back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fjalë të vështira të një lamtumire… – Ermira Xhomaqi – Godo për Seit Xhomaqin

Gazeta

Seit Xhomaqi
Seit Xhomaqi

Fjalë të vështira të një lamtumire…

Ermira Xhomaqi – Godo për Seit Xhomaqin

Atje ku dhimbjeve të tua u shtohen dhimbjet pafund për ata që s’i kemi më pranë,
Atje ku ndarja s’është veçse një tjetër horizont, e një limit i paanë.
Atje ku jeta e njeriut merr një tjetër kuptimësi,
Atje ku kam patur fatin e madh të jetoj e të rritem pranë mençurisë së tij,
Atje ku përkundem edhe sot në fjalët e këshillat e tij… e mbi të gjitha,
Atje ku ti, edhe 45 vjet pas Revoltës së Spaçit, kujtoje atë ferr si vendin më të mirë për ta njohur tjetrin, ku më e shndritëshmja e burrit prej tridhjetepesave ndjente kërcitjen e llozave, rënkimet e çelsave…
Atje ku bëheshe detyrueshëm “minatori më i mirë” e citoje vargje pafund në frëngjisht për të hedhur tej, krejt shijen e humbur të jetës…
Atje ku e keqja më e madhe që i ndodh njeriut në një çast të caktuar të jetës, nuk është ajo që ai pëson asaj dite, por ajo e mëpasmja, më e vështira që të bën të luftosh e të guxosh për ta rindërtuar jetën përsëri…
Atje ku njoh e shquaj më mirë atë ditë plot diell e dritë që zbriti ngadalë prej një tempulli për ty e të fali për vitet më pas çka ti kishe më të shtrenjtë: relievet e pafund të sfidave intelektuale, projektet e dosjet e radhës, e sikur të mos mjaftonin asnjëherë ato të cilat tashmë ishin kryer e realizuar, të tjera mbanin gjallë përherë tek ti, vizionin elegant, entuziazmin, gjithçka altruiste e plot dashamirësi…
Atje ku sot një curril loti më rrokulliset në faqe pa më marrë leje, e mikpritës më shfaqesh sërish…
.
Seit Xhomaqi
Seit Xhomaqi

***

Seit Xhomaqi, lindur më 5 maj 1940, në Bejkovë të Kolonjës, në një familje me tradita patriotike, mësuesi i ri i diplomuar në bio-kimi, kundërshtar i sistemit totalitar, arsye për të cilën arrestohet një ditë prilli të vitit 1975, për agjitacion e propagandë, dhe vuan vite të tëra në burgun e Spaçit. Pas internimit në fshatrat e Elbasanit, ku qëndroi deri në përmbysjen e sistemit komunist, altari i tij i fundit do të ishte Franca, një vend ku as e mira, as e keqja s’mund të braktisen aq lehtë sa dëshirojmë ne, e gjithsesi mund të gjesh së fundmi paqe e qetësi.
 
***
E kam pasur kaq të vështirë të gjej fjalët e lamtumirës për ty… Ashtu si fjalët e mirënjohjes sime të thellë që mbartin brenda copëza dhimbje e zemre. Të falenderoj pafund të më kesh dhuruar këtë vendstrehim të bekuar!
Pranë teje me mendje e me zemër xhaxhai im i paharruar, dy vjet pa ty!
.
Ex, 28 dhjetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.