej. Edhe në trevat shqiptare, ky ogur i zi, do të nderej përmes luftës vëllavrasëse. Tërheqja e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare prej kufijve etnike, mësymja e formacioneve komuniste në Kosovë e Maqedoninë shqiptare, eleminimi i egër fizik që pat nisur ndaj figurave madhore nacionalsite, bënë që Fiqiri Dine të jepte dorëheqjen. E shoh me vend, t’ju rikujtoj ato fjalë të mençura, që ky burrë pat thënë shtatë decenie më parë, ndërsa linte postin e kryeministrit shqiptar.

Shkëlqesa!
Qeveria që kam nderin të kryesoj, ka ardhë me besimin tuaj në fuqi, me një program që në pikat e tij kryesore asht përmbledhë në programin që parashtruam përpara Parlamentit më 24 korrik 1944.
Sikurse asht në dijeninë e Zotnisë suej, pikat esenciale të këtij programi parashifnin mbrojtjen e tanësisë së kufijve t’Atdheut dhe sigurimin e rendit publik. Për me ia arrijtë këtyre qëllimeve Qeveria mbështetesh në fuqitë e armatosura të Shqipnisë, në vullnetin e mirë të popullit dhe në shpresën e pajtimit shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.
Mjerisht, rrethanat e jashtme dhe ngjarjet e trishtueshme të mbrendshme gjatë këtij muaji të veprimtarisë qeveritare, i kanë dhënë qeverisë provën e hidhët se nuk mundet ma të shpresoj me i dalë për zot këtyre pikave kryesore të programit të sajë. Fuqitë e armatosura për mbrojtjen e Atdheut,të shkatërruara nga trashëgimitë e pushtimit të huaj, nuk janë e nuk mund të vihen në gjendje për me e plotsue këtë detyrë. Sigurimi i rendit botëror i rrënuar nga propaganda e jashtme antikombëtare, nga kryengritjet dhe shkatërimet e shkaktueme nga vrasja, nuk mundet ma të vendoset me mjetet që ka në dispozicion Qeveria.
Vullneti i mirë i një pjese të popullit, për qetsimin e shpirtërave e për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në këto çaste fatkeqe për Atdheun, ka munguar fare. Para këtyre fakteve Qeveria që kam nderin të kryesoj dhe unë vetë, nuk mundemi mjerisht të vazhdojmë me mbajtë barrën e përgjegjsisë të një gjendjeje që asht shkaktue jashta vullnetit tonë e që asht trashigimi i fatkeqsive, i mosmarrveshjeve, i vullnetit të keq dhe i fuqive të huaja që janë mbi mundësitë tona rregulluese.
Për të mos i ndalue eventualisht ato fuqi kombëtare që e ndjejnë vedin më të zott për me shpëtue Atdheun nga rreziqet që po e kërcnojnë sot e nesër, Qeveria ua kthen mandatin që Shkëlqesia e juaj patët mirësinë me na ngarkue!”.
Me nderime të nalta:
Kryeministri Fiqiri Dine
(Gazeta “Bashkimi i Kombit” datë 29 gusht 1944, ditë e martë).

Kushërinjtë Sazan, Tomorr dhe Dine Dine (Savër 1954)
Femijtë e Fiqiri Dines – Sazan e  Tomorr e nipi Dine Dine (Savër 1954)

Pas kësaj tavolina dhe zyra e tij e punës, do të ishin, Nëntë Malet e Dibrës. Gur më gur e kep mbi kep, në krye të 400 trimave dibranë, pushka e Fiqiri Dines do të këndonte vetëm kundër komunizmit sllavoshqiptar, të kësaj pjelle të urryer. Bashkëpunon me ONDSH si edhe me “Lidhjen e Maleve” dy organizata që mbajtën të ndezur, përmes dhimbjesh të mëdha, shpresën dhe ëndrrën e shqiptarëve për bashkimin e trojeve etnike. Në vitin 1946, së bashku me vëllanë dhe bashkëluftëtarin e vet Dilaverin, le viset e shenjta të vendlindjes për të vazhduar në Botën e Lirë, luftën antikomuniste. Një varg takimesh me personalitete të huaja, bisedat me ta, na bëjnë me dije se Fiqiri Dine kishte kurdoherë shpresa të mëdha në ardhmërinë e vendit të vet. Ai i gjendur përballë privacioneve të mëdha askurrë nuk u mposht e gjunjëzua, përkundrazi gjente forca të ngrihej duke luftuar për Dibrën dhe Shqipërinë. Fjala e tij zgjonte respekt. Ai do të duartrokitej në Bruksel më 28 nëndorin e vitit 1959, në festën madhore të flamurit shqiptar, ku pos të tjerave do të kumtonte: “Motra e vllazën: Mbani lart moralin! Kini kurajo e durim se dita e përmbysjes së komunizmit do të vijë, asht vetëm çashtje kohe. Na do ta ngremë lart përsëri flamurin kuq e zi pa shenja të hueja në atdheun tonë”. (Lazër Radi, “Rrëfimi për Dinejt e Dibër” faqe 92 ).
Ndërsa një vit më pas, më 28 nëndor 1960, ndërsa varrosej po në Bruksel, bashkëluftëtari i tij Muharrem Bajraktari në fjalën e lamtumirës për Fiqiri Dinen, do të thoshte se: “Mbylli sot përgjithmonë, sytë e menduar të tij, dishepulli i Shqipërisë Etnike”. Kështu shkonte një trup i madh i Atdheut tonë Etnik, por mbetet amaneti i tij, në botën shqiptare, ata që Atdheun e vënë mbi gjithshka.
Marre nga http://gazetadielli.com/fiqiri-dine 6 dhjetor 2012

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.