back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Fletë të grisura jete… Viola Doko

Gazeta

Viola Doko
Viola Doko

Fletë të grisura jete… Viola Doko

Sot është dita e kundërdhunës ndaj grave… dhe unë desha diçka për kët ditë… Vonë një mikja ime ma tagoi kët shkrim mjaft të dhimbshëm… ku dhunuese e gruas është vetë jeta… Nji jetë e jetuar me mjaft dinjitet edhe kur nuk duket asnji fashë drite para syve te saj… j.r. 25.11.2013

E njoha ashtu rastësisht në një spital të Brukselit, kish vajtur të vizitojë një miken time të sëmurë dhe nëvkorridor dëgjova nga një dhomë fjalë të shkëputura të një frëngjishtje të përzier me shqipen. Kur ju afrova derës nga vinin ato fjalë, pashë një zonjë që qëndronte në këmbë me një tufë letrash në duar, e ulur para një tavoline, ku ishin edhe dy mjeke që i kisha hasur dy-tri herë në dhomën e mikes sime të sëmurë. Pa hezituar hyra në dhomë dhe i vura dorën mbi shpatulla duke iu drejtuar në gjuhën tonë se si mund ta ndihmoja. U kthye nga unë, ma mbështeti kokën në gjoksin tim dhe u shkreh në një dënesë prekëse… diçka më mërmëriste, por s’po arrija të kuptoja asgjë. Ju kërkova ndjesë mjekëve dhe e mora në dalje të dhomës së mjekëve, duke i thënë që të uleshim për një kafe në barin e spitalit…
Ajo vinte nga një qytet verior, ishte e martuar dhe kishte një vajzë të sëmurë… Prej shumë vitesh e kishte edhe bashkëshortin të sëmurë dhe ndodhesh krejt e vetme në përballjen e të gjitha problemeve, dhe siç shprehej ajo vetë: “Zoti me ka vënë shumë kryqe mbi shpatullat e mia për me i mbajtë…” Në Bruksel ndodhesh pasi kish aplikuar për të shitur një veshkë dhe e kishin njoftuar se ishte gjetur edhe blerësi. Qe nisur nga Shqipëria dy ditë më parë dhe i qe nënshtruar gjithë analizave mjeksore… çdo gjë ishte pozitive nga ana shëndetsore, por nga pala e mjekëve i qe komunikuar se nuk mund t’ia merrnin veshkën pasi ngarkesa emocionale apo stresi, siç e etiketojmë rëndom dhe lodhja kishin kaluar çdo limit të mundshëm, ndaj i duhej të qëndronte në rehabilitim për dy javë dhe më pas i duhej t’i nënshtrohej sërisht krejt analizave.
Për të ishte i pamundur ky qëndrim kaq i gjatë larg familjes, duke marrë në konsideratë edhe kohën pas operacionit, faktin që në Shqipëri kish lënë dy të sëmurë, për të cilët duhej të kujdesej, shto këtu edhe që nga puna kish marrë vetëm dy javë leje… Dhe nëse nuk kthehej në kohë  humbiste edhe vendin  e punës.
E befasuar nga e gjithë kjo që dëgjova nuk po i besoja vetes nëse vërtet isha ulur në atë tavolinë bari brenda ambienteve të spitalit, apo në krevatin tim po shihja një ëndërr të frikshme!!
Më pihet një cigare i thashë… Dalim jashtë se këtu nuk lejohet… Porosita edhe një wiski që e mora në nji gote plastike dhe dolëm jashta… Po më bindej si një fëmijë i hutuar… në të vërtetë ajo ishte tejet e hutuar. Si ecëm pa folur disa hapa, dhe unë që cigaren nuk po e pija por po e haja, i kërkova të më tregojë për veten diçka më shumë… Hapi çanten dhe nxorri një bllok lëkure të trashë, ma vuri në duar dhe më tha “Këtu jam unë, po jua le ta lexoni, por ju lutem ma ktheni prap… Jeni e vetmja që po jua besoj jetën time… Ky është ditari im…

