back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Fiqiri Dine: Mbani nalt moralin! Kini kurajo dhe durim…

Gazeta

Fiqiri Dine - Bruksel 1960
Fiqiri Dine – Bruksel 1960

Fiqiri Dine:

Mbani nalt moralin! Kini kurajo dhe durim…

Ky asht fjalimi origjinal
i Ish Kryeministrit Fiqiri Dine
me rastin e Festës së Flamurit,
të mbajtur në nji ceremoni në Bruksel të Belgjikës
me 28 Nëntor 1958
Nji fjalim i thjeshtë, por mjaft domethanës,
nji testament politik dhe moral i nji njeriu
që sakrifikoi gjithçka për Atdheun…

Zonja, zotrinj e miq të nderuem!
Sot mbushen 46 vjet qyshse patrioti i pavdekshëm, Ismail Qemal Vlora, bashkë me nji grusht patriotësh shqiptarë, kanë ngritun flamurin tonë, mbas 500 vjet robnie në Vlonën historike e kreshnike.
Përpjekjet e shqiptarëve për liri janë të shumta, por nè, pa hy në kohnat e lashta të ilirianëve po kufizohemi me epokën e famshme të heroit tonë kombëtar Skandërbeut. Më 1444, krenët shqiptarë mblidhen në Lezhë dhe proklamojnë Skandërbeun si kryetar dhe komandant duke marrë vendimin e premë: me i shpallë luftë imperatorisë otomane. Kjo luftë kje mjaft e gjatë dhe e vështirë, mbasi zgjati pothuej 25 vjet pa ndërpremje.
Skandërbeu dallohet si nji ndër strategët ma të mëdhaj të kohës sonë. Dhe fakti asht se fuqitë perëndimore të asaj kohe deshtën me ba nji kryqëzatë kundra Orientit dhe për kët u vendos që komanda supreme e gjithë kryqzatës t’i jepej Skandërbeut.
Mirëpo, për fat të keq, kjo idè s’u realizue dot sepse, promotori i gjithë kësaj përgatitjeje ishte Papa i Romës, i cili vdiq papritmas. Po ashtu papritmas vdes edhe heroi ynë kombëtar. Por, edhe mbas vdekjes së Skandërbeut lufta vazhdoi me krenët që s’ishin fort të lidhun njani me tjetrin, po malësitë ama s’i lëshuen asnjiherë armët prej dore…
Vijmë te “Lidhja e Prizrenit” e vitit 1878. Edhe aty, Krenët Shqiptarë të asaj kohe u mblodhën, morën vendime për nji Shqipni etnike dhe me tingëllimën dhe ushtimën e armve të tyne i treguen mbarë botës se, populli shqiptar ka vendosun ose të lirohet, ose të vdesë.
Përpjekjet shqiptare për liri, mbas Lidhjes së Prizrenit, u kunorëzue me sukses vetëm në vitin 1912, por fatkeqësisht aty lindi nji Shqipni jo vetëm e krasitun dhe e gjymtueme, mbasi gjysma e Shqipnisë mbeti jashtë kufijve etnikë.
Vjen viti 1914. Plas Lufta e Parë Botnore që zhduku gjithë sakrificat e bame prej popullit shqiptar, dhe Shqipnia u ba nji shesh lufte, por e keqja ma e madhe ishte, që edhe mbasi mbaroi lufta, fuqitë pushtuese qëndrojshin si të ishin në çifligjet e tyne. Pra gjendja paraqitej aq e mjegullt sa të gjitha shpresat për mëkambjen e shtetit shqiptar dukeshin si të vdekuna. Mirëpo, populli shqiptar nuk ndejti duerkryq kundrejt kësaj situate të dëshpërueme. Ai rroku armët dhe luftoi në Vlonë, luftoi në Shkodër, luftoi në Dibër… e pra ushtima e armëve të tyne i dha botës me kuptue se populli shqiptar përsëri ka vendosun o me vdekë o me hjekë zgjedhën qafet! Dhe pikërisht në kët frymë patriotike u lind Kongresi i Lushnjes, në vitin 1920, i cili i vuni themelet statusit të shtetit të parë shqiptar, ngriti Parlamentin e parë shqiptar dhe vuni në krye të Shtetit Regjencën.

