“Fletorja e Vjeshtës”, Festa e Flamurit
dhe i mikprituri i vonë Vlorës…
nga Jozef Radi
Ndërsa nisesha për Vlorë, në prag të Festës së Flamurit, provoja nji ndjesi të veçantë. Edhe pse shiun e kisha gjithë kohës bashkudhëtar emocionesh, rrugës u përpoqa të gjurmoja ndonjë fashë drite të fshehur në grinë e fundvjeshtës… por asgjë, sepse shiu bëri të vetën gjithandej derisa m’u shfaq qyteti që tashmë nënkupton Flamurin, dhe nji nga shkollat e tij, të cilët ishin mikpritësit e parë të veprës sime gjithsesi modeste. Do të ishin ata, dhurues emocionesh kurrë të provuara, ata të parët e nji kapitulli ende të pashkruar, që do t’imbetet gjatë kujtesës sime, duke hyrë si ato rastësisë pothuaj të pabesueshme të jetës…
&
Kur mora vesh ftesën e nga Shkolla e Mesme jopublike “Xhyheri”, e para gjë që mendova, qe ndjesia e së pabesueshmes, bile më keq e ndonji shakaje… Po ditë mbas dite dëgjoja për përgatitjet dhe s’më mbeti tjetër veçse ta bind veten, se ky qytet ngjarjesh të mëdha historike, s’mund të ishte ndryshe për mua! Kështu e binda dhe kthjellova veten, se nji udhkryq i rëndësishëm duhej të kalonte aty nga Vlora, dhe se ai shi ashtu i shtruar vjeshte, s’do të qe asgjë më shumë se nji refren i përcjellës i asaj vjeshte të lagësht, aq i domosdoshëm për emocione të forta…
&
E ndërsa përgatisja ardhjen në Qytetin e Flamurit, kërkova të gjej diçka prej Vlore në jetën time… diçka që më lidhte me kët qytet gjoksrrahsash… dhe gjeta diku, ca ditë të vështira, pothuaj inkoshiente të fillimjetës në malet e ashpra të Kurveleshit dhe te Buronjat e Kuçit, ku në rrethana tejet të vështira ishin ngjizja, lindja po edhe dy vitet e para të jetës sime… Jeta e nji fëmije të vetëm, midis nji kampi prej 100 burrash… M’u avitën ca kujtime të nënës sime kur më rrëfente se si kisha mbrritur deri te caku i vdekjes, dhe as ajo s’e dinte se ç’mrekulli hyjnore, o ndoshta lutjet e saj më kishte mbajtur në kët jetë! Pra, diçka prej Vlore ia gjeta vetes, sigurisht ca e trishtë, por e sjellë tek brezi më i ri i këtij qyteti më bënte gjithsesi të mos ndjehesha as i largët dhe as i huaj… Po s’mund të harroja se kisha brenda vetes kisha edhe jehonën e poezive lirike të Ali Asllanit dhe Fatos Arapit, që më kishin shoqëruar vazhdimisht e më kishin sjellë deri te porta e këtij qyteti…
&
Fakti që në Qytetin e Flamurit, më çonte poezia dhe ta ndjeja shpirtin tim ndër vargje të përcjellë prej nji brezi të ri, ishte nji ogur i mirë, që me bënte sa të emocionuar aq edhe i ndrojtur… sepse ai qytet me detin dhe gjirin; me Sazanin dhe Llogaranë; me historinë dhe njerzit; me traditat dhe krenarinë e tij të veçantë mbetej nji poezi më vete ende e pakënduar sa duhet… pra ende e paplotë… Isha i bindur se prej atyre vajzave dhe djemve që ju ndrisnin sytë prej gëzimit të poezisë, nesër do të shpërthejnë zëra që do t’i çojnë më tej lirikat magjike të Ali Asllanit dhe të Fatos Arapit, që edhe pse të papërsëritshme, bindja ime mbetej e ngulitur se magjia e qytetit të Flamurit, meritonte të ngjitej në piedestale te reja… Prandaj s’mund të rrija pa i cituar edhe aty mes nxënësve vargjet perla të Ali Asllanit për dashurinë dhe Vlorën: “O moj ti e mira, që m’ike nga dora… Ti ike nga mua unë ika nga Vlora!”
&
“Fletorja e Vjeshtës” edhe pse i shkruar këtu e katër vite të shkuara, mbetej libri im i fundit… Ndoshta shpejt, s’do të jetë kështu! Pse ky qytet, fytyrat e paqme e të bukura të asaj rinie, recitimet e tyre m’u shfaqën jo vetëm si besim po edhe si nxitje për të synuar projekte të reja! Sepse në rrafshultën e jetës, shpesh mjafton veç nji fill i vogël, për ta tërhequr krejt dritën që përpëlitet thellësive tona…
&
Gjithnji e kam konsideruar poezinë art sublim… Art prej të cilit kanë lindur shumë arte… Pa poezinë s’do të ishte muzika… pa poezinë s’do të ishte piktura… pa poezinë s’do të ishte filozofia… sepse Poezia është në sythin e jetës njerzore… Përpiquni ta ngulni mirë në mendje kët gjë!
