back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Flluska e ajrit – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Et'hem Haxhiademi (1902-1965)
Et’hem Haxhiademi (1902-1965)

Një rrëfim tronditës me një ritëm që të përpin, për një të vërtetë tragjike rrëfyer për Babanë e Tragjedisë shqiptare e që vazhdon të prodhojë edhe sot pasoja! Nuk e lexova e përpiva më një frymë!
Muçi Xhepa prej vitesh sjell libra të herëmbashershëm ku puna e tij, mënyra e tij e rrëfimit, dinamika dhe lakonizmi i fjalës është veçse i tiji! Në rrëfimet e tij të thjeshta ka personazhe realë ku thuajse përjashtohet elaborimi artistik, pra është diçka e veçantë e drejtpërdrejtë dhe shumë e rëndësishme! Sepse përmes një dinamike tejet funksionale krijohet një trekëndësh barabrinjës dhe tejet solid: rrëfyesi, personazhi (ose personazhet) dhe lexuesi në një mënyrë të çlirtë komunikimi ku asnjeri nuk dëshiron “ta lodhë” tjetrin! Si të thuash jemi përballë një mënyrë të re të të bërit letërsi ku personazhi mbasi lë dëshminë e tij autorit ia lëshon rradhën lexuesit, duke dhënë thelbin e asaj çka autori e quan “e domosdoshmja”!
Ky ishte një reflektim i shpejtë mbas leximeve të shumta të rrëfimeve të Muçi Xhepës!!!
jozef radi, 28 qershor 2022

Demir Pojani me librat e Muçi Xhepës
Demir Pojani me librat e Muçi Xhepës

Flluska e ajrit

nga Muçi Xhepa

-I injektuan ajër, flluskë ajri, në gjak. I shkaktuan atak në zemër! – më tregon në mesinxher miku im Demir Pojani.
Familjet tona ruajnë një miqësi të hershme. Halla e Demirit dhe babai im kanë qenë në të njëjtën klasë gjatë viteve të shkollës. “Heroinë e vërtetë! – thotë babai – Për dekada të tëra, kur të tre vëllezërit Pojani diktatura e proletariatit i mbylli në burgjet e kampet e shfarosjes, Gulagun shqiptar, pjesëtarët e tjerë të familjes i qëndruan dhunës në këmbë. Krenarë. U rridhte gjak i pastër ndër deje. Antikomunist.
-Ne e dinim mirë se pak ditë para lirimit, komanda e burgut të Burrelit përdorte mjetin e antinjeriut për të shfarosur kundërshtarët e rrezikshëm: gjilpërën.
-E kanë mësuar nga vëllai i madh, Stalini. Pas “Shkrirjes”, të burgosurit e Kolimas kërkuan të silleshin përpara drejtësisë mjekët që përdorën gjilpërën… futjen e flluskave të vogla të ajrit në enët e gjakut… ato shkonin në tru, zemër apo mushkëri dhe shkaktonin atak të zemrës, goditje në tru ose bllokim të frymëmarrjes.
-U dënuan?!
-Jo, sepse ardhja e Krushovit në krye të BRSS-së ishte vetëm ndërrim lëkure.
-Si këtu?! Pa Nuremberg!?
-Ke të drejtë. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, mjekët kryesorë nazistë u sollën përpara drejtësisë. Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare në Nuremberg. Njëzet mjekë u akuzuan për krime kundër njerëzimit…
-Atje gjyqin e bënë fituesit e luftës. Këtu… Eh, tani thonë me mburrje se janë me Amerikën. Pra, cilët fituan? Cilët do t’ua bëjnë gjyqin?
-Prisja radhën ta takoja. Njeriun e shquar të letrave shqipe.
Jam me Uran Kostrecin te ballkoni i shtëpisë sime. Vjeshtë. Pasdite. Urani s’e ndan cigaren nga buzët. Ballkoni është vendi i parapëlqyer. “E tërë shtëpia jote, për mua, është ky ballkon i vogël…”, më tha kur erdhi herën e parë në Uashington.

Akti i Arrestimit te Et'hem Haxhiademit - 7 janar 1947
Akti i Arrestimit te Et’hem Haxhiademit – 7 janar 1947

-Në burg radhë?
-Et’hem Haxhiademi ishte autoritet. Takimi me të ishte ngjarje e madhe për një bashkëvuajtës.
Rrufit kafenë dhe vështrimi i tretet të gjethet e ahut, që i rrëzon era e lehtë e mbrëmjes, një e nga një.
-Na nxorën nga qelia për ajrosje. Po më priste. I shkëlqenin sytë e lagur. Mall, dhimbje. Takonte dikë që kishte punuar pranë gruas tij. Unë ndihmoja mamanë. Gratë e dyerve të mëdha të qytetit i kishin vënë të hapnin me lopatë kanal të thellë vaditës. Më përqafoi. Dridhej, trupit të dobësuar dukej se do t’i shpërthente kraharori. Zemra e gjakosur të fluturonte te çerdhja, ku zogjtë dhe pëllumbesha e prisnin. Më shtrëngoi fort.
– Më thuaj se janë gjallë!
Mbeta…
-Vitet shkojnë dhe ato bëhen më të fortë me ndihmën e atyre që duhet… Kancelari austriak tha se ata e morën përgjegjësinë e asaj që shkaktuan… dhe nuk duan më të përsëritet… Por, kujt po i drejtohej, kujt po i rrihte krahët. Atij që thotë se ka qenë dhe është në nanën e drejt të historisë. Cilës histori? Të babait që firmosi të varej një poet i lirisë në vitin 1988!!!
Demiri ngrihet nga vendi, kthen karrigen në anën e kundërt dhe ulet duke vendosur duart në mbështetëse.
-Kamer Ybeshari, infermieri inkuizitor, përbindësh, i bëri gjilpërën dramaturgut të madh, shkrimtarit që mund të mburrej çdo vend i qytetëruar ta kishte birin e tij. Et’hem Haxhiademi mbylli sytë. Me të edhe arti i vërtetë.

Familja e Et'hem Haxhiademit
Familja e Et’hem Haxhiademit

Foto e jashtëzakonshme…!

Nuk e di e ç’viti është kjo foto, por ajo çka ma grabiti vëmendjen është qëndrimi fotografik i pesë familjarëve të Et’hem Haxhiademit, katër fëmijëve, (tre djem e një vajzë) dhe gruas së tij! Jam i bindur se kjo foto ka pasë si destinacion Burgun e Burrelit, ku Tragjediani i Madh, vuante barbarinë e atyre që e kishin vjedhur, dënuar me burg të rëndë, dënuar me heshtje… dhe gruan që për të rritur fëmijëtpunonte kanaleve, (simbas dëshmisë së Uran Kostrecit). Ajo çka të detyron të ndalesh e ta mbash frymën është Qëndrimi i të Pestëve! Aty e kupton se ata kanë një vuajtje dhe një dramë të madhe në shpirtin e tyre… Por pamja e secilit dhe të gjithëve bashkë është edhe unitet, edhe krenari, edhe ruajtje e emrit te familjes, edhe trishtim, edhe protestë, edhe qëndrim deklarativ në heshtje për diçka tejet të padrejtë të pësuar…!
Pikërisht të gjithë këta elemente në një foto në dukje e thjeshtë, besoj se ishin një mesazh për babanë dhe burrin që vuante në skëterrën e Burrelit, prej të cilës ai nuk arriti të dilte…
Foto që të mahnit… dhe asnjë fjalë më shumë!
jozef radi, 28 qershor 2022

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.