back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Flijimet e Nanës Shqiptare Tahir Kolgjini (poemth)

Gazeta

Tahir Kolgjini (1903 - 1988)
Tahir Kolgjini (1903 – 1988)

Nji ndjesë paksa e vonë…

nga Jozef Radi

Poemthi “Flijimet e Nanës Shqiptare” i Tahir Kolgjinit, pa as ma të voglin dyshim, hyn në fondin e artë të letërsisë shqipe… Duhej t’ishte thanë kahera nji gja e tillë, po si duket burokracia letrare shqipe asht tejet e zanun me shplamjen e kujdesshme të llumit gjysëshekullor, dhe s’i ka dalë kohë… Po s’prish ndonji punë të madhe heshtja e atyne që e kanë për detyrë të flasin, sepse s’tregon asgja ma shumë se sa vonesën e tyne të diktueme me urdhën, si dikur… sepse Kolgjini e ka lanë nji monument, për ato që janë vetë monument, edhe pse ende s’e kanë nji monument në kambë kërkund ndër ne…. Por sot e kam ma të lehtë me marrë përsipri fajin tim, sepse duhej ta kisha lexue e mësue me kohë kët vepër të nji bukurie antologjike në gegnishten e Kolgjinit…
Gra si kjo, për të cilën ka gdhend kët monument Tahir Kolgjini, unë kam pasë rast me i pa me sy, me i kam prekë me dorë, me u marrë edhe ndonji ledhe, dhe me e lexue ne ftyrat e tyne të zezën që kishte shkarkue shteti mbi to, ndaj shpesh jam përpjekë me ua la kët borxh, sa herë m’asht dhanë mundsia… Po  nuk do të rresht sa herë të më jepet ajo, me e nenvizue ket fakt sa heroik aq edhe fisnik te grues shqiptare… Po duke qenë se shpesh jetojmë midis shurdhësh e vuvësh, gjithçka harrohet shpejt ndër ne, po mbetetm i bindun se ka me ardhë me siguri nji brez lexuesish, dhe ka me e ndeshë kët përpjekje të mundimshme për monumentalizim e Grues dhe Nanës Shqiptare dhe ka për ta krye kët mision… Jam i bindun!
Sepse sot, në ditë të Nanë Terezës, unë mund ta them krejt pa droje se Nanë Tereza, toka shqiptare ka sot e kësaj dite, veç ne jemi të verbët me i pa, të lodhun me iu këndue, si iu ka këndue me nji shpirtmadhsi të pashoqe Tahir Kolgjini, në kët botim të kahershëm të tij te “Shejzat” e Koliqit.
Gjashtëmbdhjetë rrokshi i Kolgjinit asht fort i ngjashëm me atë të Naim Frashërit, po asht ma intens dhe ma epik… Sepse ka në qendër Nanën Shqiptare, e cila për nga epizmi asht e pashoqe në krejt botën, dhe të ndihmon vetë Ajo ta kesh ma të lehtë… Bukuria e vargut, skalitja e mendimit, gjansia shpirtnore, figura morale, thjeshtësia e komunikuese, epiciteti i amanetit, përkushtimi ndaj familjes dhe atdheut mbeten të nji përmase të pashoqe në poemth…
Mundem me vazhdue gjatë pa e teprue askund, pse jam i bindun se  asgja prej atyne që kam shprehë nuk më mbyt euforia, sepse e kam njoftë dikur nji Loke, krejt si kjo e poemth, dhe as kam për t’ia harrue pamjen, e askurrë at shpirtin e saj fisnik…
Prandaj asht dyfish i vërtetë ky poemth, dhe pasqyrimi që ai gjen mbrenda meje…
26 gusht 2013   

Nënat e vuajtjeve të pafundme...
Nënat e vuajtjeve të pafundme…

Flijimet e Nanës Shqiptare

Tahir Kolgjini (poemth) – (marrë nga Shejzat)

Isha rritun bukur shum sa nji far’ voci, si me thanun,
Për me shkue në shkollë fillore, lakmi rrethit për me i lanun.
Nji ditë vere, dit’e gjatë, qi prej vape me u tërmeke,
E shoh nanën tue lavrue, fort ngërmue përmbi jeke,
Tue iu dhanun urdhën qeve: “Hajt ir, hajt, hallall ju qoftë,
Ç’ju kam dhanun tagji elbi, bar’e kashtë e qull të ngroftë!”
Komandonte qé e almisë, si ma i miri burrë në dhe,
Për të kryem punë bujksije, si ma i miri bujk ndër ne,
Për ta bam arën ugare, që ish djerrë qe tri vjet,
Për ta mbjellun n’muejt e vjeshtës me parmendë o me çdo mjet.
N’djers’e n’pluhun ishte mbytun, i kullonte llom nga ftyra,
ishte lodhun, ish postatun, paraqitej ngjyra ngjyra.

