back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fishta për Shqiptarinë dhe Albanologjinë – nga Pertefe Leka

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Fishta për Shqiptarinë dhe Albanologjinë

nga Pertefe Leka

Albanologu Robert Elsie, përkthyesi i veprës madhore të Fishtës shkruan: “Lahuta e Malcis” është një kryevepër, e cila ka vend në radhën e eposeve të mëdha botërore… e kam quajtur “veprën e parë letrare që i përket Botës”
Viti 2020 është viti i personalitetit më të shquar shqiptar, ku në vlerësimin e Dr.  shkruhet: “Shqipnia pati nji fat t’madhe t’jashtzakonshëm, shka nuk e patën popujt e tjerë, veçse mbas qinda vjetësh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin, përmbi t’gjithë, atë, që u pshtet në popull t’vetin e n’gjuhën e tij e që me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishta… Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë…” Dr. Norbert Jokl, abanolog me prejardhje hebre (përkthimi në dialektin verior)
Fishta ishte një individ që i përkiste të gjithëve me pseudonimin Gegë Toska, sepse me modestinë, tolerancën dhe rrafshimin e diferencave nën emrin shqiptar fitoi madheshtinë dhe pavdekësinë. Me punën e parreshtur studimore, krijuese, shkencore, u bë Ai vetë Institucion i shqiptarisë dhe albanologjisë.
Lajmi i shumëpritur i hapjes së katedrës Albanologjike në Universitetin më të vjetër katolik De Paul në Çikago na kujton përpjekjet e Fishtës 100 vjet më parë, në këte fushë si pasionant i gjuhës shqipe.
Për këte të kujtojmë përpjekjet e Fishtës, drejtuar autoriteteve pushtuese (ashtu si edhe Noli) që të shpëtonin Albanologun me prejardhje hebre nga Hollokausti, që edhe sot mund t’i shërbejë lektorëve për organizimin e Konferencave për Holokaustin dhe shpëtimin e Hebrejve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte Fishta vullnetmirë që i drejtohet autoriteteve të larta italiane ku shkruan: “Qendra jonë e studimeve shqiptare do donte nji impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës, ku me inisiativen e tij po organizohet nji grup të rinjsh, veçanërisht të përkushtuar ndaj Albanologjisë…” Në këte gjithëpërfshirje Fishta si institucion më vete duhet të jetë pranishëm edhe në Amerikë që t’ju flasi jo vetëm shqiptarëve por edhe etnive të tjera të interesuara në albanologji. Statuja e tij nuk është për dekor por do të sjelli filozofinë e tij kombëtare siç e përshkruan Prof. Çabej: “Ky burrë me pamje madhështore, që në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme aq tërheqëse si njeri, sa ka qenë origjinal e i madh edhe si shkrimtar…” (marrë nga studimi “Poeti shqiptar, Gjergj Fishta” E. Çabej)
Kur italianët emigruan në Amerikë sollën me vete, dy monumente, kushtuar dy përfaqësuesve të mendimit progresiv të vendit të tyre: Mazzinin edhe Garibaldin bashkë me to edhe filozofinë, kulturën dhe revolucionin që i sollën Italisë bashkimin kombëtar.
Idetë e tyre i përkrahu Presidenti ëillson. Kur ishte në Paris 1919, vizitoi Monumentin e Mazzinit në Itali, ku u përkul me respekt përpara ideologut tij, duke shprehur mirënjohjen për frymëzimin që mori nga themeluesi i Risorgimentos, duke krijuar kështu, Filozofinë ëillsoniane, siç e cilësoi Fishta në fjalimin historik të Konferencës, në Paris. Edhe Fishta kështu veproi, kur ishte në Paris me 1919 e vizitoi në Itali, Atë De Martinon 90 vjeçar, ithtar i Mazzinit, duke shprehur konsideratat më të larta për mësuesin e tij. Ja, sa afër janë njerezit e mençur, kur i bashkon mendimi i lirisë dhe pavarësisë së popujve. Shqiptarët kanë detyrimin e madh ndaj Fishtës për ta pasur praninë e tij kudo ku janë, në diasporë, sepse është nder për kombin tonë dhe histori kulture gjithëpërfshirëse për etnitë e tjera.
Në të vërtetë, Fishta erdhi në vendin e Statujës së Lirisë, me 8 Mars 1922 dhe realizoi njohjen diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur. Ishte vizita e parë dhe takimet me zyrtarë të lartë dhe senatorë katolikë amerikanë e bënë arkitekt të marrëdhenieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SH.B.A.-së . Ne u jemi mirënjohës të huajve që kanë luajtur rolin e ambasadorëve për përhapjen e kulturës shqiptare. Albanologu, shkrimtari e përkthyesi Robert Elsie (1950-2017) ia kushtoi gjithë jetën Albanologjisë, ku shkroi 60 libra dhe artikuj për letërsinë, etnografinë,mikpritjen… dhe i përhapi kudo nepër botë. Në përkthimin e kryeveprës së Fishtës shkruante: “Lahuta e Malcis” është një epos kombëtar, është një kryevepër, e cila ka vend në radhën e eposeve të mëdha botërore… në botimin anglisht të Fishtës e kam quajtur: “Veprën e parë letrare shqiptare, e cila i përket botës!”
.
Gjergj Fishta - Meshtar i ri në Sarajevë
Gjergj Fishta – Meshtar i ri në Sarajevë
Në qoftë se Fishta i bëri Monument Malcisë Madhe me kryeveprën e tij, Robert Elsie kërkoi të Varrosej me kostum kombëtar në Alpet shqiptare ku Murana e tij u bë një përmendore për përkthyesin e Lahutës së Malcisë, sepse ishte Ai që nëpërmjet përhapjes së veprave tij lartësoi vlerat e kombit shqiptar: Besen, trimërinë dhe virtytet e tyre edhe atje në vendet, ku nuk ishin shqiptarët.
(R. Elsie ishte lindur në Vankuver të Kanadasë dhe kishte studiuar në Universitetet më të larta të Evropës për filologji klasike dhe gjuhësi (Paris, Bon, Dublin). Edhe pse i doktoruar në perëndim, Robert Elsie, u lidh shumë me Shqipërinë e Kosovën. Me 1978, vizitoi Shqipërinë disa herë, ku mori pjesë në shumë takime shkencore. Si luftëtar për çështjen e Kosovës dhe kulturën shqiptare Ai u bë Anëtar i Akademisë së shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Anëtar nderi i shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës, ku do të nderohet përjetë.)
Unë si mësuese letërsie në disa dekada, kam detyrimin të shkruaj dhe të flas me zë të lartë, për Poetin e Madh, dramaturgun, përkthyesin, pasionantin e veçantë për gjuhën shqipe, kur gjatë veprimtarisë time nuk pata guximin të citoja një herë, përpara nxënësve, poezitë e tij Hymne.