Etyd shprese
Etyd shprese

I thashë të vinte me mua në shtëpinë time, por nuk pranoi. Donte të rrinte në dhomën që i qe caktuar brenda spitalit, por më kërkoi që ta ndihmoja me mjekët, pasi kishte mjaft vështirsi në komunikim për shkak të gjuhës.
U kthyem përsëri në atë dhomë ku edhe e gjeta, dhe duke ju kërkuar ndjesë iu drejtova mjekëve se ajo grua ishte një bashkombase e imja dhe se do ta ndihmoja për të kuptuar mëe mirë atë çfarë kishin vendosur ata. Nga thëniet e mjekëve mësova se ajo ishte një grua e pastër, siç e quajtën ato, për sa i përket sëmundjeve, por trupi i sajë nuk ishte gati për një ndërhyrje kirurgjikale, për t’i hequr një organ, në rastin e sajë veshkën, pasi ishte tejet e lodhur dhe shumë e stresuar gjë që mund të sillte reagime negative për shëndetin e saj, si gjatë ndërhyrjes, po edhe më pas.
Ja përktheva gjithë çka më thanë mjekët, por ajo nuk reagoi fare, qe bërë si një statujë që frymonte, por që nuk ishte brenda atij realiteti në të cilin ndodhej.
I thashë që së pari të bënte një banjë të ngrohtë e më pas të drekonim bashkë.
Kish fjetur dy ore dhe kur u zgjua ndihej e turpëruar, duart i lëvizte si të mos ishin të sajat…
Ulu – i thashë – do pimë kafe dhe do dalim, besoj se nuk e njeh Brukselin, është qytet i bukur.
Kishim shetitur për katër orë nëpër qytet, e shihja që gëzonte si femijë… E kuptova se sa pak u desht për ta bërë të ndjehej ndryshe, ndoshta edhe e lumtur… pse herë herë edhe psherëtinte.
Në ditën e tretë të qëndrimit në Bruksel kur po ktheheshim nga pazari i thashë se i kam pronotuar biletën e avionit për nesër në Tiranë, më pa në sy dhe nuk foli…
Kur po e përcillja në aeroport, mora t’i kthej ditarin… “S’kam pasur kohë ta lexoj – i thashë si me humor vazhdova – Ti ma more kohën gjithë këtyre ditëve… Ajo e mori në duar dhe filloi të shkpusë fletë nëpër të… Nuk di sa fletë ishin, por m’i vuri të gjitha në duar duke më thënë… Po ju le një pjesë të jetës sime si mirnjohje për ju… dhe u largua mes njerëzve… E shoqërova me sy deri sa kaloi në hollin e pritjes… Mandej s’e pashë më…

Fletë të një ditari të grisur…

Nganjëherë dua ta kujtoj fëmijrinë time, por më vjen e largët… nuk kam pasur kurrë kukulla… mbaj mend se m’i bënte mama me dy shkopinj dhe me copa të grisura… Libra mbaj mend se më lexonte shumë… Babin… Ah babin, pak e mbaj mend… Ishte në burg dhe ky ishte edhe shkaku pse nuk kisha shumë shoqe se nuk i lejonin prindët e tyre të rrinin me mua…
Mama ime ishte shumë e bukur me flokë të zeza e të gjata, me sy të zinj, po gjithmonë të trishtë… E di që më donte shumë, se vetëm mua më kishte po asnjëherë nuk mbaj mend se më ka përqafuar, punonte me tre turne në fabrikën e miellit dhe kur ishte turni tretë me merrte me vete, flija e mbuluar me thasët e miellit…
Babai im ka folur gjithmonë pak… Isha rritur pak sa për të kuptuar se kisha dy prindër të mrekullueshëm që e donin shumë njeri tjetrin, e që në këtë qytet i kishin sjellë si të interrnuar… Ishin dy intelektualë… Njeri arkeolog dhe tjetra mjeke, por që nuk ushtronin profesionet e tyre…

