Fitnete Rexha –
“Bilbili i këngës popullore të Shqipërisë së Mesme”
Fitnete Rexha lindi në Tiranë më 3 prill 1933, ajo është këngëtare mjaft e njohur e muzikes popullore, dhe “Artiste e Merituar”.
Në vitet ’60 ishte ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase. Fitnetja ra në kontakt me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase në familjen e saj.
Vajza më e vogël e Bab Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familja krutane e të cilit njihet për vlerat e traditës, kultivonte prej shumë brezash këngën popullore.
.
Rreth moshës 15 vjeçare këndon dhe regjistron këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka. Orkestrina përbëhej nga muziktarët Skënder Reka-fisarmonikë, Liu i Nushit dhe Çerçiz Mehmeti-violinë, Reshit Shehu-dajre, Mustafa Zyberi-klarinetë, Riza Selita-kontrabas, Emil Miloti dhe Fadili i Ansamblit të Ushtrisë në kitarë.
Fillimisht fillon punë si këngëtare në Estradën e Tiranës dhe më pas aktiviteti i saj si këngëtare u zhvillua tërësisht pranë A.K.V.P-së në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981. Ndër këngët më të bukura të kënduara prej F.Rexhës përmendim: “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mun aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” etj.
Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme. Regjistrimet muzikore të saj gjenden kryesisht pranë Radio-Tiranës.
.
Akademik, Prof. Çesk Zadeja ka thënë se: “Sa herë të degjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha…”
Këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, Artistja e Merituar, Fitnete Rexha, ka vdekur në Tiranë në moshën 70 vjeçare.
Zonja Rexha, që është konsideruar dhe bilbili i këngës popullore të Shqipërisë së Mesme, vdiq pas një sëmundjeje të rëndë.
Kompozitori dhe bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar, z.Tish Daija tha për BBC-në se Fitnete Rexha ishte reformatore e muzikës së Shqipërisë së Mesme.
“Vlerësimi im për Fitnete Rexhën si këngëtare e këngës së Shqipërisë të Mesme është maksimal,” tha z. Daija.
Sipas z. Daija, ajo pastroi këngën e Shqipërisë së Mesme nga influencat e muzikës orientale. “Ajo është një shembull i shkëlqyer se si mund të dashurohet kënga popullore…” tha z. Daija.
Fitnete Rexha vdiq në Tiranë më 14 gusht 2003
.
Marrë nga Muri i Fb i Porta Tiranës 18 shkurt 2021