Në se e shohim Fishtën si mësues Ai do të na mësojë në vazhdimësi… Fishta e deshi mësuesinë dhe e quajti “Zeje të shenjtë” duke qenë një nxënës i zellshëm u përgatit nga ana shkencore-pedagogjike sipas kërkesave të kohës, duke shfrytëzuar mendimin bashkëkohor evropian për ta ngritur në lartësi anën mësimore-edukative në shkollë. Kur ishte deputet në Parlamentin Shqiptar, diskutimet e tij brilante për arsimin janë të vyera edhe për ne sot, per zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Fishta, edhe pse ishte pedagog i shkëlqyer, e mbante veten si nxënës, që studimet e tij nuk do të mbaronin kurrë…
Si vazhdues i Rilindësve, ndër shumë artikuj, shprehte idetë e tij pedagogjike, çdo gjë për gjuhën dhe shkollën shqipe. Po ashtu si poet vizionar vuri gjithë potencialin e tij intelektual në përkrahje të çdo lëvizje kulturore e arsimore që krijohej në ate kohë. Si bashkëthemelues i Shoqërisë “Bashkimi” në programin e kësaj shoqërie hartuan, Abetaren, Gramatikën, Fjalorin e gjuhës shqipe… si dhe kryevepren e kohës, Alfabetin e Gjuhës Shqipe që do të miratohej në Kongresin e Manastirit 1908, nën kryesinë e Gjergj Fishtës. Një alfabet që të përmbushte të gjitha kriteret shkencore, dhe do të përdorej në të gjitha trojet shqipfolëse. Për të provuar identitetin e të qenit shqiptar Fishta theksonte: “Me këte gjuhë u ka folë Kastriota ushtarëve që ngadhënjyen…”
“Prandaj, pra n’e doni fisin/ mali, bregu e Malcija/ prej njaj goje sod t’brohorasim/ me gjuhë të veten rrnoftë Shqypnia”
Prandaj në vargun e Fishtës gjuha shqipe tingëllon “si kanga e zogut të veres” dhe ka forcë “Si ushtima e nji termeti”.
Me 1902, kur Fishta u bë drejtor i Shkollës Françeskane futi shqipen si gjuhë mësimi, sepse me ate gjuhë dha kushtrimin për lirinë e trojeve Shqiptare në kyevepren e tij “Lahuta e Malcis” dhe me ate gjuhë luftoi për mbrojtjen e kulturës, të gjuhës dhe të arsimit shqip.
“Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë/ ka me ju njoftë ju për shqiptarë/ Trima n’za sikurse jena…” Gjergj Fishta
Me rëndësi për kolosin e letrave shqip ishte përhapja e shkollave në gjuhën amtare, që do të sillte emancipimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. Forca e fjalës së Fishtës zinte vend, ishte jo vetëm mësues me diapazon të gjerë por ishte krijues, filozof, pedagog, sociolog, diplomat, historian, piktor, muzikant, shkencëtar, që kërkon të mobilizojë të gjitha forcat intelektuale të penës e të dijeve në shërbim të gjuhës e shkollës shqipe për zhvillimin e përparimin gjithë kombëtar: “Nji shtet qe nuk përparon… jetë të gjatë nuk ka!” citonte Fishta..
 .
At Gjergj Fishta dhe mesuesi i tij Leonardo de Martino
At Gjergj Fishta dhe mesuesi i tij Leonardo de Martino

Respekti i Fishtës për mësuesin e tij

E vlerësonte pa masë mësuesin e tij, misionarin, Atë Leonardo De Martino, (1820-1923) që u impenjua në mbarëvajtjen e Shkollave pranë “famullive duke dhënë mësime” në gjuhën shqipe.
At De Martino ishte Arbëreshi nga Greçi i Puljes, i cili shërbeu për 4 dekada në Dioqezën e Sapës (sot e përfshirë në qytetin e Vau-Dejës ) duke kontribuar njëkohësisht në arsimimin dhe ripërtëritjen politike të kombit shqiptar. Në këte vazhdë ndihmoi shumë për hapjen e shkollës së vajzave. De Martino duke pasë miqësi me Françesko Krispin, ministër në atë kohë në qeverinë italiane, i cili e adhuronte At Leonardon, ia mundësoi kërkesën e tij që të dërgonte për studime në Firence vajzat shqiptare.
(Francesco Crispi, 1818-1901, arbëresh, siç shprehet vetë: “Një shqiptar në gjak dhe në zemër…” Mik i afërt i Mazzinit dhe Garibaldit që luftuan për unifikimin e Italisë, në 1860. Pati funksione të larta në qeverinë italiane pas 1870-tës, ministër, dy herë kryeministër i Italisë… Shqipërinë e parashikoi si shtet të pavarur, dhe ishte kundër Pan-sllavizmit. Stimuloi shumë marrëdhëniet etno-kulturore midis arbëreshve dhe shqiptarëve, mbante lidhje me Abdyl Frashërin dhe Thimi Mitkon, hapi shkollën stigmatine në Shkodër. Giuseppe Verdi e kishte pershëndetur si – Një Patriot i Madh –
Nga kjo ndihmesë, dy vajzat e para, Lulib Malja nga Shala dhe Dile Gjonaj nga Shllaku dhe më vonë edhe 4 të tjera, do të përgatiteshin për motra – mësuese për të dhënë mësime në Shkollën Femërore Stigmatine, që ishte e para në historinë e vendit tonë.
Vajzat nga Malësia ishin misionaret e para, që po përgatiteshin për t’i shërbyer vendit të tyre. Në këtë shkollë përveç mësimeve fetare, merreshin njohuri nga kultura evropiane, pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria, ku mësonin për historinë e popullit tonë, si dhe për personalitete të shquara të mbarë kombit shqiptar.
Për këtë De Rada shkruante: “I përndrituri De Martino, ka merita më shumë se ne të gjithë, se po ngre lart shpirtrat e banorve të Shkodrës dhe të provincës së saj ku Ai shërben.”
 .