“Ah moj loke – i thash’ dhimbshëm, po m’vjen keq se qenke lodhun.
A s’m’i l’shon almiset mue, pak në ndihmë me t’u ndodhun?
Mbasi penda n’vendet tona asht për gra nji punë e randë.
Kosë e lavër janë për burra, gurë e baltë, me nxjerrun landë!”
M’u përgjegj me fjalë bujare: “Hajt more bir, m’u bafsh katund,
Nuk don nana me t’helmue; ç’asht ndër ne, nuk asht gjithkund:
Kur Ti ishe n’djep i vogël, msyni anmiku vend për vend.
Krejt polemi rroki armët, kush ish burrë, mbarë e me rend,
Edhe gra, nji pale, u lëshuen, si ulkojat e kësaj ane,
Për me bajtujn bukë e nozull, mjete tjera dhe xhebhane,
Për t’i dalun ballë për ballë, gryk’e me grykë, si ç’ish zakoni,
Për shqiptarët burra trima, n’kohë të vjetra e te s’voni,
Që nuk dinë se kah del plumbi, se ç’asht vrasa, se ç’asht mbeta,
Kur luftojnë për nder e sedër, për Atdhe e troje t’veta.
Dhe Yt atë ishte bashkue me kët rragje luftëtare,
Për të shkue n’ballë të luftës, ku kish krisë lufta batare,
Dhe ma para se të nisej, me nji za me plot urti,
M’u drejtue me kambngulje, tue m’bame kët porosi:

Gjylie Kolgjini (Lokja) me nusen dhe mbesat
Gjylie Kolgjini (Lokja – e shoqja e Tahir Kolgjinit) me nusen dhe mbesat

“Për kët jetë unë ta kam lanun, për at jetë un’ ta kërkofsha,
Rritma djalin si ka hije, – mos ma rrit si pulë ndër kosha!
Qi t’m’i dalë zot Flamurit, si simbol qi na e kanë lanun,
Gjyshat tona, burra të vjetër, edhe jetën për me e dhanun,
Tue luftue kundër anmikut, kur Atdheun ai ta ket prekun,
N’asht, se shkrue asht për mue, në kët luftë dëshmor me dekun!
Edhe mbet trimnisht si kushi; për mbi Te vegoftë drita,
U kujtoftë veç me të mira sa t’vazhdojë nata e dita!”

* * *
“Pra, lum nana…, m’paç uratën, kambë ku ve, ku ban fërkem,
Un’ si grue e nanë shqiptare – si besnike e burrit tem,
Qi përpiqet për familje e për rreth e ç’ka për anë,
Qi përpiqet dhe për Fis, e për t’fismin Komb të tanë,
Tue ngarendun ku t’jetë puna ma e vshtira me mundime,
Tue e bamë egis vetvedin ndër rreziqe të jetesës,
Tue u kredhun pa kursime nëpër pellgje të trishtesës,
Herë me magje e punë shpijake, herë me gja e herë me blegë,
Herë me kmesë, herë me latoshe, lis më lis e degë m’degë,
Herë me krrabza o me gjylpana, herë me bosht e herë me furkë,
Herë me lamsh e herë me pasma, shpat më shpat e sukë m’sukë,
Herë me vekë e me punë dore, tue hakatun pa ia damë,
Herë me pleh e herë me ara, simbas shortit, qi ka ramë,
Diku ngimë e diku unet, me bark thatë si t’ketë qillue,
Pa u ungjun, pa pushue, qysh se drita t’ketë fillue,
Fushë e megje, bjeshkë e male pa i marrun parasysh,
Kur nuk kanë, me shokë e vllazën tue e damë kacoren n’dyshë,
Si ç’na e la zakon i pari, gjysh mbas gjyshi e brez mbas brezi,
Me i ndihmue njani tjetrit, qoftë Ilia e qoftë Elezi,
Sepse ndera e faqja e bardhë për shqiptarët qi kanë mend,
Ose dhuna e fatkeqësia, iu vjen bashkë vend për vend!”

***
“Pra, lum nana…, ti me qenë se je copë e trupit tem,
Gjithashtu – dhe dije mirë, se i t’em burrit je nji rrem,
Qi ka mbetun si dëshmorë në fushë të nderit për Atdhe,
Mall tue lanun, jetë tue dhanun, tue bamë fli gjithshka për ne,
E qi mue m’porositi për me t’rritun si ka hije,
Për me shkue n’gjurma t’babës, pa u shmangun asnji fije,
Kam me t’mbajtun, kam me t’rritun, tue punue ding e dang,
Kam me t’mbajtun ndezë oxhakun, kam me t’mbajtun shpi e plang,
Për me ruejtun amanetin, qi s’e kalb as tokë as det,
Qi Yt atë ma kish dorëzue, sa t’kem frymën në kët jetë,
Kur u dame për herë të fundit, tue qamë me lot për faqe,
Kur ishem tue e përcjellun rreth katundit me bajraqe…”

***
Anishka, moj zemra e nanës, un’ jam nanë e at për Ty,
Do t’punoj e do të lvirem, në këtë s’ka tetë e dy,
Ja me pendë e me almisë, o me mjete tjera lloje,
Por me thonj do t’i përvishem e me dhambë, simbas nevoje,
Der’sa Ti, në moshë madhore me shëndet e mirë të rritesh,
Për të zanë vendin e babës, n’moshë burrnije kur të ngjitesh,
Për t’kujtue nanë e babë, për t’mendue vlla e motër,
Për të dashtun far’e fisin për të çmue vend e votër…
Mandej vijnë detyra tjera me flijime si përherë
Qi të parët i kanë përballun: Komb, Flamur, Liri e Nder!…”
Marrë nga: http://gazetadielli.com/sofra-poetike-e-diellit-poezi-nga-ahmet-kolgjini

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.