back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Fishta – ndërgjegja e kombit nga Ahmet Kolgjini

Gazeta

Gjergj Fishta - Homeri i Shqiptareve
Gjergj Fishta – Homeri i Shqiptareve

Fishta – ndërgjegja e kombit

nga Ahmet Kolgjini

Me rastin e 120 vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës

Kjo ligjëratë
asht mbajtë në nji nga sallat
e Pallatit të Kulturës (Bibliotekës Kombëtare)
ku shoqata “Bashkimi i Shkrimtarëve të Pavarur të Shqipërisë” (krijue më 1991)
bani nji tubim me rastin 120 vjetorit
të lindjes së At Gjergj Fishtës.

Ahmet Kolgjini (1996)
Ahmet Kolgjini (1996)

Jemi mbledhur sot që të përkujtojmë dhe të kremtojmë përvjetorin e 120-të të lindjes së at Gjergj Fishtës. Kjo inisiativë meriton vlerësimin dhe miradijen e mbarë kombit. Fishta ka zënë një vend të posaçëm dhe të qendrueshëm në zemrën e shqiptarëve, të cilët e mbartin me vete mesazhin e tij. Ky tubim shton vetëm solemnitetin.
Vepra e Fishtës është thelbësisht shqiptare, por ajo nuk është vetëm për shqiptarët. Ajo, pa dyshim, ka vlera humane dhe artistike, që i përkasin njerëzimit mbarë. Dimensionet artistike të veprës së tij, janë të tilla që i kapërcejnë caqet thjesht kombëtare, sepse arti i vërtetë nuk njeh kufij. Arti i  tij është krahasuar me eposin homerik. I madh si epik, më i madh si lirik, shumë i madh si satirik. Po duhet pohuar, me dhimbje që lirika e tij, ose më saktë pjesa e saj më e madhja, për fat të keq, u zhduk që në dorëshkrim duke lënë një zbrazëti të madhe në letërsinë tonë*.
Dy janë poetët që shqiptarët i kanë gjithmonë në zemër dhe i ruajnë në zemër, se zemra ka ligjet e veta dhe nuk mund t’u shtrohet urdhrave nga jashtë. Këta dy poetë janë Naimi dhe Fishta. Dashuria për atdheun, dashuria për njeriun dhe njerëzimin, përkushtimi dhe vetëmohimi për ta, dëshira dhe aspirata për dije dhe përparim etj., do të humbnin shumë pa këta dy korifenj të shqiptarisë.
Mirëpo, me qenë se Naimi u nda nga kjo jetë që në fillim të këtij shekulli, nuk u zhduk plotësisht, por vetëm u gjymtua – siç u gjymtua gjithë populli shqiptar – u sakatua dhe kështu u servirej si nxënësve, si publikut. Vepra e tij asnjëherë nuk u botua e plotë. Përzgjidheshin ato poezi të cilat – mbasi u krasiteshin vargje të tëra – mund të shërbenin disi, kur interpretoheshin me sofizma dhe komentoheshin nga lakejt e regjimit. Madje është arritur deri atje sa Naimi të quhet panteist**. A nuk e kanë ditur vallë ata që bëjnë pohime të tilla që Naimi ishte mysliman i tarikatit bektashian? Një mysliman qoftë i tarikatit bektashin, qoftë i ndonjërit prej 11 tarikatrve të tjerë, nuk mund të jetë kurrsesi panteist. Njeriu duhet të flasë për ato që di, ose të heshtë për ato që nuk di.
Fishta jetoi edhe 40 vjet mbas Naimit. Përjetoi ngjarje tronditëse dhe rrëqethëse për fatet e kombit të vet. Ai përjetoi në moshë të njomë përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë në trojet e të parëve dhe mandej martirizimin e tyre. Ai pa se si u bënë pré e vendimeve të padrejta dhe të pajustifikueshme të shteteve të mëdha të Europës, shtete të cilat morën përsipër t’u dëftonin kufijtë e babës. “Arsyeja e më të fortit qenka gjithmonë më e mira”. Ato vendime të papërligjura e nxitën edhe më shumë oreksin e fqinjëve tanë dhe kjo u duk sheshit në Luftën ballkanike. Të gjitha këto flukse dhe reflukse Fishta i përjetoi dhe i përjetësoi në veprën e vet. Ai ka, pra, edhe meritën e një historiani autentik.
Përse Fishta dhe vepra e tij u përndoqën aq mizorisht dhe aq padrejtësisht nga politika e shtetit shqiptar që u institucionalizua më 1944? Sepse u zbatua ajo politikë që i shkonte më për shtat Beogradit për të realizuar anshlus-in e ëndërruar. Të gjitha kokat e shqiptarëve nuk mund të priteshin. Ishte e domosdoshme që të shlyhej kujtesa historike e kombit shqiptar. Kjo kujtesë më tepër se kudo, ishte fiksuar në veprën e Fishtës. Prandaj duhej resitur emri i tij dhe duhej djegur vepra e tij. Por brezi i asaj kohe dhe brezat e tjerë më vonë e ruajtën në zemër si një thesar të pazëvendësueshëm dhe e kundronin si yll që rrezëllinte përmbi mjegullnajën e kohës.