Fretnit Françeskane - rreshti i pare ulur Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
Fretnit Françeskanë – rreshti i parë ulur
Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi

Vepra e Fishtës dedikuar shkollës femërore:

“Shqyptarja e Qytetnueme”

Ideja e Fishtës se “Edhe bijave me u dhanë mësime në gjuhë amtare” u kuorëzua me veprën “Shqyptarja e Qytetnueme” botuar në Shkodër me 1929, me pseudonimin Gegë Toska, me rastin e 50 vjetorit të shkollës femnore të motrave stigmatine. Shkolla për Fishtën ishte “Tempulli i dijes” ku aftësohet dhe mprehet mendja e njeriut, e cila bëhet e plotëfuqishme me punë te vazhdueshme që të çon në drejtim të progresit. S’ka dyshim se rezultatet e shkollimit i përkasin gjithë njerëzimit duke krijuar kështu një unitet njerëzor. Në vatrat e dijës , sipas Fishtës, duhet të mësojnë të gjithë, pa dallime fetare, shtrese shoqërore, gjinie apo ideje. Këte lidhje të ngushtë të vajzave të varfëra me mësonjëtoren i ka dhënë në këte melodramë me personazhin e Siles. Duke shkëputur një dialog ne mësojmë nga personazhi i skalitur nga Fishta – se Silja, një vajzë e bukur, e zgjuar, e sinqertë, e dashur, e etur për dije ka dalë me mbledhë lule për mësueset, sepse asht ditë e shënueme për këtë shkollë gjysmë shekullore. Pyetjes së Zanës se Madhe se pse ndodhet Vajza në këte lëndinë, ajo i përgjigjet: “Na kremtojmë pesëdhetvjetorin e t”ndertuemit të njasaj shkolle/ ku na zam…/ për shka msojn mësuesit me ne…”
Dhe, Silja vazhdon t’i përgjigjet me krenari Zanës Madhe se: jam prej Shqypnijet,/ shqyptare e bijë shqyptarit, kam le n’at mollë Shkodre n’krye t’Gegnis’/ Prej kah s’parit Shqyptarisë/ Zu me i shndritë hylli i lirisë//
Ky bisedim i amël, i ngrohtë me vajzën e vobektë, asht i mushun me dashni për mësueset, të cilat me shumë përkushtim kërkojnë të përgatisin vajza siç thotë Fishta: “për me rritë varza fisnike/ gra shqiptare e shpijanike/ Nderë e fesë e nderë e Atdheut/ Njimend mesa t’Skanderbeut”
Këto vajza si Silja dhe Jerina te “Mbretnesha e Luleve” kanë mishëruar brishtësinë, urtësinë, pafajësinë, bukurinë hyjnore… Ideali i Fishtës për gruan heroinë ka evoluar, nga burrneshat te “Lahuta e Malcis” të mishëruar nga Tringa. Ajo përveç bukurisë fizike, kishte një karakter të fortë, që me guxim e trimëri, luftoi kundër armikut, për të ruajtur nderin e Atdheut, nderin e familjes dhe nderin e vet. Në vazhdimësi, Fishta, ngre po aq lart vajzat, që me armën e diturisë, nepërmjet shkollimit, do të kontribuojnë për zhvillimin shoqëror dhe për përparimin Atdheut ku kulmojnë vargjet lapidare: “Se për rreth kësaj rrokullije, si Shqypnia vend nuk ka”.
E në këte Atdhe me bukuri të rrallë, dhuratë të Zotit, vajzat do të përgatiten dhe do të ushtrojnë misionin e tyre.
Pse At De Martino i lidhi vajzat e kësaj shkolle me shqiptaren e madhe Elena Gjika, e pse duhet theksuar ky fakt…
Në shkollën stigmatine mësonin edhe vajza nga religjionet e tjera, ku merrnin edhe një kulturë të gjerë perëndimore. Ndër të tjera,nxënëset e kësaj shkolle, patën fatin të njohin shumë personalitete të shquara të kulturës shqiptare dhe evropiane. Ku u njohën me famën e madhe të princeshës rumune me kombësi shqiptare, Elena Gjika, gruaja më e kulturuar e kohës. Duke e pasë si shembull në rrugën e dijës, ato menduan që nëpërmjet At Martinos, t’i dërgonin një dhuratë të vogël, një penë argjendi, të cilën vajzat shqiptare të shkollës stigmatine ia dërgonin princeshës në shenj mirënjohje, admirimi dhe dashurie, për rilindësen e shquar duke e cilësuar “Yll i Gjallë i Albanisë”. Këtë dhuratë të bukur të vajzave Shqiptare, At Leonardo e shoqëroi me një poezi që ia bashkoi dedikimit: “Shkrimtarës së përndritshme, princeshës Dora D’Istria”, së bashku me veprën e përkthyer në shqip” Vaji i të burgosunës! (Il Lamento della prigionera) e Tomass Gross, të cilën ia kushtoi rilindasës shqiptare, Elena Gjika.
Pse pikërisht vajzat i dërgojnë një penë, sigurisht për simbolikën që mbart ai mjet i vyer për shqipen e shkruar. Kjo shkollë femërore e themeluar nga motrat stigmatine në vitin 1878, u bë një burim frymëzimi dhe emancipimi kulturor, por edhe qendër për gjallërimin atdhetar të vajzave shqiptare. Ky veprim njerëzor i vajzave në fjalë, ka bërë jehonë që vjen deri sot tek ne. Ata i benë një nder jo vetëm institucionit të tyre, kulturës qytetare shkodrane por mbarë Shqipërisë duke lartësuar një zë të fuqishëm të kulturës evropiane dhe botërore. Ata me mirënjohjen që ishte karakteristikë e misionit tyre, ngriten princeshën në fronin e mbretërisë së diturisë të fituar prej saj si nga të rrallat gra që qëndrojnë në krye të inteligjencës shqiptare, evropiane e botërore.
Elena Gjika (1828-1888) e klasifikuar si enciklopedi e gjallë ishte edukuar me pedagogë më në zë të Europës. Një humaniste e pashoqe, një studiuse me vizione të qarta politike në sherbim të popujve të shtypur të ballkanit e veçanërisht të Shqipërisë. Publiciste e shkrimtare përparimtare në lëvizjen kulturore te Europës, me mendime progresive për emancipimin e gruas dhe barazinë gjinore. Mjafton të përmendim vetëm një prej shumë veprave të saj, “Gratë e Orientit”, në të cilën thekson edhe vlerat e gruas gege, gruas toske, e veçanërisht të gruas çame nga ku kishte prejardhjen nga nëna. Ajo ishte përkrahëse e zjarrtë e Rilindjes Kombëtare, e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, korrespondenca (109 letra) me veprimtarin e shquar De Rada e bënë shumë të njohur për çështjen shqiptare. Ajo shkoi deri në Amerikën e largët, ku këmbeu mendime me Poetin Henri Longfellou (1807-1882) i cili kishte shkruar poemen “Skanderbeg” etj. etj.)
Letra që i dërguan vajzat shkodrane është sa e thjeshtë aq edhe e madhërishme.
 
Nderim
Thonë se je e ambël, e mirë, se zemrën e ke të madhe, po si të hollë ke menden, bijë kreshnikësh, por edhe motra jonë; Thonë se natyra yte asht e denjë për Skepter, prej njenit pol te tjetri, gjithkush kështu shprehet. E në zemrat arbnore tashma ke një mbretni; Por na qi nuk kemi nji skepter ari, nji Fron… Nji Pendë argjendi, dhunti ta japim. Asht dhunti e vogël, njimend, por difton sa të don e të nderon secili Arbnor!
Shkodër e Arbnisë
2 prill, 1881
.