Fuat Dine me nipat Tomorr dhe Dine (Saver 1954)
I vellai Fiqirit – Fuat Dine, djali Tomorri dhe nipi Dine (Saver 1954)

Përmes përpjekjeve titanike që bante populli shqiptar arrijti me e bindë Presidentin e Shteteve të Bashkueme të Amerikës, Vilson qe të lëshojë nota me nji ton të premë fuqive europiane, ku u thoshte: “Amerika nuk lejon që të merren nëpër kambë të drejtat e popullit shqiptar!”.
Shqipnia prej vitit 1924 e deri në vitin 1939, pati nji stabilitet e nji qetësi shembullore dhe si shtet sovran. Për fat të keq në vitin 1939, Shqipnia, ma parë, okupohet nga diktatori italian Musolini. Ky pushtim kje i befasishëm dhe shkeli në mënyrë flagrante të drejtat kombëtare e ndërkombëtare. Qëndresa e popullit shqiptar kje heroike në krahasim me forcat pushtuese. Gjatë atij okupacioni populli shqiptar vazhdoi për 4 vjet me rradhë qëndresën kundra pushtuesit.
Mirëpo, siç e dini të gjithë, grindja me komunistët ka kenë fatale për popullin tonë. Në Nandor 1944, komunistat morën fuqinë në dorë. Akoma ndër nè ka njerëz që pyesin: “Si fituen komunistat?” Sipas mendimit tim janë dy faktorë:
Së pari, organizimi i tyne, i stërvitun prej Internacionales Komuniste para luftës. Dhe së dyti, ajo që bani të kenë epërsi e të fitojnë ishte se ata u ndihmuen prej të huejve e në mënyrë të veçantë prej sllavëve…
Para se të vinin në fuqi komunistat premtuen se do të sillshin parajsën. E sot, po e shikoni të gjithë se ç’po hjek nji popull i tanë! Thonë se kanë fabrika sheqeri, ndërsa populli po vdes uni, thonë se kanë kombinate tekstili, ndërsa populli asht i çveshun dhe i zbathun, thonë se kanë ba elektrifikimin e vendit, ndërkaq populli i malësisë s’ka as vojguri me ndezë kandilat. Arsyeja asht se edhe ato pak produkte qe ka mbi tokë e nëntokë i merr Rusia për t’i kompensue me do armë të vjetra e të dala jashtë përdorimit.
Tash vjen pyetja se si i duron popullii shqiptar këto vuejtje e kët zgjedhë kaq të randë?
Unë jam i bindun se në momentin ma të volitshëm populli ka me dhanë kushtrimin kundër tyne.
Due t’u theksoj se fuqitë tona janë së bashku me ato të nji dyzine popujsh të skllavnuem, por na shpresojmë në ndihmën e popujve të lirë të Perëndimit me Amerikën në krye.
Motra e vllazën:
Mbani nalt moralin! Kini kurajo dhe durim se dita e përmbysjes së komunizmit do të vije, vetëm asht çashtje kohe. Na do t’a ngrejmë naltë përsëri flamurin kuq e zi pa shenja të hueja në atdheun tonë!
Rrnoftë Flamuri!
Rrnoftë populli i Belgjikës!
Nji minutë heshtje për dëshmorët e Kombit tonë!
Belgjikë 28.11.1958

Kolonel Fiqiri Dine
Kolonel Fiqiri Dine

***
Mbas dy vitesh, në ceremoninë e martesës së djalit të tij, Xhelal Dine, papritmas, nga nji atak kardiak Kolonel Fiqiri Dine ndrron jetë më 26 nëntor 1960. Varroset më 28 Nëntor, ditën e Flamurit në nji ceremoni madhështore ku merrnin pjese personalitete shqiptare nga gjithë grupimet dhe partitë politike të Mërgatës… U mbajtën me dhjetra fjalime, folën përfaqsues të të gjitha partive politike, organizatat shoqnore dhe fetare dhe të gjithë njizani ngritën nalt figurën morale dhe politike të këtij njeriu dhe patrioti të shquem të Dibrës kreshnike dhe Kombit shqiptar, i cili krejt jetën e tij, e sakrifikoi për nji Shqipni etnike, të lirë e demokratike…
(Pjesë nga libri “Rrëfim për Dinejt e Dibrës” i Lazër Radit)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.