back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fjalë që s’përkthehen drejtpërdrejtë në shqip… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Lab e Malsor
Lab e Malsor

Fjalë që s’përkthehen drejtpërdrejtë në shqip…

nga Artan Kafexhiu

Një rast i tillë është edhe fjala “blessing”, që në përafrimin më të mundëshëm, por prap me rezerva, mund të sillet në shqip si “urim”. Megjithatë, të duhet pak abstragim dhe imagjinatë, për të hyrë në botën e kësaj fjale. Bëhet edhe më e komplikuar puna, kur kjo fjalë merr forma idiomatike siç është shprehja-emër “a blessing in disguise”, që më poshtë kam dhënë shpjegimin në anglisht: “blessing in disguise – an apparent misfortune that eventually has good results”
Shqipja është gjuhë mjaft e pasur me idioma, që në i quajmë frazeologjizma, ose shprehje frazeologjike. Vetë fjala “gjuhë”, ka ndoshta mbi njëqind shprehje frazeologjike në shqip. Kështu që shprehja-emër në anglisht “blessing in disguise”, mundet fare mirë të përkthehet në një përpjekje të parë, si: “Jo çdo e keqe vjen veçse për të keq!”. Megjithatë, kjo s’mjafton për të përfshirë gjithë universin, që hap shprehja në anglisht “a blessing in diguise”, që në qitje më të largët, në fakt është një e mirë, që shfaqet e veshur “me rrobat e shtrigësisë”.
M’u kujtua kjo shprehje, kur mbarova leximin e një shkrimi të një gjuhëtari (linguisti) “sofist” (që ma sugjeruan), në lidhje me gegënishten, që për fatin e mirë të shqiptarëve, po rikthehet në gjuhën e shkruar të letrave prej pendave akoma të ndrojtura, që zyrtarisht janë nën trusninë e “standardit”, por si gjuhë të nënës kanë gegërishten. Këto poetë e shkrimtarë të rinj kanë avantazhin mbi atë pjesë shkruesish, që nuk kanë patur fatin, që të kenë si gjuhë të qumështit, gegënishten. Këta shkrimtarë gegë, e zotërojnë “standardin” në të shkruar me një “fluency” marramendëse prej shkollimit të përgjithshëm, ndërkohë, që në të folur e të shkruar, në shumicën e rasteve, lehtë-lehtë bëjnë “code switching”, ose “code mixing”, sipas vendit dhe shoqërisë. Unë jam njeri prej tyre, që e bëj si në të folur dhe në të shkruar, këtë ece-jake midis variantit geg, tosk e standardit. Lingusti “sofist” pretendon se, nuk mund të bëhet ky dyjëzim lingustik-dialektor në krijimtarinë letrare, sepse nuk shkon. E arsyet, ai i di vetë, ashtu si di ai, të na i shesë. Kurse krijimtarët gegë, po e shkruajnë gjuhën duke krijuar efekte shumë të pëlqyeshme, e pasuruese gjuhësore për lexuesin shqiptar, ku rrihet syri e veshi, e mësohet me dy format dialektore brenda të njëjtit tekst letrar. Ky proces aplikohet e kryet krejt natyrshëm, sepse të dy variantet janë sjellje natyrale, – mënyra, varietete të natyrëshme shprehëse, – e nuk ka vijë demarkacioni në përdorim, një vijë, që për disa, “ndahet me thikë!”.
Kjo që po ndodh aktualisht, ishte ëndrra e shumë burrave të mençur, për përzjerjen graduale të dialekteve, ku format gege e toske (që në një farë mënyre është standardi sot) shkëmbehen në mënyrë të ndërsjelltë, e krejt lehtë. Në gjuhë s’ka ligje, ka rregulla, që me kalimin e kohës modifikohen vetvetiu nën trusninë e përdoruesve të gjuhës, ku një rol misionar të pazëvëndësueshëm, e paresor, kanë krijuesit e veprave letrare, shkrimtarët.
Për këtë mund të shkruhet edhe më gjatë, shumë më gjatë. Por me këtë përqasje të shkurtër, e kam nxjerrë idenë besoj. Një nga mjetet më efikase janë format e reja kreative të të shkruarit, ku përzihen të dyja: standardi dhe dialektet, e ku shkrimtarët, sidomos ata me origjinë gege kanë avantazhin, “the upper hand”.
Shembulli i përzjerjes dialektale gjuhësore, që mbeti një ëndërr për shumicën e elitës shqiptare të paraluftës, po behet realitet, pikërisht prej një aksidenti të planifikuar, apo të llogaritur me dhunë gjuhësore, siç ishte “standardi”, duke e drunjëzuar fleksibilitetin dhe përzjerjen e dialekteve. Pra, jo gjithmonë, “një e keqe vjen veçse për të keq!”.
Për kthimin e gegënishtes, si një pajtuese e mençur e të dy dialekteve, dhuna e standardit kishte efektin e një bumerangu. “At the end, it vvas a blessing in disguise…”
.
Marrë nga muri i Fb i Artan Kafexhiut, 1 Prill 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.