At Gjergj Fishta në kopësht
At Gjergj Fishta në kopësht
Kjo dashamirësi e tyre ka shërbyer si mjet ndërlidhës për të ofruar raportet njerëzore. Ata ishin shumë larg fizikisht nga Elena Gjika, por xhesti i tyre sa njerëzor dhe fisnik u bë parim, u bë institucional, duke marrë vlerë universale të dobishme për njerëzimin, E me të drejtë mbretëresha shpirtërore e vajzave shkodrane u përgjigjet denjësisht: “E mora me mend pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura, të cilat do të kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë.
Uroj që kjo pendë më e fortë se një skeptër të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar.”
U zgjata me këtë shembull për të arritur në qëllimin e Fishtës që kishte për emancipimin dhe shkollimin e vajzave shqiptare.
Kur shkruante: “…që grueja do të jetë zojë e jo robneshë në shpinë e vet… grueja asht po njaj diell qe tue shndritë me urti e njerëzi, shpinë robit do ta kthiell… Shpirti i saj asht i njemendtë, bartës i dinjitetit dhe përgjegjësisë njerëzore, me fjalë të tjera, shpirti për të cilin flasin të gjithë religjionet, profetet e poetët.”
E çmonte rolin e gruas në jetën familjare dhe shoqërore, me krenari përmendi në fjalimin e gjatë historik në Konferencën e Paqës në Paris, “Mbretëreshen e Malësorëve” Edith Durham, për vlerësimet që i bëri luftëtarëve shqiptarë dhe historisë tyre, në mbrojtje të tokës së etërve dhe dinjitetit njerëzor.
(E. Durham 1863-1944, shkrimtare britanike, udhëtoi 20 vjet nepër ballkan e fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, duke pikturuar dhe shkruar për artin e folklorin e zonave nga kaloi. Nga 7 veprat, “High Albania” 1909, është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të veriut, dhe “burrneshave shqiptare”, duke u bërë e njohur në fushën e Antropologjisë dhe pjesëtare e “The Royal Anthropological Institute”. Ajo denoncoi politikën serbe që synonin shkëputjen e territorit të Kosovës të banuar nga shqiptarët duke i quajtur “Krimbi serb”)
Pra, Fishta eci në rrugën e mësuesit të vet, arbëreshit At De Martino, që kishte pasë fatin ta kishte në të dy kuvendet françeskane, të Shkodrës dhe të Troshanit, e aq më tepër duke qenë edhe famulltar në Fishtë i kishte takuar ta pagëzonte edhe poetin e porsalindur, me emrin Gjergj. De Martino duke shërbyer për një kohë të gjatë, 40 vjet, në veri të Shqipërisë e përvetësoi dialektin verior sa shkroi edhe poezitë e tij me një shqipe të bukur, të cilat i përmblodhi te “Harpa e një italo-arbëreshi” (Sckiuptaar prej Italies). Me këte vepër mësuesi dhe poeti De Martino, hyri në radhën e parë të shkrimtarëve kombëtar shqiptar, (“L’arpa di un italo-albanese”. Venecie, 1881, 442 f.)
Në poezitë të shkruara italisht dhe shqip ndihet ndikimi Maxinian, ku shfaqet shpirti patriotik, në luftën për Pavarësi.
Për këte thuhet se Fishta e ka mbajtur të hapur mbi tryezë këte libër në rininë e hershme dhe ishte ndikuar shumë prej talentit tij. Po ashtu ishte edhe vepra e De Martinos, e shkruar italisht “Luani i Shqipërisë, jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, Princ i Epirit dhe Shqipërisë” Greci 1822. Një akt i lartë patriotik, kur At De Martino ia dhuroi kryebashkiakut të Greçit, Pikturën e Skenderbeut, që heroi kombëtar të mbetej i gjallë në kujtesën e Arbëreshve. Të gjitha këto e frymëzuan Poetin e Madh, Gjergj Fishta, për kryeveprat e ardhshme që hapën rrugën e lirisë e të pavarësisë. Respektin për këte figurë të ndritur Fishta (1871-1940) e mbajti gjatë gjithë jetës. Kur u kthye nga Konferenca e Paqes në Paris 1919-1920, shkoi ta takonte At Leonardo de Martinon në Kuvendin françeskan të Sarnos (Itali) për t’i shprehur mirënjohje mësuesit të tij 90 vjeçar.
Ne nuk patëm fatin ta mësonim në shkollë poetin tonë kombëtar, as kur ushtrova profesionin e mësueses së letërsisë, megjithëse e lindur dhe e rritur në Shkodër, isha njohur me veprat e Fishtës, me revistat gazetat e kohës tij, të cilat ishin të pranishme në çdo familje shkodrane. Ne ishim brumosur me to në fshehtësi, por në kohën kur u rritëm nuk kishim të drejtë të diskutonim rreth gjenialitetit tij. Ndihemi borxhli ndaj mësuesit të Madh Fishta që nuk patëm kurajon të përhapnim mësimet e një dijetari, me fjalën e zgjedhur artistike dhe këshillat e vyera të tij nga urtësia e popullit. Shembulli i tij për t’i dalë zot kombit nuk njihte pengesa, gjithë veprimtaria e tij ishte në luftë për të mirën e Atdheut dhe përparimin e kombit që të ishim si gjithë popujt e tjerë të qytetëruar.
.
Gjergj Fishta - Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta – Lahuta e Malcis
Një gjë eshtë e vërtetë se Gjergj Fishta edhe pse i ndaluar, pa shkak, nga politika e gabuar, kurrë nuk ka qenë i harruar. Kam pasë nxënës që më pyesnin – pse nuk e mësojmë Fishtën – (edhe sot e mbaj mend studentin tim, Ilir Demaliaj, kur insistonte me pyetje rreth Fishtës, e merrja për provokim) ndihesha “fajtore” që nuk mund t’i përgjigjesha, por gëzoja që mendjendrituri Fishta ka depërtuar e nuk do t’i shuhet kurrë drita e tij. Kam përjetuar një ngjarje të trishtë, kur në Gjimnazin tonë, K. Kristoforidhi, merrnin mësime edhe nxënës të një shkollë profesionale, ku jepte mësim Prof. Pal Doçi, mësues historie, njeri shumë i ditur, të cilin në mes të ditës e arrestuan në shkollë. Atë kohë bëri bujë të madhe dhe përflitesh se citonte vargjet e Fishtës… Këto ngjarje na bënin të mbyllnim gojën e të mos i përmendnim personalitete të shquara shqiptare.