Jo çdo dëshirë e ëmbël brenda nesh mund të jetë dhe të shfaqet si poezi… por çdo poezi edhe kur lind nga dhimbja duhet të ketë ëmbëlsinë e mbrritjes te lexuesi… Poezia nuk është thjesht vargëzim dhe melodi, po më së shumti është përgjegjsi ndaj jetës, ndaj së bukurës, ndaj vetvetes… Asnjiherë mos mendoni se poezia nuk jeton brenda jush; asnjiherë mos e dëshpëroni veten se ju nuk mund ta mbrrini; asnjiherë mos rreshtni së shkruari çka më shumë ju emocionon… E shkruara jonë vërtet është vonë, po e kënduara jonë është shumë më e hershme se e të tjerëve, për këtë poezia e çdo shqiptari ka edhe nji arsye më shumë, që të jetë e shkruar…!” – u thashë djemve dhe vajzave të shkollës së mesme “Xhyheri” në takimin e së premtes paradite, me 27 Nëntor 2015…
&
Sigurisht, shqetësimi im ishte se çfarë mesazhi i përcjell nji poet nji auditori rinie… E kam vrarë mendjen gjatë… dhe sinqerisht ajo për të cilën isha nisur midis asaj vjeshte, me “Fletroren e Vjeshtës” mbetej humanizmi… Sa mund të ndikojë, dhe sa duhet të ndikojë poezia në nji shoqëri që ka vuajtur tmerrsisht nga tjetërsimi i njeriut dhe lufta me vetveten; si mund ta shpëtojmë poezinë nga militarizimi dhe mercenarizmi i poetëve… si ta bëjmë poezinë të ecë mes njerzve dhe të vuajë e të gezohet bashkë me ata… Unë them: Mundemi dhe duhet, sepse unë besoj se poezia mund të shërojë shpirtëra dhe trupe… Poezia mund të na ngjisë lart e të na shkulë prej batakut të shterpësisë ku na ka zhytur poezia e realsocit… Sigurisht, s’mund të ndodhë menjiherë, dhe as vetëm prej disave… Por pak nga pak, dhe nga shumë prej jush ajo ka për t’u bërë pjesë e humanizmit të madh… Rëndësi ka që ju të besoni brenda vetes tuaj, rëndësi ka ju të kultivoni humanizëm…
&
Sigurisht, në ndërdyshjet e mia të këtij takimi me lexues të rinj, ka qenë edhe nji fakt mjaft kurreshtar si për mua ashtu edhe për lexuesit… Te “Fletorja e Vjeshtës” kisha përdorur nji gegnishte letrare të butë si trajtë e shkruar… Gjë e cila ishte paska e vështirë për të folurën e këtij qyteti… Sigurisht unë do të përpiqesha ta shpjegoja psenë e kësaj zgjedhje, por kjo do të ndodhte mbasi ata ta kishin përvetsuar tekstin poetik… Edhe pse isha i bindur se ata mund të mos e gjenin të drejtë kët gjë, fakti që unë isha i ftuari tyre më lejonte të besoja se kjo do të qe nji shenjë dëshmuese tolerance dhe respekti… e cila më shtynte ta vlerësoj jo dyfish po shumëfish shembullin e kësaj shkolle…
Epilog…
Sigurisht shiu s’na lejoi ta gëzonim si duhet atë takim, ku Klodian Xhyheri, drejtori i shkollës, aq i emocionuar dhe aq i përzemert; mësuesja e letërsisë Laureta Papajorgji me të cilen pata nji bisedë të ngrohtë e miqësore; vajzat Xhoana Lagji (vajza e piktures), Eva Rakipaj , Antonela Rakipaj, Lisjena Hoxhaj, Griselda Hoxhaj, Luiza Tafili, Anna Fotiadhi, Endi Nexhipi dhe Dovlet Devollaj, që ishin mjaft të emocionuar në leximet e poezive dhe përcjelljen e biografisë sime; Lidhja e Shkrimtarëve të qytetit, ku zoti Myrteza Mara dhe Gëzim Llojdia u bënë pjesë aktive e atij takimi, po edhe miqtë e mi të vjetër tëardhur nga larg si Dine Dine, Gëzim Baruti, Tefta Çapaj, Vaslika Gjoka dhe Sofo Kuqeshi ishin të pranishëm në kët ditë emocionesh, e bënë edhe më të ndjerë atë takim.
Ç’ka vlen të nënvizohet, janë emocionet e përbashkëta të atij takimi, ku s’mund të mos falenderoj shkrimtarin dhe studiuesin Leka Ndoja, për ndërhyrjet mbi veprën time letrare dhe shpjegimet ndaj nxënësve aq të emocionuar prej këtij takimi… që nuk u larguan pa marrë diçka nga botimet e mia e të tim eti në vite…
Vlorë, nëntor 2015