At Gjergj Fishta - Poradeci - Koliqi - Asdreni
At Gjergj Fishta – Poradeci – Koliqi – Asdreni

Iluminimi nëpërmjet veprës së tij dhe njohja e aktivitetit të tij, gati për gjysëm shekulli, konsideroheshin krim. Ishte krim të mësohej patriotizmi i vërtetë, sepse zbatohej patriotizmi socialist, internacionalist; ishte krim të mësohej humanizmi i vërtetë, sepse mësohej humanizmi socialist, klasor; ishte krim të mësoheshin virtytet kristiane, njerëzore dhe morali i vërtetë, sepse zbatohej morali komunist i njerëzve “të krijuar nga partia”, e cila mori, më në fund, edhe atributet dhe funksionet e Zotit duke shpallur se po krijonte edhe njerëz… bile të rinj.
Fishta ishte prift i Urdhrit të françeskanëve dhe zbatonte mësimet e Jezuit. Ai i provoi në jetë përvujtninë dhe përkushtimin, pastërtinë dhe integritetin, sepse lutja e mban njeriun larg së keqes dhe poshtërsisë. Shi për këto arsye, ai u përndoq edhe për së vdekuri: u quajt reaksionar, se u përpoq për demokraci, u quajt madje edhe tradhtar, se e shkriu jetën për atdhe dhe për fe dhe me veprën e vet, ngriti në majat më të lartat, virtytet shqiptare dhe krenarinë kombëtare.
Detyrën e mjerueshme dhe të kobshme kundër Fishtës e kryen njerëzit e penës, njerëzit e vetë artit. Këta njerëz pranuan të shkelin mbi eshtrat e vëllait më të madh për t’u dukur edhe ata vetë, disi më të mëdhenj. E vërteta, sado me vështirësi, e dërmon falsitetin dhe ngadhnjen mbi të, sepse fundi i mirë është gjithmonë për të drejtët, qofshin të gjallë, qofshin të vdekur!
Në Kuran thuhet: “…dhe për sa u përket poetëve vetëm ata që lajthiten shkojnë mbas tyre. Poetët thonë atë që nuk e bëjnë vetë, me përjashtim të atyre që besojnë dhe bëjnë mirë dhe e kujtojnë Zotin shpesh dhe mbrohen kur shtypen…”. Fishta bën pjesë me ata që besojnë dhe bëjnë mirë, me ata që e kujtojnë Zotin shpesh dhe mbrohen kur shtypen. Të gjitha këto i shohim në jetën e tij, por këtu nuk po i bëjmë biografinë.
Barrën shtypëse të regjimit komunist e kanë provuar mbi shpatulla i madh e i vogël në vendin tonë. Por kjo barrë nuk ka qenë e shpërndarë gjithkund njësoj: dikush e ka pasur më të rëndë, dikush më pak të rëndë. Kjo barrë – në dukje jo fort e rëndë – ka ushtruar trysninë e vet edhe mbi qafën e poetëve, prozatorëve, artistëve në përgjithësi, të çfarëdo gjinie. Janë shtypur, pra, edhe këta nga despotizmi dhe tirania e pashembullt. Po, sa prej këtyre artistëve janë mbrojtur, kanë mbrojtur veten dhe lirinë e vet krijuese? Se, pa liri të individit, s’ka dhe s’mund të ketë as individë, as individualitete.
Individët katandisen në robotë dhe individualitet në marioneta të gjora. Shkrimtarët dhe artistët e përkulën qafën aq fort sa nuk mundën dot të shohin përtej interesave të tyre të vockla. Ata bënë kompromis me veten, iu shtruan diktatit, indoktrinimit, konformizmit. Në këtë mënyrë pranuan të marrin përsipër deformimin dhe shpërfytyrimin e historisë dhe të realitetit, duke i dhënë këtij të fundit një lustër false dhe bajate. Madje u arrit deri atje sa të deklarohej që populli shqiptar na qenka formuar gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare!!!
Për të mos arritur deri në këtë pikë, mjaftonte vetëm heshtja pasive. Në kësi rastesh heshtja është me të vërtetë flori. Nuk kërkohej, pra, ndonjë heroizëm. Tekembramja edhe heroizmi bën pjesë në jetën e një kombi. Po, heronj pa heroizëm nuk ka.