Por sot, veprat e Fishtës duhet t’i njohi në themel çdo mësues letërsie, siç kanë shkruar nxënësit e tij “interpretonte para nesh si aktor” sepse veprat e tij përveç anës artistike e përshkrimeve madhështore, në të gjitha gjinitë, kanë vlera njohëse për historinë, gjeografinë, estetikën, gjuhësinë, filozofinë, dramaturgjinë…
Fishtën duhet ta njohin edhe nxënësit e arkitekturës, Ai edhe pse ishte autodidakt pa një akademi arti, Ai e quante veten nxënës sepse e lexonte dhe e studionte literaturën përkatëse. Ai qe arkitekt i një varg kishash në veri të Shqipërisë dhe bibliotekash: Kisha e re e Motrave Stigmatine në Shkodër 1927, një Kishë e Re në lagjen Rus dhe te Arra Madhe… e shumë të tjera tregojnë madhështinë, magjinë dhe frymëzimin e tij në këto ndertesa monumentale. Me 1907 themeloi me Gjeçovin të parën biliotekë shkollore në viset shqiptare.
Fishtën duhet ta njohi edhe një piktor a mësues vizatimi. Mësuesi im i nderuar në shkollën pedagogjike, piktori i famshëm shkodran, Prof. Simon Rrota (1887-1961) atëhere i ndaluar të na fliste për artin e Fishtës, në kujtimet e veta shkruante: “Fishta më aktivizoi në punime të ndryshme artistike si piktor në kishë. Më vonë në përgatitjen e skenave teatrale siç ishte te Komedia e Molierit “Mjeku i përdhunë” të cilën e kishte përkthyer vetë. Kur përgatitnim skenat, punojshim bashkë, edhe Fishta pikturonte dhe në punë e sipër vetëm recitonte poetët e mëdhej klasikë ose lëshonte batuta humoristike, unë kënaqesha pa masë ”
Fishtën duhet ta njohi edhe një mësues muzike, sepse vetë vargu i tij në poezi ka muzikalitet edhe kur e reciton duket sikur e këndon. Nikolla i vogël 7 vjeçar nga Lezha reciton sot me lehtësi mijëra vargje nga “Lahuta e Malcisë”. Ky shembull duhet përhapur në shkolla sepse po harrohet poezia patriotike.
U mësua brenda ditës himni i 1913 “Porsi fleta e Ejllit t’Zotit…” shkruar nga Fishta dhe u përhap prej nxënësve të shkollës Françeskane. Kompozimi u bë brenda ditës dhe u përhap si rrufe, ku u mbushën rrugët e qytetit nga të rinjtë duke e kënduar me entuziazëm ditën e ngritjes së flamurit. E jashtëzakonshme, këto vargje me melodi i mbanin mend të vjetrit tanë, (baba dhe axhallarët e mi) dhe i këndonin edhe në pleqërinë e tyre refrenin….
“Bini Toskë e bini gegë/ Si rrufe që shkojn’ tu u djegë/ Bini lekë, bini malcorë/ Trima lidhë me dorë me dorë…”
(për dijeni: Fishta me 12 qershor 1913, ngre flamurin kombëtar në Kishën Françeskane që dëshmoi se edhe Shkodra u bashkua me Shqipërinë pas muajve të gjatë të rrethimit malazez. Gëzimi i valvitjes së flamurit e frymëzoi ta shkruante aty për aty himnin dhe po brenda ditës vargjet u kompozuan dhe ua mësuan nxënësve nën drejtimin e fretënve. Përhapja e këngës ra në sy të ndërkombëtarëve që kishin marrë nën kontroll qytetin. Koloneli De Philips kur mori vesh ngritjen e flamurit në kumbanorën e kishës i kërkoj takim patër Gjergjit për heqjen e flamurit, përndryshe do t’ishte i detyruar ta gjuaj me topa kumbanoren. Fishta me guxim e krenari i përgjigjet se: “Flamuri i Skenderbeut e ka për nder me value nën gjuajtjet e artilerisë së tyre” Nga kjo De Philips ndryshoi qendrim…” nga Wikipedia)
Kam detyrim të them se, as mësuesit e mi e as unë si mësuese letërsie në disa dekada nuk ju kemi transmetue nxënësve komente letrare rreth gjeniut të letrave, kryemësuesit gjithë popullor. Ne mësuesit e realizmit socialist e patëm të ndaluar të ushqenim nxënësit tanë me kryeveprat e letërsisë shqiptare, si Ernest Koliqi, Vinçenc Prendushi, Ali Asllani, Et’hem Haxhiademi, Musine Kokalari, Petro Marko, Mitrush Kuteli… Poetët Kosovarë, e shumë nga kryeveprat e letërsisë botërore.
Nxënësit sot duhet ta njohin Fishtën në të gjitha veprat e tij epike, lirike e satirike, sepse si një e tërë ata kanë një emër, “Histori shqiptare” ku lëvizin të gjitha shtresat shoqërore, me një tolerancë fetare të lavdërueshme. Nxënësit duhet ta kenë si shembull kolosin e guximshëm që u doli ballëpërballë shteteve më të fuqishme të Europës moderne, Rusisë dhe shtetarëve primitive të Ballkanit që edhe sot janë njësoj si të parët e tyre që punojnë për të errësuar shpresat e shqiptarëve për bashkimin e terësisë territoriale sipas kufijëve që i ka përcaktue i Madhi,Gjergj Fishta. Edhe sot ndihet jehona e oratorit me zë të fuqishem nga konferencat ndërkombëtare, në Ballkan dhe kryeqytetet e Europës për lirinë dhe pavarësinë kombëtare e deri përtej oqeanit, në Amerikë, kur shkoi atje e realizoi njohjen diplomatike të Shqipërisë nga SH.B.A.-të. Të gjithë jemi të detyruar ndaj këtij Mendimtari të Urtë, por më shumë detyrim e ka Malësia e Madhe të cilës i ngriti një përmendore me kryeveprën “Lahuta e Malcis”, pa qenë i lindur atje, por me fjalën e tij të fuqishme si “ushtima e një tërmeti “zbuloi burimin e lirisë duke u bërë bashkudhëtar dhe përhapës i saj në tërë trojet shqiptare.
Të ngresh një Monument për Fishtën në Malësinë e Madhe është shumë e lehtë sepse poeti e ka bërë gati piedestalin, tribunën, podiumin, në ato maja.
Tani, mirënjohësit, me mendim të përbashkët, të vendosin Statujen e oratorit që të bëhet një me Alpet dhe t’u flasi shqiptarëve përjetësisht nga lartësia; “ku natyra dhe pyjet e veriut – siç shkruan Konica – bëhen më madhështor kur në krah ke një njeri virtuoz si Gjergj Fishta!”
.
Vepra e Plotë e At Gjergj Fishtës
Vepra e Plotë e At Gjergj Fishtës
Jemi në Vitin e Fishtës (1940-2020) të gjithë të kemi vëmendjen te Mendimtari i Madh që kontriboi në shumë fusha, ku shumë studiues i kanë evidentue dhe analizue veprat e tij duke tejkaluar dhe shpërfillur të gjitha trillimet dhe insinuatat për Kryetrimin Shqiptar.