Vetmi... e kaltert
Vetmi… e kaltert

***
…Bënte ftohtë në qytetin tim… Binte shumë dëborë dhe ne të tre mblidheshim bashkë në krevat e gjumi më zinte duke dëgjuar mamën me babanë që këndonin me zë të ulët këngë italiane…
Nuk më lejuan të vazhdoja shkollën e mesme… Do punosh në kooperativë – më thanë, isha vetëm 15 vjeçe… Praktikisht mbeta pa ëndrra…

***
Im atë vendosi që çdo natë të më jepte mësim në shtëpi… më shpjegonte ushtrime, me jepte detyra, më pyeste… si të isha nxënëse shkolle,… më pas filloi të më mësonte dhe gjuhën italiane…
…Një natë erdhi në shtëpi me një kitarre… Do fillosh ta mësosh… – më tha, – ti ke vesh për muzike, po kush do t’m’i mësojë notat – e pyeta Ai qeshi… Mama – më tha, – Mama i bie bukur kitarrës…

***
Njëzetetre vjeçe isha kur vdiq im atë, nga një sëmundje e rëndë… dhe ne mbetëm sërish vetëm… edhë unë, edhe mama… Por s’qe e thënë të jetonte as ajo… Siç duket dashuria e tyre kish qenë aq e madhe sa ajo iku gjashtë  muaj pas tij… pa menduar se ku po më linte mua… Eh, ironi e fatit…

***
Jam bërë mama… Jam shumë e lumtur… Kukullën që s’e pata kurrë për të luajtur, tash  e kam në duar për ta rritur… Se ç’ka një aromë të mirë… Nuk me ngjet mua… eshtë krejt si i ati, dhe mua më vjen mirë se dhe unë babit tim i ngjaja…

***
Eh, sa e vështirë për të qenë e lumtur…! Mirë thonë se fati si niset griset… Bashkëshorti im pësoi një goditje cerebrale dhe ka mbetur në krevat i paralizuar… Vajza është në një moshë që ka nevojë për të dy ne… Unë jam vetëm… Fillikat e vetme…
Kalova një kalvar dhimbjesh, kur e linda kët vajzë, por asnjëherë s’e humba toruan, pse duhej që vajza ime të kalonte në depresion…??

***

…Nuk kam asnjë mundësi t’i përballoj mjekimet e burrit dhe vajzes… I shita të gjitha çfarë kisha me vlerë, edhe shtëpinë e hipotekova në bankë… Tani kam frikë se po të më ndodhë gjë mua… si bashkëshorti, si vajza ime do më mbeten në rrugë… O Zot, më jep fuqi, dhe më jem një mendim si të dal prej kësaj së keqeje… Punoj pesëmbëdhjetë orë çdo ditë… e prap nuk po ia dal dot… është koha e maskarenjve…
Do ta shes njerën veshkë që të shlyej bankën kështu kam mundësinë e një mjekimi më cilësor për vajzën… Do të aplikoj që edhe njerin sy ta shes po qe nevoja…

***

…Mundeni të më gjykoni ju?!?! Keni ndenjur me netë pa gjumë me frikën e zgjimit… Keni rënë në shtrat pa ngrenë edhe 75 orë…?? A ju ka ndodhur të gëzoheni me gjithë zemër për ndonjë mik a mike, kur shpirti juaj ulëret nga dhimbja…??  A ju ka rastisur t’ua grisin jetën dhe copëzat e sajë të mos mundni ti mblidhni??? A e keni provuar t’ju rrëzojnë ëndrrën e ngritur mbi themele dashurie… A ju është fanitur ndonjë ëndërr si ky kalvar i jetës sime… sigurisht do të ishit tmerruar… E pra unë s’jam tjeter veçse një grua që shihem e veshur bukur me rroba firmato të firmës Gabi… S’jam heroinë, thjesht nënë jam që për fëmijën tim do ta jepja edhe jetën… Dhe besoj se pak do më kuptojnë, në gjithë këtë që po bëj…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.