Fishta dhe Frasheri
Fishta dhe Frasheri

Kombi ynë – si çdo komb – ka heronjtë e vet kombëtarë, ashtu siç ka edhe poetët e vet kombëtarë, këta apostuj të cilët Vetë Zoti ia ka dërguar këtij kombi për ta ndriçuar e për ta drejtuar. Këto cilësime nuk mund të bëhen nga pozicionime të skajshme, arbitrare, ekstremiste, populiste, madje as me dekrete shtetërore. Vetëm ata, jeta e të cilëve përbën shembull imitimi dhe pikë referimi dhe trashëgimia e tyre letrare përmban mesazhe kombëtare dhe njerëzore dhe natyrshëm, qendrueshëm, bindshëm lëshojnë rrënjë në shpirtin shqiptar – vetëm ata – mund të mbahen si të tillë.
Fishta mishëron, personifikon dhe kondenson frymën e vërtetë kombëtare në mënyrën më të spikatur. Ai – duke bërë abstraksion të vlerave të mirëfillta artistike – jeton dhe jehon përditë në shpirtin e shqiptarit, në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Ai ngjall guxim dhe besim. Prandaj duam ta kemi në vatrat tona. Të përleshemi bashkë me te, të qajmë bashkë me te, të qeshim bashkë me te. Vatra shqiptare, pa Fishtën, do t’ishte, me të vërtetë, e zymtë…
Mbas një braktisjeje, heshtjeje dhe harrese tepër të gjatë, Fishta meriton të ngjitet (bashkë me Naimin) në altarin e kombit; si njëri, si tjetri, e meritojnë: ata, që të dy, janë ndërgjegja jonë kombëtare.
Këtë meritë, më në fund, duhet t’ua njohim me drejtësi, me mirënjohje dhe me nderim; pa asnjë drojë; pa asnjë ngurrim dhe pa asnjë kompleks.
Tiranë, 22.10.1991

*Ahmet Kolgjini më ka thanë se Fishtës i asht zhdukë nji pjesë thelbësore e krijimtarisë lirike gjatë luftës së Shkodrës 1912-1913, kur malazezët pushtuen Shkodrën. I ka djegë e zhdukë vetë nga frika që të mos binin në duert e shkijeve.
**E ka fjalën kryesisht për Prof. Rexhep Qosen, por edhe për kritikët e gjymtë të Tiranës

(Marrë nga muri i fb. i Neritan Kolgjinit 18 maj 2015)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Njeriu ka mundësi me e shprehë respektin e vlerësimin e vet, qoftë edhe përmes pak rreshtash. Në këtë sens, edhe ti o Nin, me ketë koment, e ke shprehë qartësisht konsideratën që ke pasë për Ahmetin. Natyrisht, nuk asht vetëm ky koment, as edhe vec ky postim, që e dëshmon këtë, për shkak se ti je autor e në nji sens, edhe botues, i disa materialeve dokumentare si dhe portreteve autentike për Ahmetin e sivëllaznit e tij të vuejtjeve, të burgjeve politike e të internimeve. Prandej, më lejo me të falenderue edhe njiherë miqsisht e publikisht e më të shprehë admirimin tim për këtë punë fine dhe inteligjente, që ke kohë që e ke nisë, me shpalimin e gjithë asaj pune intelektuale e artistike, të kryeme prej prindërve tanë, bilogjikë e shpirtnorë.

  2. Ahmet Kolgjini i këtij shkrimi të rrallë (1991), vinte mbas nji odiseje 20 vjeçare burgjesh dhe 26 vjeçare interrnimesh, dhe në rastin ma të parë ai shfaqet ndër ata që flet për Fishtën e Dhunuar, si pakkush e rrallëkush… Ai guxon ndër të parët dhe i ngre Piedestalin Poetit të Kombit, mbas nji dhune të pashembullt ndaj Tij… Edhe sikur vetëm ky akt të ishte në krejt jetën e Ahmet Kolgjinit, do të ishte i mjaftë me dëshmue staturën e Njeriut që s’e trembi asgjë, dhe se përballë së vërtetës ai mbeti Sfidues i Diktature…
    Duke e lexuar kët shkrim njeriu nuk mund të ndjehet krenarë jo veç për Fishtën e Madh, po edhe për gjithë ata dishepujt e tij, (nji prej tyre edhe Ahmet Kolgjini), të cilët nuk e lejuan qoftë edhe nji ditë të vetme të vihet në diskutim Vepra e Tij Shqiptare e përtej…
    Nder e lavd Ahmet Kolgjinit dhe tjerëve, për krejt jetën dhe veprën e tyre…
    Jozef Radi, 29 maj 2015

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.