A ka ndonjë gjë të keqe që Fishtën dhe veprën e tij “Lahuta e Malcis”, e adhuronte, Hasan Riza Pasha, komandanti i Shkodrës në periudhën 1911-1913, dhe përfaqësues i shtetit Osman që i akordoi Poetit Kombëtar medaljen “Mesarif” te Sulltanit, një mirënjohje me shumë vlerë.
Hasan Riza Pasha, me nanë Shqiptare, mbrojtësi i Shkodrës gjatë rrethimit malazez, iu lut Fishtës të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do të këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit, sepse Hasan Riza Pasha e simpatizonte mjaft Lëvizjen Kombëtare Shiptare, sidomos veprat me frymë patriotike, ja disa nga vargjet e himnit:
“Prej kah lene sa merr hana/ M’u çu shekulli kundra nesh,/ Djem kreshnikë na ban nana,/ Vetëm na i dalim ndesh,/ Të parët tanë burra çeliku/ Bota mbarë sot i nderon,/ Ata i binin ndesh armikut,/ Si rrufeja, kur veton,/”
Fishta në respekt të komandatit turk që u ba fli për shpëtimin e Atdheut tonë, i vrarë tradhëtisht nga Esat Pasha, mori pjesë në rivarrimin e eshtrave me 1936. Përveç fjalimit, Fishta shkroi edhe epitafin që është gdhendur në gurin e varrit: “Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i Shqiptarëve…”
Ndërsa me autoritetet pushtuese të Luftës së Parë Botërore e më pas ka mbajtë qëndrim të palëkundur duke demaskuar synimet e tyre grabitqare. Si ideator i shumë memorandumeve po përmend memorandumin në emër të malësorve Hot e Grudë. Fishta bashkë me Patër Anton Harapin dhe Luigj Gurakuqin e përpiluan dhe me firmën e malësorëve ia dërguan 4 kancelarive të fuqive të mëdha: ëashington, Londër, Paris, Romë për trevat që ia kishin lënë padrejtësisht “Malit Zi” t’i ktheheshin Shqipërisë së cilës i përkisnin.
Letrat e Fishtës nuk ishin për të demonstrue vlerat e tij, por vlerat e një populli të lashtë që lufton me dinjitet për mbrojtjen e territoreve dhe të kulturës së tij.
Një letër e vitit 1934, drejtuar autoriteve të larta italiane, ju kërkon të botohet e plotë vepra e tij, në 7 vëllime, ku të përfshihen: Poezia epike si edhe “Lahuta e Malcis”, Lirike, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthime nga Iliada e Homerit, nga Molieri etj, duhet të njiheshin këto vepra nga të huajt, sepse aty ishte kredhur shpirti i një populli. Ai nuk shkruante për pasuri, sepse paratë që do të merreshin i kishte caktuar të shkonin për fshatin Fishtë. Me 2 Qershor 1939, Fishta emërohet Akademik i Italisë, këtë titull vlerësues e kishte fituar me kohë nga personalitete të larta botërore. Të ishe pjesë e Akademisë Italiane në atë kohë, kur pushtuesit kishin ardhë si “civilizues”, siç shkruante prifti italian Cordignano, vërtetonte të kundërtën, sepse shqiptari At Gjergj Fishta ishte bërë i njohur si poet i madh dhe si dijetar shumëdimensional që do të thotë se ishte produkt i këtij “vendi të prapambetur”.
(për dijeni, Fulvio Cordignano 1887-1952, merr mësime në Kolegjin Severian në Shkodër, 1926-41, shërben si misionar jezuit, duke udhëtuar në gjithë Shqipërinë e Veriut. I apsionuar ndaj folklorit dhe veshjeve popullore, boton me 1925 “Epopeja kombëtare e popullit shqiptar” në dialektin gegë. Gjatë pushtimit fashist shkruan artikullin famëkeq kundër shqiptarëve ku i kundërvihen Fishta me nxënësit e tij, Profesorët e Shkodrës dhe në përgjigje të ketij artikulli, At Nikollë Mazrreku shkruan me pseudonimin Nikë Barcolla, broshurën “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e popullit shqiptar” 1941, 36 f. përkthyer në italisht 1942, nga 18 vjeçari Agim Leka Borshi, gjë që bashkoi rezistencën e Rinisë Shqiptare, kundër pushtuesit italian).
.
Fishta - Koliqi - Asdreni - Lasgushi - Shkodër 1938
Fishta – Koliqi – Asdreni – Lasgushi – Shkodër 1938
Kjo tregon se italianët nuk gjetën një vend të shkretë, kultura Shqiptare kishte rrënjë të thella dhe Fishta ishte në krye. Pushtuesi duhet ta njihte se me çfarë personalitetesh përfaqësohesh Shqipëria.
Këtu e ka bazën edhe nxitja që i bëri Fishta, Ernest Koliqit, që të pranonte emërimin si Ministër Arsimi, se mund ta shfrytëzonte atë post për t’i shërbyer përhapjes së shkollave shqipe në trojet shqiptare të bashkuara. Ashtu ndodhi, u dërguan në Kosovë e tjera 400 mësues, ku u hapen shkolla në gjuhën shqipe… (Im atë, Jahja Domnori u përfshi në këte valë emërimesh, ku hapi shkollën shqipe në Ulqin me 1941, dhe të tjera në rrethinat e Ulqinit me Prenkë Jakovën e të tjerë ku në kujtimet e tij e quan “Gëzimi më i madh në jetën time, që ulqinakët do të shkolloheshin në gjuhën shqipe, të cilën e kishin ruajtur si prushin në gji…”)
Nuk kanë të mbaruar bëmat e Fishtës, edhe në shërbim të Albanologjisë… siç shkruan Prof. Çabej: “Fishta si dijetar i madh në punën shkencore ishte klasik i vërtetë i studimeve shqiptare”
Letra e Fishtës, e Prillit 1940, në emër të studimeve shqiptare, që i drejtohet po autoriteteve të larta italiane që të nxisin inisiativën e profesorit të universitetit të Bolonjës, për pjesëmarrjen e një grupi të rinjsh të përkushtuar ndaj albanologjisë, ku lutet ndër të tjera që të ndihmohet albanologu Norbert Jokl (1877-1942) që ishte piketuar nga nazistet për ta eliminuar fizikisht.
(Dr. Norbert Jokl kishte lidhje të ngushtë me intelektualët shqiptarë të asaj kohe, si Faik Konica, Alekandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi, Lazër Shantoja, Zef Sqiroi…, me arbëreshët, por ishte admirues i madh i Fishtës. Me 1937, kishte vizituar Shqipërinë, në 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Shkencëtari u prit me respekt të lartë duke u nderuar me dekoratën “Urdhni i Skënderbeut”.
I dashuruar pas gjuhës shqipe, abanologu Jokl la për Shqipëtarët, gjithë bibliotekën dhe veprat e shkruara prej tij… Si “shpërblim” të këtyre studimeve të gjata mori torturat naziste dhe vdiq me 1942)
Fishta si prelat françeskan, poet dhe dijetar i dëgjuar në pritjen e rezervuar nga Papa Piu XII 1932, u nderua nga një audiencë e gjatë në selinë e shenjtë në Vatikan. Ishte një tjetër vlerësim për Shqiptarin e Madh. Kështu që sa më shumë do të kalojnë vitet aqë më shumë do të njihet në botë e do të shtohen studiuesit rreth veprave të tij siç shkruan Prof. Çabej “…Artin letrar të Fishtës do ta pranonte bota kurdoherë më mirë, për shkak të plotësisë më të madhe të vlerave etnike dhe kulturore të një populli”
Feja e Fishtës asnjëherë nuk u ba pengesë që t’i shërbente Atdheut dhe kombit të tij me kaq përkushtim sepse i printe binomi “Fè e Atdhè” Por bashkëpunëtorët e diktatorit edhe pas vdekjes e kishin frikë emrin e Fishtës, si për të gjithë njerëzit e shquar.
Veladoni priftëror nuk e pengoi Fishtën të merrej me politikë. Ai ishte deputet i Shkodrës bashkë me ajkën e intelektualëve te qytetit të madh verior, edhe pse ishte në opozitë, fjalimet e tij për arsimin edhe për ekonominë, që nuk ishte fusha e tij, vlejnë edhe për sot. Ishte përkrahës i Nolit, në Revolucionin e 1924, sepse përputheshin në shumë drejtime: Parimet e presidentit amerikan në 14 pikat i quajti Willsoniane, filozofi që u përkrah me zjarr prej tyre, siç u shpreh Fishta me 1919 në Paris “Por çka pse, simbas teorisë Vilsoniane, për me mujtë nji popull me u sundue me vetvedi, posë kombësisë duhet të merret parasysh dhe ndërgjegjja e tij kombëtare” Ashtu siç bëri Fishta me autoritete italiane për shpëtimin e Dr. Norbert Joklit, Noli iu drejtua direkt Hitlerit për ta shpëtuar albanologun që i dha zemrën dhe mendjen studimeve të gjuhës shqipe…
Në fushën diplomatike Fishta shkëlqeu kudo që shkoi. Çdo politikan, apo diplomat shqiptar duhet të njohin fjalimet e Fishtës në parlamentin shqiptar, në kongrese dhe konferencat ndërkombëtare. Fjalimi i një prelati kishtar, në Konferencën e Paqës në Paris ishte historik, i guximshëm, realist, ku të vërtetat thuheshin hapur, ishte fjalimi i një intelektuali shqiptar që akuzonte në emër të gjithë shqiptarëve pa dallim feje. Fishta si predikues i kristianizmit dhe mbrojtës tolerant i të gjitha religjioneve, kurrë nuk pranoi para shtetarëve evropianë se Skënderbeu kishte luftuar për të mbrojtur Krishtërimin, ku ndër të tjera shkruan se: “Sa e pathemeltë kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punëve të Skenderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi me aqë trimni kundra Venecianëve, sa ç’pat luftue, kundra turqve atëherë, ku Venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni, Dejën e Drishtin.”
Fishta guxoj me fakte të denoncojë tmerret e gjenocidit serb e grek ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, edhe në fjalimin brilant të Konferencës… kur shkruante: “Kombi shqiptar nuk asht diftue aspak i egër e barbar si disa kombe të tjera të qytetnueme…, serbët në kohën e Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë barkun nanave shqiptare dhe foshnjat e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada…”; “Grekët dogjën 360 katunde të Shqipërisë jugore tue i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptar…” Ndërsa “Pavarësia e Greqisë asht nji lule e rimun me gjak shqiptari. Zhavellët e Boçarët kanë kenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimni shqiptare kanë luftue…”
Për Kosovë, Çamëri dhe treva të tjera shqiptare të lëna padrejtësisht jashtë kufijëve shtetëror e bënë Fishtën luftëtarin e paepur për shqiptarinë me emrin bashkues, Gegë Toska.
.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike.... Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi – Gjergj Fishta dhe Asdreni.
I bindur në lashtësinë e popullit shqiptar ngriti zërin në atë kuvend ndërkombëtar me një vendosmëri të ligjshme: “Nji popull i vjetër sa fosilet, sa stalagtitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane dhe i lidhur të thuash prej vetë rrajve të vjetra, ai asht edhe sot Zot Autokton i Pakundërshtueshëm i Tokave të veta!” Prandaj. Fishta i revoltuar nga padrejtësitë që i janë bërë shqiptarëve ndër shekuj nuk kurseu as Romën e Bizantin, as turkun e rusin, as fqinjët dhe autoritetet e Evropës të cilët i ndanë tokat tona: Serbisë, Greqisë, Malit të Zi duke mos ua shuar oreksin edhe sot grabitqarëve fqinj. Ata edhe sot, vazhdojnë të diskutojnë për kisha, për varre, për Epirin, për Veriun e Kosovës, për kufirin detar, për monumentet mijëra vjeçare… dhe s’kanë të mbaruar, për Lahutën, për Skënderbeun, për legjendat…
Zoti na ruejtë!? Mjaftë ma!? Për ata që fusin grindje mes popujve!?
Për të sqaruar propaganden armiqësore për “egërsinë” e shqiptarëve Fishta shkruan: “Çeshtja e gjakmarrjes nuk asht nji argument i cili shërben për me përcaktue barbarinë e kombit shqiptar… Kurrkush ma fort se unë, – si nji prelat kishtar, – nuk mund ta dënojnë punën e gjakmarrjes në vetvedi… por mbas Kanunit, i cili asht të shprehunit e shpirtit të Kombit Shqiptar, se çdo vrasje asht e ndëshkueme me dekë…”
Armiku me armë i popullit shqiptar, Mark Milani (1833-1901), që ishte ballafaquar shumë herë në fronte të luftës kundër shqiptarëve, edhe pse ishte me origjinë shqiptare, arriti ta dëshmojë të vërteten. Ishte personazhi më armiqësor i përshkruar te “Lahuta e Malcis”, por në vepren e tij “Shembuj burrërie dhe trimërie… Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” ngre lart cilësitë më të vyera të shqiptarëve: Trimërinë, burrërinë, Besën, nderin, zakonet, traditat…
I njihte shqiptarët, nga përvoja në luftë, si njerëz pa stërvitje ushtarake, por të rritur me pushkë në krah, pa përgatitje akademike, por të sprovuem në luftime të vazhdueshme kundër shkjaut. I njohu si luftëtarë, me shpirt sakrifice për mbrojtjen e Atdheut, dhe u ngritën si strategë. Kjo e detyroi kundërshtarin të thoshte atë që përjetoi. Ai njihte edhe vëllezërit e vet serbët e malazezët dhe pabesitë e tyre. Në fund të jetës la këto fjalë: “Puno o serb, o vëlla, me shqiptarët se do të fitosh! Trokit në dyert e tyre dhe ato do të hapen… puno me besnikëri dhe vetëmohim…”
mos u mbështet në shkathtësinë tënde dhe as në thjeshtësinë e tyre duke menduar se mund t’i mashtrosh lehtë! Ata nuk duhet ta kuptojnë se punon më tepër për nderin dhe lavdinë tënde se sa të tyre! nuk guxon që t’u japësh shkas për t’i ngulur mbi ty njëmijë shikime për t’i zbuluar dredhitë dhe të metat e tua. ata janë popull i thjeshtë, dhe kur të shohin tek ti të vërtetën e pastër, hidhen bashkë me ty në flakë dhe në ujë!” përkthyer nga Pjetër Lucaj… Thëniet e tij në veprën e shkruar hedhin poshtë dashje pa dashje shumë komente të papranueshme dhe tendencioze në fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, duke përforcuar se shqiptarët në Mal të Zi janë autoktonë, dhe pabesitë e shteteve të mëdha dhe egërsia çnjerëzore e fqinjëve e kanë copëtuar, duke ia mohuar gjuhën, tokën dhe historinë.
.
At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)
Sa i fuqishëm ishte Fishta në fjalimet kur nxirrte në shesh shpifjet dhe krimet e armiqëve, aq i ndjeshëm i butë, i qeshur, i dashur ishte me bashkëpunuesit, me nxënësit, me kolegët, me popullin e thjeshtë. Mjafton të përmendësh, angazhimin dhe përgatitjen për fjalimin miqësor me rastin e ardhjes në Shkodër të Asdrenit nga Rumania. Me ftesë nga ministri i arsimit, Ernest Koliqi, Asdreni i shoqëruar nga Lasgush Poradeci dhe të tjerë nga elita intelektuale shqiptare, morën pjesë në shfaqjen e organizuar enkas për mysafirin nga larg, në qytetin e kulturës (viti 1937) Fjalën e hapjes para shfaqjes e mbajti Fishta, ku përveç fjalëve të ngrohta të mirëseardhjes së mikut të shtrejtë, theksoi peripecitë e popullit shqiptarë, që janë flijue për zhvillimin e idealeve kombëtare, ku ndër të tjerë ngriti lart kontributin e Asdrenit në këte çështje. Oratori Fishta, vlerësoi me admirim popullin e Shkodrës, që nëpërmjet Shoqnisë Rozafa, i bënë nderimin e duhur poetit të shquar. Këto fjalë e mallëngjyen aqë shumë Asdrenin sa nuk mundi të nxirrte fjalë nga goja, por duke lotuar e përqafoi përzemërsisht, At Fishtën, shprehje e respektit dhe mirënjohjes për mikpritjen e shkodranëve. Ky afrim vëllazëror u përmbyll me këngët e Tefta Tashkos, shoqëruar në piano nga Lola Aleksi. Në takimin me Fishtën Lasgush Poradeci la këte dedikim në librin që i dhuroi: “Njeriut të Zotit meditans dhe militants, Burrit shqiptar përfaqësonjës më të Madhit epik të shekullit!”
Jam munduar të gërmoi në thesarin e artë të Fishtës, por s’ka të mbaruar, sa më shumë të gërmosh aqë më shumë do të nxjerrësh nga ajo minierë dijesh. Studiuesit në vazhdimësi do ta plotësojnë panoramën madhështore shumë dimensionale të eruditit enciklopedist, Atë Gjergj Fishta.
E kam përmendur arbëreshin Françesco Crispi më sipër, por disa hollësi po i detajoj në këte përmbledhje. Sepse mund të vlejnë për studiusit sepse Giuseppe Crispi, (xhaxhai i F. Crispit) shkroi të parën monografi në gjuhën shqipe.
Kush ishte Francesco Crispi (1818-1901) që ndihmoi në hapjen e shkollave në Shqipërinë nën sundimin otoman. Ishte arbëreshi patriot dhe shtetar shumë aktiv në periudhën Risorgimento. Ishte mik i afërt i Giuseppe Mazzini, ay u përndoq, si aktiv në revolucionin e 1848, figurë kryesore pranë Giuseppe Garibaldi në fushatën e tij në Siçili në lëvizjen për indipendencë, dhe një nga arkitektët e unifikimit të Italisë në vitet 1860. Pas viteve 1870, ishte President i Dhomës së Deputetëve 1877, Ministër i brendshëm, dhe dy herë kryeministër i Italisë (1887-1891), (1893-1896). I pari ministër dhe kryeministër nga Italia e jugut.
Paraardhësit e tij erdhën në Siçili nga fundi i shekulli 15, pas pushtimit të Shqipërisë nga otomanët, ishin arbëreshë të Greqisë.
Studioi për drejtësi, në Palermo, ku rektor i këtij Instituti ishte Giuseppe Crispi, xhaxhai i tij, i cili shkroi të parën monografi në gjuhën shqipe. Si gazetar shkroi në L’Oreto, ku ngrinte problemin e edukimit të njerëzve të varfër e sidomos të grave që të kenë të drejta të barabarta përpara ligjit. Një ndihmë i dha, Garibaldit të një mijë luftëtarëve, me të cilët zbarkuan në Siçili, kundër qeverisë së Burbonëve 1860. Edhe pse qe një aventurë e rrezikshme, përfundoi me një plebishit. Kjo solli bashkimin e Napolit dhe Siçilisë në mbretërinë e Sardinës që ishte territori i fundit në bashkimin e Italisë, në Mars 1861. Ky aksion i guximshëm e bëri me emër dhe e radhiti me katër figurat më të shquara të kombit italian: Giuseppe Garibaldi, Giuseppe Mazzini, Viktor Emanueli dhe Camillo Cavour.
Si Italo-Shqiptar, Mendimi i tij për Shqipërinë: e parasheh si një shtet të pavarur, dhe është kunder Pansllavizmit… Si njeri me karakter të fortë patriotik dhe shumë energjik, stimuloi dhe intensifikoi marrëdhëniet etno- kulturale midis Arbëreshëve dhe shqiptarëve, hapi shkollën stigmatine në Shkodër 1888, dhe mbante lidhje me Abdyl Frashërin, Thimi Mitko… Ithtarët e tij duke u nisur se si e kishte filluar jetën, si demokrat liberal revolucionar e kishin përcaktuar:
“Ai u lind si një urë zjarri, dhe vdiq si zjarrfikës!” Si figurë dominante në politikën italiane për disa dekada, ishte përshëndetur edhe nga Giuseppe Verdi si “Një Patriot i Madh.” Francesco Crispi për origjinen e tij shprehet: “Një Shqiptar në gjak dhe në zemër”.

.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.